Jim Ryan del në pension: Shefi i PlayStation i thotë lamtumirë Sony

Jim Ryan ka njoftuar tërheqjen e tij dhe, rrjedhimisht, lamtumirën me Sony pas mbi 30 vitesh karrierë me kompaninë. Biznesmeni kishte qenë president dhe CEO i Sony Interactive Entertainment që nga shkurti 2019, një rol i marrë pasi kishte drejtuar Sony Computer Interactive Europe për vite dhe do të zëvendësohet nga Hiroki Totoki, siç raportohet në dokumentin që ilustron strukturën e re menaxheriale të SIE.

“E kam vlerësuar mundësinë për të pasur një punë që dua në një kompani vërtet të veçantë, duke punuar me njerëz të mrekullueshëm dhe partnerë të jashtëzakonshëm. Por e kam pasur gjithnjë e më të vështirë të balancoj jetën time private në Evropë me punën në Amerikën e Veriut,” shkroi Ryan në. deklaratën që shpalli daljen në pension.

“Do të largohem pasi kam pasur privilegjin të punoj në produkte që kanë prekur miliona jetë në mbarë botën; PlayStation do të jetë gjithmonë pjesë e jetës sime dhe ndihem më optimist se kurrë për të ardhmen e SIE. Dua të falënderoj [ Keichiro Yoshida, CEO i Sony] për besimin e madh tek unë dhe për të qenë një lider tepër i ndjeshëm dhe mbështetës.”

“Jim Ryan ka qenë një lider frymëzues gjatë gjithë kohës së tij me ne, por asnjëherë më shumë sesa në mbikëqyrjen e lançimit të PlayStation 5 në mes të pandemisë globale COVID. Kjo arritje e jashtëzakonshme nga i gjithë ekipi SIE është ushqyer vazhdimisht dhe PlayStation 5 është në rrugën e duhur për t’u bërë konsola më e suksesshme e SIE,” iu përgjigj Yoshida fjalëve të Ryan.

Ryan do të tërhiqet pranverën e ardhshme, por Hiroki Totoki do të marrë detyrën si CEO i përkohshëm në tetor për të “ndihmuar Ryan në tranzicionin e tij”. Totoki do të marrë drejtimin e SIE duke ruajtur rolin e tij si president, shef operativ dhe shef financiar i Sony Group Corporation.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Jim Ryan për arritjet dhe kontributet e tij të jashtëzakonshme gjatë karrierës së tij 30-vjeçare në Sony, duke përfshirë lançimin shumë të suksesshëm të PlayStation 5,” tha Totoki. “Unë do të punoj ngushtë me Jim dhe menaxhmentin e lartë për të siguruar suksesin tonë të vazhdueshëm dhe rritjen e mëtejshme.”


This is a companion discussion topic for the original entry at https://zero1.al/2023/09/29/jim-ryan-del-ne-pension-shefi-i-playstation-i-thote-lamtumire-sony/