“Kaso i tha shokut të tij, se: Jugosllavi dhe greku kanë programe të bukura, kurse RTSH-ja, jep gjithë ditën atë malokun me çifteli…” / Raporti i Punëtorit Operativ, Novruz Haxhia, janar ‘73

Dashnor Kaloçi

Pjesa e tretë

Memorie.al publikon  një dosje që është siguruar para pak kohësh nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja hetimore, gjyqësore dhe ajo e përpunimit të shtetasit Kasëm Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim, në SHBA që nga viti 1985, kur ai mundi të arratiset nga Shqipëria për në Greqi, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në kampin e Spaçit, i dënuar për “agjitacion e propagandë, ndaj pushtetit popullor”. Në momentin e arrestimit, më 21 qershor të vitit 1973, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, në shtëpinë e tij i’u gjetën disa “materiale komprometuese”, si poezi dhe trakte, ku ai bënte thirrje “për përmbysjen e pushtetit popullor”., etj. Dosja në ngarkim të shtetasit Kaso Hoxha, (tashmë e de-klasifikuar) fillon me atë të përpunimit, ku organet e Sigurimit të Shtetit dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit të Sarandës, bëjnë të gjithë përpjekjet, për të gjetur autorin e letrës “me përmbajtje të thellë armiqësore”, që ishte hedhur në qendër të fshatit Markat (me banorë të komunitetit çam), ku pas shumë kohësh, me ndihmën edhe të Laboratorit Qendror Kriminalistik, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u bë e mundur, që të saktësohej dhe identifikohej se shkrimi në atë letër, ishte i Kaso Hoxhës, kjo solli edhe arrestimin e tij. Dosja në fjalë vazhdon me procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij, ku ai pasi vuajti dhjetë vite në burgun e Spaçit, në nëntorin e 1982-in kthehet në fshatin e lindjes, Markat, ku që në ditët e para, ndaj tij fillon ndjekja dhe survejimi nga organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin angazhuar jo vetëm disa bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe familjarë të afërt të tij, kjo e detyroi Kaso, për t’i shpëtuar arrestimit, të arratisej nga Shqipëria, duke kaluar kufirin shtetëror, për në shtetin fqinjë, Greqi. Pas disa kohësh qëndrimi në Kampin e Llavros, fitoi statusin e azilantit politik, për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje, ndaj tij vazhdoi ndjekja e survejimi, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik Shqiptar, që ishte i kamufluar me rezidenturën e tij, pranë Misionit Diplomatik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara) dhe disa agjentëve të saj të fshehtë, deri në vitin 1991, që u shemb regjimi komunist në Shqipëri. Historia e Kaso Hoxhës, u bë e njohur pas botimit të librit të tij “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, që ai ia besoi në dorëshkrim Memorie.al, vjen tashmë nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, (ku ndodhen, raporte bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet e tyre, letra, shënime, informacione, relacione, raport-informacione, përgjime me teknikë operative, etj., të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, hetuesve, titullarëve të Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, etj., deri te rezidentura e Zbulimit Politik në SHBA, e agjentët e saj atje), të cilat fillojnë në vitin 1973 dhe përfundojnë në vitin 1991, kur dosja e tij u arkivua njëherë e përgjithmonë.

                                                 Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit të degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Novruz Haxhiu, me shënimin operativ, lidhur me studimin “Mbi personalitetin e Kasem Hoxhës’!

                                                   SHËNIM – OPERATIV

                    MBI STUDIMIN E PERSONALITETIT TË KASEM HOXHËS

Nga bisedat e ndryshme që kemi bërë me komunistë si: Nezir Memsuri e Ibrahim Munga nga Markati, rezultoi se, Kasem Hoxha është i ri në moshë, i cili është liruar nga ushtria vitin e kaluar dhe është i specializuar për ndërlidhje.

Duke e parë në përbërjen fizike të tij, është një djalë me trup të gjatë rreth 1.70 i gjatë, pa shenja karakteristike, bjond nga flokët dhe me fytyrë të rregullt.

Nga ana e intelektit është i mirë, është i përgjegjshëm, nuk vuan nga asnjë sëmundje, është tip i mbyllur dhe mjaft i qetë, ka një rreth shoqëror shumë të kufizuar, është i matur dhe i pa nxituar në të folur, më tepër të dëgjon se sa të flet për gjëra të ndryshme dhe nuk është i hedhur.

Është i lidhur me familjen dhe me punën e shtëpisë dhe kjo duket se mbas mbarimit të punës, menjëherë shkon në shtëpi. Nuk e shikon shumë të lëviz në qytet, ose në qendër të fshatit ose, të interesohet për të dëfryer e argëtuar si mbrëmjeve, ekskursioneve, darka apo dasma e festa. Është i zgjuar dhe gëzon respekt.

Deri Tani nuk dihet të ketë ndonjë sjellje të keqe në fshat.

25.I.1973                                                                        P. Operativ

                                                                                      Nevruz Haxhia

Dokumenti sekret me të dhënat biografike të Kasëm Çerçiz Hoxha, të marra nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Novruz Haxhia, sipas dëshmive të siguruara nga dy anëtarët e partisë, I. Munga. dhe N. Hakago, banorë të fshatit Markat

                                                             BIOGRAFI

                                           E KASIM ÇERÇIZ HOXHËS NGA MARKATI

Kasimi është i biri i Çerçizit dhe i Hanes, i lindur më 1951 në katundin Markat dhe banue po aty, i martuar dhe me dy fëmijë, me arsim tetëvjeçar, i pa dënuar ndonjëherë dhe i pa organizuar, me profesion punëtor, rrjedh nga një shtresë e varfër fshatare.

Qëndrimi i familjes dhe farefisit të tij para Luftës, ka qenë indiferent, nuk janë përzier me regjimin e atëhershëm dhe nuk dihet që të kenë ndonjë gjë negative për këtë kohë.

Po kështu si familje dhe farefisi i tij edhe gjatë Luftës Nacional-çlirimtare, kanë mbajtur qëndrim indiferent dhe nuk kanë treguar ndonjë aktivitet as me okupatorin dhe as me partizanët.

Ky qëndrim zgjati edhe disa kohë pas Çlirimit, por më vonë, aty rreth vitit 1956, arratiset për në Greqi, kushëriri i parë i tij, i quajtur Rexhep Hoxha, gjithashtu në këtë kohë, kushëriri tjetër i parë i tij, i quajtur Hiqmet Hoxha, për qëndrim të keq internohet dhe pas internimit tenton të arratiset dhe ky, por kapet dhe dënohet me burg.

Rreth vitit 1967, të të përmendurit i arratiset dhe një kushëri i dytë i quajtur Zeqo Kola, ndërsa kushëriri tjetër i dytë, i quajturi Qemal Kola, po në këtë vit përjashtohet nga partia, për oportunizëm në parti.

Dy vjet më vonë, të të përmendurit i arratiset në Greqi dhe kushëriri tjetër i pare, i quajtur Selfo Hoxha, ndërsa i vëllai i tij, Idrizi, me banim në Markat, aktualisht mban qëndrim të keq.

Kasimi ka një motër të martuar me Mazer Murton, që është bashkëfshatar i tij, i cili rrjedh nga një shtresë e varfër dhe me qëndrim të mirë gjatë gjithë kohës. Po kështu ka dhe dy motra të tjera, njërën të martuar në Markat tek Idriz Kushi dhe tjetrën të martuar në katundin Ninat, tek familja me qëndrim të mirë politik.

Kasimi ka për grua të bijën e Tare Bajraktarit, i cili ka qenë partizan dhe ka shërbyer edhe në organet e Policisë Popullore, mban qëndrim të mirë aktualisht dhe rrjedh nga një shtresë e varfër.

I ati i Kasemit dhe e ëma, janë marrë gjithmonë me bujqësi në fshatin e tyre dhe nuk dihet ndonjë gjë negative në drejtim të tyre.

Vetë Kasemi, ka mbaruar shkollën tetëvjeçare në fshatin e lindjes dhe pasi punoi një kohë të shkurtër në kooperativë, shkoi dhe kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të cilin e mbaroi aty nga viti 1971, ku prej asaj kohe deri më sot, punon përsëri në kooperativë.

Është i martuar me vajzën e Tare Bajraktarit nga Markati dhe me të ka dy fëmijë. Është tip i mbyllur dhe i qetë, në rrethin e tij shoqëror, ka pak vetë ku si me të afërm mund të përmendim, Mezan Sade Mamon, që është moshatar i tij dhe rrjedh nga një shtresë e varfër si dhe komshiun e tij, Eqerem Murtaj, i cili është karvanjar në kooperativa.

Gjatë gjithë kësaj kohe që Kasimi ka qenë në moshë të rritur, nuk dihet ndonjë gjë negative në drejtim të tij.

           Marrë nga A.P. I. Munga dhe N. Hakago

                                  Punëtori operativ

                                    Novruz Haxhia

                  SHËNIM –OPERATIV

Unë Punëtori Operativ i Degës së Punëve të Brendshme Sarandë, Nevruz Haxhia, bëj këtë shënim operativ, sot me datën 26.11.72, për arsye se në një bisedë që pata me qytetarin Thoma Koço Miçoni, midis të tjerash më tha se: në datën 25.11..72, rreth orës 16, jam takuar me Kaso Hoxhën nga katundi Markat, në dyqanin e mallrave të zhvlerësuara të Delvinës, ku gjatë bisedave që pata me të, më tha se kam marrë vesh se punon në minierën e kripës dhe pasi unë pohova që punoj vërtetë atje, ai më tha se ju q…. nënën ajo kripa.

Pastaj u hap biseda rreth kushëririt të tij që ka të arratisur në Greqi, Selfo Hoxhës, për të cilin Kasua më tha se, ai u takua me Bilal Xhaferrin dhe Bajram Shuaipin në festën e Hoxhës dhe prej andej u arratisen në Greqi, ku iniciator për këtë, u bë Selfua, i cili më parë hapë fjalë se do të shkonte në Tiranë.

Lidhur me këta persona që u arratisen, Kasua tha se: bënë shumë mirë që ikën, se Selfon këta do e kishin futur në burg, ndërsa Bilali shkruante shkrime shuma të mira si dhe vepra, por këta padrejtësisht, nuk ja vlerësonin dhe ja hidhnin poshtë.

Për këtë arratisje, thotë Kasemi, Selfua po pregatitej që me kohë dhe shumë herë shkonte me punë në afërsi ta klonit, afër kufirit, gjoja për ujë dhe me pretekste të tjera, me qëllim që të shikonte kufirin dhe vendet e mundshme, për të kaluar kufirin, por nga ana tjetër, Selfua po ndërtonte një shtëpi në fshat, bile i kish hedhur dhe çatinë, me qëllim që të mos dyshohej për ta.

Ndërsa Bilali erdhi në fshat me pretekstin se do të martohej me një vajzë nga katundi Markat. Lidhur me këto fakte, se nga dhe si i dinte Kasua këto gjera, ai nuk dha asnjë shpjegim.

Në vazhdim të bisedave Kasua më pyeti, thotë Thomai, se isha martuar apo jo dhe unë i thashë se jam martuar me një vajzë nga katundi Dhrovjan, por jam penduar, mbasi gruaja ime ka nja dy të afërmit e saj të arratisur, si dhe një hallë në burg.

Kasemi posa dëgjoi këto që i thash unë, u habit se si e kisha për kaq gjë të madhe dhe menjëherë më tha se: je i mërzitur ti për këtë?! Pastaj shtoi se: ata që ke të arratisur, nuk i ke për të keq, po i ke për të mirë. Pastaj unë e pyeta nëse merrte Kasua letra nga kushëriri i tij dhe ai më tha se: unë nuk kam marrë, po Bajram Shuaipi ka shkruar se ndodhet në Belgjikë.

Më poshtë unë i thash se fshati juaj Markat, ka shumë të arratisur me sa di unë, ku si përgjigje të kësaj, Kasua më tha se: nuk e di se për cilin Markat e ke fjalën, se janë tre Markata, njëri është ky që banoj unë, njëri në Greqi dhe tjetri në Borsh, ku deshi të thotë se aq janë në Markat tani, ka të arratisur në Greqi dhe të internuar në Borsh, si dhe të burgosur.

Në vazhdim të bisedës, Kasua më pyeti nëse shikoja ndonjëherë në televizor ose jo dhe unë i thash se shikoj shumë rrallë, dhe se këtu kam vetëm stacionin grek. Për këtë, Kasua më tha se: grekërit kanë alamet spiker dhe muzikë të mirë, ndërsa Tirana, na nxjerr aty atë malokun me çifteli, nga dy orë të tëra dhe të mërzit, po kështu, tha Kasua, edhe Jugosllavia ka programe shumë të mira.

Lidhur me këtë person, d.m.th., për Kason, Thomai thotë se e kam njohur që kur isha ushtar në Tiranë, mbasi e kemi bërë ushtrinë bashkë dhe më kujtohet që edhe ne atë kohë që ka qenë viti 1969, muaji dhe data nuk më kujtohen, më ka folur me admirim për arratisjen e kushëririt të tij, Selfos dhe Bilal Xhaferit e Bajram Shuaipit.

Ndërsa aty nga viti 1971, në kohën që bënim punime operative në tunele, Kasua nuk punonte, por sabotonte në këto punime dhe na thoshte edhe neve, që të mos punonim, bile vagonët që nxirrte jashtë me dhe, shpesh herë i binte përsëri brenda, ashtu siç i nxirrte, pa u zbrazur ose e mbushte vagonin përgjysëm.

Këto sjellje të tij, thotë Thomai, më kanë rënë në sy si sjellje jo të mira dhe shprehjet që më ka thënë, si shprehje që janë kundër pushtetit. Memorie.al

                               Punëtori Operativ

                                 Novruz Haxhia

                                     Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kaso-i-tha-shokut-te-tij-th-m-se-jugosllavi-dhe-greku-kane-programe-te-bukura-kurse-rtsh-ja-jep-gjithe-diten-ate-malokun-me-cifteli-raporti-i-punetorit-operativ-novruz-h/