“Kadri, ti s’mund ta asgjesoje dokumentin, se do të kompromentoje, Mustafa Kondon, Koli Shuken, Ismail Qinetin, Gaqo Mborjen, Mehmet Çakën dhe…”/ Debatet e Ramiz Alisë në Byro, 8 tetor ‘82

Dashnor Kaloçi

Pjesa e shtatëmbëdhjetë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

                                             Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                               TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                      PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

  1. Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
  2. Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

 Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mund edhe të gjenden dokumentet shoku Enver, edhe këto të tjerat për të cilat po flasim, që u bënë pyetje dhe që me të drejtë shokët vunë pikëpyetjet për to, se mund të ndodhë që të gjenden dokumente.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po ne i kërkuam këto dhe nuk i gjetëm?

SHOKU ENVER HOXHA: Po janë mirë këto?

SHOKU KADRI HAZBIU: Urdhëro?

SHOKU ENVER HOXHA: Janë mirë të dalin këto? Ty të lehtësojnë apo të rëndojnë këto?

SHOKU KADRI HAZBIU: Sido që të jetë, shoku Enver, në dashin të më rëndojnë, në dashin të më lehtësojnë.

SHOKU ENVER HOXHA: Le të gjykojë Partia për to.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, le të gjykojë Partia.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, ti thua që mund të jenë dhe mund të mos jenë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, unë them kështu, shoku Enver, se është një kohë e gjatë që ka kaluar, po e kam dërguar, a s’e kam dërguar këtë, ka shënime, a s’ka shënime, është e vështirë të them, mor shoku Enver. Si të them unë tashti, të them në mënyrë kategorike që është kështu, eja mbaj mënd të gjitha këto gjëra!

SHOKU RITA MARKO: Ti ke qenë ministër i Punëve të Brendshme dhe për një kohë të gjatë. Koja e gjatë bile, ty të ndihmoj që t’i mbash mënd, sidomos çështjet kryesore, se na i përsërite njëqind herë atë të kohës së gjatë. Koha e gjatë ndihmon, ajo përforcon.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ka dhe një gjë mo, Kadri, se ne po të themi me fjalë, kurse ti na i mohon dhe shprehesh se s’ka dokumenta. Kur të flasim me dokumenta, thua se nuk mban mënd! Duke qëndruar në këtë mënyrë, e ndërlikon më keq problemin, po e ndërlikon se nuk na ndihmon ta sqarojmë situatën. Në këtë kuptim e kam unë çështjen që ti e ndërlikon, se ti na detyron që të nxjerrim ne konkluzione dhe ne atëhere i nxjerrim.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë konkluzionet e mija i kam nxjerrë që kur mbaj përgjegjësinë për koto, mo shoku Ramiz.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po ja, unë për këto konkretisht të them, ti e ke parë raportin që të bënë këta dy shokët që u përmendën dhe gjykon që me këtë është bërë një punë e fëlliqur. E them këtë, ashtu siç e mendoj tashti, kjo është një punë me të vërtetë e fëlliqur.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po.

SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe ti ke menduar: “Eh, ç’tja jap shokut Hysni këtë material?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë?

SHOKU RAMIZ ALIA: Prit ore, më lër mua të nxjerr konkluzionin. Më fal se unë po të pyes ty: pse nuk ja dërgove shokut Hysni këtë? Ti thua që nuk e mban mënd, atëhere më lër mua të nxjerr konkluzionin. Të lutem ashtu siç të lejoj unë ty të thuash se nuk ja dërgova se nuk e mbaj mënd, më lejo dhe mua tani që të nxjerrë nga kjo konkluzionin dhe konkluzioni im është ky dhe është me logjik. Ty ta përgatitën këtë raport, i cili tregon për një punë të fëlliqur. Ti nuk je budalla, e kupton që me këtë punë që është bërë, është qelbur hesapi dhe mendon: kemi bërë gabim të madh, Komiteti Qendror, s’ka dokumente, shkruan Hysni Kapoja, prandaj pse t’ja dërgoj këtë material, pa pas pula, pse të bëj, “hysh”?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po një pyetje të vogël lidhur me këtë çështje, a mund të bëj?

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, bëje.

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk kisha mundësi unë që ta asgjësoja këtë dokument?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo nuk mund ta asgjësoje, se po ta bëje, do të komprometoje, Mustafa Kondon, Koli Shuken, Ismail Qinetin, Gaqo Mborjen, Mehmet Çakën dhe të gjithë ata që përmenden në to.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po si thua ti, mund të jenë asgjësuar dokumente të tjerë? Po pse mendohet kështu xhanëm? Pse duhet folur kështu me dyshim? Përse xhanëm?

SHOKU ENVER HOXHA: Çfarë janë këto që flet more Kadri? Si flet kështu? Kjo që bën ti këtu nuk është e folur.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po dale, më mirë është logjike kjo që po të themi ne.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë ore, unë t’ja fsheh Partisë këto gjëra?

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo do të thotë që ti i ke djegur edhe dokumenta të tjera atje.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, nuk kam djegur gjë.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere, pse e ngre këtë gjë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo unë nuk kam djegur, por në rast se e shtron çështjen siç thotë shoku Ramiz, do të thotë që unë ja kam fshehur Partisë këto gjëra.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, ia ke fshehur, se ti tjetër gjë i ke dërguar Hysniut. Pse nuk ja dërgove atë?

SHOKU HEKURAN ISAI: Po dale, mos u nxito, se këtu ka një logjikë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po na e shpjego një çikë ndryshe mo Kadri, i ke dërguar gjë tjetër ti Komitetit Qendror? Pse nuk ja dërgove atë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po tashti ku ta di unë. Si të them, ia kam dërguar? Mbase edhe nuk ja kam dërguar dhe është atje!

SHOKU ENVER HOXHA: Po ja ore, ku janë dokumentet.

SHOKU SIMON STEFANI: Po ky këtu shkruan “Ekzemplar Nr.1”!

SHOKU MUHO ASLLANI: Në autokritikën tuaj, thoni që le t’i kthjellojë Partia këto çështje, kurse këto duhet t’i kthjelloni ju, je ti që duhet t’ja kthjellosh Partisë, dhe mos na vër ne që t’i kthjellojmë, i kthjello pra vetë, të gjitha ato që ke bërë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po miro, unë sa mundem po flas.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Jo vetëm kaq, por edhe kur Partia nxjerr përpara dokumente, pikërisht për t’i kthjelluar çështjet, shoku Kadri, në vend që të thellohet e t’i pranojë çështjet ashtu siç janë, thotë që këto nuk i mban mënd, ose që s’është ashtu, ose ajo tjetra s’është ashtu, pra nuk i kthjellon. Partia nxjerr kështu fakte e dokumenta për kthjellim, kurse ti thua pse m’i nxirrni?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë ore, po unë çfarë po them? Unë nuk ja kam fshehur Partisë këto veprime, këtë që më thuhet me ndërgjegje, nuk e pranoj, nuk e pranoj.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Po pse nuk ia ke çuar atëhere?

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Më fal një minut, kemi të drejtë ne që të nxjerrim konkluzion logjik për këtë qëndrim? Atëhere përse bën ti një mohim të tillë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk e pranoj. Ju keni të drejtë, por edhe unë kam të drejtë të nxjerr një konkluzion, siç nxirrini edhe ju.

SHOKU ENVER HOXHA: Shiko, Kadri! Edhe Mehmet Shehu kishte logjikën e vet, por ajo logjikë ishte antiparti. Edhe të tjerë si ai kishin logjikën e tyre, të shkatërrojnë pushtetin popullor, po ne nuk e pranojmë këtë logjikë, more vesh? Edhe çështja jote kështu është. Ne të vëmë përpara dokumentet e tua, ti me ndërgjegje, po na i kundërshton këtu, duke thënë se nuk i pranon. Ne flasim me dokumente të bëra me dorën tënde!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë mo shoku Enver, unë s’kam kundërshtim për atë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po për kë ke kundërshtim?

SHOKU KADRI HAZBIU: Kam kundërshtim për këtë gjë, si punë që kam bërë, më falni për shprehjen e fëlliqur që do të përdor, sikur unë ja paskam fshehur Komitetit Qendror këtë punë. Ja, këtë nuk pranoj unë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ja ke fshehur, se kjo ka ndodhur në vitin 1975, kur i ke dërguar Hysni Kapos një fletë e gjysëm me materialet e Ismail Qinetit. Pse nuk i ke dërguar këtë të madhen atij, po i thua se dokumente i kemi djegur dhe ata shkuan të qetë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Kush ata?

SHOKU ENVER HOXHA: Unë, djemtë e hallës, çfarë kush mo, çfarë kush?! Përse po flasim ne këtu?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Shoku Enver, këto probleme, kështu siç e kuptoj, si i kam shpjeguar dhe me sa jam i bindur unë, këtë agjenturë, siç e kemi pasur ne, e kemi nxjerrë, e kemi trajtuar, e kemi bërë dhe jam i bindur se ajo është në Komitetin Qendror, si emra. Dokumentet janë zhdukur në vitin 1966, ka mundësi që edhe listat, dokumentet e njëra tjetrën të jenë zhdukur në vitin 1975. Problemi ka lindur për një ose dy vetë, që nuk ishin sqaruar akoma për këtë çështje. Atëhere, meqenëse këto dokumente ishin zhdukur si të pavlefshme, janë thirrur këta shoku për t’i riprodhuar dhe ky material ka dalë me iniciativën time, xhanëm!

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, ore, jo, nuk ka dalë me iniciativën tënde ky material, është bërë në vitin 1975. Në këtë vit Hysni Kapoja të ka kërkuar ty Malo Harshovën dhe mbaroi. Deri në vitin 1975, pra ti nuk ke folur kurrë për këtë çështje. Këtu m’u përgjigj ti mua!

SHOKU PALI MISKA: Po, na thuaj, përse nuk ja dërgove ti Komitetit Qendror?

SHOKU KADRI HAZBIU: I kam thirrur unë këta në vitin 1975 për ta riprodhuar këtë material.

SHOKU ENVER HOXHA: Deri në vitin 1975, ti nuk ke folur hiç fare për këto dokumenta.

SHOKU KADRI HAZBIU: Si ore nuk kam folur, po me iniciativën time i thirra unë këta.

SHOKU RITA MARKO: Ore ca me iniciativën tënde? Ty ta ka kërkuar Hysni Kapoja këtë material, se doli puna e Malo Harshovës.

SHOKU ENVER HOXHA: M’u përgjigj ti mua, përse deri në vitin 1975 nuk ke lajmëruar Komitetin Qendror? Një kjo.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë them se kam lajmëruar.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, ka dokumente?

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Deri në vitin 1975, nuk ka lajmëruar gjë. Nëse ka lajmëruar, atëhere ku janë dokumentet?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë kam lajmëruar.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ky ka dokumente që u dogjën. Ti më thua mua se ato dokumente s’kishin asnjë vlerë. Kurse ne mendojmë se, ato dokumente kishin vlera të mëdha, more vesh ti? Pastaj, nuk na thua, nga kush more urdhër ti që të digjeshin dokumentet? Këta ishin funksionarë të shtetit tonë, ti kishe urdhëruar si të bënin dhe s’kishin bërë krime ata, prandaj dokumentet duhet të rrinin atje. Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kadri-ti-smund-ta-asgjesoje-dokumentin-se-do-te-kompromentoje-mustafa-kondon-koli-shuken-ismail-qinetin-gaqo-mborjen-mehmet-caken-dhe-debatet-e-ramiz-alise-ne-byr/