Kalendari Historik 25 Shtator 2022

1926 – Nënshkruhet në Gjenevë të Zvicrës, Traktati për ndalimin e tregtimit të skllevërve dhe skllavërisë. Ky traktat, u nënshkrua fillimisht nga 25 vende. Por më vonë numri i shteteve pjesëmarrëse që do ta ratifikonin atë do të arrinte 100, midis të cilave edhe Shqipëria. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje të përbashkët të shteteve anëtare të OKB-së, do të ishte zhdukja përfundimtare e fenomenit negativ shekullor të skllavërisë. Kjo dukuri fatkeqësisht do të vërehet edhe sot në disa rajone të Azisë dhe Afrikës.

 

1959 – Kryeministri i Sri Lanka-s Solomon Bandaranaike, do të qëllohej për vdekje nga një murg budist i quajtur Talduwe Somarama. Bandaranaike, do të vdiste pas 24 orë agonie në General Hospital të Colombo-s. Arsyet e vërteta të vrasjes së tij, do të mbeteshin të paqarta për shumë vite. Ndërsa atentatori i tij, Talduwe Somarama do të arrestohej dhe pas afro 3 vjet gjykimi, do të dënohej me vdekje dhe do të ekzekutohej po në kryeqytetin sri-lankas Colombo.

 

1962 – Në Jemenin e Veriut, në jug të gadishullit arabik, do të shpërthente Lufta Civile 8 vjeçare. Pas vdekjes së mbretit Abdullah al Sallal, lideri i ri i porsa-zgjedhur Imam al Badr, do të shpallte Republikën Presidenciale. Kjo do të nxiste fraksionet republikane dhe monarkiste të vendit që të fillonin konfliktin e përgjakshëm të armatosur mes tyre. Pas 8 vjet luftimesh, që do të shkaktonin 200 mijë të vdekur, forcat republikane do të fitonin duke detyruar fqinjët e tjerë monarkistë arabë të njihnin Republikën e Jemenit.

 

1969 – Lind në Swansea, aktorja wellsiane me famë botërore Catherine Zeta Jones. Zeta Jones, do të spikaste me rolet e saj në filmat, The Mask of Zorro, The Haunting, Chicago, Oceans Twelve. Gjithashtu ajo do të fitonte plot 15 çmime ndërkombëtare ku dhe do të nominohej edhe për 18 kategori të tjera kinematografike. Catherine Zeta Jones, do të shquhej për bukurinë e saj skenike, çka do ta kthente atë në një nga ikonat e Hollywood-it.

 

1970 – Shuhet në Locarno të Zvicrës në moshën 72 vjeçare, Erich Maria Remark. Remark, do të klasifikohet si një nga shkrimtarët dhe novelistët më të mëdhenj të shek XX. Disa nga veprat e tij më të famshme janë, All Quiet on the Western Front, Arch of Triumph, The Night in Lisbon, Three Comrades, etj. Rryma që ai do të përfaqësonte, do të anonte më shumë nga realizmi dhe pacifizmi, e cila u përhap shumë sidomos pas Luftës së Parë Botërore.

 

1978 – Avioni civil i linjës ajrore PSA-182, përplaset në ajër me një avion privat Cessna 172. Si pasojë e kësaj katastrofe ajrore të ndodhur mbi qytetin e San Diego-s në SHBA, do të humbnin jetën 144 pasagjerë. Gjithashtu 10 të tjerë do të mbeteshin të plagosur. Plot 22 shtëpi, do të mbeteshin të dëmtuara, nga rënia e pjesëve të avionit mbi tokë. Kjo do të ishte një nga tragjeditë ajrore më të mëdha të Linjës së Paqësorit Jugor.

 

1979 – Vritet në Palermo të Siçilisë në moshën 58 vjeçare, gjykatësi dhe politikani italian Cesare Terranova. Vrasja e Terranova-s do të bëhej nga anëtarët e Mafia-s Cosa Nostra nëpërmjet një prite të organizuar në bulevardin kryesor të Palermo-s. Eliminimi fizik i Cessare Terranova-s do të vinte si pasojë e luftës që ky gjykatës i kishte shpallur për vite me radhë krimit të organizuar në ishullin e Siçilisë.

 

1983 – Në burgun e sigurisë së lartë të Maze-it në Irlandën e Veriut, ndodh një prej arratisjeve më spektakolare në historinë e Britanisë së Madhe. Pikërisht në mesnatën e 25 Shtatorit, 38 të burgosur, militant të Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA), do të arratiseshin nëpërmjet një tuneli të nën-dheshëm të gërmuar nga po ata. Gjithashtu të burgosurit e IRA-s kishin futur ilegalisht, disa javë më parë armë dhe municione me qëllim, konfrontimin e mundshëm me rojet e sigurisë.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kalendari-historik-25-shtator-2022/