“Kjo është politika e Perëndimit dhe e SHBA-së sot, politika e krijimit të një ‘Shqipërie të fortë’, në fakt të ‘Shqipërisë së…”/ Libri i ri i studiuesit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e trembëdhjet

 NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT, DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË 

Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:

             MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI

                                           SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE 

                             (KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)                                                                                                                                                                                                             Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

                                                          Vijon nga numri i kaluar

Invazioni turk dhe pasojat e konfliktit me Europën e krishterë, veçanërisht që nga rrethimi i Vjenës në vitin 1683, e ndryshuan ndjeshëm pamjen etnike dhe demografike të kësaj pjese të Serbisë.

Deri në shekullin e XVIII nuk kishte shqiptarë (të quajtur tani albanezë) në qytetet e mëdha në Kosovë e Metohi. Në fakt, ata filluan të vendosen në këtë rajon në shekujt XVIII dhe XIX nga Shqipëria e sotme veriore. Përveç sqipëtarëve të sapo vendosur (sot quhen shqiptarë), të cilët kryesisht ishin myslimanë , ose që u bënë myslimanë menjëherë pas vendosjes në Kosovë, edhe islamizimi i serbëve u bë gjithashtu shkak për ndryshime të mëdha në mjedisin kulturor të kësaj treve në fillim të pjesës së dytë të shekullit të 19-të. Turqit vendosën edhe çerkezë në këtë rajon.

Pikërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodhën ndryshimet më drastike në përbërjen demografike të Kosovës. Gjatë pushtimit nazist, një numër i madh i serbëve u vranë dhe u dëbuan nga Kosova dhe Metohija, nga ana tjetër nazistët zhvendosën nga Shqipëria në Kosovë rreth 100.000 shqiptarë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shovinizmi agresiv i pakicës etnike shqiptare është përgjegjës për spastrimin etnik të më shumë se 300.000 serbëve në Kosovë dhe Metohi. Kjo është arsyeja pse natyra kulturore e një prej qendrave të rëndësishme të qytetërimit të krishterë është ndryshuar kaq rrënjësisht.

Shqiptarët e Kosovës nuk kanë qenë kurrë viktima të spastrimit etnik nga serbët, përkundrazi, për fat të keq, serbët e Kosovës kanë qenë viktima të një spastrimi masiv etnik të kryer nga shqiptarët në shekullin XIX, (në veçanti në periudhën 1878 – 1912), nën kujdesin e sundimtarëve turq, gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941 – 1945) si pjesë e Shqipërisë së Madhe, nën patronazhin e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste, si dhe pas Luftës së Dytë Botërore, me mbështetjen e hirshme të regjimit komunist të Jugosllavisë së Titos. Spastrimi etnik i serbëve u intensifikua veçanërisht pas themelimit në vitin 1878 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila shpalli haptazi, si objektiv kryesor, krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Me veprim të përbashkët të krishterëve në Ballkan, ky proces u ndalua me çlirimin e Serbisë së Vjetër dhe të gjithë Gadishullit Ballkanik nga sundimi turk në vitin 1912. Megjithatë, ai u përsërit, më brutalisht, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në kundërshtim me gjithë të vërtetën bashkëkohore, bota sot është e përmbytur me “të vërtetën” se serbët po bëjnë spastrimin etnik të Kosovës dhe Metohisë, pavarësisht se janë ata viktimat e mëdha dhe tragjike të një prej spastrimeve më të mëdha etnike në historinë moderne të Europës, dihet mirë se nga fundi i shekullit të 17-të deri në vitin 1912 u zhvillua një luftë e ashpër midis Europës së krishterë dhe Perandorisë Osmane si kampione e frymës islame në Europë, e një islami militant i mishëruar me shtrirjen e otomanëve.

Nga rrethimi i Vjenës në 1683 deri në 1912, kjo luftë ishte njëkohësisht e gjatë dhe e përgjakshme. Askund nuk kishin shpërthyer me aq forcë këto konflikte të ashpra të botës së krishterë europiane, nga njëra anë, dhe të botës islamo-osmane, nga ana tjetër, sa në Serbinë e Vjetër dhe veçanërisht në Kosovë e Metohi.

1 – Slavenko Terziç. Le Kosovo et la Metohie dans l’Histoire Serbe. (Kosova dhe Metohia në Historinë serbe). Projet Rastko Graçanica-Peja. 17. 04. 1999.

Dihet se në dhjetëvjeçarët e parë dhe në mesin e shekullit të 19-të, Turqia, nën shtytjen e fuqive të mëdha, ndërmori disa reformave të brendshme, që synonin të lehtësonin pozitën e nënshtetasve të saj të krishterë. Kundërshtarët më të ashpër të këtyre reformave ishin bejlerët boshnjakë dhe shqiptarë. (1)

—–

Lufta e Parë Ballkanike e viteve 1912-1913, i përket atyre ngjarjeve historike të cilat, pa arsye, u lanë në errësirën e harresës. Për këtë ka ndikuar, ndoshta, historia e trazuar e dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit të 20-të, si dhe një lloj zhvlerësimi i trashëgimisë së kësaj lufte. Çlirimi i Serbisë së Vjetër dhe Maqedonisë, si dhe i rajoneve të tjera të paçliruara të Ballkanit, përfaqësoi një kthesë historike dhe qytetëruese jo vetëm në historinë e popujve serbë dhe të popujve të tjerë ballkanikë, por, pa dyshim, në historinë e Europës.

Nuk gjendet, për shembull, deri në vitin 1912, pothuajse asnjë poet, shkrimtar apo artist serb i rëndësishëm,  i cili nuk ka menduar për trajtimin, kryesisht të temave dhe miteve  të Kosovës, në zhanre të ndryshme – dramë, epikë, këngë, roman historik/ Nga 1804 deri në 1912 nuk kishte asnjë burrë shteti apo lider politik serb, apo edhe një parti të vetme politike, që në mendimet politike apo në programet politike të mos kishte idenë e Kosovës dhe të Serbisë së Vjetër dhe të çlirimit të tyre. (2)

1 – Slavenko Terzic. Réponse au livre de Noel Malkolm Kosovo-Une brève histoire. Discussion scientifique sur le livre de Noel Malcolm “Kosovo. A Short History” (Macmillan, Londres 1998, 492) . 8 .10. 1999. Institut  d’Histoire de l’Académie serbe des sciences et des arts. Collection d’œuvres.Volume 18. Belgrade 2000.

2 – Slavenko Terzic: Oslobodenje Stare Serbie 1912 godine. (Libération d’anciènne Serbie en 1912. – Çlirimi i Serbisë së Vjetër në vitin 1912). Nemanja . 27. 03. 2013. Fq.1.

Që nga koha e Lidhjes Shqiptare (1878-1881) e deri më sot, në rrethe të caktuara me ndikim në Europë dhe në SHBA, shprehet një prirje e fortë anti-sllave. Nga ana tjetër, shqiptarët janë shumë të aftë për ta paraqitur veten si një pengesë për gjoja pansllavizmin në Europën Juglindore. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare pohon se “Kosova është një vend ku pushtimi sllav u ndërpre në fillim të Mesjetës”, ku u pengua ëndrra pan sllaviste: pushtimi dhe nënshtrimi i gadishullit kryesor europian. Ndryshe nga Gjermania, Turqia apo Austria, qëndrimet e të cilave zbulojnë hakmarrje ndaj Serbisë dhe serbëve, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë çështjen serbe brenda kornizës së gjerë të politikës së tyre nga Balltiku deri në Mesdhe.

Në shënjestër është së pari Rusia dhe, në kuadër të kësaj strategjie, edhe Lindja e Mesme dhe Azia Qendrore. Interesant është fakti se shqiptarët nuk pranuan kurrë të hynin në aleancë me kombet e tjera ballkanike në luftën kundër Turqisë. Ata janë ende një dorë e shtrirë ndaj disa prej fuqive të mëdha, që duan të sundojnë Ballkanin. Ata tani besojnë se ka ardhur koha për të krijuar një “Shqipëri të Madhe” dhe kanë mbështetjen e Perëndimit.

Ata theksojnë të ashtuquajturin “identitet iliro-shqiptar” historik dhe etnik që nga Dardania e lashtë, Serbia duhet të këmbëngulë në çdo rast dhe kudo që Kosova e Metohia është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë. Ajo nuk ka qenë kurrë një “krahinë shqiptare”, në këtë krahinë jo shqiptarët, por serbët dhe sllavët e tjerë ishin shumicë.

Në vitin 1912 Serbia nuk doli në luftë kundër arbanasve, por së bashku me krishterët e Ballkanit luftoi për çlirimin nga Perandoria Osmane. Shqiptarët, duke qenë pjesë e trupave osmane, luftuan me fanatizëm kundër të krishterëve ballkanikë deri në fund të luftës. Historiani HD Shanderl beson se në fillim Britania luajti një rol udhëheqës në organizimin e lëvizjes kombëtare shqiptare. Në prill 1880, Lordi Edmond Fitzmaurice deklaroi se ishte në interesin e Europës të krijonte një “Shqipëri të fortë”, që do të përfshinte krahinat e Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe Manastirit, nën sovranitetin e sulltanit. Këtë rol më vonë e mori Austro-Hungaria.

Kjo është politika e Perëndimit dhe e SHBA-së sot, politika e krijimit të një “Shqipërie të fortë”, në fakt të “Shqipërisë së Madhe”. Të ashtuquajturës botë e lirë dhe demokratike nuk i interesojnë fare mjetet e përdorura nga lëvizja separatiste shqiptare në Kosovë e Metohi – nga krimet individuale dhe spastrimi etnik e deri te veprimet terroriste. Platforma për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë më 20 tetor 1998, ndërton, ndër të tjera, një lloj “Kosove historike” e cila, përveç Kosovës dhe Metohisë aktuale, përfshin luginën e Vranjës; të cilën  e quan “Kosova Lindore”, – Rajonin e Shkupit (“Kosova jugore”), dhe pjesë të Malit të Zi të quajtura “Kosova Perëndimore”.

Selia e një Kosove të tillë, e cila thjesht u krijua si rajon, duhej të ishte në Shkup, pasi aty ishte selia e ish-krahinës së Dardanisë. Politika e sotme e vendeve kryesore të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara ndaj serbëve dhe Europës Juglindore të kujton shumë konceptin e Friedrich Naumann-it, të vitit 1915, për një Europë të Madhe Qendrore, si edhe disa ide të Rajhut të Madh Gjerman. (1)

                                                                       ****

Sllobodan Jovanoviç – President i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe, Rektor i Universitetit të Beogradit.

Pas krizës së aneksimit, një nga burrat politikë më komodë austriakë, Bernreither, arrin në Beograd për të shqyrtuar kushtet e një marrëveshje serbo-austriake. Ai do të garantonte se Austria ishte e gatshme të siguronte kufijtë që kishim dhe, mundet, të na siguronte një marrëveshje tregtare të favorshme, por se ajo nuk mund të mbështeste ekspansionin tonë territorial. Ne duhej të qëndronim një “Serbi e vogël”, e mbërthyer midis Austrisë dhe Bullgarisë, pa dalje në det, pa pavarësi ekonomike, duke patur vetëm një pavarësi formale.

(1) Serbët gjithashtu, duke bashkuar forcat e tyre, duhet të mbrojnë atë që është e tyre. Por, serbët do të gabonin duke menduar se detyra e tyre është vetëm që të mbrojnë serbizmin. Atyre u takon, po ashtu, të preokupohen për tërësinë shtetërore. (2)

                                                                        ****

1 – Slavenko Terziç. Osveta poraženih. (La revanche des vaincus – Hakmarrja e të mundurve). Glas javnosti. Graçanica online. Info. 20. 08. 2019.

Svetlana Velmar Jankoviç – romanciere, eseiste, kroniste…:

Kosova është sigurisht zemra e së kaluarës sonë historike dhe e të sotmes tonë të pamëshirshme, miti ynë më i madh, të cilin ne e rikujtojmë vetëm kur rivihet në diskutim. Saga e Kosovës është provë e sakrificës sonë bujare gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Ballkanike në fillim të shekullit të XX, dhe të indiferencës sonë egoiste gjatë periudhës së zezë të rregullimit të tretë apo të katërt të llogarive ballkaniko-jugosllave – në fund të të njëjtit shekull. (3)

                                                                      ****

Vlladan Gjorgjeviç – shkrimtar, politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1897-1900:

1 -Sllobodan Jovanoviç, Sur l’idée yougoslave : Passé et avenir (1939) – Mbi idenë jugosllave : E shkuara dhe e ardhmja (1939), –  Balcanica XXXIX (2008). Fq. 296.

2 – Po aty. Fq. 297-298.

3-Svetlana Velmar JankoviçKosova. SERBICA. Tetor 2017.

Shqiptarët u shëmbëllejnë jo vetëm fenikasve, por edhe vetë para njerëzve të kohës parahistorike, atyre njerëzve që nga frika prej shtazëve të egra flejshin mbi drujt ku, për mos me ranë, MBAHESHIN ME BISHTIN E TYRE.

Ndër sa mijë vjet që kanë kalue qysh aso kohe, bishti i njeriut ka ardhun tue u përdor gjithnjë ma pak, ky organ i trupit njerëzor ka ardhun tue u vogëlue gjithnjë ma fort, deri sa, ma në fund në kohnat historike, ka mbetun nji asht i vocërr në mbarim të kërbishtes. Vetëm në mes të shqiptarëve duket se, deri në shekullin e XIX, ka pasun edhe njerëz me bisht. (40).

Ata janë dy farësh, me bisht kali të vogël e me bisht dhie, janë njerëz të fortë shumë e sidomos këmbësorë tepër të qëndrueshëm.

Shqipja e sotshme asht nji lamsh gjuhësh të përzieme nga ma të ndryshmet, nji çorbë gjuhcsh, qi mund të krahasohet ndofta ma tepër me jevgnishten, shqiptarët s’kanë kurrfarë tipi kombëtar, s’kanë kurrfarë gjuhe kombëtare të përbashkët, s’kanë farë historie kombëtare, s’kanë përbëmë kurrë nji shtet kombëtar, as janë mundue që ta kenë, Shqiptarët janë fise t’egra qi nuk mund të shtrohen aq lehtë e qi as Perëndisë nuk i apin ça i përket, as Qesarit ça ka të drejtë.(1)

Egërsira, që nuk kanë histori; Flejnë në pemë në të cilat janë të ngjitur për bishti; ndani këta njerëz të padisiplinuem mes Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi; Arnautet janë gjakatarë të rregjur, të ngjashme me kafshë dhe aq injorantë të pakrahasueshëm sa nuk bëjnë dallimin mes sheqerit dhe bores. (2)

——

1 – Cituar nga Sylejman Salihu në: Ese mbi librin e Vlladan Gjorgjeviçit “Arnauti i velike sile” (Arnautët dhe fuqitë e mëdha), Bota Sot. 5. 05. 2021.

2 – Vlladan Gjorgjeviç “Arnauti i velike sile” (Arnautët dhe fuqitë e mëdha), news24. com/2021/12/.                                                      

                                                                       ****

Vojislav Pavloviç – studiues në Institutin e Historisë të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, profesor në Universitetin e Beogradit, etj.:

Lufta për çlirimin e serbëve që jetonin në Perandorinë Osmane ishte themeli mbi të cilin u ndërtua, midis viteve 1880 dhe 1912,  identiteti kombëtar serb. Veprimi kombëtar, i ndërmarrë në Maqedoni, Kosovë dhe në Serbi, nxori jashtë kabineteve ministeriale nocionin e identitetit kombëtar serb, duke kapërcyer kështu kornizën e elitave të Beogradit dhe duke lejuar shumicën e serbëve ta përvetësojnë atë. (1)                                                                  —

Pas vetëm një viti paqeje, Serbia u gjend sërish në luftë në fund të korrikut 1914, zjarri europian erdhi shumë shpejt. Frytet e fitoreve në Luftërat Ballkanike nuk mund të përforcoheshin brenda një viti, vendi ishte i rraskapitur ushtarakisht dhe ekonomikisht. Tani, kjo luftë e re në Ballkan, të paktën përgjatë një viti, kishte të  gjitha tiparet e një lufte të tretë ballkanike. Të gjitha kombet e Ballkanit dhe të Europës Juglindore panë në luftën botërore shansin për të përfunduar integrimin e tyre kombëtar, të filluar gjatë luftërave ballkanike. (2)

Sazonov saktëson përmbajtjen e dëmshpërblimeve që do t’i jepen Serbisë gjatë bisedimeve, që duhet të bindnin Italinë të hyjë në luftë në anën e aleatëve. Që në kontaktin e parë, më 5 gusht, me ambasadorin italian, Markezin Carlotti, Sazonov i ofroi atij Trentinon, Triesten dhe Vlorën, si dhe dominim mbi Detin Adriatik, ndërsa parashikoi një dalje në Adriatik për Serbinë dhe për Greqinë. Në këtë mënyrë përmbushej kërkesa e vjetër serbe për të pasur një dalje në det, projekti i hekurudhës Danub-Adriatik kishte mbështetjen e pakushtëzuar të Antantës. Por një pengesë e re u shfaq; lëvizja kombëtare shqiptare e mbështetur nga Austro-Hungaria.

Mbrojtësit e një lëvizje shqiptare ishin paraqitur që në 1878 me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Megjithëkëtë, ishte dalja e Turqve të Rinj ajo që nxiti me të vërtetë një entuziazëm shpërthyes kombëtar në Shqipëri dhe në Kosovë. Fundi i regjimit shekullor otoman, zgjedhjet parlamentare i shtynë shqiptarët të formulojnë kërkesat e tyre kombëtare. Kishte një dallim të dukshëm pikëpamjesh midis Jugut, nga njëra anë, dhe Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës nga ana tjetër. Këto dy rajonet e fundit ishin më të vendosura dhe më tradicionale. Idetë pan turke të regjimit të ri turk, ishin luftuar aty me forcë. Kërkimi i autonomisë kishte si synim ruajtjen e strukturave tradicionale të shoqërisë së tyre.

Për të njëjtat arsye, projekti europian i reformave ashtu si dhe projekti serb i hekurudhës nuk u pranuan. Hekurudha e Adriatikut paraqiste një problem të veçantë, sepse ajo ngrinte çështjen e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës dhe një çështje më të madhe, atë të ardhmes së rajonit, kundërshtimi shqiptar ishte pengesa kryesore e projektit Adriatik. Milanoviç dhe qeveria serbe do të provonin të vendosnin lidhje me klanet e Kosovës dhe të Shqipërisë së Veriut gjatë kryengritjeve shqiptare të 1910-1912.

1 – Vojislav Pavloviç. La mémoire et l’identité nationale: la mémoire de la grande guerre en Serbie. Guerres mondiales et conflits contemporains. Cairn 2007/4 (nr.228), fq. 51.

2 – Vojislav Pavloviç. La Troisième guerre balkanique. Balcanica XXXVIII, 2008. Fq. 191.  

1-Vojislav Pavloviç. La Troisième guerre balkanique. Balcanica XXXVIII, 2008. Fq. 194.

2 – Vojislav G.Pavloviç. La France et l’espace yougoslaves : la naissance de la Yougoslavie (1878-1918) –  Franca dhe hapësira jugosllave ;  lindja e Jugosllavisë (1878-1918). – Balkanološki institut SANU, 1 janv. 2015. Fq. 137.

Dërgimi i armëve dhe parave kishte një qëllim të trefishtë. Ishte gjithashtu një mjet për të fituar besimin e tyre për të arritur, më në fund, miratimin e tyre për projektin Adriatik si dhe një aneksim të rajonit nga Serbia. Por për klanet shqiptare propozimet serbe nuk ishin asnjëherë një alternativë serioze. Bejlerët e Kosovës nuk dëshironin autonomi në kuadrin e Serbisë.

Ata donin të ruanin të gjitha privilegjet, që kishin deri atëhere, madje t’i rrisnin duke marrë një kontroll absolut të rajoneve duke formuar Shqipërinë e Madhe. Që nga fundi i krizës Bosniake, Milanoviç denonconte përpara diplomatëve europianë projektin austro-hungarez të Shqipërisë së Madhe duke u shpjeguar se Shqipëria e Madhe s’ishte tjetër veçse një llogore e avancuar e Austro-Hungarisë, objektivi i së cilës ishte kontrolli përfundimtar i Ballkanit. (1) Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kjo-eshte-politika-e-perendimit-dhe-e-shba-se-sot-politika-e-krijimit-te-nje-shqiperie-te-forte-ne-fakt-te-shqiperise-se-libri-i-ri-i-studiuesit-dhe/