Kalendari Historik 15 Nëntor 2022

1920 – Shpallet krijimi i “Qytetit të lirë të Danzig-ut”. I njohur më vonë dhe si Gdansk-u i Polonisë, ky qytet, gjatë Luftës së Parë Botërore, luajti një rol të rëndësishëm si port furnizues për ushtrinë gjerman në frontin e lindjes. Qyteti i Lirë ishte nën mbrojtjen e Lidhjes së Kombeve dhe u vendos në një bashkim doganor detyrues me Poloninë.Autonomia e këtij qyteti do të merrte fund në 1939 ku trupat naziste gjermane pushtuan Poloninë, pikërisht nga ky qytet.

 

1940 – Lind në Firence, Roberto Cavalli. Cavalli, është një stilist italian, dhe dizenjues mode. Ai është i njohur për printimet ekzotike dhe për krijimin e pamjes së re të xhinseve. Shtëpia e modës së lartë italiane, Roberto Cavalli tregton veshje luksoze, parfume dhe aksesorë lëkure. Më 18 qershor 2013, atij iu dha një Diplomë Nderi Master në Menaxhimin e Modës nga Domus Academy në Milano, gjatë një ceremonie pas së cilës ai mbajti një leksion magjistral. Më 29 Mars 2019, shtëpia italiane e modës Roberto Cavalli mbylli dyqanet e saj në SHBA.

 

1969 – Në  Washington D.C rreth gjysëm milioni protestues amerikanë, organizuan një demonstrim paqësor kundër luftës, duke përfshirë në aspektin simbolik, “Marshimin kundër vdekjes” . Kjo do të ishte një nga protestat paqësore më të mëdha kundër Luftës në Vietnam, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbi 60 mijë ushtarë amerikanë do të humbnin jetën në këtë konflikt disa vjeçar. SHBA-ja do të tërhiqej nga Vietnami në mesin e viteve 70-të.

 

1971 – Vdes në Moskë në moshën 68 vjeçare, Rudolf Abel. Abel ishte një oficer i spiunazhit sovjetik. Ai u arrestua me akuzën e komplotit nga agjentët e FBI në 1957. Rudolfi, ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar nga prindërit emigrantë ruse. Rudolf Abel, më vonë shërbeu në një rol udhëzues para se të merrte pjesë në operacionet e inteligjencës kundër gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës, ai filloi të punojë për KGB, e cila e dërgoi atë në Shtetet e Bashkuara, ku ai punoi si pjesë e një rrethi agjenturor me qendër në Neë York City.

 

1983 – Republika Turke e Qipros Veriore shpalli pavarësinë. Ajo u njoh, vetëm nga Turqia. Për shkak të mungesës së njohjes ndërkombëtare, Qiproja Veriore asistohet nga Turqia në aspektin e mbështetje ekonomike, politike dhe ushtarake. Por ajo, konsiderohet nga bashkësia ndërkombëtare si pjesë e pandashme integrale e Republikës së Qipros. Kryeqyteti i saj është Nicosia, dhe pjesa dërrmuese e popullsisë së këtij shteti, është e përqendruar në pjesën bregdetare verioro-verilindore. Forma e saj kushtetuese është Republikë Presidenciale.

 

1985 – Nënshkruhet Marrëveshja anglo-irlandeze në Kështjellën e Hillsborough nga Kryeministrja britanike Margaret Thatcher dhe homologu i saj irlandez Garret FitzGerald. Kjo marrëveshje, synonte të ndihmonte për t’i dhënë fund problemeve në Irlandën Veriore. Traktati i dha qeverisë irlandeze një rol këshillues. Ndërsa konfirmoi se nuk do të kishte ndryshime në pozicionin kushtetues të Irlandës Veriore, përveç nëse shumica e njerëzve të saj pranuan të anëtarësohen në Republikë.

 

1988 – Në zgjedhjet e para të hapura në më shumë se një dekadë, votuesit në Pakistan zgjedhin kandidaten populiste Benazir Bhutto në postin e Kryeministres së Pakistanit. Ajo ishte gruaja e parë që drejtoi një qeveri demokratike në një komb me shumicë myslimane. Ideologjikisht një liberale dhe laike, ajo drejtoi ose bashkë-kryesonte Partinë Popullore të Pakistanit, që nga fillimi i viteve 1980 deri në vrasjen e saj në 2007.

 

2012 – Në Pekin, Xi Jingping, bëhet Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës dhe në këtë kohë, përurohet një Komitet i Përhershëm i Byrosë Politike të re me shtatë anëtarë. Kreu i Partisë Komuniste të Kinës konsiderohet, si zyrtari i rangut më të lartë brenda Republikës Popullore të Kinës. Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm është një anëtar i përhershëm i Byrosë Politike dhe shef i Sekretariatit. Xi Jingping pas përfundimit të mandatit të parë të tij, u rizgjodh në një tjetër mandat.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kalendari-historik-15-nentor-2022/