ISP: Me studentët e drejtësisë, forum diskutimi mbi integritetin e procesit zgjedhor

Zgjedhjet janë për qytetarët dhe nevoja për kandidatë të pastër, politikë të pastër, standarde zgjedhore dhe proces elektoral me integritet janë sfidë dhe test i rëndësishëm për Shqipërinë. Siguria e votës dhe dekriminalizimi, transparenca financiare dhe llogaridhënia e të zgjedhurve, pjesëmarrja qytetare dhe administrimi korrekt i procesit, zgjedhja cilësore dhe konkurrenca sa më e gjerë dhe më alternative, janë pjesë e integritetit të zgjedhjeve.

Për të diskutuar mbi legjislacionin, risitë ligjore dhe sfidat për zgjedhjet vendore të vitit 2023 Institutit i Studimeve Politike (ISP) zhvilloi një forum me studentë të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Folës, ekspertët e njohur Prof. Dorina Hoxha dekane e fakultetit, Prof. Jonad Bara, zv/dekan, si dhe Prof. Ervin Karamuço, ekspert i lartë i ISP.

Studentët dhe ekspertët debatuan më pas edhe lidhur me detaje ligjore të krimeve zgjedhore, dekriminalizimit, rolit të SPAK, çështjen e vettingut të kandidatëve lidhur me të kaluarën komuniste, etj, një tregues cilësor i dijeve dhe interesit të studentëve të këtij fakulteti.

ISP dhe FD në UT kanë pasur dhe kanë bashkëpunim prej vitesh, në kuadër të projekteve dhe programeve ligjore dhe të shtetit të së drejtës të lidhura me KE, BE, USAID, etj.

Aktiviteti i fundit bëhet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/isp-me-studentet-e-drejtesise-forum-diskutimi-mbi-integritetin-e-procesit-zgjedhor/