“Kadri, dokumentet që ju i dhatë KGB-së sovjetike, i pa Hrushovi, që më provokoi, duke më thënë: Ju keni vrarë Liri Gegën, me barrë’ dhe…”/ Debatet e Enver Hoxhës në Byro, 8 tetor ‘82

Dashnor Kaloçi

Pjesa e nëntëmbëdhjetë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

                                               Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                    TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                       PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

  1. Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
  2. Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU KADRI HAZBIU: Si ministër i Punëve të Brendshme, unë e di se sa këshilltarë kanë qenë, emrat e tyre janë të regjistruara janë atje.

SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, nuk janë, shoku Enver.

SHOKU KADRI HAZBIU: Emrat janë.

SHOKU ENVER HOXHA: S’janë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Jo nuk janë shoku Enver. Këta ne i kemi gjetur në bazë të telegrameve të përshëndetjeve që u kanë dërguar atyre nga familjet me rastin e vitit të ri dhe në bazë të kujtesës së gjithë pensionistëve që kanë punuar në atë kohë me këta njerëz. Ja, kjo listë është, sepse ne kërkuam edhe listën në financë, gjoja për ta parë se sa paguheshin këta njerëz.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ata nuk i paguanim ne.

SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk kish as financa, as prapavija e Ministrisë ndonjë listë me emrat e tyre.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë mo, ata diheshin, edhe për këtë do mbajë unë përgjegjësi edhe për këta!

SHOKUA ADIL ÇARÇANI: Nga ana shtetërore janë të tëra me dokumente, datën kur kanë filluar të paguhen dhe sa janë paguar. Të tëra këto me dokumente janë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po përse nuk ka lista për këta në Ministrinë e Punëve të Brendshme? Dy ligje kishim ne atëhere Kadri, dy qëndrime kishte atëhere Komiteti Qendror? Për ç’arsye emrat e tyre janë në dikasteret e tjerë dhe tek ju nuk janë?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, më falni, shoku Enver…!

SHOKU ENVER HOXHA: Ja, të fala.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, mirë mo, tashti e bërë unë këtë gabim, një minutë…!

SHOKU ENVER HOXHA: Po në qoftë se e ke bërë këtë, vare ti Kadri.

SHOKU KADRI HAZBIU: Urdhëro, cilën?

SHOKU ENVER HOXHA: Në qoftë se e ke bërë gabimin, varesh ti?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë o, le të varem.

SHOKU ENVER HOXHA: Le të varesh, po ama, jo të thuash se ja bëra këtë?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po nuk është puna kështu, po pse, këtë që kam bërë unë, ilegalisht është bërë vallë, manipuluar nga ana ime?

SHOKU ENVER HOXHA: Po si ishte? Ai ishte veprim ilegal, se një ligj ka Partia, ka dokumente për të gjitha këto çështje. Ju i keni futur këta pa asnjë ligj në aparatin e Ministrisë së Punëve të Brendshme që të vepronin.

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk është ashtu shoku Enver, se nga të gjitha diheshin këta ata atje.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, diheshin, diheshin.

SHOKU FOTO ÇAMI: Po si u jepeshin atyre të gjitha dokumentet e ministrisë për t’u njohur? Si mund t’iu jepen një këshilltari  të gjitha sekretet e shtetit? Pastaj edhe kur pa, në një periudhë kur ne ishim në thikë e në pikë me sovjetikët?!

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse janë fjalë këto që argumentojnë se dihesh? Edhe miqësia me sovjetikët, dihesh, të tëra gjërat diheshin, si nuk diheshin?

SHOKU SIMON STEFANI: Po, veç brenda normave.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, vetëm një gjë Kadri, diheshin këto, po mos kujtonit ju se Sigurimi ynë i Shtetit ishte një degë e KGB-së?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk e kam pasur ndonjëherë këtë mendim.

SHOKU RAMIZ ALIA: Që domethënë që ne veprojmë si një degë e këtij organi, çdo gjë që dimë dhe kemi ne, mund t’ja japim atyre?

SHOKU ENVER HOXHA: Po si nuk ishte degë e KGB-së, sipas mendimit tënd. Çfarë duhej që të ishte degë? Ç’duhej më tepër nga sa keni vepruar ju?

SHOKU KADRI HAZBIU: Këta ishin këshilltarë dhe nuk jepnin urdhra, urdhrat i’u jepnim ne, ata kishin të drejtën të jepnin vetëm mendime, për shembull, kur veja unë për t’u këshilluar.

SHOKU PROKOP MURRA: Ata nuk kishin të drejtë vetëm për për dosjet e kuadrove, se të tëra të tjerat i merrnin.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po. Një minutë, se kur vete të këshillohesh, se janë kështu dhe ashtu problemet, dhe probleme politike ishin këto, i thoshim, të lutem shumë, na i përkthe këtë, si është çështja.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, nuk është kështu.

SHOKU RITA MARKO: Lëre mo Kadri, se nuk është kështu kjo çështje, s’janë ashtu këto gjëra, mos na i thuaj neve ato!

SHOKU HEKURAN ISAI: Po si të merrte kartelën?

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk na thua, ç’i duheshin KGB-së lista me emrat e elementëve tanë antiparti, listat e të burgosurve dhe të arrestuarve tanë? Për ç’arsye t’i jepnit ju 50 veta të dyshimtë KGB-së, për shkollë duheshin këto?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Në atë sektor shoku Enver, ka qenë një këshilltar.

SHOKU ENVER HOXHA: Ka qenë një, a kanë qenë dy, këtë nuk dua ta di unë, rëndësi ka çështja që ato lista u janë dhënë atyre.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po u janë dhënë. Tani për atë që bëri pyetje shoku Ramiz, pse u dha kjo zyrtarisht, këtë nuk e kuptoj, nuk e di unë këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Po na thuaj, pse. Pse?!

TË GJITHË SHOKËT: Po kush ta kuptojë, mo?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po le ta mbajë unë përgjegjësinë. Po pse e përjashtoni ju edhe atë që kjo punë mund të jetë bërë në shpinën time? E përjashtoni ju këtë mundësi?

SHOKU ENEVR HOXHA: Jo nuk e përjashtojmë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Shiko Kadri, kur është gjykuar Dhora Leka, ka dhënë 50 emra kuadrosh nga rrethet e inteligjencës. Unë kam qenë në atë kohë sekretar i Komitetit Qendror për propagandën dhe vazhdoj të jem edhe tani. Në atë kohë, megjithëse isha sekretar i Komitetit Qendror për propagandën dhe anëtar i Byrosë Politike, nuk kam ditur për asnjë nga këtë elementë, megjithëse punoja me këta njerëz, kurse, këshilltari i KGB-së që nuk duhet të dinte asgjë, e dinte këtë listë. Nuk më thua si shpjegohet kjo? Dhe vjen pastaj e na thua, që Sigurimin tonë nuk e konsideronim si degë të KGB-së sovjetike!

TË GJITHË SHOKËT: Po edhe këta i donte shkolla?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po këshilltari që ishte atje, njihesh me këto çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse të njihesh?!

SHOKU RAMNIZ ALIA: Na thuaj, pse të njihesh ai me këta?

SHOKU RITA MARKO: More po ti e more vesh, se çfarë i ngrinte Hrushovi delegacionit tonë për Panajot Plakun në vitin 1957

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po pse të njihesh këshilltari sovjetik me materialet në hetuesinë tonë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po me se do njihesh këshilltari që ishte caktuar për hetuesinë?!

SHOKU ENVER HOXHA: Këshilltari sovjetik nuk kish arsye të njihesh me punët e hetuesisë, por t’i jepej pasaporta dhe të ikte, siç ikën edhe të tjerët. Për ata këshilltarë që kishte nevojë Ministria e Punëve të Brendshme, siç ishte ndonjë për të ndihmuar në organizimin e forcave të kufirit, ndonjë që kishte lidhje me agjenturat e huaja dhe duhet të rrinte, po, të tjerët ç’kërkonin? Përse t’i merrnin ata dosje të dënuarve dhe kuadrove tona atje?! Në qoftë se nuk kishin ç’të bënin, atëhere t’u jepnin drunë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Neve kemi pasur një këshilltar në Komitetin Qendror, njëfarë Tishenko, po këtij, asnjë dosje kuadri nuk i jepnim ne.

SHOKU RITA MARKO: Asgjë sekrete nuk i jepej atij.

SHOKU ENVER HOXHA: Kështu ai u mërzit dhe u largua. Pas një farë kohe “do të iki”, kështu na tha vetë.

SHOKU RITA MARKO: Megjithatë, Mehmet Shehu, plasi që ta merrte atë, për të bërë shëtitje.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Kam edhe këtë pyetje unë, shoku Enver. Të marrim linjën legale, atë formalin. Ky material iu dërgua shkollës së Sigurimit në Bashkimin Sovjetik, me qëllim që të mësonin studentët tanë në Moskë. Po ç’u duhesh këtyre procesi i Liri Gegës që u bë më 1956 dhe hetimet e Dhora Lekës në vitin 1957? Përse u duheshin atyre këto materiale? Këto ishin materiale që s’i kishin në dorë veçse fare pak njerëz, siç tha Ramizi. Atëher ç’i duheshin një kuadri fare të thjeshtë të Sigurimit tone, të dinte hollësirat e të gjitha hetimeve të këtyre elementëve që u përmendën, dhe ku pa, në Moskë?! Pastaj, në qoftë se do t’u duheshin, ata në Shqipëri do të vinin, mund t’u jepeshin kur të ktheheshin.

SHOKU ENVERT HOXHA: Se i kishin mësuar nga këto materiale, prandaj më pyeti mua Hrushovi, më bëri edhe provokacionin, duke më thënë: “Ju keni vrarë Liri Gegën, duke qenë me barrë”?!

SHOKU RITA MARKO: Ja, kështu e kemi dëgjuar ne këtë provokacion atëherë, shoku Enver.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mirë, shoku Enver, drejt është. Unë po tregoj njëherë, si e di këtë çështje. Në shkollë pedagogët jepnin leksion, po këtë duhet ta shpjegonin edhe me shembuj nga vendi i tyre.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: I kujt, i tyre?

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo nga Bashkimi Sovjetik  se kështu ishin kërkesat. Ata na e kishin ngritur çështjen, që t’u jepnim, po të ishte e mundur, shembuj nga vetë praktika e vendit tonë.

SHOKU ENVERT HOXHA: Ne, s’u japim, t’u thoshit.

TË GJITHË SHOKËT: Po ç’u duheshin studentëve tanë këto materiale, mo shoku Kadri?!

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Po pse nuk kanë marrë të dhëna nga sektori i naftës, edhe për studentët tanë që kishim për naftën në Bashkimin Sovjetik?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po miro, unë do t’u shpjegoj tani se si është vepruar, pastaj gjykojeni. Kështu, shembuj të tillë, na kërkonin ata. Tani këtë rast, pse na e kërkuan me shkrim, nuk e di, por edhe herë të tjera ata kishin marrë shembuj nga çështje të konsumuara, të vjetra, që nuk përbënin më sekret. Ja, nga këta i jepnim ne. Memorie.al

                                                Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kadri-dokumenetet-qe-ju-i-dhate-kgb-se-sovjetike-i-pa-hrushovi-qe-me-provokoi-duke-me-thene-ju-keni-vrare-liri-gegen-me-barre-dhe-debatet-e-enver-hoxhes-ne-byro-8/