“Kur Bajaziti shënoi golin me francezët në ‘Qemal Stafa’ nga një goditje dënimin, tifozët kavajas shpreheshin; ‘Ime, kina dhe na Platina’…”/ Historia e panjohur e një prej yjeve të futbollit shqiptar

Nga Uvil Zajmi

Memorie.al / Traditë familjare, ndër më të njohurat jo vetëm në Kavajën e shumë dinastive sportive, por edhe në Shqipëri. I talentuar, konkurron dhe Zyber Konçi e pëlqen. Pastaj shkollimi me urdhër të Iljaz Rekës, vitet me “Shkëndinë”, rikthimi te “Besa” dhe dëshira e parealizuar e “Dinamos” për ta veshur blu. Futbollist universal, që vetëm portier nuk ka luajtur. Golat e paharruar, publiciteti në “Francë Football” dhe reagimi popullor kavajas për të mos u larguar. Biografia, kombëtarja deri te biznesi. pasioni i Dashnor Bajazitit…!

Rrugëtimi sportiv në moshë të vogël

I datëlindjes 1955, rrugëtimi sportiv i Dashit merr udhë në shkollën “24 Maj” të qytetit të Kavajës, ku nxënësi Bajaziti, është aktiv dhe në klasën e 5-të, ende pa qenë pionier, dallohet e veçohet nga trajnerët Dhimitër Dimroçi, Hasan Gërmani, A. Felai e Alush Merhori. I luan të gjitha disiplinat: Atletikë 10-garësh, kërcim së gjati, vrapues i distancave 100 m. dhe 1500 m., por edhe në basketboll, volejboll. Edhe në kampionatin e shkollave ku përfshihet rrethi i Durrësit, Kavaja, Shijaku, Durrësi, shquhet në futboll. Dallohet në Spartakiadën e Pionierëve që zhvillohet në Lezhë në vitin 1968. Është 13 vjeç, aktivizohet në futboll me të rinjtë ku trajnerë janë F. Zhelegu, I. Dobiani, ndërkohë që “Besën” e madhe, e drejtonte Zihni Gjinali.

Te Mjeshtëria, pa konkurrim

Korrik i vitit 1969, ka ardhur në Tiranë dhe konkurron për t’u futur në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive në Futboll që ka një vit që është hapur. I shoqëruar nga B. Ylviu dhe me rekomandim të Hasan Gërmenjit, është paraqitur para komisionit të konkurrimit, i cili përbëhej nga figura të shquara e të mëdha të futbollit. E kemi fjalën për trajnerë e specialistë si Zyber Konçi, Miço Ndini, Miço Papadhopulli, Thanas Jançe, Myslym Alla etj. Vetëm gjuajtje në portë, pastaj disa zhonglime. “Nuk ke nevojë për tjetër gjë, nga vjen dhe kush je”? – e pyet Konçi, duke e ndërprerë të vazhdojë testin. – “Konkursin e ke fituar, ik interesohu në rrethin tënd që të të japin të drejtën të vish në shkollë, pasi duhet opinion dhe aprovimi i tyre”.

VËSHTIRËSIA PËR SHKOLLË, NDËRHYN ILJAZ REKA

Pati vështirësi, pasi Kavaja e refuzoi arsimimin e tij. Por me porosi të Iljaz Rekës, Kryetar i Komitetit të Rrethit të Durrësit, më 16 tetor, Bajaziti shkoi në Tiranë, ndonëse me vonesë, pasi shkolla kishte filluar më 1 shtator. “E takova vetë Iljaz Rekën kur ai erdhi në Kavajë, pastaj i shkova në zyrë dhe pasi tregova rastin, ai u lidh me Kavajën dhe më ndihmoi”, – tregon Bajaziti. – “Dy vitet e para në Mjeshtëri i kam me Myslym Allën, Bari Ishkën dhe në kursin tim kisha Ilir Luarasin, Bifshën, A. Toqin, Qipon. Jetoja në konvikt.

Pastaj me të rinjtë ku luajnë Dash Gëzdari, Ilir Luarasi, Konomi, P. Vako, Paçrami, Astrit Hafizi, Muç Fagu, Bujar Çela. Durim Kushe, G. Sherko etj. Stërviteshim dy herë në ditë, në mesditë me Thanas Jançen, ndërsa paradite me Myslym Allën”. “Shkëndija” kishte dy skuadra me të rinj, njëra që luante në Kategorinë e Dytë, tjetra në të Parën. “Në sezonin 1970-1971, isha me të rinjtë e Kategorisë II-të, pas një viti në Kategorinë e I-rë, gjithmonë te të rinjtë. Pastaj me ekipin e të rriturve të “Shkëndisë” në Kategorinë e Dytë, për të qenë titullar me skuadrën e parë në janar të 1973, që luante në Kategorinë e Parë”, rrëfen Bajaziti.

Ndeshja e parë kundër Iljaz Çeços

Takimi i parë regjistrohet në një ndeshje miqësore: “Shkëndija”- “Dinamo”, ka luajtur kundër Iljaz Çeços, te fusha e shkollës dhe 0-0. Nga ajo ndeshje ikën nga të rinjtë dhe luan me skuadrën e parë të “Shkëndisë”, ku janë trajnerë Zyber Konçi e Shyqëri Rreli. Stoper me qendërmbrojtësin Milto Gurma, Leonidha Çurin, Bujar Hushin, Sh. Kurtin, Petrit Gjonin, Arjan Hoxhën, Vladimir Ajazin. Nga takimi me “Dinamon” aktivizohet rregullisht, në të gjitha pozicionet mbrojtëse, i djathtë, i majtë, në qendër, sidomos në veçanti kur lojtarët titullarë dilnin në sulm, apo kur Milto Gurma e Spiro Çuri luanin në mesfushë.

E pëlqen trajner rumun Bolonesku dhe “Dinamo”

Viti 1973, qershor…! Grumbullohet ekipi përfaqësues “Shpresa” me trajner Zyber Konçin, takimi miqësor me Algjerinë, në Stadiumin “Qemal Stafa”, Bajaziti luan mbrojtës i djathtë. Pas një viti në Tiranë, vjen një specialist dhe njëkohësisht trajner, rumuni Bolonesku, i cili e merr në kombëtare Bajazitin, duke e aktivizuar në dy pozicione: mbrojtës i djathtë dhe i majtë përballë Jani Kaçit, e në krah të Safet Berishës, Faruk Sejdinit, Millan Vasos, Milto Gurmës dhe Ilir Përnaskës.

Ndërkohë, mbaron të mesmen e Mjeshtërisë Sportive në Tiranë dhe fillon Institutin e Lartë të Kulturës Fizike, “Vojo Kushi”, të cilin e përfundon në vitin 1977 me rezultate të larta. E emërojnë mësues në shkollën 8-vjeçare “Fiqiri Kurti” në Kavajë. E gjen ekipin “Besa” në të Dytën dhe atë vit e ngjit në të Parën, pretendentë për kampion, e treta në kampionat, me trajner Hasan Gërmani e futbollistë si portierë Haki Arkaxhiu, mbrojtsat Shyqri Qerolli, Azem Mullaliu, Naim Allaj, Hasan Zyla, Durim Shtini e Xhemil Bishtaja, (ky i fundit vëllai i tij, pasi familje Bajazti njihej edhe me mbiemrin Bishtaja). Ndërkohë, ka një interesim në heshtje nga klubi i “Dinamo” i kryeqytetit për ta përfshirë në radhët e tij.

Reagimi popullor kavajas për ta mbajtur

Ndërsa Dash Bajaziti vazhdonte në Kavajë, titullar me “Besën” tashmë, por “Dinamo” ka kohë që e ndjek dhe kërkon ta bëjë futbollist të klubit, deri në ndërhyrje nga zyrtarët e lartë të dikasterit. Kishin hetuar dhe biografia e Bajazitit ishte e pranueshme. Por ka reagim të ashpër nga opinioni kavajas. Vërshojnë letrat për udhëheqës të Partisë në Rrethin e Durrësit deri tek anëtarë të Byrosë Politike në Tiranë.

Situata vështirësohet dhe përfaqësues të partisë së rrethit i dërguan kërkesë Ramiz Alisë e Adil Çarçanit, duke filluar nga Kryetari i Komitetit, Sekretari i Parë i Rrethit të Durrësit që Bajaziti të mos largohej nga “Besa” çka e frenon klubin kryeqytetas të këmbëngulë. Ndonëse “Dinamo” do ta merrte si përforcim ndaj Ajaksit të madh, Bajaziti do ta mbyllte karrierën futbollistike me skuadrën e qytetit të tij, pa mundur të transferohet te blutë.

Bishtaja-Bajaziti, dy vëllezër ndryshe te “Besa”…!

Nga i pari, doktori Lirimi, qendërsulmues me “Besën” deri në vitin 1962 kur vjen në Tiranë për studime në Fakultetin e Mjekësisë, Xhemili dhe Dashnori, me djalin Darien, bashkë me nipërit të gjithë futbollistë. Por, rasti i dy vëllezërve me mbiemra të ndryshëm është i rrallë. Xhemil Bishtaja protagonist me “Besën” e famshme të viteve ’70-të, skuadra e parë shqiptare që kaloi turin e parë të Kupave në Europë. Pastaj Dashnor Bajaziti, titullar, goleador i “Shkëndisë” e “Besës”, dhe i ekipeve kombëtare “Shpresa” dhe të rritur. Xhemjsi (siç e thërrisnin shokët e sportdashësit) dhe Dashi, te ekipi “Besa” kanë qenë bashkë në formacion në tre kampionate 1977-’80-të, por me mbiemra të ndryshëm.

“Ishte biografia që e kishte detyruar Xhemilin të ndryshonte mbiemrin, – tregon Dash Bajaziti. – Ndërsa unë jo dhe ky problem më ka ndjekur për shumë vite të karrierës”.

Shqipëria kampione e Ballkanit, me golat e Bajazitit

Viti 1978, lojtar i përfaqësueses “Shpresa” që fiton në “Qemal Stafa” titullin kampion të Ballkanit, duke mundur 7-1 Rumaninë. Bajaziti e Shyq Ballgjini, ndonëse mbi moshë janë marrë si përforcim, pasi lejohej nga rregullorja e aktivitetit. Nëse në Rumani kishte luajtur si mesfushor, në atë ditë dhjetori plot ngricë të Bukureshtit (3-1 për rumunët), në Tiranë, pas dy javësh, Shyqyri Rreli e aktivizoi si qendërsulmues dhe në këtë zgjedhje taktike, ai nuk kishte gabuar. Bajaziti realizon një tregolësh të jashtëzakonshëm e historik (të parin, të tretin e të katërtin) duke marrë edhe penalltinë e golit të dytë shënuar nga pika e bardhë prej Ballgjinit. Dhe Shqipëria Kampione e Ballkanit, një triumf i madh sportiv.

Kundër ‘Ajaks”-it të madh dhe Arnersenit

Bajaziti luan me “Besën”, është në kombëtare, merret si përforcim edhe nga “Dinamo” në takimin për Kupën e Kampioneve ndaj “Ajaksit”, skuadër me famë që vjen për herë të dytë në Shqipëri. Ishte një dëshirë e hershme e klubit, që u aprovua nga trajneri Sajmir Dauti e, bashkë me Bajazitin merret edhe mbrojtësi Kreshnik Çipi i ekipit “Flamurtari” të Vlorës.

“Ka qenë një javë e vështirë për mua’, – kujton Bajaziti – ‘Ishim të grumbulluar te ‘Plepat’, e Durrësit ku kishte shumë mushkonja dhe netëve rrinim pa gjumë, temperaturë e lartë që vinte nga tavani me soleta. Javën e fundit, pasi u ankuam, na dërguan në hotel ‘Vollga’ në Durrës”. Gjatë ’90-të minutave ka luajtur ndaj Arnesen, një duel i vështirë pasi ai ishte lojtar shumë i përgatitur, teknik, i kudondodhur dhe njeriu kyç i skuadrës. Ishte ai që realizoi dy gola në pjesën e dytë. Luajti në formacion edhe në Amsterdam, një ndeshje pa shumë histori, ndonëse u mbyll vetëm 1-0 për holandezët. Pas asaj ndeshje, teksa futbollistët e të dy ekipeve po shtrëngonin duart me njëri tjetrin, Bajaziti i foli Arnersen-i të famshëm në anglisht (gjuhë të cilën Dashi e fliste lirshëm që në atë kohë), dhe futbollisti i famshëm i “Ajaks”-it, në shenjë mirënjohje i dhuroi fanellën e tij, të cilën Bajaziti e ruan edhe sot në shtëpinë e tij, bashkë me disa kujtime të tjera nga karriera e gjatë sportive.

Lojtar i gjithanshëm dhe universal…!

Gjatë karrierës së tij Dashi (apo Nori siç e thërriste tifozeria e zjarrtë kavajase), ka luajtur kundër dhe me futbollistë kalibri të kohës. Nuk ka pyetur dhe nuk ka pasur vështirësi nga terreni, koha, as nga forca apo fiziku i kundërshtarit. Energjik, teknik, i fortë, i palodhur gjatë 90-të minutave, një lider i vërtetë në skuadër, i adhuruar nga tifozeria. Frikën nuk e ka njohur, as emrin e madhështinë. Bajaziti ka qenë një futbollist universal, duke luajtur në çdo pozicion. Nga mbrojtës, në mesfushë dhe në sulm, vetëm portier jo.

Në vitin 1974, “Shkëndija” tashmë e kishte mbyllur ciklin dhe lojtarët, ata që i dhanë emër, ishin larguar në klubet e qyteteve të tyre dhe formacioni i shkollës ka mbetur në duart e brezit pasardhës, me Bajazitin në krye. Skuadra nuk ka sulmues, pasi Ballço, Bulku dhe Agron Sulaj nuk janë më. Në Durrës, ndaj “Lokomotivës”, për takimin vajtje të Kupës së Republikës, trajneri e vendos qendërmbrojtës dhe 1-1. Pastaj 0- 0 në Tiranë dhe durrsakët eliminohen. Ndeshja e radhës: në Shkodër kundër një “Vllaznie” të fortë me Astrit Hafizin, Saba Bizin, Din Zhegën etj., “Shkëndija” barazon 0-0:

Luan sërish në mbrojtje me Sul Starovën stoper. Gjatë rrugës në kthim, të ulur në tren, ndërsa diskutojnë ai si kapiten, trajneri Shyq Rreli, mjeku Lluka Heqimi dhe Komisari Vargu, për vështirësinë që ka skuadra në vijën e sulmit, vjen ideja surprizë…! “Nisur nga aktivizimi im si sulmues te të rinjtë e “Besës” dhe “Shkëndisë”, i propozoj që të luaj në sulm”, kujton Bajaziti. Nisur nga ky fakt, në takimin e kthimit, “Shkëndija” ka tjetër strategji: Bajaziti luan në sulm, realizon dy gola dhe triumf 2-0 ndaj “Vllaznisë”. Nga ky takim, kur skuadra luante në transfertë, Bajaziti aktivizohej në mbrojtje, ndërsa për ndeshjet e Tiranës vendosej në sulm.

Përjashtim bëhej kur përballë kishte skuadra të forta, që rikthehej në mbrojtje. Kujton ende një moment pikant: “Në ‘Qemal Stafa’, “Dinamo” – “Besa”, në rivalitet për kreun, është minuta e 88-të kur vendasit ekzekutojnë një rivënia anësore. Ishte një moment hezitimi dhe neglizhence, e ndonëse luaja me kujdes ndaj tij, ai çast i ka mjaftuar Llaq Zërit të pambuluar ta stopojë me gjoks topin dhe me një parabël të saktë mbi Arkaxhiun të shënojë golin e fitores”, tregon Bajaziti.

Goleador , në faqet e “Frans Futboll” dhe tek revista “Yllli”

Ka qenë disa herë goleadori i kampionateve, madje ne tri të tilla. I pari ishte ai i sezonit 1978 me 34 gola, i dyti në vitin 1979 me 17 dhe i treti në 1980 me 27 gola. Tre herë i dyti dhe katër herë në vendin e tretë, gjithmonë si lojtar i “Besës”, kur në elitën shqiptare janë emra të njohur, legjenda të futbollit shqiptar, si: Llaq Zëri, Shyq Ballgjini, Tit Dibra, Ilir Përnaska, Sllave Llambi, Din Zhega, Gim Murati, etj.

Nga golat e shënuar, dy janë ata që i ndan nga të tjerët: Viti 1976, “Shkëndija” – “Naftëtari” 2-0. Ishte terren i rënduar, shi gjatë ndeshjes, por ka realizuar nga mesi i fushës, me një gjuajtje mbi 40 metra, nga porta jugore e stadiumit; pastaj takimi miqësor Shqipëri – Francë me ekipet Shpresa në tetor të ’80: 2-2 ndaj francezëve ku luante dhe Zhan Pol Tigana. Ka shënuar me një gjuajtje të stilit të tij, nga një largësi 30 m., nga porta jugore ka barazuar shifrat. (Pas asaj ndeshje, tifozët kavajas në delir, shpreheshin: “Ime, kina dhe na Platina”)

Ndërsa revista prestigjioze “France Football”, pas ndeshjes shkruante: “Ekipi ‘Shpresa’ i Shqipërisë shfaqi një futboll premtues, ku u dallua Bajaziti, një qendërsulmues mjaft teknik, Gega një stoper i fuqishëm dhe Kola një sulmues i majtë i shpejtë…”. I famshëm dhe me emër kur luante me “Besën”, protagonist i kampionateve, ka qenë motivi që e ka nxitur gazetarin Josif Doja, të realizojë një artikull te revista “Ylli”, dedikuar karrierës së tij, ku mes të tjerash shkruante: “Në vitet që luajti, Bajaziti ka mbajtur disa numra: 14-ën kur luante në sulm, duke imituar Krujfin e kudondodhur; pastaj fanellat me nr. 5 dhe 3 kur aktivizohej në mbrojtje si Bekenbauer e Brajtner. Pëlqente lojtarët me fantazi, sidomos stilin Panienka në “goditjet lugë”.

Gol nga dyshi me urdhër…!

Ndeshja e paharruar me “Partizani”-n në Kavajë, në një stadium të mbushur plot. “Besa” – “Partizani” 0-1 pjesa e parë, me dëshirën që të kuqtë ta fitojnë takimin pasi ishin pretendentë për titullin kampion dhe kjo ishte java e fundit. Në pushim të ndeshjes, Bajaziti ka kërkuar zëvendësim dhe traineri Bet Vila e ka zëvendësuar. Është futur në dush, e ndërsa po fshihej me peshqir, në dhomën e lojtarëve futen disa persona që e urdhërojnë të rifutet në lojë, pasi është porosi e Muho Asllanit…, (sekretarit të Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, prej nga varej dhe qyteti i Kavajës në atë kohë).

“Po nuk luajtët, nuk morët pike, e keni punën pisk”, e patën kanë kërcënuar ata. “I detyruar, u zhvesha dhe para fillimit të pjesës së dytë, u them lojtarëve të “Partizanit” për situatën e krijuar”, kujton Bajaziti. Minuta e 84-ët, arbitri jep një goditje dënimi dhe nga një distancë 27 metra, ai ka shënuar nga porta e kishës dhe rezultati shkoi 1-1. Titulli kampion i sezonit 1982-1983 i kaloi “Vllaznisë” së Shkodrës.

Por edhe ndaj shkodranëve ka një episod: Ndeshja e parë e kampionatit, 4-1 për vendasit në Stadiumin “Vojo Kushi”. Faza e dytë, sfida e kthimit, 4-1 triumfojnë kavajasit me dy gola të Bajazitit, që në këtë takim luante mbrojtës i djathtë, duke mbuluar Roland Luçin e fuqishëm. Kjo ishte edhe një nga ndeshjet e rralla të karrierës së tij.

Karton i kuq me Uran Xhafën

Ka vetëm një të tillë dhe këtë e ka marrë në Tiranë. Sezoni 1976-1977, Bajaziti ka një periudhë katërmujore dëmtimi, pasi ka thyer këmbën, qëndron mbi paterica dhe “Shkëndija” (ekipi i Institutit të Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”) koleksionon 11 rezultate negative radhazi. Rikthehet në formacion e në stadiumin “Dinamo”, luajnë “Shkëndija” – “Flamurtari”, 1-0, gol nga një goditje dënimi të Bajazitit. Në një moment të lojës, Uran Xhafa i ka ndërhyrë ashpër, por Bajaziti ka kërcyer duke shmangur agresivitetin e ndërhyrjes. Situata është tensionuar, i nevrikosur Bajaziti ka reaguar, duke tentuar ta godasë me taka në gjoks Xhafën, por kur ka parë arbitrin Namik Jareci me dorën në xhep duke vrapuar drejt tij, i ka thënë: “Mos ma nxirr të kuqin se do dal vetë nga fusha…”!

Në ekipin Kombëtar, një kalvar pa fund…!

Ndonëse është kampion i Ballkanit me ‘Shpresat’, në vitet ’78-’80-të, kur është edhe në formën më të mirë sportive, nuk grumbullohet me ekipin kombëtar, pasi ka pengesë biografinë. Ndërkohë, “Dinamo” i mbyll përfundimisht tentativat për ta marrë, ndonëse në vitin 1980, gjërat sqarohen dhe tashmë akuza se është nipi i Kont Ferrës (tregtari i njohur Xhemal Ferra me origjinë nga Kruja) dhe ka një xhaxha të larguar para lufte për në Itali, nuk janë më pengesë…!

Thirret në përfaqësuese dhe në shtatorin e ’80-ës, në “Qemal Stafa”, Shqipëri Finlandë 2-0, trajner Zuber Konçi e aktivizon si rezervë në pjesën e dytë në vend të Ben Mingës. Luan në tetor Sofje në krah të Sefedin Brahos e Ilir Përnaskës (2-1 për bullgarët), pastaj në nëntor, në 90 minutat vjeneze, Austri-Shqipëri 5-0, por jo në takimin e Tiranës, 0-1 për austriakët. Viti 1981 shoqërohet me një periudhë të gjatë pauze, pasi në kombëtare është rikthyer Loro Boriçi dhe asnjë ndeshje për Bajazitin me fanellën kuqezi, në 4 takimet që zhvillon ajo.

Në 1982-in, në krye të pankinës caktohet një tjetër ish-shkëndijës: Shyqyri Rreli e bashkë me të në përfaqësuese vjen edhe Bajaziti. E fillon si titullar në shtator, Austri-Shqipëri 5-0, por zëvendësohet nga Çim Muça në pjesën e dytë. Nuk është në Izmir, Turqi-Shqipëri 1-0, as në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Irlanda Veriut. 0-0, për t’u rikthyer ndaj një skuadre gjigante: mars 1983, në “Qemal Stafa”, zbret Republika Federale Gjermane, me Shumaker, Hans Peter Brigel, Hans Myler, Karl Heins Rumenige, Voller, Pjer Litbarski, etj. Bajaziti luan vetëm 30 minuta dhe zëvendësohet nga Ilir Lame, një sfidë që mbyllet 1-2 për gjermanët. Këtu përfundon aventura e Bajazitit me përfaqësuesen: 5 ndeshje, 4 si titullar dhe 1 rezervë.

Vitet në stol, biznes dhe qeveri

Vitet që pasuan, pasi u shkëput nga futbolli i luajtur, pa u bërë asnjë ceremoni simbolike, u ul në stolin e Besës. Fillimisht si zv/trajner në vitin 1986 me Skënder Dedjën, por pas humbjes në javën e parë me “Apoloninë”, Dedja largohet dhe drejtimin e skuadrës e merr Bajaziti. Dy vite si ndihmës i Zhegës me ekipin kombëtar ‘Shpresa’, ndërsa te “Besa” qëndroi tre sezone, për t’u zëvendësuar nga Fatmir Frashëri, kohë kur edhe u shkëput krejtësisht nga futbolli.

Me ndërrimin e sistemeve pas vitit 1990-të, u angazhua me biznesin, që është pasioni i parë i tij, të cilin e administron bashkë me të afërm. Kudo që shkon, ka njohje prej famës që ka lënë pas. Pastaj, në qeveri, si shumë sportistë të tjerë nga Agim Fagu, Marjeta Zaçe, Din Zhega, Kateshi, Paulin Stërkaj, Bare, Rauf Dimraj, Fidel Ylli edhe Bajaziti u bashkohet legjendave që u bënë politikanë. Nga fëmijët, vajza është laureuar në “La Sapienza” të Romës, ndërsa djali, Darien, u aktivizua si futbollist me ekipin “Besa”, por të mbash mbi kurriz famën e babait, nuk është e lehtë. Një histori e njohur kjo për të gjithë trashëgimtarët e personazheve të mëdhenj në çdo fushë të jetës…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-shenoi-golin-me-francezet-ne-qemal-stafa-nga-nje-goditje-denimin-tifozet-kavajas-shpreheshin-ime-kina-dhe-na-platina-historia-e-panjohu/