“Kadri, mos na thuaj avash, s’ka avash këtu, po na trego; a ka pasur punë armiqësore në Ministrinë e Brendshme, nëse po, pse s’i ke…”?! / Mbledhja e panjohur e Byrosë, 8 tetor ‘82

Dashnor Kaloçi

Pjesa e pestë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al, 

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

                                                      Vijon nga numri i kaluar

PARTIA E PUNËS SË SHQIPTARISË                                                           TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                           PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

  1. Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
  2. Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

  1. Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

 SHOKU ENVER HOXHA: Le të fillojmë tashti nga pika e parë. Mendoj të ndjekim këtë procedurë: Fjala së pari t’i jepet më parë shokut Kadri, në qoftë se e dëshiron një gjë të tillë, për të plotësuar autokritikën, së dyti, të bëhen pyetje në adresë të shokut Kadri, për sqarimin e gjendjes, pastaj të bëhen diskutime.

Jemi dakord? Të procedojmë kështu?

TË GJITHË SHOKËT: Dakord.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë, po ja japim fjalën shokut Kadri. Ke gjë për të shtuar akoma, shoku Kadri?

SHOKU KADRI HAZBIU: Në autokritikë i kam shprehur në thellësi gabimet e mija dhe shkaqet e tyre, ashtu siç e ndjej dhe do të mundohem që të reflektoj për çdo gjë, sepse kam një kohë të gjatë që kam punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në qoftë se jam zgjatur, të më falin shokët, po këtë e kam bërë për t’i shpjeguar çështjet ashtu siç më kujtohen, të lidhura me gabimet ndaj popullit, në rrethanat në të cilat kam punuar.

Armiqtë që kam pasur përreth, përveç të tjerave, ishin shumë dinakë, ata dëmtuan sa qe e mundur, punën në këto organe dhe ja arritën të mënjanojnë zbulimin e tyre. Për këtë, ata shfrytëzuan edhe dobësitë e mija në punë, dhe besimin prej naivi, si drejtues që isha në organet e Sigurimit.

Megjithatë, unë gjykoj se ata, nuk shinë dhe nuk u lanë të bënin si deshën, se aty, drejtoi dhe vigjiloi Partia dhe shoku Enver. Ky është faktori i vetëm që këto organe, bënë një luftë të gjatë dhe të ashpër me armikun. Është gjithashtu, po ky faktor, që edhe mua më tërhoqi gjithnjë në rrugë të drejtë të Partisë, pavarësisht nga gabimet që kam bërë.

SHOKU ENVER HOXHA: Kush ka pyetje për t’i bërë Kadriut?

SHOKU SIMON STEFANI: Shoku Kadri, si e shpjegon ti qëndrimin ndaj veprimtarisë armiqësor që zhvillohet nga disa kuadro kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku drejtonit ju si ministër?

Së dyti, të gjitha grupet armiqësore, njëri pas tjetrit, i ka zbuluar Partia, Komiteti Qendror, jo organet e Sigurimit e të Shtetit. Atëherë, mund të na thoni, ç’konkluzione keni nxjerrë ju nga kjo dhe cila është përgjegjësia juaj?

Së treti, punën hetimore ju e keni drejtuar personalisht ndaj puçistëve, apo ja keni lënë në dorë dikujt tjetër?

Për manipulimet e bëra, për të mbuluar veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut dhe të bandës së tij, dinit gjë ju? Për manipulimet që janë bërë në hetuesi për veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut dhe të bandë së tij, dinit gjë ju, nuhatët gjë ju?

Ju u keni dhënë dokumente shumë të rëndësishme e tepër sekrete, revizionistëve sovjetikë. Pse e bëtë këtë, pa lejen e Komitetit Qendror dhe pse nuk e njoftuat, të paktën më vonë, kur ne i prishëm marrëdhëniet me ta?

SHOKU ENVER HOXHA: Një çikë shpejt Simon, pyetjet, se na humbet koha.

SHOKU SIMON STEFANI: Dakord, shoku Enver. Na i shpjego një çikë çështjen e procedimit të kuadrove të Sigurimit të Shtetit, të familjaritetit të sëmurë e të euforisë së pabazuar dhe së fundi, si e shpjegoni ju, mosvënien në trockizëm dhe në metodat jugosllave të punës, për armiqtë e kamufluar?

SHOKU ENVER HOXHA: Konsumojë këto më parë shoku Kadri.

SHOKU KADRI HAZBIU: Tashti, t’i përgjigjem pyetjes, si e shpjegoj unë qëndrimin ndaj hetimeve që zhvilloheshin ndaj disa kuadrove kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, unë nuk dija që këta të zhvillonin veprimtari armiqësore.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, çfarë dije ti?!

SHOKU PALI MISKA: U po, si nuk e dije?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Avash një çikë, të flas.

SHOKU ENVER HOXHA: S’ka avash këtu, po na thuaj, ç’dije ti. Bënin ata punë armiqësore aty, apo nuk bënin?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ta dija, që bënin punë armiqësore, shoku Enver…!

SHOKU ENVER HOXHA: Do t’i kishte arrestuar? Po gjersa thua, nuk di, d.m.th., flije?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Do t’i kisha arrestuar, po të dija gjë dhe do t’ja kisha thënë Partisë.

SHOKU ENVER HOXHA: D.m.th., ti flije, prandaj pse thua, jo, ashtu, po kështu?

SHOKU KADRI HAZBIU: Këto po. Unë e thashë edhe në autokritikën që kam bërë, edhe tashti e thashë, se këtu qëndron dobësia ime.

SHOKU ENVER HOXHA: Po aq e lehtë është kjo çështje, që ti nuk di të flasësh? Po pse për të fjetur të kishim dërguar ty në krye të këtij dikasteri?

SHOKU PALI MISKA: Si e shpjegon këtë ti, si ministër i Punëve të Brendshme?

SHOKU KADRI HAZBIU: Të kuptohemi, unë jam përpjekur të shpjegoj në autokritikën time, këtë çështje në kompleks të rrethanave, se si ishin krijuar ato, se këtu nuk është puna që ishin një e dy persona, këta ishin edhe më lart.

SHOKU RITA MARKO: Po aq sa ishin.

SHOKU ENVER HOXHA: Aq më keq akoma.

SHOKU PALI MISKA: Aq më keq akoma, se kur ka shumë, mund të vësh gishtin më kollaj.

SHOKU KADRI HAZBIU: Kjo u krijua…!

SHOKU ENVER HOXHA: Si u krijua…? Nuk na sqaron një çikë?

SHOKU KADRI HAZBIU: U krijua kjo, d.m.th., njëfarë besimi naiv, kemi pasur ne, ndaj atyre që drejtonin.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse, aq naiv qenke ti? Unë nuk të njoh për njeri naiv.

SHOKU PALI MISKA: Asnjeri nga ne, nuk e njeh Kadrinë për naiv.

SHOKU KADRI HAZBIU: Shoku Enver, praktika po tregon, se kështu paskam qenë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ah, kështu thua ti, kjo atëherë, se ne qenkemi gënjyer me ty, po në fakt, nuk të kemi ditur për naiv, por për njeri të zgjuar, se po të të njihnim për naiv, s’të linim në atë vend, ku nuk lejohet naiviteti.

SHOKU KADRI HAZBIU: Edhe unë kështu e kam ditur veten shoku Enver, por fakti tashti është fakt.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po ti, Kadri, në autokritikë na thua, më besoni, unë jam ai që kam qenë. Atëherë, cilën të besojmë tani, të besojmë këtë që ke qenë kështu siç shkruan, naiv?

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, besnik, besnik, besnik.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, por veç, jo naiv.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po çfarë besniku ke qenë ti, që t’u lije çdo gjë në dorë të tradhtarëve?

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Të jesh besnik, të kesh rreth vetes njëmijë e një tradhtarë, dhe të mos i zbulosh këta, çfarë besnikërie është kjo?

SHOKU KADRI HAZBIU: Si e kuptoj unë çështjen e besnikërisë. Këtë e kuptoj kështu, që me ndërgjegje, atyre asgjë s’u kam falur, as Mehmetit, as të tjerëve.

SHOKU PALI MISKA: Po ama, pa ndërgjegje, u ke falur.

SHOKU KADRI HAZBIU: Pa ndërgjegje, po. Është e qartë që pa ndërgjegje, ua kam falur. Se përderisa vetë kanë vepruar…!

SHOKU PALI MISKA: Po, po, t’ua falësh, me ndërgjegje, pa ndërgjegje, këtë s’e vë njeri në kandar. Po e fale armikun, të iku zogu nga duart.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ashtu është, iku ai. Po falja pa ndërgjegje, ama, është tjetër punë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ta lëmë këtë pyetje, me këto shpjegime Kadri, të mos humbasim kohë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Dakord, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Fakt është, se ti nuk ke qenë vigjilentë, s’e ke merituar atë detyrë që të kishte ngarkuar Partia. Naiv, e dimë që ti nuk je, prandaj duhet të ketë arsye të tjera, që ti nuk i ke për këto çështje, se ti tashti, mund të filozofosh, po ne nuk i besojmë këto që thua.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, nuk filozofoj, shoku Enver, as nuk dua të bind njeri, flas ashtu siç e ndjej, unë kështu them.

SHOKU ENVER HOXHA: E mirë, siç e ndjen fol, dakord.

SHOKU KADRI HAZBIU: Që për aq sa kam, mundur të kap, unë ja kam thënë Partisë.

TË GJITHË SHOKËT: Po çfarë ke kapur dhe çfarë ke thënë?

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Na thuaj këtu, çfarë ke kapur ti, se në fakt, të tëra këto veprimtari të armiqve, i ka kapur Partia. Po ti, si ministër i Punëve të Brendshme, të paktën na thuaj vetëm një fakt, çfarë ke kapur?

SHOKU PALI MISKA: Se kështu, vjedhsa, mund të kesh kapur, por nga gjithë këta armiq të rrezikshëm, nuk na thuaj një çikë se çfarë ke kapur?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, më falni një minut, xhanëm, unë vetë si ministër i Punëve të Brendshme pa ndihmën e organeve të Sigurimit, dhe pa punuar si duhet këto organe, s’kisha çfarë të bëja. Këto i kam shpjeguar qartë në autokritikën që kam shkruar.

SHOKU PALI MISKA: As nuk shpjegon hiç në autokritikë ti, prandaj të themi të reflektosh.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mirë mo, hidheni poshtë atë që thashë, po për çfarë të reflektoj? Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kadri-mos-na-thuaj-avash-ska-avash-ketu-po-na-trego-a-ka-pasur-pune-armiqesore-ne-ministrine-e-brendshme-nese-po-pse-si-ke-mbledhja-e-panjohur-e-byrose/