Kalendari Historik 23 Shtator 2022

1905 – Norvegjia dhe Suedia, do të nënshkruanin midis tyre traktatin e Karlstadit. Ky traktat, zgjidhte në mënyrë paqësore ndarjen territorial midis dy vendeve, në dy shtete të ndryshme. Mbreti Oscar i II që ishte njëkohësisht mbreti i Norvegjisë dhe Suedisë, abdikoi nga froni. Në këtë mënyrë u krijuan mbretëritë norvegjeze dhe suedeze të cilat, që prej një shekulli nuk kanë njohur luftë midis tyre.

 

1909 – Lindi Lorenc Antoni, kompozitor, dirigjent dhe etnomuzikolog shqiptar. U lind në Shkup, asokohe qendra e Vilajetit të Kosovës në një familje katolike, kushëri i Gonxhe Bojaxhiut. Qysh fëmijë aktivizohet në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Studion privatisht muzikë në Shkup dhe Beograd. Pas shkollimit në Fakultetin Filozofik të Shkupit kthehet në Ferizaj dhe më pas ngre të parën shkollë të ulët dhe të mesme muzike “Josip Sllavenski” në Prizren më 1948. Lorenc Antoni konsiderohet edhe si kompozitori i brezit të parë të kompozitorëve të Kosovës. Sipas Prof. Engjëll Berishës, në përgjithësi veprat e Lorenc Antonit bazohen në idiomën muzikore popullore shqiptare. Veçojmë këtu “Kanga e Rexhës” e cila respektohet dhe dëgjohet edhe në ditët e sotme. Gjithashtu ai bëri përpjekje për hapjen e shkollës së parë të muzikës më 1948 në Kosovë

 

1911 – Piloti amerikan Earle Ovington, do të bëhet aviator i parë në histori që transporton postën në rrugë ajrore. Kjo do të ishte një risi e re dhe tepër efikase e transportit postar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetë Ovington do të transportonte 640 letra dhe 1300  kartolina nëpër shtete të ndryshme të SHBA-së, për llogari të Departamentit të Zyrës Postare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

1920 – Lindi në qytetin e Shkodrës, aktorja shqiptare e teatrit dhe filmit, Marije Logoreco, Nderi i Kombit dhe Artist i Popullit. Pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek “Skënderbeu”,  më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër “Fëmijët e saj”, dhe me pas në filmin e parë shqiptar “Tana” etj. Jeta artistike e Marie Logorecit, nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945, ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit, arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj… atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.

1932 – Përfundon me sukses bashkimi i të gjitha territoreve arabe nën një shtet të vetëm. Unifikimi i Arabisë Saudite, do të ishte një proces i gjatë politik, dhe ushtarak në të cilin do të angazhoheshin me qindra sheikë, politikanë, dhe udhëheqës tribunësh. Një rol të veçantë në themelimin e shtetit gjigant në Lindjen e Mesme do të luanin Franca dhe Britania e Madhe, të cilat do të vendosnin dominimin e tyre në Gadishullin Arabik. Monarku i parë i saj do të ishte Abdulaziz Ibn Saud.

 

1938 – Forcat e Armatosura të Çekosllovakisë, shpallin mobilizimin e përgjithshëm për shkak të Marrëveshjes së Mynihut. Sipas kësaj marrëveshjeje Britania e Madhe dhe Franca nënshkruan me Italinë dhe Gjermaninë, dhënien kësaj të fundit të krahinës së Sudeteve. Ky rajon i pasur në Çekosllvakinë perëndimore banohej në shumicë dërrmuese nga gjermanë etnikë, të cilët shërbyen si pretekst që të aneksoheshin nga Berlini. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të gjithë gjermanët e Sudeteve do të dëboheshin nga çekët.

 

1939 – Vdes në moshën 83 vjeçare në Hampstead të Londrës, themeluesi i Psikoanalizës botërore, Sigmund Freud. Freud do të shquhej për trajtimin e tij ndaj qasjeve të neurologjisë dhe psikopatologjisë. Ai do të revolucionarizonte këtë disiplinë mjekësore, duke krijuar një terapi direkte nëpërmjet dialogut mjek-pacient. Disa nga veprat e tij të botuara janë, Interpretation of Dreams, The Ego and the Id, The Future of an Illusion, dhe Three Essays on the theory of Sexuality.

 

1943 – Lind në Madrid, këngëtari i famshëm spanjoll me famë botërore Julio Iglesias. Iglesias, në karrierën e tij të pasur 50 vjeçare, ka interpretuar në rreth 5000 koncerte në më shumë se 25 shtete të botës. Ai arriti të bëhej këngëtari më i shitur i muzikës latine në të gjitha kohërat, duke regjistruar 300 milionë disqe në 15 gjuhë të ndryshme. Disa nga albumet e tij të spikatura janë, A mis 33 anos, Starry Night, Tano, Noche de Cuatro Lunas, etj.

 

1950 – Në Luftën e Koresë, do të zhvillohej, Beteja e Kodrës 282. Gjatë këtij operacioni, dy batalione britanike do të gjendeshin të rrethuara nga trupat ushtarake koreano-veriore. Në pamundësi për të çarë rrethimin ata, kërkuan ndihmën e marinsave amerikanë të cilët gabimisht bombarduan pozicionet britanike. Nga ky gabim njerëzor do të humbnin jetën 17 ushtarë britanikë dhe 80 të tjerë do të plagoseshin rëndë. Ndërsa nga trupat koreane, humbjen do të ishin minimale.

 

1983 – Avioni civil i linjës ajrore Gulf Air Flight 771, me 12 pasagjerë në bord do të shpërthente duke rënë në shkretëtirën e Mina Jebel-it në Emiratet e Bashkuara Arabe. Si pasojë e shpërthimit me bombë të 112 pasagjerët do të humbnin jetën. Ky atentat u mor përsipër nga organizata terroriste islamike Abu Nidal. Kjo organizatë palestineze, do ta kryente këtë akt, si pasojë e politikës paqësore që disa shteteve arabe ndiqnin, ndaj Izraelit.

 

1998 – Ndërron jetë Lazër Radi, ishte jurist, publicist, prozator, poet e përkthyes. Më 1930 – 1931 nisi shkollën e mesme në gjimnazin e Tiranës. Më 1931 iu akordua nga ministri i Arsimit, Hilë Mosi, bursë për në gjimnazin e Shkodrës deri më 1938 dhe u vendos në konviktin “Malet Tona”, në shoqërinë e nxënësve Emin Duraku, Hajdar Dushi dhe Haki Taha e grupit përparimtar me Qemal Stafën, Xhemal Broja e Arshi Pipa, bën pjesë në celulat e para komuniste të Grupit Komunist të Shkodrës. Verën e vitit 1936 shkoi në shkollën verore të Pukës, ku jepte mësim e motra dhe u njoh me poetin Migjeni. Më 1937 iu akordua një bursë shtetërore dhe më 1938 nisi vitin e parë akademik për Jurisprudencë në Universitetin “La Sapienza” në Romë, i ndihur nga Musine Kokalari. Më 1942 u diplomua në Filozofinë e së drejtës dhe u ftua si asistent profesor, në katedrën e prof. Vito Cesarini Sforza. Por u kthye më 1942 në Shqipëri dhe nis stazhin e avokatisë pranë studios së avokat Golgotës në Durrës. Më 23 nëntor 1944 u arrestua nga partizanët. U gjykua në prill të 1945 në Gjyqi Special, ku u dënua me 30 vjet burgim për përfshirjen e tij në politikë me anë të publicistikës. Më 1944 – 1990 vijoi odisenë e pafund burgjeve, dhe  internimeve. Punoi si mekanik, murator, marangoz, hekurkthyes e disenjator me piktorin e kampeve Lek Pervizin. Punoi dhe si punëtor krahu në bujqësi deri me 1976 kur doli në pension pleqërie. Me 1982, demaskohet publikisht si armik i popullit dhe i pakënaqur nga regjimi, ne rrezik te burgosej përsëri.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kalendari-historik-23-shtator-2022/