ISP – KQZ të përmbushë detyrimin ligjor për transparencë & database mbi zgjedhjet

Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson disa risi pozitive të aktivitetit të KQZ, përfshirë modernizimin e faqes online të aktivitetit të tij, por njëherësh, shpreh shqetësimin se vonesa në përditësimin e të dhënave mbi zgjedhjet vendore 2023 dhe database historik të zgjedhjeve të mëparshme parlamentare e lokale e dobëson dhe cenon standardin e transparencës dhe informimit publik.

KQZ ka publikuar të dhënat që lidhen me vendimmarrjet e strukturave të veta, pjesën më të madhe të procesverbaleve, si dhe ndan të dhëna me shoqërinë civile lidhur me mbledhjet dhe vendimmarrjet. Kjo praktikë është pozitive, por e pamjaftueshme.

  • Në fazën aktuale kur subjektet politike janë regjistruar, kanë dorëzuar listat e kandidatëve dhe këta të fundit duhet të përballen me verifikimin për rekordet e dekriminalizimit, KQZ nuk ka bërë ende publike listën zyrtare të subjekteve, të dhënat e tyre, si dhe as listën e kandidatëve dhe as formularët e tyre të dekriminalizimit.
  • Në faqen e re zyrtare të KQZ mungon tërësisht aksesi në dokumentacionin zgjedhor të zgjedhjeve të mëparshme lokale dhe parlamentare, gjë që pamundëson krahasimin e të dhënave dhe dokumentacionit, si dhe krijon një hendek të ndjeshëm në informimin cilësor lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

Publikimi i të dhënave të plota për kandidatët dhe subjektet është detyrim ligjor. Transparenca i shërben edhe qytetarëve për më shumë informacion dhe monitoruesve për të verifikuar gjithashtu të dhënat e kandidatëve dhe vetë procesin e verifikimeve që bën KQZ për kandidatët.  

Instituti i Studimeve Politike (ISP) apelon KQZ të investohet në rolin dhe përgjegjësitë e veta ligjore, të zbatojë Kodin Zgjedhor dhe të krijojë një sistem informimi transparent dhe të plotë, në funksion të rritjes së besimit tek procesi dhe të jetësimit të standardeve më të larta zgjedhore.

 

Instituti i Studimeve Politike (ISP)


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/isp-kqz-te-permbushe-detyrimin-ligjor-per-transparence-database-mbi-zgjedhjet/