Kalendari Historik 4 Tetor 2022

1904 – Në Suedi, themelohet klubi i futbollit Goteborg IFK. Ky klub sportiv do të bënte një paraqitje dinjitoze në kampionatin elitë të futbollit në këtë vend. Goteborg IFK përgjatë viteve do të fitonte 66 trofe dhe kupa kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u radhitur kështu në një nga skuadrat më të mira të futbollit suedez krahas, Malmo FF, IFK Norrkoping, dhe AIK-ut.

 

1921– Më 4 Tetor të këtij viti, një grup intelektualësh shqiptar, krijojnë Shoqatën e Kryqit të Kuq Shqiptar. Kryetar i parë i kësaj shoqate u zgjodh Dr. Rifat Frashëri. Kjo është organizata më e vjetër humanitare në Shqipëri, e themeluar më 4 tetor të vitit 1921 dhe u njoh zyrtarisht nga Lëvizja e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në vitin 1923.  Selia e saj ndodhet në kryeqytetin shqiptar Tiranë. Kryqi i Kuq Shqiptar ka 39 degë të cilat ofrojnë ndihmë humanitare në të gjithë vendin, në përputhje me Parimet Themelore të organizimit përkatës. Në vitet 1969 – 1990 Kryqi i Kuq Shqiptar ndërpret aktivitetin e tij. Shoqata ka synuar dhe arritur të trajnojë vullnetarë të Ndihmës së Parë si dhe ka ngritur shërbime të Ndihmës së Parë në stadiume dhe veprimtari masive publike.  Deri më tani janë përgatitur instruktorë dhe vullnetarë të ndihmës së pare. Ekipet e ndihmës së parë janë shquar për kontributin e tyre duke asistuar fat-keqët gjatë trazirave të pranverës së vitit 1997 dhe gjatë kohës së ardhjes së të shpërngulurve nga Kosova. KKSH në fushën e Ndihmës së Parë punon për ndërgjegjësimin e publikut dhe grupeve të tjera të interesuara për nevojën e dhënies së kësaj ndihme, si dhe përgatitjen e tij me shprehitë se si jepet kjo ndihmë në rast plagosjesh në aksidente, sëmundjesh apo helmimesh që kërcënojnë jetën.

 

1955 – Lind në Las Parejas të Argjentinës, Jorge Valdano. Valdano gjatë karrierës së tij 15 vjeçare, do të konsiderohej si një nga futbollistët më të mirë të këtij vendi. Ai do të debutonte me ekipet e Newell Old Boys, Alaves, Real Zaragoza, dhe Real Madrid. Njëkohësisht ai do të fitonte  Kupën e Botës me Argjentinën në vitin 1986. Jorge Valdano do të fitonte 10 trofe personalë si pasojë e lojës së tij të spikatur në këto ekipe. Ai do të drejtonte edhe ekipin e Realit të Madridit duke e shpallur atë kampion të Spanjës.

 

1957– Sateliti sovjetik Sputnik 1 lëshohet për herë të parë në hapësirë, nga kozmodromi i Baikonur-it. Ky do të jetë njëkohësisht edhe objekti i parë që hidhet nga njerëzimi në atmosferën hapësinore. Ky satelit u projektua nga shkencëtari Sergey Korolev. Lëshimi i këtij objekti teknologjik në galaktikë do të niste gjithashtu edhe siparin e garës hapësinore ndërmjet dy superfuqive.

 

1967 – Pas 17 vite në krye të Mbretërisë së Brunei-t, sulltani Omar Ali Saifuddien, abdikon në favor të të birit të tij Hassanal Bolkiah. Gjatë udhëheqjes së kësaj dinastie, shteti i vogël i Brunei-t në Azinë Jug-lindore, do të njihte një prosperitet ekonomik të lartë, dhe një mirëqenie sociale. Sulltani Omar Ali do të kishte 10 fëmijë me 6 nga bashkëshortet e tij. Kjo dinasti vazhdon ta udhëheq Brunei-n edhe sot e kësaj dite.

 

1992 – Nënshkruhet në Romë, Marrëveshja e Paqes që do ti jepte fund luftës civile 16 vjeçare në Mozambik. Kjo marrëveshje u bë e mundur nëpërmjet ndërhyrjes së Komunitetit të Sant Egidio-s, me anë të misionarëve të saj fetarë. Ndërsa nga palët luftuese, ajo do të firmosej nga Jaime Goncalves dhe Raoul Domingos. Kjo marrëveshje do të thyhej 20 vite më pas, nga qeveria e Mozambikut.

 

2001– Avioni i linjës ajrore Siberian Airlines Flight 1812, shpërthen në ajër nga një raketë e hedhur nga trupat ushtarake ukrainase. Si pasojë e këtij incidenti, të 78 pasagjerët përfshi këtu edhe anëtarët e ekuipazhit do të mbetnin të vdekur në vend. Kievi zyrtar do të kërkonte ndjesë dhe do të justifikohej për aksidentin pasi  deklaroi se raketat ishin lëshuar gabimisht gjatë një stërvitjeje. Ukraina do të paguante 15 milionë dollar për familjet e viktimave.

 

2013 – Vdes në moshën 102 vjeçare në Hanoi, gjenerali i famshëm vietnamez Vo Nguyen Giap. Giap do të konsiderohej nga analistët ushtarakë si një nga strategët më të mëdhenj të këtij vendi. Nën udhëheqjen e tij ushtria guerilase vietnameze do të thyente trupat franceze në Dien Bienf Phu dhe më pas ato amerikane në Saigon. Për këto merita ai do të zgjidhej për shumë vite edhe si Ministër i Mbrojtjes së Vietnamit.

 


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kalendari-historik-4-tetor-2022/