“Këta horra të degjeneruar e brekë palarë që drejtojnë ekonominë, janë qehajait e rinj, që tallen me djersën e fukarasë dhe vënë re b.thët e grave…”/ Letra e çamit nga Saranda për Ramiz Alinë, në ’85-ën

Dashnor Kaloçi

Pjesa e dhjetë

Memorie.al publikon një dosje që është siguruar para pak kohësh nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja hetimore, gjyqësore dhe ajo e përpunimit të shtetasit Kasëm Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim, në SHBA që nga viti 1985, kur ai mundi të arratiset nga Shqipëria për në Greqi, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në kampin e Spaçit, i dënuar për “agjitacion e propagandë, ndaj pushtetit popullor”. Në momentin e arrestimit, më 21 qershor të vitit 1973, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, në shtëpinë e tij i’u gjetën disa “materiale komprometuese”, si poezi dhe trakte, ku ai bënte thirrje “për përmbysjen e pushtetit popullor”., etj. Dosja në ngarkim të shtetasit Kaso Hoxha, (tashmë e de-klasifikuar) fillon me atë të përpunimit, ku organet e Sigurimit të Shtetit dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit të Sarandës, bëjnë të gjithë përpjekjet, për të gjetur autorin e letrës “me përmbajtje të thellë armiqësore”, që ishte hedhur në qendër të fshatit Markat (me banorë të komunitetit çam), ku pas shumë kohësh, me ndihmën edhe të Laboratorit Qendror Kriminalistik, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u bë e mundur, që të saktësohej dhe identifikohej se shkrimi në atë letër, ishte i Kaso Hoxhës, kjo solli edhe arrestimin e tij. Dosja në fjalë vazhdon me procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij, ku ai pasi vuajti dhjetë vite në burgun e Spaçit, në nëntorin e 1982-in kthehet në fshatin e lindjes, Markat, ku që në ditët e para, ndaj tij fillon ndjekja dhe survejimi nga organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin angazhuar jo vetëm disa bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe familjarë të afërt të tij, kjo e detyroi Kaso, për t’i shpëtuar arrestimit, të arratisej nga Shqipëria, duke kaluar kufirin shtetëror, për në shtetin fqinjë, Greqi. Pas disa kohësh qëndrimi në Kampin e Llavros, fitoi statusin e azilantit politik, për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje, ndaj tij vazhdoi ndjekja e survejimi, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik Shqiptar, që ishte i kamufluar me rezidenturën e tij, pranë Misionit Diplomatik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara) dhe disa agjentëve të saj të fshehtë, deri në vitin 1991, që u shemb regjimi komunist në Shqipëri. Historia e Kaso Hoxhës, u bë e njohur pas botimit të librit të tij “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, që ai ia besoi në dorëshkrim Memorie.al, vjen tashmë nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, (ku ndodhen, raporte bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet e tyre, letra, shënime, informacione, relacione, raport-informacione, përgjime me teknikë operative, etj., të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, hetuesve, titullarëve të Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, etj., deri te rezidentura e Zbulimit Politik në SHBA, e agjentët e saj atje), të cilat fillojnë në vitin 1973 dhe përfundojnë në vitin 1991, kur dosja e tij u arkivua njëherë e përgjithmonë.

                                                           Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret me ekstraktin e përpiluar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Ropi Kita, me të dhënat e bashkëpunëtorit  të Sigurimit nga rrethi i Sarandës me pseudonimin “Shqiponja”, lidhur me bisedat që zhvillonte i arratisuri Kaso Hoxha

SEKRET

Ekzemplarë i vetëm

Tiranë, më 10/1/1986

                                                                  E K S T R A K T

Nxjerrë nga shënimi operativ i datës 16/10/1985, i P. Op. Ropi Kita, nga takimi me B.p. “Shqiponja”, të D.P.B. Sarandë.

Kaso Hoxha nga Ninati i Sarandës, punonte si përkthyes i të arratisurve shqiptarë. Ai mbante qëndrim shumë të poshtër dhe thoshte: “Unë ika nga Shqipëria, se Udhëheqësi i ri bën terror, vret e pret popullin”.

                                     Punëtori operativ

                                         Asaf Hadëri

Dokumenti me letrën denoncuese ndaj regjimit komunist, të shkruar nga i arratisuri Kaso Hoxha, dërguar ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, nga ana e Petrit Shijakut, shefi i sektorit të letrave dhe ankesave pranë kabinetit të Ramiz Alisë, në Komitetin Qendror të PPSh-së

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË                                                       Tiranë më, 5/12/1985

KOMITETI QENDROR

Landa: Dërgohet letra e të arratisurit Kaso Hoxha dhe një përmbledhje e saj.

                                     MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

                                            – Shokut Hekuran Isai –

 Tiranë

Ju dërgojmë letrën e të sipërpërmendurit dhe një përmbledhje të saj, parë nga shoku Ramiz Alia.

I NGARKUARI ME PUNËN E LETRAVE DHE ANKESAVE

              Petrit Shijaku

29.7.1985

                                                               Denoncim

Duke jetuar në një klimë të ashpër mërie, indiferentizmi, dhe përbuzjeje tallëse, në një shoqëri provokuese, në një shoqëri derrash injorantë, duke jetuar momente shumë të vështira sa s’thuhen të një krizë kërcënuese ekonomike, politike e shoqërore, të një krize e cila stimulohet dhe drejtohet në ambicie arrogante, të maskuar nga kuadrot që drejtojnë ekonominë, e ndoshta fijet të çojnë tek eprorët e tyre.

Unë shoh një gjë (të cilën e vërtetojnë faktet), sepse unë nuk trajtohem si të gjithë nënshtetasit dhe qytetarët e kësaj Republike, por si i huaj, akoma më keq, si skllav, për mua nuk ka punë, të punoj as me kazëm.

Dal që në mëngjes në qendër të fshatit, ju lutem brigadierëve si një lypsar i rëndomtë, që kërkon të fitoj lëmoshën me djers dhe gjak, duke i rënë kazmës gjithë ditën për 5 lekë (për dy ose tre kg. bukë).

Përgjigja e tyre është e prerë: “S’kemi punë, shko ku të duash”. Këta njerëz të degjeneruar, këta brekë palarë, e heqin veten shumë rëndë, sikur janë pronarë tokash, sikur kanë çliruar Shqipërinë, sikur zotërojnë jo vetëm tokën, por edhe qiejt.

Tallen me njerëzit që vuajnë për të fituar jetën, qeshin me çdo gjë e për hiç gjë, por mandatën e së nesërmes, akoma nuk e kanë marrë vesh.

Po t’i lutesh për punë përgjegjësit të sektorit, ai të thotë, duke ngushëlluar: “Shko në Bonifikim, atje jeni caktuar, nuk ka punë tjetër për ju”.

Unë me disa shokë dhe foshnja që sapo kanë mbaruar shkollën, punuam në Bonifikim, për një muaj e gjysëm, një muaj e gjysëm vullnetarë, me bukën tonë, me rrobat tona, duke bërë 4 deri 5 orë rrugë në ditë, për të vajtur në vendin e quajtur Minalem të Janjarit.

Një kondicine si shpërblim, na dhanë nga 10 lekë (ose 5 kg. bukë), gjë qesharake, fort e bukur shumë. E megjithatë, nuk u ndiem dhe e lamë me aq.

Tani, ky farë njeriu, (ju lutem dhe kërkoj kërkoj falje për stilin banal të kësaj letre). Ky spurdhjak, që s’meriton të drejtoj ekonominë dhe prodhimin, ky varvat, që vë re bithët e grave, na kërkon që familjet tona të vdesin urie, të gjunjëzohen përpara personit të tij, duke na bërë servilë të fëlliqur.

Përse e bën këtë?! Ku e ka qëllimin? Përse i nxit njerëzit në rrugën e krimit?! Përse e ka katandisur ekonominë në pikë të hallit? Kujt i shërben…?!

Të tilla padrejtësira, 12 vjet më parë, më nxitën duke i kërkuar fajtorët, jo përreth, por duke ju kundërvënë politikës, shtetit dhe Enver Hoxhës.

Unë, si i dënuar politik, që u fala nga Enver Hoxha, duhet të jem i barabartë në shoqëri, nuk pretendoj që të bëj punë të rehatshme, por atje ku është shumica, më e vështira, por ama, jo i braktisur, dhe më e keqja, të më bëhet një luftë e ashpër klasore.

Parimisht, lufta e klasave është forcë lëvizëse në shoqëri. Njerëzit e ekonomisë tonë, deri tek ai më analfabeti, e kanë dëgjuar, por se çfarë kriteresh dhe rrugë duhet të ndiqet, ata nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë, duke e turbulluar gurrën e kthjelltë të klasikëve, të atyre që shpikën socializmin dhe komunizmin.

Këta njerëz që drejtojnë jetën ekonomike dhe politike të fshatit e të ekonomisë, shumica e të cilëve janë edhe të organizuar, në qoftë se do të dinte se çfarë po ndodh me të vërtetë dhe si zbatohet komunizmi në praktikë, jam i bindur se po të rronte Enver Hoxha, do të bënte pastrim me fshesë të hekurt, duke i flakur pa mëshirë, në kosh të plehrave.

Unë shoh këtu pabarazi, mungesë drejtësie dhe shfrytëzim prej skllavi, i njeriut. Horrat që drejtojnë ekonominë, nën petkun e kuadrit të shtetit, janë qehajain të rinj, njerëz të degjeneruar, që tallen me djersën e fukarasë.

Fshatari, punon 10-12 orë në ditë, që të fitojë 5 kg. bukë, gjë katastrofale për jetën e njerëzve të kazmës, sepse nga oborri i tyre privat, s’kanë absolutisht asnjë lloj të ardhure.

Këta njerëz kanë forcuar pozitat e tyre duke krijuar  familjaritet dhe vjedhin pronën e shoqërisë, pa teklif, sepse janë të sigurt, se nuk i kërcënon asnjë ligj. Çdo gjë ju përket këtyre njerëzve.

Furra e bukës dhe stanet, janë kthyer në grazhde, ku ata hanë pa racione dhe pa para, kurse popullit, i shesin baltë dhe krimba, me 20 lekë kg. në furrë dhe ujë me 30 lekë kg. nga stanet.

Këto janë hajdutë legalë, kurse popullin e detyrojnë të jetë  hajdut ilegal. Tani vjedhin të gjithë, ca me frikë, e ca pa frikë, duke i shkartuar dëme të mëdha ekonomisë dhe pasurisë së popullit.

U kapa pas këtyre dy fakteve, bukës dhe qumështit, sepse janë jetike në këtë stinë në fshat, duke lënë mënjanë me mijëra fakte abuzimi dhe spekulimi, që bëhen në dëm të interesave të popullit të thjeshtë, të kazmaxhiut.

Unë, nuk mund të përfshij këtu në këtë letër, tërë padrejtësitë dhe krizën që kanë shkaktuar këta njerëz në ekonominë e zonës e tërësi. Do të më duhej, kohë e gjatë edhe kaq e bëra vetëm e vetëm, për të vërtetuar popullit se, viktimë e kujt jam, duke shpresuar se, nga masa e gjëra e njerëzve të ndershëm, nuk do t’i hanë trillimet me të cilat do të kërkojnë të mbrohen të goditurit.

Unë kam qenë armik i padrejtësisë dhe i pabarazisë dhe do të mbetem për tërë jetën i tillë. Unë u dënova me 10 vjet burgim pse kërkova barazi, pse kërkoja që të gjithë njerëzit të ishin të barabartë. Por shokët e Shefqet Rexhos, e këlyshët e tij, ishin qeveri autoqefale brenda shtetit.

Ishin përmbysur agallarët fisnikë dhe vendin e tyre e kishin zënë agallarët harbutë, të cilët bënë si deshën, duke e shfrytëzuar popullin, duke e detyruar që gjysma e markaqjotëve të marrin rrugën e mërgimit dhe të arratisë, brenda e jashtë vendit.

Shefqet Rexho e mbylli me turp karrierën e tij, po këtë fat patën pasardhësit e tij, Myfit Husi, të cilët gjetën mbrojtje nga organet e shtetit dhe të Partisë në rreth.

Unë në atë kohë ju kundërvura politikës dhe regjimit të Enver Hoxhës, duke menduar, se faji qëndronte i tëri këtu, për gjithçka të padrejtë që shihja përreth.

Unë në atë kohë, nuk isha i formuar politikisht, në ndërgjegjen time nuk ekzistonte asnjë lloj bindje politike, asnjë lloj botëkuptimi për jetën. Lavdi fatit tim të keq, që m’u dha mundësia të mësoj shumë gjëra në qelitë e errëta të Spaçit.

Tani e di se cila është rruga që të shpie drejt së vërtetës, rrugë të cilës, do t’i shërbej me fanatizëm, sa të më rrahë damari i fundit, duke i shërbyer popullit tim. Të vërtetën të gjithë e kërkojnë dhe njëkohësisht, i tremben.

Unë jam i gatshëm, të pres çdo lloj diferencimi dhe ndëshkimi, në këtë shoqëri, po e deshi nevoja, por gjithnjë, duke dashur të mirën popullit tim dhe duke mbrojtur humanizimin e Internacionalizmin.

Nuk është budallallëk dhe guxim i tepruar, pse denoncon të keqen, të ultën, të fëlliqurën, por më budallallëk është, të heshtësh dhe të jesh frikacak. Detyra morale e çdo njeriu të ndershëm, nuk është që të flas ashtu siç do të dëshironte dikush, por ashtu siç e kërkon e vërteta.

Unë u linda dhe u rrita me fukarallëk. Babai im e fitonte jetën me shumë djersë, ka qenë i ndershëm dhe këtë e thonë të gjithë ata që e kanë njohur por mua, më duhet që të derdh akoma më shumë djersë që të rroj. Lumturia ime në familje është fukarallëku dhe gëzimi tim në jetë, është uria.

Po, uria, mos u çuditni më është dashur që ditë me radhë të ha një vakt në 24 orë. Kam dy muaj që punoj vullnetar me barkun bosh, në vendin e quajtur Minalem, duke mos na e ditur për nder këtë punë që bëjmë në interes të shtetit.

Jeta ime, është bërë e padurueshme dhe nuk mund të shkohej më tej me këtë shoqëri të pabesë dhe frikacake, të bindur se i tillë është fati i tyre.

Luftë klasash mua nuk më është bërë vetëm në ekonomi, në fshat, apo dhe në brigadë ku punoj, por deri brenda në familje. Protagonist i kësaj lufte që mos ta ndjesh veten asnjë çast të qetë shpirtërisht, ka qenë gruaja ime, së cilës i kërkova të më ndante, kur u dënova me burgim.

Sigurisht kjo nxitet dhe ka qëllime të caktuara, lufta dhe kërcënimet e kësaj shtrige, duke u shërbyer me zell padronëve të saj.

Për mua tani kjo i ka humbur të gjitha vlerat si grua, të gjitha vetitë e një nëne, duke e urryer si krijesë e ndyrë pa kurrfarë personaliteti, që si njeri i ka mbetur vetëm shëmbëlltyra, që është ç’veshur nga të gjitha virtytet që stolisin njeriun e shekullit tonë.

Kjo, është shkaktarja e të gjitha vuajtjeve të mia fizike e shpirtërore. Fëmijë ka, por nuk është nënë. Nuk di t’i trajtojë dhe t’i edukojë ata ashtu siç i do koha. Ajo është kthyer në një përbindësh pa forcë.

Ajo ka rënë shumë poshtë dhe ka për të rënë gjithnjë e më poshtë. Unë me të, i kam prerë të gjitha lidhjet dhe nga zemërimi, mund të shfryj sa të duash banalitete, gjë që do më ulin vlerën mua, por unë do t’ja lë kohës të bëj portretin e saj të vërtetë.

Do ta mbyll me kaq, me shpresë se ndonjëherë do të më jepet mundësia që këto, t’i hedh në ndonjë libër. Do kujtoj dhe do të përkulem me veneracion për baltën ku u rrita e qave, për natyrën për gjithçka të mirë e të urtë. Dhe mbi gjithçka për popullin tim, për shtëpinë, atë vatër ku u rrita.

                                           Lamtumirë

                                           Kaso Hoxha

Shënim

Janë pak këto që tregova më lartë. Me bindje dhe me urtësi ju, mund t’i verifikoni se çfarë po ndodh këtu, dhe arsyet që më detyruan që të marr rrugën e arratisë dhe të braktis atdheun.

Këtë letër nuk e lashë në kufi pasi, nuk kisha besim nëse mund t’ju binte në dorë.

Jini të arsyeshëm dhe analizojeni mirëMemorie.al

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/keta-horra-te-degjeneruar-e-breke-palare-qe-drejtojne-ekonomine-jane-qehajait-e-rinj-qe-tallen-me-djersen-e-fukarase-dhe-vene-re-bithet-e-grave-letra-e-camit-nga-saranda-per-ra/