“Kadri, komploti i Teme Sejkos, ka qenë i kurdisur nga Mehmeti dhe Beqiri, për të na thënë ne, të mos bënim shakara me sovjetikët, se… / Akuzat e Enverit në Byronë Politike, 8 tetor ‘82

Dashnor Kaloçi             

Pjesa e dhjetë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

                                                  Vijon nga numri i kaluar      

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPTARISË                                              TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                               PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

  1. Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
  2. Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

 Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU ENVER HOXHA: Po në ditarin tim nuk ka asgjë tjetër, as më përpara, as më pas për legjendën, asgjë nuk kam të shkruar unë për këtë çështje. Pse të kem shkruar unë vetëm që më ke ardhur ti me Beqir Ballukun në Dajt dhe më ke folur për armiqtë Teme Sejko dhe kompani, e të nesërmen ju e arrestuat atë. Kjo do të thotë që miratimi nga ana ime, është bërë vetëm që të arrestohet.

SHOKU KADRI HAZBIU: Dakord, por unë e di që me lejen tuaj u mënjanua, u caktua për të shkuar në Akademi, bëri dhe dorëzimet si komandant i Flotës.

SHOKU ENVER HOXHA: Pse unë e caktova atë për të vajtur në Akademi, pse unë i caktoj oficerët se ku duhet të shkojnë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, jo, ua propozuam ne dhe ju thatë se ishit dakord ta mënjanonim.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, unë nuk thashë që jam dakord, në rast se kam thanë që jam dakord, këtë e kam thënë që të eliminohej. Si do të isha unë dakord që të dërgonim njeri tek sovjetikët, me të cilët po armiqësoheshim?! Këtu, s’ka fare logjikë. Është ashtu si tha Hekurani, që, në atë kohë që Hrushovi piqej me amerikanët, Flota e VI-të Amerikane, nuk mund ta sulmonte Shqipërinë, kur 12 nëndetëse ishin në portin e Vlorës. Nuk ishte momenti i përshtatshëm politik që ta bënin amerikanët një gjë të tillë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po këtë e ka thënë Teme Sejkoja.

SHOKU ENVER HOXHA: I ka dhënë ato Teme Sejkoja po ai mund t’i këtë dhënë se ashtu si ia kanë thënë në vesh, këtë nuk e hamë ne Kadri.

SHOKU KADRI HAZBIU: Që t’ia kenë kurdisur?

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk e di unë kush ia ka kurdisur.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po si do bëhej kjo në ato kushte?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po miro, pse nuk u analizua kjo çështje në atë kohë?

SHOKU HEKURAN ISAI: Këtë ti duhej ta analizoje në atë kohë, kush do ta analizonte?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po kjo duhesh analizuar edhe kolegjialisht.

SHOKU ENVER HOXHA: E kemi analizuar shoku Kadri. Ne e kemi analizuar, se ju kishit zbuluar një komplot të madh, me Teme Sejkon në krye, në bashkëpunim me grekët, me Flotën e VI-të Amerikane, edhe me jugosllavët. Kështu e dënuam ne këtë komplot, edhe në kongres të Partisë, domethënë e kemi analizuar këtë ngjarje. Por del se ti, pavarësisht se Teme Sejkoja mund të ishte çfarëdo agjenti, nuk ke analizuar asgjë, që kjo punë ka qenë e kurdisur nga Mehmet Shehu, nga Beqir Balluku dhe sovjetikët, që të na thoshte neve të mos bënim shakara me sovjetikët dhe me flotën sovjetike, se do të na sulmonin. Këtë e gjykojmë ne tashti, kurse ti as tashti nuk e gjykon kështu.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po kur këtë e thoni ju, ashtu duhet të jetë.

SHOKU ENVER HOXHA: A, jo kur e mendoj unë, se kur e mendoj unë, ka marrë ferra uratën.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mundet, edhe çështja ka një logjikë që mund të jetë kështu siç thoni ju.

SHOKU PALI MISKA: Po pse nuk e ke gjykuar edhe ti atëhere me këtë logjikë, se thua se i ke ndjekur vetë hetimet e Teme Sejkos. Atëherë pse nuk e ke arsyetuar kështu këtë çështje?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ja, kaq kam mundur.

SHOKU PALI MISKA: Po si ore thua kaq kam mundur?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Po a ke pasur ti ndonjë rol në këtë çështje

SHOKU KADRI HAZBIU: Çfarë roli?

SHOKU HEKURAN ISAI: Ja që ta nxisësh këtë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Në këtë arsyetim.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë jo.

SHOKU ENVER HOXHA: Po kush ta ka hequr ty këtë çështje, Halim Xheloja?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po në cilin rol shoku Ramiz?

SHOKU RAMIZ ALIA: E pra ja, në këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Ja në organizimin e arrestimit dhe të legjendës.

SHOKU RAMIZ ALIA: Të arrestimit, të kësaj legjende të Teme Sejkos.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë, po.

SHOKU ENVER HOXHA: Po për atë po të pyet ai.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja, për këtë të pyes.

SHOKU KADRI HAZBIU: Për këtë pyet, po ama mua m’u duk ndryshe, kurse për atë po, edhe për legjendën, mendimi ka qenë i imi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mendimi ka qenë i yti, apo ta sugjeruan?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë kam besim se ka qenë mendimi im.

SHOKU RAMIZ ALIA: Këshilltari sovjetik është këshilluar me ty? Po Mehmet Shehu me Beqir Ballukun, janë këshilluar me ty për këtë çështje?

SHOKU KADRI HAZBIU: Me siguri që janë këshilluar me ne, mbasi ne ja kemi dhënë mendimin. Ky, më duket se ka qenë mendimi im, pastaj mbi këtë mendim kanë vepruar dhe ata.

SHOKU RAMIZ ALIA: Në qoftë se është kështu si thua ti dhe ne e shikojmë që ky është mendim yt, ishte ky në favor të sovjetikëve? Çdo të përgjigjesh ti?

SHOKU KADRI HAZBIU: Gabim është, ky është gabimi im.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po si mendon ti, pse të ndodhte pikërisht në vitin 1960, kur Hysni Kapoja kishte shkuar në Bukuresht?

SHOKU KADRI HAZBIU: Më përpara, më përpara, ishte muaji qershor. Po, nejse xhanëm.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ne e dimë historinë e Bukureshit, po ja më fal se, po të them një gjë tjetër. Jemi në vitin 1960, pasi Hrushovi kishte qenë në Shqipëri dhe ti e di shumë mirë se me të, ne u zumë këtu.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, po, por Hrushovi ishte në vitin 1959 këtu.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ishte viti 1959, kur u zumë se ai na tha se nuk do fliste kundër Titos, kurs me largimin e tij, u botua në gazetë artikulli kundër Titos me urdhrin e shokut Enver. Kjo do të thotë se ti e dije se me sovjetikët, ne ishim në thikë e në pikë.

SHOKU RITA MARKO: Po ne kishim bërë tërë ato analiza në Byronë Politike për këtë çështje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë ne ishim në thikë dhe në pikë me sovjetikët, ti bën një veprim në favor të sovjetikëve, për ta mbajtur Shqipërinë të lidhur me ta, gjoja se po na kërcënonin amerikanët. Si e gjykon ti këtë veprim tëndin?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po kush e bën njëherë? Të lutem shumë, unë bëja atë që më kërkonin sovjetikët? Përpunimin e Teme Sejkos, ata e dinin, se kishin këshilltarët e tyre këtu.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo nuk e dinin, se në autokritikën tënde, ti thua se nuk u kishte thënë gjë, kurse ata këtë çështje e dinin. Atëhere, kush ua kishte thënë?

SHOKU KADRI HAZBIU:  Për cilin thua, për Teme Sejkon?

SHOKU ENVER HOXHA: Po po, për Teme Sejkon.

SHOKU KADRI HAZBIU: Është e pamundur që ata këtë çështje të mos ta dinin.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere, kush ua ka thënë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ata, këshilltarët shoku Enver, se punonin pranë kryetarëve të degëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, po ti, kryetar i tyre, ku punoje?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po edhe unë atje punoja, po secili kishte punën e vet.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ti ku punoje, nuk punoje me Grebenikun a kush tjetër ishte ai?

SHOKU KADRI HAZBIU: Atje punoja. Ashtu është, me Grebenikun isha, po këshilltarët sovjetikë i mësonin vetë ngjarjet dhe ai e dinte këtë.

SHOKU ENVER HOXHA: E di e di, po kjo është tjetër gjë, po ti na u përgjigj, se thua se nuk ua ke treguar sovjetikëve?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë në asnjë mënyrë nuk ua kam thënë, shoku Enver. Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kadri-komploti-i-teme-sejkos-ka-qene-i-kurdisur-nga-mehmeti-dhe-beqiri-per-te-na-thene-ne-te-mos-benim-shakara-me-sovjetiket-se-akuzat-e-enverit-ne-byrone-politike-8-tetor/