Kalendari Historik 2 Tetor 2022

1944 – Trupat naziste gjermane të Wermacht-it dhe divizionet Waffen-SS shtypin brutalisht Kryengritjen e armatosur të Varshavës, një prej revoltave më të famshme të Luftës së Dytë Botërore. Luftimet ndërmjet partizanëve të rezistencës polake, dhe gjermanëve do të zgjasnin 63 ditë dhe të dy palët luftuese do të humbnin rreth 20.000 vetë. Si rezultat afro 80 përqind e kryeqytetit polak Varshavë do të shkatërrohej.

 

1951 – Lind në Wallsend të Anglisë muzikanti dhe aktori i famshëm britanik Gordon Matthew Thomas Sumner, i njohur ndryshe si Sting. Sting do të bëhej i njohur në botë për interpretimet e tij muzikore në rrymat, jazz, rock, reggae, dhe worldbeat. Nga kritikët e artit ai do të konsiderohet si një nga 100 këngëtarët më të famshëm në botë të shekullit. Ai është nominuar 111 herë dhe ka fituar 47 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare të rëndësishme si American Music Awards, dhe Grammy.

 

1958 – Shteti i Guinea-s në Afrikën Perëndimore, shpall pavarësinë nga Franca, pas afro një shekulli pushtimi kolonial. Guinea do të bëhej një nga kombet më të reja në Afrikë dhe në Botë, por ajo do të ishte njëkohësisht edhe një nga vendet më të varfra të rajonit ku bën pjesë. Me një popullsi prej 12 milionë banorësh, Ahmed Seku Toure do të shpallej, Presidenti i parë i saj.

 

1968 – Në Meksikë, Presidenti i këtij vendi, Diaz Ordaz, urdhëron trupat ushtarake që të qëllojnë mbi demonstruesit e dhunshëm në Mexico. 10 ditë para nisjes së Lojërave Olimpike Meksikë 1968, me mijëra studentë dhe punëtorë dolën të protestonin për pagat e ulëta, korrupsionin qeveritar, dhe nivelin e lartë të varfërisë që prej vitesh kishte kapluar Meksikën. Si pasojë e të shtënave afro 400 vetë u vranë dhe mbi 1000 u plagosën. Të arrestuarit do ta kalonin numrin 2000. Kjo do të njihet ndryshe në histori si Masakra e Tlatelolco-s.

 

1973 – Vdes në Helsinki në moshën 76 vjeçare, atleti finlandez Paavo Nurmi. Nurmi do të konsiderohej si një nga atletët më të famshëm finlandezë të shek XX. Në moshën 23 vjeçare Paavo Nurmi do të fitonte tre medalje ari dhe një argjendi në olimpiadën e Antwerp 1920. Ndërsa në Paris 1920 dhe Amsterdam 1924, ai do të fitonte 8 medalje midis të cilave 6 ari dhe dy argjendi.

 

1992 – Forcat Speciale të Policisë braziliane, ndërhyjnë brutalisht në revoltën e të dënuarve në Burgun e Sigurisë së Lartë në Carandiru të Sao Paolo-s. Si pasojë e përleshjeve midis të dënuarve dhe policisë braziliane, 111 vetë do të humbnin jetën dhe me qindra të tjerë do të plagoseshin rëndë. Çdo vit me dhjetëra vetë humbin jetën si pasojë e kushteve të rënda të burgjeve në Brazil.

 

2009 – Vdiq në Tiranë Dhori Qiriazi, ka qenë poet lirik, shkrimtar, përkthyes dhe studiues shqiptar. Dhori Qiriazi është një nga zërat e veçantë dhe poetët lirikë më brilant në letërsinë shqipe e viteve 60. Filloi të botojë që në vitin 1953. Gjithashtu, është shquar si përkthyes ku ka sjellë në shqip me cilësi të lartë poetë botërorë. Nga viti 2003, për përkthimin e shkëlqyer të poezive të Robert Bërnsit, është anëtar i përjetshëm i Klubit “Bërns” (Irvine Burns Club) në qytetin Irvine në Skoci.

 

2018 – Vritet në moshën 59 vjeçare, gazetari dhe disidenti i familjes mbretërore saudite Jamal Khashoggi. Khashoggi, prej kohësh kishte qenë një kritik i fortë i Riadh-it zyrtar, dhe kështu që ai në vitin 2017 kërkoi azil politik në Turqi. Vrasja dhe më pas masakrimi i trupit të tij u krye në ambientet e konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll nga njerëz të besuar të Princit Saudit Mohammed bin Salman.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kalendari-historik-2-tetor-2022/