“Kleo thotë se nuk ka pasur raste të tjera grindjeje me Neçon dhe sipas tij, ai është grindur edhe me S. Rushën, J. Andonin dhe G. Likën, për…”/ Letra e ambasadorit nga Pekini, në ’72-in

Dashnor Kaloçi

Pjesa e dytë

Memoria.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1972 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhet një korrespodencë e gjatë, ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, ambasadës shqiptare në Pekin dhe sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, (me letra raporte, udhëzime, informacione, njoftime, relacione, etj.), lidhur me punën dhe problemet që kishin dalë pranë përfaqësisë diplomatike shqiptare në Pekin. Raport-informacionet e plota të shefit të Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Piro Bita dhe ambasadorit shqiptar në Pekin, Xhorxhi Robo, lidhur me konfliktin ndërmjet dy punonjësve të asaj përfaqësie diplomatike, këshilltarit ekonomik Kleo Bezhani dhe sekretarit të organizatës bazë të partisë, Neço Konomi, ku midis të tjerash, thuhet: “Kleo i bëri vërejtje dhe Neços dhe i tha që t’i plotësonte. Në bisedën e bërë në zyrën e Kleos, Neçua kundërshtoi që t’i bëjë këto vërejtje dhe i thotë që këto janë burokratike dhe nuk t’i bëj. Këtu, filloj acarimi. Kleo i tha se duhet t’i bësh. Kleo pretendon se i tha, se kështu si i ke bërë këto materiale, janë rrëmujë, kurse Neço pretendon se i ka thënë: fodull dhe mendjemadh. 

Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga Behar Shtylla, shefi i Sektorit të Jashtëm pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, dërguara organizatës bazë së partisë të ambasadës shqiptare në Pekin, lidhur me konfliktin në mes Neço Konomit e Kleo Bezhanit

PARTIA E PUNËS SHQIPËRISË                                                      Tiranë, më 24.6.1972

KOMITETI QENDROR

-Sektori i Jashtëm-

ORGANIZATËS BAZË TË AMBASADËS

                                                                       P E K I N

Nga studimi i pesë protokolleve të organizatës, të periudhës shtator 1971, mars 1972, i informacionit sqarues si dhe i letrës së dërguar nga shoku Xhorxhi Robo, rezulton se në përgjithësi, si komunistët dhe i gjithë kolektivi, kanë punuar mirë dhe luftojnë për të zbatuar direktivat e Partisë dhe porositë e qeverisë. Por vëmë re disa të meta dhe dobësi, që meritojnë një vëmendje të madhe:

1.Edukimi ideologjik dhe profesional i punonjësve, jo gjithmonë është i lidhur si duhet me detyrat dhe problemet që preokupojnë përfaqësinë dhe secilin komunist. Ashtu sikur theksojnë disa komunistë të organizatës suaj, nuk mjafton të caktosh një tematikë të drejtë, si p.sh. ajo që keni përcaktuar për vitin 1972.

Vendimtare është që diskutimi i temës në formën e edukimit, të lidhet ngushtë dhe të konkretizohet me detyrat dhe problemet që preokupojnë organizatën dhe kolektivin.

Një punë më serioze të bëhet edhe për ngritjen profesionale të punonjësve, në bazë të planit që keni dhe udhëzimeve të dikastereve përkatëse.

T’i vihet rëndësi në kolektiv diskutimit të temave, me karakter politik, ideologjik, ekonomik, të vendit tonë, etj. Të tregohet kujdes i veçantë për mësimin e gjuhëve të huaja.

2.Jeta e brendshme e organizatës bazë të forcohet kur aty të rrihen problemet që preokupojnë ambasadën, komunistët dhe kolektivin në frymë të shëndoshë, të jepet llogari për detyrat, të ketë kritikë dhe autokritikë parimore.

Prandaj nuk kanë vend konceptet se në ambasadë ka punë specifike, se organizata duhet të merret vetëm me edukimin e punonjësve, kurse llogari për punën e përditshme, nuk mund të jepet vetëm në organizatë, por te dikasteri nga ku varet punonjësi.

Aty këtu vihen re fërkime dhe grindje midis disa komunistëve. Një gjest i shëmtuar është grindja që ndodhi kohët e fundit midis dy komunistëve të organizatës suaj. Këto dëmtojnë unitetin e organizatës bazë dhe bëhen pengesë për realizimin e detyrave të ngarkuara.

3.Prandaj të nxirren mësime për të forcuar punën e organizatës bazë, për të organizuar më mirë edukimin ideologjik të komunistëve dhe gjithë kolektivit tuaj si dhe kritikën dhe autokritikën.

Problem mbetet lufta për të çuar deri në fund vendimet e marra. Në këtë drejtim edhe kontrolli i organizatës bazë, duhet të jetë më i madh dhe më sistematik.

Mirë është vepruar që në një mbledhje të organizatës bazë, keni analizuar punën për realizimin e detyrave të sektorit të Tregtisë, duke vënë theksin më shumë në të metat tuaja dhe të dikastereve përkatëse.

Do të ishte shumë mirë të na dërgohej një informacion i veçantë, i plotë dhe përmbledhës, me problemet kryesore që dalin në këtë drejtim.

4.Protokollet e organizatës na dërgohen me vonesë, grumbullohen 6-7 dhe dërgohen bashkë njëherësh. Një praktikë e tillë nuk na duket e drejtë. Të merren masa që protokollet të na dërgohen çdo muaj. Këto janë disa vërejtje që kemi nga studimi i protokolleve.

Në mbledhjen më të afërt, këto do t’u bëhen të njohura të gjithë komunistëve të organizatës, për të ngritur nivelin e punës së saj dhe realizmin me sukses të detyrave të organizatës bazë dhe përfaqësisë.

Tiranë, më 23.VI.1972

   Behar Shtylla

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, dërguar ambasadës shqiptare në Pekin, lidhur me analizën e bërë mbi konfliktin e Neço Konomit me Kleo Bezhanin dhe masat përkatëse që u morën ndaj tyre

                                                      I N F O R M A C I O N

Mbi shqyrtimin e grindjes midis shokëve Neço Konomi dhe Kleo Bezhani nga Organizata Bazë e ambasadës sonë në Pekin.

Nga studimi i protokollit të mbledhjes së zhvilluar nga Organizata Bazë e Partisë për këtë problem, rezulton se grindja midis shokëve Neço Konomi dhe Kleo Bezhani, është zhvilluar sikundër ju kemi informuar edhe në informacionin e parë, pa ndonjë ndryshim.

Në fillim, ky problem u shtrua në mbledhjen e byrosë së organizatës bazë ku merrnin pjesë edhe shokët Xhoxhi, Kleo, Spiro, e Reiz.

Në byro, ju bë një analizë e gjatë afro 6 orë kësaj çështjeje, ku përveç shokëve të mësipërm, diskutuan dhe shokët e byrosë. Siç del dhe nga protokolli, byroja ka kritikuar rëndë shokun Neço për shprehjet që përdori karshi shokut Kleo, si dhe për shkeljen e disiplinës shtetërore.

Shoku Neço, e pranoi gabimin por nuk bëri autokritikë të plotë. Prandaj dhe byroja, nuk mbeti plotësisht e kënaqur nga kjo autokritikë dhe pasi e kritikoi rëndë atë, e porositi që të reflektojë më mirë në mbledhjen e organizatës. Neço për këtë, i premtoi byrosë, e cila nuk doli me ndonjë masë.

Në mbledhjen e organizatës bazë, përveç shokëve Neço dhe Kleo, diskutuan dhe 12 komunistë të tjerë, disa dhe nga dy herë. Të gjithë shokët sipas protokollit, reagojnë drejt dënojnë grindjen dhe qëndrimin e shokut Neço, që ka thyer disiplinën në punë, që ka treguar gjaknxehtësi si dhe ka përdorur fjalë fyese.

Shokët Xhoxhi, Spiro, Avni, Jovan, e disa të tjerë, thonë se kjo grindje nuk është e rastit dhe kërkojnë që Neço, të thellohet në autokritikën e tij, të reflektojë drejt, të ndalet në shkaqet që e çuan në qëndrimin e tij jo të hijshëm, etj. Duke marrë fjalën shumë komunistë, nuk u shprehën të kënaqur me autokritikën e Neços.

Shoku Spiro Rusha, duke diskutuar qëndrimin e Neços, propozon shkarkimin nga detyra të sekretarit të organizatës së partisë. Neço Konomi, diskuton disa herë, pranon që ka bërë gabim, që nuk është përmbajtur, si dhe ka përdorur fjalë fyese. Ai, është dakord me kritikat e shokëve, dhe thekson se grindja ishte një shfaqje e rastit.

Thotë gjithashtu se në të ardhmen, do të rishikojë dobësitë e reflektuara, dhe puna e koha do të vërtetojnë korrigjimin. Si rrjedhim, Neço nuk bën as në organizatë, një analizë të thellë të shfaqjeve negative të tij. Kleo Bezhani, në diskutimin e tij, nuk e pranon që t’i ketë thënë Neços fodull dhe maskara, por kur atij ju thanë fjalë fyese, i kërkoi Neços që të dilte nga zyra.

Kleo thotë se nuk ka pasur raste të tjera grindjeje me Neçon. Sipas tij, Neço, është grindur me S. Rushën, J. Andonin, dhe G. Likën, (këto nuk i pranon Neço). Kleo, qëndrimin e Neços e shpjegon me faktin se, ai ka ushqyer urrejtje për të dhe në fund shpërtheu. Sipas tij, Neços i ka mbetur qejfi që s’ka dalë për ta pritur në aeroport, kur ky i fundit erdhi në Pekin.

Në fund pasi u mbyllën diskutimet, hidhet në votë propozimi i shokut Spiro Rusha. Nga 21 komunistët që morën pjesë në mbledhje, me 17 vota pro, 3 kundra, dhe 1 abstenim, u vendos që shoku u vendos që shoku Neço Konomi, të shkarkohet si sekretar dhe anëtar i byrosë.

Shoku Hysni, porositi të pranohet propozimi i organizatës bazë të partisë, për të cilën ne njoftuam komunistët, të transferohet Neço Konomi dhe të rishikohet çështja e kuadrit ekzistues për zëvendësim.

Ne, biseduam me shokët e kuadrit dhe në këtë drejtim janë marrë këto masa: Janë porositur shokët e Ministrisë së Tregtisë të bëjnë sa më shpejt propozimin për zëvendësimin e Neço Konomit, gjithashtu më vonë, të mendohet për t’u zëvendësuar shoku Spiro Rusha.

Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë, në datën 17.6.1972 ka vendosur që të kthehen shokët Kleo Bezhani, Dilaver Shkurti, e Reiz Xhelili. Të gjithë këta, u zëvendësuan. Memorie.al

   Sektori i Jashtëm

           26.7.1972

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016  


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/relacioni-sekret-kleo-thote-se-nuk-ka-pasur-raste-te-tjera-grindjeje-me-necon-dhe-sipas-tij-ai-eshte-grindur-edhe-me-s-rushen-j-andonin-dhe-g-liken-per-letra-e-ambas/