“Kadri, pse u caktua komandant i grupit të rojeve në burg, për Beqir Ballukun me shokë, njeriu i afërt dhe kushëriri i Mehmet Shehut, të cilët…”/ Akuzat e Ramiz Alisë në Byro, ‘8 tetor ‘82

Dashnor Kaloçi

Pjesa e tridhjetë e një

Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

                                           Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                         TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                           PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

  1. Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
  2. Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ndërsa Sami Muhameti, jo vetëm që nuk u fut në burg, por për t’u mbrojtur u bë bashkëpuntor i Sigurimit të Shtetit. Pra ty nuk të ka fshehur gjë Partia, por je ti që i ke fshehur gjëra Partisë, madje edhe sot kërkon që tja fshehësh asaj të vërtetën. Autokritika e Kadri Hazbiut, është tepër e cekët, po të kemi parasysh se flitet për veprimtarinë 40 vjeçare të një grupi spiunësh Të kanë vepruar lirisht dhe pa asnjë pengesë nën hundën e shokut Kadri.

Të paktën që mund t’ju themi, këtyre agjentëve, këtyre komplotistëve, që punonin për likuidimin e pavarësisë dhe socializmit së Shqipërisë, këtyre përbindëshave që kishin në plan të bënin atentate kriminale ndaj jetës së Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, shoku Kadri ju ka lënë mundësi dhe hapësirë të lirë veprimi saqë ata, kanë spostuar e dëmtuar veprimtarinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në drejtimet që kanë dashur. Por këto mundësi, ja ke lënë me ndërgjegje apo jo?!

Unë mendoj se cektësia e autokritikës dhe mos thellimi i shokut Kadri, nuk rrjedhin vetëm nga që ky nuk i realizon mirë gabimet e veta dhe rrezikshmërinë e tyre, por në radhë të parë sepse përpiqet që të mbrojë veten. Mbetet për t’u saktësuar se deri ku shkon faji i Kadriut. Mua, më ka bërë përshtypje fakti që Kadri Hazbiu, fill pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, gati e përjashtonte mundësinë që ky armik të kishte bashkëpunëtorët e tij besnikë në radhët e Ministrisë së Brendshme dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Kaq e vërtetë është kjo, sa kur erdhi çështja për të arrestuar Feçor Shehun ai, pati lëkundje dhe hezitoi me pretekstin se mos gabojmë, se mos Fiqreti na fut në qorrsokak, si është e mundur thoshte ai që berberi i Hotel Dajtit, të luante rolin e ndërlidhësit midis Feçorit dhe jugosllavëve ?! Asnjë nga këto, nuk qëndronte. Dhe u vërtetua me fakte që nuk qëndronin. Arsyeja e vërtetë e hezitimit të Kadriut, ishte se ai nuk donte të pranonte se në Ministrinë e Punëve të Brendshme të kishte armiq, sepse ky fakt e ndërlikonte problemin.

Dhe shtrohet çështja: Çka bërë ai 30 vjet me radhë?! Çka ditur e çfarë nuk ka ditur për këta armiq komplotistë dhe çfarë përgjegjësie ka pasur ai mbi ta?! Dhe Partia shoku Kadri, kërkon fakte dhe jo fjalë. Nga deponimet e Fiqrete Shehut, del se janë manipuluar si hetimet, ashtu edhe procesi i Beqir Ballukut dhe i armiqve të tjerë, në mënyrë që të mos i hiqej fija çorapes, të mos dilte emri i Mehmet Shehut dhe i bandës së tij. Po ti, ku ishe shoku Kadri?! Si është e mundur që Feçori, që nuk shkëlqente për zgjuarsi, të ta ketë hedhur kaq hapur?!

Tani po mësojmë se, komandant i grupimit të rojeve, për të ruajtur në burg Beqir Ballukun me shokë, ishte caktuar njeriu i Mehmet Shehut, Idriz Seiti, ndërsa si zëvendës i tij, u soll nga Bulqiza Haki Shehu, kushëri i Mehmet Shehut. Këto lëvizje dhe emërime shoku Kadri, nuk mund të bëheshin pa urdhrin dhe pa dijeninë tënde, në bazë të nomenklaturës si ministër.

A mund të besojmë ne se këto kanë ndodhur, vetëm për arsyen se Kadriu e ka bërë shumë keq detyrën e tij, se ai nuk ka pasur kontroll mbi punën, jo më për gjëra të vogla, por as për çështje kaq kapitale sa vëmendja mbi hetimin e një puçi antishtetëror të nivelit të lartë?!

Në autokritikën e Kadri Hazbiut, thuhet se Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku, bënin presion që të mos ju hapej rrugë dyshimeve për armiq të kamufluar mirë e me vende në përgjegjësi. Unë pyes: Mos vallë nën peshën e këtij presioni ti, shoku Kadri, ke mbyllur sytë dhe me ndërgjegje ke çuar ujë në veprën e këtyre armiqve?! Shoku Enver jo njëherë, por disa herë, e ka kritikuar dhe e ka këshilluar prej vitesh Kadriun, që të luftohej familjariteti i sëmurë që ka ekzistuar në organet e punëve të brendshme. Por lufta ndaj këtij familjariteti, rezulton se ka qenë formale, dhe fare pa taban.

Fakti është se Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, e deri tek Gani Kodra, që ti e njihje si qen roje e bufon të Beqir Ballukut e të Mehmet Shehut, kanë shirë lëmë në ministri dhe ti s’paske ditur gjë?! Sepse i kishe sytë e mbyllur nga familjariteti i sëmurë, nga vetëkënaqësia absolute për punën e organeve të Sigurimit të Shtetit, nga besimi dhe shoqëria në rrugë të shtrembër, që karakterizonte marrëdhëniet tuaja në ministri.

Mos vallë kjo ishte një metodë pune, për të mbytur vigjilencën revolucionare tek punonjësit e Sigurimit?! Ti shoku Kadri, dukesh njeri i thjeshtë, një shok që u gjendesh njerëzve, që i hedh dorën në qafë, që pi kafe ose luan shah në klubin e ministrisë, me një shofer, me një referent, me një punëtor operativ, etj. Por kam përshtypjen se kjo, është vetëm pamja e jashtme dhe formale e çështjes. Në thelb, këto veprime, kjo thjeshtësi formale, jo vetëm që frymëzon një familjaritet të shëndoshë, por ajo është llogaritur dhe ushqen edhe njëfarë popullariteti, njëfarë kulti për vete, jashtë normave të Partisë.

Ti shoku Kadri, je i papërmbajtur kur mendon se të cenohet personaliteti. Ti u shqetësove pa masë për parullat që u përhapën për ty dhe nuk reflektove se ato, pavarësisht se ishin sajuar e përhapur nga armiku, pasqyronin edhe shqetësimin e drejtë të popullit që e ndjente se ti ke përgjegjësi të veçantë, lidhur me dëmin e madh që i kanë sjellë Partisë komplotistët e zbuluar. Ti u shqetësove shumë se nuk t’u përmend funksioni zyrtar si ministër Mbrojtjeje në festën e Pezës, dhe shfryve me shprehje banale për një shok udhëheqës.

Ti, revoltohesh edhe këtu në Byro, kur shokët të kërkojnë sqarime për fajet që ke bërë. Kjo, është shprehje e një megalomanie të theksuar. Të jesh i bindur shoku Kadri, që armiqtë që nga Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij që ti kishe rreth e rrotull, t’i kanë njohur këto dobësi dhe i kanë shfrytëzuar ato, me dijeninë ose pa dijeninë tënde, në dëm të Partisë dhe të interesave të vendit. Përgjegjësia e shokut Kadri, është veçanërisht e madhe për çështjen e sovjetikëve. Për këtë nuk ka asnjë justifikim.

Me këshilltarët këtu, si dhe me organet e Sigurimit të Bashkimit Sovjetik, e të vendeve të tjera revizioniste, ai ka vepruar në dëm të interesave të Partisë e të Sigurimit të Shtetit tonë. Rrezikshmëria e këtij veprimi, është evidente. Këshilltarët sovjetikë të KGB-së, u janë lënë mundësitë të dinin gjithë agjenturën tonë (brenda e jashtë shtetit), të njihnin të gjithë elementët antiparti dhe veprimtarinë e tyre, të dinin si punonin armiqtë dhe si kundërvepronim ne.

Dhe sikur të mos mjaftonin këto, sovjetikëve ju dërgoheshin raporte me shkrim për çështje nga më sekretet, nga më delikatet, ndërsa organeve të KGB-së dhe atyre të vendeve revizioniste, ju ishte lënë dorë e lirë që të organizonin kontrollin mbi gjithë studentët tanë, civilë dhe ushtarakë, duke ju dorëzuar bashkëpunëtorët, të dhënat biografike, të dhënat moralo-politike, e çdo gjë tjetër që ata kanë kërkuar. Unë theksoj se pasojat e rënda të kësaj pune armiqësore, që i kemi ndjerë dhe në të shkuarën, mund të na shfaqjen dhe në të ardhmen.

Organet sovjetike dhe të vendeve të Europës Lindore, nuk kanë ndenjur dhe nuk mund të rrinin pa i shfrytëzuar, këto të dhëna kundër Partisë dhe vendit tonë. Jo vetëm kaq por, një dëm të madh do t’i shkaktonin vendit, edhe shqetësimet e veçanta që do të ngjallte, po të merrej vesh kjo praktikë, nga mijëra kuadro civilë dhe ushtarakë, që janë diplomuar në Bashkimin Sovjetik ose dhe në vendet e tjera të Europës Lindore, dosjet e të cilëve (me të mira e me të këqija) janë në duart e organeve të Zbulimit të këtyre vendeve. Kadriu, në vend që të ndihmojë Partinë, për ta sqaruar këtë çështje, kërkon të gjejë dokumenta ose dëshmitarë, që të provojë se ishte i autorizuar për të vepruar në atë mënyrë.

Shpjegimet që ai jep, për këtë çështje nuk të bindin, madje përpjekjet për të gjetur justifikime e ndërlikojnë më keq problemin. Ti Kadri, jo vetëm që nuk ke reflektuar për këtë punë të rrezikshme, as pas vitit 1960, as pasi ajo u zbulua rastësisht nga shoku Hysni, por edhe as tani që u demaskua armiku Mehmet Shehu dhe shokët e tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Por edhe kur të kërkohet, hidhesh në akuza kundër Komitetit Qendror të Partisë, dhe anëtarëve të veçantë të tij. Ti, e kupton rrezikun që ndjell ky veprim prandaj hidhesh në sulm. Por e ke gabim.

Këtu në Byronë tonë Politike, nuk shkon parimi i njohur, sipas të cilit metoda më e mirë e mbrojtjes është sulmi. Për mendimin tim, çështja qëndron kështu: Kadriu, duke i konceptuar marrëdhëniet me sovjetikët, si marrëdhënie vartësie dhe Sigurimin tonë si një organizëm që nuk duhej t’i fshihte asgjë KGB-së, pra ka vepruar në dem të interesave të Partisë dhe Shtetit. Se pse i ka konceptuar kështu këto marrëdhënie ai, kjo është një çështje që ngelet për tu sqaruar.

Në autokritikën e vet Kadriu, thotë se: “pas vitit 1960, bashkëpunëtorët që u ishin vënë në lidhje sovjetikëve, i thirrën këtu dhe ju thamë që të mos shqetësoheshin”, dhe se ministria u interesua për të mbrojtur agjenturën e jashtme. Po për studentët tanë, që ishin me mijëra, dhe që tek disa prej tyre mund të kishte hedhur helmin e vet agjentura sovjetike, vallë a u interesua?! A e kërkoi ai për këtë çështje, bashkëpunimin e Partisë, dhe nëse jo pse nuk e kërkoi?! Shoku Kadri thotë: “Unë, jam ai që kam qenë, më besoni se nuk jam tradhtar, dhe nuk kam të bëj me armiqtë”.

Ne duam ta besojmë këtë, por Kadriu duhet t’i shpjegojë Partisë, se si e ka mbrojtur atë, se si i ka mbrojtur ai sekretet e shtetit dhe interesat e popullit, nga kjo bandë e rrezikshme armiqsh?! Kadriu për të justifikuar veten e tij, thekson: “kështu e gjeta dhe kështu veprova”. Por më parë në krye të Ministrisë së Brendshme, vepronte një armik, Mehmet Shehu.

Ne po pyesim, se përse ece ti në këtë rrugë, madje përse e zgjerove atë?! Sepse nga dokumentet (dhe unë po i përmend këto meqenëse shokut Kadri, nuk i kujtohen mirë), na rezulton se këshilltarët sovjetikë (flas për këshilltarë dhe jo për specialistë), kanë ardhur për herë të parë në vendin tonë në vitin 1947.

Kështu që nga viti 1947 dhe deri në vitin 1950, deri diku dhe nga viti 1952, ka pasur nga një këshilltar në nëntë dikastere, kurse në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave, në një kohë ka pasur katër këshilltarë (një për minierat, një për industrinë e lehtë, një për peshkimin, dhe një për naftën).

Pas vitit 1952 dhe deri në vitin 1956, ka pasur këshilltarë në tre dikastere, Ministria e Industrisë (për naftën), Ministria e Bujqësisë, dhe Ministria e Komunikacionit. Ndërsa pas vitit 1956, ka pasur këshilltarët vetëm Ministria e Bujqësisë dhe Kombinati, ose Drejtoria e Përgjithshme e Naftës.

Siç shihet, këshilltarët në shumicën e dikastereve, ishin mbajtur për një kohë të shkurtër. Ata, kanë ndihmuar për organizimin e punës në sektorë të veçantë, dhe pastaj janë larguar. Prirja pra, ka qenë për pakësimin e tyre. Ndërsa në Ministrinë e Punëve të Brendshëm dhe në atë të Mbrojtjes Popullore, është vepruar ndryshe.

Në Ministrinë e Brendshme, këshilltarët sovjetikë kanë ardhur në vitin 1949 dhe deri në 1954 ka pasur 8 veta. Kurse nga viti 1955 dhe deri në fundin e vitit 1960 ata, u bënë plot 40 vetë të cilët, mbulonin të gjitha degët, të gjithë sektorët, dhe siç thotë shoku Kadri: “kishin të drejtë të njiheshin me çdo gjë”, me përjashtim thekson ai të “dosjeve të kuadrit”.

Megjithëse ky përjashtim, tingëllon disi i çuditshëm. Kadriu, duhet të na shpjegojë: Përse kishte ardhur duke u rritur, prania e këshilltarëve sovjetikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kurse në tërë sistemin e administratës sonë ky numër, kishte rënë?! Pse në dikasteret e tjera këshilltarët, kanë ndihmuar vetëm në organizimin e punës, ndërsa në Ministrinë e Punëve të Brendshme ju është lënë rrugë e hapur për çdo sekret, për çdo dosje, dhe për çdo agjent?! Kadri Hazbiu, kërkon të na bindë se për të vepruar kështu, ka marrë miratimin nga dikush (në linjë partie ose shtetërore), por a është e mundur vallë që Partia jonë, të ketë pasur dy qëndrime për të njëjtin problem?!

Aq më tepër që për këtë çështje, kemi pasur që në fillim porosinë e Stalinit dhënë shokut Enver, që këshilltarët e tyre duhet të qëndronin fare pak tek ne në mënyrë që punën ta merrnin në dorë sa më parë, njerëzit tanë. Meqenëse ju referova dokumenteve, do të përmend me këtë rast dhe një fakt. Memorie.al

                                             Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kadri-pse-u-caktua-komandant-i-grupit-te-rojeve-ne-burg-per-beqir-ballukun-me-shoke-njeriu-i-afert-dhe-kusheriri-i-mehmet-shehut-te-cilet-akuzat-e-ramiz-alise-ne-byro/