“Kryehetuesi Reshat L., u bënte torturash çnjerëzore, kurse Mihallaq Ziçishti, sekretari i parë i PPSh-së i rrethit, shkonte çdo ditë ne qeli dhe…”/ Historia tragjike e “Grupit që do pushtonte Radio-Korçën”

Nga Thanas L. Gjika

Pjesa e dytë

Memorie.al / Historia e popullit tonë, që në kohët e vjetra, është e mbushur me akte trimërie të njerëzve idealistë, të cilët nuk e kursyen jetën, për të mirën e shoqërisë e të atdheut. Për hir të tyre, populli ynë ka fituar lirinë nga zgjedhat e huaja dhe ka ecur drejt përparimit. Të tillë njerëz, ka pasur edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste. Ata guxuan të shfaqnin mendimet e tyre ndryshe, madje të kundërshtonin vijën e partisë-shtet, por ai regjim, i arrestonte, i dënonte me gjyqet e tij, pa avokat mbrojtës dhe i shpallte; “armiq të popullit” dhe i degdiste nëpër burgje e kampe pune. Kur ata arrinin të delnin nga burgjet, ose të ktheheshin gjallë në shtëpitë e tyre, propaganda shtetërore, i mbulonte me epitete të tilla, që populli t’i braktiste e t’i urrente, derisa të shuheshin e të harroheshin si qenie pa vlerë. Koha e sotme kërkon që të tillë njerëz, të mos lihen në harresë, po të studjohen e të vlerësohen, sepse jeta dhe bëmat e tyre, kanë vlera rigjeneruese për kombin. Edhe ne, si çdo popull, kemi nevojë për pishtarët të tillë, të lirisë e të demokracisë. Një i tillë, ka qenë edhe Thanas Ilo Qeleshi i cili, në rininë e hershme, u pushtua prej ideve komuniste dhe u lidh me Partinë Komuniste, por kur pa e jetoi disa veprime të padrejta të politikës së saj, guxoi të shfaqte mospajtimin e tij dhe të krijonte një celulë partie, kundërshtare me PPSh-në. Jetës dhe bëmave të këtij idealisti, ia kushtojmë këtë ese të shkurtër, mbështetur në disa dokumente dhe kujtime, që i ruan i biri i tij, Mihallaq Th. Qeleshi, të cilin e njoha këtu në SHBA-ës.

                                             Vijon nga numri kaluar

Gjatë viteve 1953-1963, Thanasi ishte një i pakënaqur i mbyllur në vetvete, që nuk guxonte t’i hapej kujt. Më 1963 bashkëshortes së tij, iu rëndua sëmundja dhe doli në kemp. Thanasi, për t’iu ndodhur pranë gruas së sëmurë, kërkoi të largohej nga arsimi dhe pasi mori aprovimin e kërkesës, u fut në punë në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve në Korçë, si këpucar, zanat që ia kishte mësuar babai në rini.

Duke punuar me këmbëngulje, për realizimin e tejkalimin e normës, arriti të krijonte dhe disa novacione në bashkëpunim me ustallarë të vjetër, për krijimin e çantave të grave, për krijimin e psidhjeve të këpucëve, etj. Mirëpo pavarësisht nga puna këmbëngulëse, të ardhurat nuk shtoheshin, sepse normat, rriteshin vazhdimisht.

Kur kuptoi se dhe dy shokë të tij, këpucari Engjëll Fidani dhe mësuesi Dhimitër Zguro, ishin dhe ata të pakënaqur, Thanasi filloi nga diskutimet për të unifikuar mendimet dhe pakënaqësitë. Romantizmi i rinisë së parë, për t’u marrë me agjitacion e propaganda, kundër padrejtësive të pushtuesit të huaj italo-gjerman, rilindi me shpejtësi te ky 34-vjeçar.

Vëllai i tij, dëshmori Gaqo, rekrutoi në atë shtëpi si komunistë, disa të rinj të lagjes, kurse Thanasi, filloi agjitacionin me burra të pjekur, për të krijuar një celulë të një partie të re, opozitare ndaj PPSH-së. Gjatë bisedave me komunistë dhe jo komunistë, ai dëgjonte dhe kuptonte, se të pakënaqur kishte plot, por te të gjithë mbisundonte frika.

Në qytetin e Korçës, Komiteti i Partisë në vitin 1972, krijoi një bërthamë me njerëz të besuar, të cilëve u jepeshin vepra të Marksizëm-Leninizmit, për t’i diskutuar e për të përgatitur materiale, që duhej të përdornin drejtuesit e formave të edukimit, nëpër ndërmarrje e shkolla. Në atë grup, bënin pjesë Dhimitër Zguro, mësues me shkollë të lartë, për Histori-Gjeografi, Thanas Qeleshi, ish-mësues i dalluar, Gaqo Peci (mësues i Gjuhës e Letërsisë), Kiço Venediku (drejtues i Bandës Muzikore të qytetit) e Jani Gjino (mësues).

Gjatë diskutimeve të ndryshme me kolegët e këtij grupi, Thanasi vuri re, se shoku i tij i vjetër, Dhimitër Zgurua, ishte i përgatitur, por dhe i pakënaqur dhe guximtar. Atëhere ai e forcoi më tej miqësinë me të. Dhimitri, kishte lindur më 18 tetor 1939, ishte dhjetë vjet më i ri dhe njohës i mirë i teorisë Marksiste-Leniniste. Po ashtu, në Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve, ku punonte Thanasi, njohu një punëtor të dalluar, i cili shprehte nga një here, mendime kundër politikës së partisë.

Ai quhej Engjëll Fidani, i cili ishte po ashtu i pakënaqur dhe trim. U mblodhën të tre te shtëpia e Thanasit dhe aty diskutuan hapur, për gjendjen politike, për shtrembërime të ndryshme në vijën e partisë, për faktin se populli, ishte i pakënaqur, por nuk guxonte të hapte gojën, etj. Diskutimet ishin të thjeshta. Thanasi mori pllakën e bukës dhe në sy të shokëve e peshoi në kapanën e shtëpisë (peshore prej bronzi) dhe ua tregoi shokëve. Peshorja tregonte, 1 kilogram dhe 600 gram.

– “E shikoni këtë pllakë buke, e paguajmë për dy kilogram, por ajo është 400 gram mangët. Pra shteti, po na vjedh hapur”.

Dhimitër Zguro, si njohës i veprave të Leninit, tha:

– “Lenini ka shkruar që gratë, të mos punojnë në turnin e tretë, po tek ne gratë, po rraskapiten, duke punuar natën, në turnin e tretë”.

Thanasi vijoi:

– “Kush punon me norma, si unë e Engjëlli, e sheh se sapo arrihet realizimi i një norme, atë na e ngrenë e, punëtori duhet të punojë gjithnjë e më shumë, për të marrë, po atë sasi lekësh. Edhe kësaj i thonë vjedhje…”!

Me të tillë shembuj e, të tjerë nga jeta praktike, këta idealistë thanë si përfundim, se partia që drejtonte vendin, nuk ishte parti e vërtetë komuniste, se duhej krijuar një parti tjetër, për të zbatuar si duhej teorinë Marksiste-Leniniste. Ata nuk arrinin të kuptonin, se vetë Marksizëm-Leninizmi, ishte një teori që e kishte të keqen brenda, tek mekanizmi i diktaturës komuniste, e cila nuk lejonte diskutimet ndryshe, kërkonte bindje të verbër dhe i jepte kryetarit të partisë, pushtet absolut, etj.

Këta tre idealistë formuan celulën e parë të një partie të re, të cilën e pagëzuan me emrin ‘Partia e Vërtetë Marksiste-Leniniste’, për të treguar se partia në pushtet, nuk ishte e tillë si quhej.

Kohë pas kohe, në qytetin e Korçës, kjo celulë shkroi nëpër mure disa parulla dhe ngjiti disa trakte. Traktet shpërndaheshin edhe dorazi. Thanasi i shpërndante në Minierën Mborje-Drenovë dhe në Komitetin Ekzekutiv të qytetit; Engjëll Fidani, i shpërndante në Komitetin e Partisë; Dhimitër Zgurua ,në Ndërmarrjen e Trikotazhit.

Anëtarët e celulës bazë, ishin njerëz me biografi të mirë, Thanasi ishte familje dëshmori, veprimtar i Luftës, përgjegjës në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve, Dhimitër Zguro, ishte mësues i Marksizëm-Leninizmit dhe Engjëll Fidani, ishte një tapicier i dalluar. Ky ishte shok me policët e punonjësit e Sigurimit të qytetit, sepse u bënte atyre, këllëfët e revolverëve dhe veshjet e brendshme të makinave.

Dy të parët ishin persona të ngarkuar për diskutimin e literaturës teorike, për të krijuar materialet e diskutimit për format e edukimit. Kjo ishte një nga arsyet pse këta persona, nuk u zbuluan shpejt prej Sigurimit.

Një ndihmë e vërtetë, për zgjerimin e tematikës së partisë së re, u bë broshura “Të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”, të shpallura nga Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (International Helsinki Federation of Human Rights). Kjo broshurë, ishte përkthyer dhe botuar shqip në Jugosllavi, për shqiptarët e atjeshëm dhe në Shqipëri, e solli një shofer kosovar, që sillte tulla me kamion.

Rastësisht një mbrëmje, Engjëll Fidani i doli përpara maunes jugosllave, pa e kuptuar se ishte makinë e huaj dhe i kërkoi të hipte si pasagjer, në të dalë të Pgradecit, për të shkuar në Korçë. Shoferi kosovar e mori dhe filloi ta pyeste për gjendjen ekonomike, etj.

Kur vuri re se pasagjeri kishte rezerva e nuk fliste me entuziazëm për gjendjen në vend, e vuri në dijeni për vendimet e Helsinkit, lidhur me të drejtat e liritë e njeriut dhe i dha një kopje të broshurës, që e kishte me vete. Engjëlli ua solli shokëve dhe pasi celula e tij e studioi, e kopjoi me dorë në dy kopje dhe ua ndau, dy celulave të tjera.

Përhapja e kësaj broshure dhe diskutimet për përmbajtjen e saj, krijuan një atmosferë të ndezur në qytetin e Korçës. Organet e Sigurimit, u vunë në gjurmim intensiv dhe arritën të kapnin treshen fillestare: Qeleshi-Zguro-Fidani. Këta i arrestuan, në kohë e vende të ndryshme. Dhimitrin, e arrestuan më 9 nëntor 1974 në Tiranë, ku kishte shkuar me të motrën Teftën, për vizitë. Thanasin e Engjëllin, i arrestuan më 24 nëntor 1974, në vendet e tyre të punës, për të ngjallur terror e panik në popull.

Kryehetuesi Reshat Leskaj, i torturonte në Hetuesi, duke i mbajtur varur me kokën poshtë, si dhe me forma të tjera torturash çnjerëzore. Mihallaq Ziçishti, sekretari i parë i PPSH-së i rrethit, u shkonte çdo ditë e u bënte presion, që të tregonin bashkëpunëtorët, por asnjëri nga të arrestuarit, nuk tregoi se me cilët kishte biseduar e bashkëpunuar.

Secili e paraqiste veprimtarinë, si punë të tij individuale. Ky qëndrim burrëror, shpëtoi pjesëtarët e tjerë të këtij aktiviteti. Më 23 prill 1975, u organizua “Gjyqi special”, ku u dhanë vendimet e dënimeve për treshen e quajtur; “Grupi që donte të pushtonte Radio Korçën”.

Thanas Qeleshi, u dënua me 25 vjet heqje lirie dhe mohim të dekoratave e medaljeve, të dhëna më parë.

Dhimitër Zguro, me 25 vjet heqje lirie.

Engjëll Fidani, me 22 vjet heqje lirie.

Para se të delte nga salla e gjyqit, prokurori i tha Thanasit:

– “Turp për ty, je dhe familje dëshmori”.

Thanasi ia preu:

– “Ta dinin dëshmorët, sesi do ta katandisnit ju partinë, nuk do të kishit asnjë dëshmor, atje te varrezat”.

Tre të dënuarit, u dërguan në burgje të ndryshme.

Pas arrestimit dhe dënimit të treshes themeluese, aktiviteti i partisë së re u pushua. Mirëpo edhe pse veprimtaria si organizatë partie pushoi, agjitacioni kundër politikës së partisë shtet, vijoi në rrugë individuale, gjë që shkaktoi mbas ca kohe, arrestimin dhe dënimin, (sipas nenit; “Për agjitacion e propagandë”) të Gaqo Pecit, Kiço Venedikut, Jani Gjinos, etj.

Thanasi, kur kaloi nga hetuesia në gjyq, ishte shumë i dobësuar nga torturat, rruazat e kuqe, i kishin arritur në 1.200. I ndodhi dhe një hemorragji cerebrale, që i humbi kujtesën. Para se ta shpinin në burg, e dërguan për kurim në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, ku i bënë disa goditje elektrike.

Kur e dërguan në Burgun e Ballshit, Thanasi u miqësua me inxhinierin e naftës Minella Çani, i cili u kujdes për muaj me radhë, për të derisa e mëkëmbi. Në Ballsh, u dërgua dhe Jani Gjinua, kështu Thanasi, duke pasur pranë këta dy miq, si dhe Nuro Hotin, një jurist i dënuar, filloi të ndjehej mirë, nga humori e shëndeti.

Pasojat shkatërrimtare që solli arrestimi dhe dënimi në familjen Qeleshi

Pas arrestimit të Thanasit, bashkëshortja e tij Marika, pësoi një traumë psikike dhe e shtruan në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Vajzën Katerina 14-vjeçe, e shpunë të jetonte tek gjyshërit, nga e ëma. Djali Mihallaq, student në Fakultetin e Mjekësisë, pas dënimit të babait, u përjashtua nga shkolla dhe u bë punëtor krahu. Shtëpia u shtetëzua. Të tilla pasoja shkatërrimtare, pësuan edhe familjet e Dhimitër Zguros e Engjël Fidanit.

Gratë e tyre, u bënë punëtore krahu, fëmijët e tyre, u përjashtuan nga shkollat e larta ku studionin, ose nuk u lejuan të vijonin studimet e larta. “Si bij të armiqve të partisë e të shtetit”,  këta fëmijë, duhej të ishin gjithë jetën, vetëm punëtorë krahu.

Tefta Zguro, alpinistja e vetme shqiptare që kishte ngjitur majën e malit Everest, si motër e Dhimitrit, u pushua nga puna, si pedagoge e Shkollës së Lartë të Partisë në Tiranë. E kthyen në Korçë, ku i dhanë punë krahu të rëndomta.

Njerëzit e fisit, si komunistë që ishin “e sqaruan” Mihallaqin, se dhe ai, si të gjithë, duhej të pajtohej me dënimin që i dha partia babait të tij, Thanasit, dhe se duhej të shkëpuste çdo lidhje me të, që të mos binte dënimi, edhe mbi të. Kështu djaloshi 19-vjeçar, me vrarje ndërgjegjeje, shkëputi çdo lidhje me të atin.

– “Mua, – tregon Mihallaqi, – i cili që nga viti 1999, ka gjetur strehim politik, në Auburn MA. USA, – më përjashtuan nga shkolla. Në fillim u bëra punëtor krahu, në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit, pastaj më morën ushtar, ku e kreva shërbimin ushtarak, në repartet e punës me lopatë në dorë. Mbasi kreva shërbimin ushtarak, punova në minierën e Rëhovës, në Fabrikën e Pasurimit të Bakrit në Rubik, në fabrikën e Nikel-Silikatit, në afërsi të Korçës, etj”.

Vetë Thanasi, mbas disa vjetësh, dërgoi një mesazh me një të burgosur që u lirua: “Mihallaq dhe Katerina, jam mirë, por ju mos hajdeni kurrë për të më takuar”.

Kuptohet se këtë mesazh, ai ua dërgoi fëmijëve, për t’i mbrojtur, jo se nuk i donte. Në burgun e Ballshit, ish-mësuesit Thanas dhe regjisorit Viktor Stratobërdha, nuk u shkonte kush në takim. Atëhere këta dy të dënuar, i konsumonin së bashku takimet e radhës, një herë në dy javë, takoheshin te dhoma e takimit dhe këmbenin nga ndonjë bisedë të shkurtër, duke treguar shakara për ato që u kishin ndodhur, gjatë jetës në burg, ose para burgimit. Kujtimet duheshin riprodhuar, për të mbajtur gjallë kujtesën.

Viktor Stratobërdha, kishte qenë partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, por ishte zhgënjyer thellë nga diktatura. Ai përsëriste si thënie popullore, një mendim të tijin:

–Ne partizanët, luftuam me vetëmohim kundër diktaturave nazi-fashiste, por krijuam një diktaturë, më të keqe se të parat! Unë jam i dënuar i ndërgjegjes dhe nuk i kërkoj mëshirë partisë”! Takimet e Mihallaqit, me babain e dënuar në burg, janë prekëse, për emocionet që përjetuan at e bir dhe sidomos, për papërkulshmërinë e Thanas Qeleshit.

Në shtator të vitit 1979, Mihallaqi u dërgua në aksion, për të ndihmuar në fshatin Pulahë të Gorës, për mbledhjen e misrit. Në po atë fshat, ishte dërguar dhe vajza Femie Kulla, me një grup të rinjsh të Ndërmarrjes Lëkurë-Këpuca. Femieja (më pas e pagëzuar, Eftimi, shkurt Efi), kishte qenë shoqe klase me Katerinën, motrën e Mihallaqit. Ajo kishte hyrë e kishte dalë tek shtëpia e tyre dhe kishte simpati, për këtë djalosh.

Gjatë muajit të aksionit, dy të rinjtë filluan të ndjenin për njëri tjetrin, ndjenja më të forta se të një shoqërie të zakonshme. Rrinin bashkë në kohën e lirë dhe ia shprehën njëri tjetrit, ndjenjat e dashurisë. Vendosën që kur të ktheheshin në Korçë, të martoheshin. Mirëpo prindërit e vajzës, ishin komunistë dhe nuk donin që bija e tyre, të martohej me një djalë që e kishte babain në burg. Atëhere dy të rinjtë, e zgjidhën punën vetë, u martuan me rrëmbim, pa ceremoni dasme.

Në vitin 1989, kur diktatura komuniste në Shqipëri dha disa shenja zbutjeje, Mihallaqi dhe nusja e tij, vendosën të shkonin për ta takuar Thanasin, në burg. U nisën së bashku e shkuan së pari në burgun e Burrelit. Atje u thanë, se emri i Thanas Qeleshit, nuk figuronte në listat e të burgosurve.

Shkuan në burgun e Qafë-Barit e në atë të Spaçit, as atje nuk ishte. Zbritën në Durrës, ku të burgosurit kryenin punë ndërtuese, te vilat e udhëheqjes te plazhi.

Kur roja thirri emrin e Thanas Qeleshit, në vend që të delte ky i dënuar, doli Ali Çenua, ish krytari i grupit të rojeve të Mehmet Shehut, ish kryeministrit të vrarë.

Ky shkoi dhe u tha:

– “Ju e kërkon Thanas Qeleshin”?

“Po”, – iu përgjigjën ata dhe pritën sqarimet, pse nuk doli Thanasi.

– “Thanas Qeleshi, nuk e kryen dënimin këtu, po në burgun e Gjirokastrës”.

Sqaroi Aliu dhe shtoi:

– “Ta keni për nder, që jeni bij të atij babai trim e të vendosur në idetë e tij. Të jeni krenarë për babanë tuaj, është burrë i rrallë”!

Mihallaqi shton:

– “Të them të drejtën, më prekën fjalët e Ali Çenos, këtij njeriu, që unë e kisha njohur, vetëm përmes gazetave e televizorit, si roje besnik të Enver Hoxhës e, pastaj dhe të Mehmet Shehut. Aliu, pa më njohur, po ma lëvdonte babain tim, të burgosur, për qëndrimin e tij të vendosur, anti-diktaturë.

Më pas, kur kam lexuar se si e kishin përpunuar e detyruar Aliun, të shpifte për veprimtarinë agjenturore të Mehmet Shehut, e kuptoj se ai ishte penduar, për nënshtrimin e turpshëm, ndaj e admironte tim atë, që nuk u nënshtrua poshtërsive të Sigurimit.

U kthyem në hotel. Aty vendosëm të ktheheshim më parë në Korçë e pastaj të niseshim për Gjirokastër.

Në Korçë, burri i motrës së Mihallaqit, Agron Malollari, pasi dëgjoi peripecitë e udhëtimit, kërkoi që ta shoqëronte ai Mihallaqin. Kështu ata u nisën të dy. Kur arritën te burgu, kërkuan takim me komandantin e burgut, të cilin e sqaruan se ky ishte takimi i parë, pas 15 vjetësh, prandaj iu lutën të kish kujdes.

Drejtori shkoi dhe e porositi Thanasin, të rregullonte dhomën e takimeve speciale, pastaj i mori dy vizitorët dhe i shpuri te dhoma. Më parë, ai futi aty, dy policë roje, me automatikë krah-qafë. Komandanti i burgut i tha Thanasit:

– “Ke dhe ti o xha Thanas, dy njerëz të mirë, që kanë ardhur të të takojnë”, dhe duke i shoqëruar vizitorët e të burgosurin deri tek, dera shtoi: –“Hyni dhe çmalluni”. Memorie.al

                                           Vijon numrin e ardhshëm


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kryehetuesi-reshat-l-u-bente-torturash-cnjerezore-kurse-mihallaq-zicishti-sekretari-i-pare-i-ppsh-se-i-rrethit-shkonte-cdo-dite-ne-qeli-dhe-historia-tragjike-e-grup/