“Gjatë bisedave me Fiqreten në burg, për Nexhmije Hoxhën dhe gruan e Ramiz Alisë, ajo më tha…”/ Dëshmia e rrallë e shoqes së qelisë në Zejmen

Nga Afrim Imaj

Pjesa e pestë

Memorie.al / Në fundin e gushtit dhe fillimin e shtatorit të vitit 1983, një video misterioze që u shpërnda pak ditë para se të zhvillohej gjyqi i Fiqirete Shehut, e përgatitur me dëshmitë e saj gjatë procesit hetimor nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, u shpërnda në të gjithë qytetet e Shqipërisë nga Jugu në Veri e cila u dëgjua me qendër zëri nëpër institucionet, ndërmarrjet e qendrat e punës të prodhimit më të rëndësishme në të gjithë të vendin. E veja e ish-kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, pohonte me gojën e saj, tërë misterin e ngjarjes së bujshme si dhe “veprimtarinë e saj armiqësore” dhe të familjes Shehu gjithashtu. Të gjithë ata që kishin pasur mundësinë ta njihnin nga afër, habiteshin me dëshminë e Fiqirete Shehut, bashkëshortes së Mehmet Shehut, (ish-anëtare e Komitetit Qendror të Partisë që nga prilli i vitit 1952, ish-drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë “Vladmir Iliç Lenin” në Tiranë), ndërsa pjesa më e madhe e popullit, punëtorë dhe fshatarë kudo ku ishin, e besonin verbërisht, gjithçka thuhej në atë video fantazmë, ku ajo rrëfente me bindje, komplote pas komplotesh, të ideuara nga bashkëshorti i saj dhe të tjerë, me qëllimin e vetëm për të realizuar vrasjen e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxhën!

Pas dëshmive të saj, udhëheqja e lartë e PPSh-së me në krye Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isain, të cilët ishin ideatorët kryesorë të atij procesi dhe videos që iu server shqiptarëve me dëshmitë e Fiqrtet Shehut, mendonte se do të mbylleshin të gjitha dyshimet për vetëvrasjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Por shpejt, njerëzit do fillonin të flisnin nën zë dhe të vinin në diskutim deklaratat e saj, duke menduar se ajo po përsërite çfarë i diktonin hetuesit dhe njerëzit e Sigurimit. Ndërkohë, lindën hipotezat e para, sipas të cilave, Fiqiretja ishte e detyruar që të bënte gjithçka, me qëllim që të shpëtonte pjesën tjetër të familjes, fëmijët.

                                                     Vijon nga numri i kaluar

 Tundimi për jetën e fëmijëve

“Të gjithë janë armiq. Të gjithë të venë në pushkatim”! I ka qëlluar gruas që ka qenë banore e të njëjtës qeli me Fiqirete Shehun, ta dëgjojë shfrimin e saj, një mbrëmje vonë teksa kthehej nga procesi gjyqësor i Kadri Hazbiut.

Ajo kujton tjetërsimin që e kishte bërë të venë e Mehmetit të shpërfytyruar dhe mban mend reagimet e saj kur e ka pyetur se çfarë kishte ndodhur. “Thashë që janë të gjithë armiq, që nga burri im e deri tek roja i thjeshtë që, më paraqitën në proces. Ashtu duhet të ishin. Ashtu i kërkonin të ishin. Ashtu i denoncova edhe unë. Çfarë të bëja tjetër. Mbase mbajnë fjalën dhe nuk u bëjnë gjë fëmijëve…”!

Gjithsesi, përmbyll gruaja nga veriu që, kishte kaluar ditë të tëra me Fiqrete Shehun, ata edhe fëmijët i’a shkatërruan, njërin ia vranë në Gramsh, dy të tjerët i syrgjynosën në burgun e Burrelit.

Drama e familjes Shehu 

Pas mbarimit të versionit të “vetëvrasje”, Enver Hoxha, vazhdoi luftën e tij egërsisht edhe mbi familjen e Mehmet Shehut. Në qershor 1982, në Gramsh (i internuar këtu) djali i madh i Mehmet Shehut, Vladimiri, sipas versionit zyrtar, vrau veten. Ndërsa bashkëshortja e Mehmetit dhe djemtë e tyre, Skënderi dhe Bashkimi, pas një internimi të shkurtër, u arrestuan në fillim të vitit 1982, u “gjykuan”, dhe u burgosën. Djemtë e Mehmetit u burgosën në Burrel ndërsa Fiqireti në burgun 313 në Tiranë.

Dëshmi e një bashkëvuajtëse e Fiqret Shehut, Vjollca Leka nga Elbasani, e cila ka qenë për më se tre vjet në një qeli, në Burgun e Zeimenit, Lezhë, me bashkëshorten e Mehmet Shehut, Fiqreten.

Kush është Vjollca Leka, ish-shoqja e qelisë së Fiqret Shehut?

“Kam lindur në Elbasan më 3 qershor 1948. Kam mbaruar shkollën e mesme për Ekonomik dhe për shumë vite kam punuar në Ndërmarrjen Tregtare të Elbasanit. Në vitin 1984, regjimi i atëhershëm më dënoi me 25 vjet burg, me akuzën e “dëmtimit të ekonomisë socialiste”.

Ku e vuajtët dënimin?

Në burgun e Kosovës në Elbasan, më pas u transferova ne Burgun e Zeimenit, Lezhe

Kur jeni njohur për herë të parë me Fiqret Shehun?

Në burgun e Tiranës. Ka qenë janari i vitit 1986. Mua dhe një të dënuare tjetër, na çuan në një qeli me Fiqrete Shehun. Më parë, aty kishin qenë dy gra të tjera. Kjo ishte edhe njohja ime e parë me të.

Kush ishte e dënuara tjetër në një qeli me ju?

Sose Demiri, nga Tropoja.

Si ishte gjendja shëndetësore e Fiqret Shehut?

Fizikisht, Fiqreti ishte e dobët. Diçka ndryshoi kur ne filluam të gatuajmë brenda në qeli.

A fliste Fiqreti me ju për shqetësimet që kishte pasur?

Fiqreti fliste shumë pak.

A ju ka folur për ndonjë pasuri të familjes së saj?

Jo.

A kishte dyshime ajo në lidhje me “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut?

E sigurt fare në vetëvrasje, Fiqreti nuk ishte, mirëpo ajo nuk fliste më tej.

Përdorej shpesh tortura mbi Fiqret Shehun?

Më kujtohet që hetuesi i çështjes së saj, të cilit nuk ja mbaj mend emrin, i drejtohej shpesh me fjalët: “Hartë do të bëj në mur, kërmë do të bëj”.

Në ato raste që Fiqreti fliste, a zinte me gojë ndonjë udhëheqës të lartë komunist, për mirë ose për keq?

Përgjithësisht ajo fliste për gratë e tyre. Kujtonte që Nexhmije Hoxhën, e kishte pasur shoqe të ngushtë. Keq i erdhi çuditërisht për vdekjen e gruas së Ramiz Alisë, në pranverë të vitit 1986.
Njëherë tjetër ajo, na tha që emrat e dy djemve të saj, i kishte vënë vetë Enver Hoxha.

Pati takim me djemtë e saj, Fiqreti në burg?

Po, dhe ky takim ka qenë rreth muajit qershor 1988, pra pak javë para se të vdiste. Ky takim u zhvillua në mjediset e burgut të Tiranës.

Cilat kanë qenë rrethanat e vdekjes së Fiqretit?

Në dyjavëshin e parë të shtatorit 1988, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua shpejt. U dyshua për sëmundjen e verdhëzës, por shpejt u pa se, nuk ishte kjo. Në orën 21.00 të datës 11 shtator 1988, që më kujtohet mjaft mire, pasi ishte dita e novatorëve, ajo u sëmur mjaft keq dhe pas disa minutash dha shpirt.

Çfarë ruani si kujtim prej saj?

Shaminë e dorës, e cila është kjo që kam në dorë.

Si u kujdes Enver Hoxha personalisht për hetimin, filmimin dhe fotografimin nën torturë të Fiqirete Shehut

Enver Hoxha, që nga 18 dhjetori i vitit 1981 e, deri më 18 nëntor 1982, përreth 10 orë në ditë, mbyllej në zyrën e tij dhe kontrollonte me imtësi fotografitë e trupave të vdekur të Mehmet Shehut, Fiqrete Shehut, Kadri Hazbiut, Fiçor Shehut, Llambi Ziçishtit dhe të Llambi Peçinit. Por Enver Hoxha, ka kërkuar dhe ka kontrolluar me shumë imtësi edhe fotografitë e djalit të Mehmet Shehut, Vladimir Shehut, i vdekur në rrethana shumë misterioze në internim në Gramsh.

Të gjitha raportet e Enver Hoxhës, me dosjet e “grupit armiqësor” prej 21 vetash, të kryesuar nga Fiqrete Shehu dhe Kadri Hazbiu, ndodhen në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Ish-oficeri, që ka shërbyer për gati 20 vjet pranë ish-komandantit, në librin e tij, sjell të gjitha detajet e raporteve të Enver Hoxhës me 21 dosjet e “grupit armiqësor” të akuzuar si agjentë të CIA-s amerikane.

18 janar 1982

Komandanti ka shkuar herët në mëngjes në zyrë. Ishte shumë i nervozuar dhe i dridheshin duart. Duke u futur në zyrë, ka urdhëruar që të mos e shqetësojë njeri pasi, ka një telefonatë shumë të rëndësishme. Një ditë më parë, në zyrën e tij kishte qenë Hekuran Isai dhe të dy bashkë, kokë më kokë, kishin diskutuar gjatë me njëri-tjetrin. Në orën 14.00, në fshatin Belsh të Elbasanit, është arrestuar Fiqrete Shehu dhe djali i saj, Skënder Shehu. Akuza ishte formuluar vetëm me tri fjalë: “Armiq të Partisë”. Të gjithë konfirmonin se, akuzën e kishte formuluar vetë Komandanti dhe ajo ishte një akuzë shumë e fortë. Qëllimi i arrestimit, i shkruar në shkresën udhëzuese të firmosur nga Enver Hoxha, ishte: “Të vërtetohej se Mehmet Shehu, ishte agjent i CIA-s amerikane”.

Në listën me 17 detyra, që kishte bërë Enver Hoxha dhe që ndodhet në Kutinë 801, në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, thuhet se; duhet të zbulohet që Fiqrete Shehu, ka zbatuar detyra të ngarkuara nga ana e Mehmet Shehut, kur ka shkuar gjoja për të takuar djalin e saj, Skënderin, në Danimarkë dhe në Suedi. Dy të arrestuarit, edhe pse u torturuan dhe u masakruan nga grupi i hetuesve për gati 30 ditë, nuk e pranuan asnjë prej akuzave.

Komandanti (Enver Hoxha), është marrë personalisht me hetuesinë e tyre. Ai është interesuar dhe ka qenë shumë i stresuar për hetuesinë ndaj Fiqrete Shehut. Janë bërë një sasi shumë e madhe fotografish, gjatë arrestimit të Fiqrete Shehut, ndërkohë që hetuesia ndaj saj, ishte përreth katër orë e filmuar. Më datën 17 shkurt 1982, Enver Hoxha, është mbyllur për pesë orë në zyrë, duke parë me imtësi, tërë detajet e hetuesisë së Fiqirete Shehut.

18 shkurt 1982

Komandanti, është ngritur përsëri herët dhe ishte shumë i shpërqendruar. Ishte ndër herët e para që i kishte flokët të pakrehur. Por të gjithë mendonin se, Komandanti ishte i sëmurë me diabet dhe ky ishte shkaku që ai i kishte flokët pa krehur. Por në orën 12.00, u hap lajmi se, është arrestuar Fiçor Shehu, ish-ministër i Brendshëm. Arrestimi i tij, bëri një bujë të madhe. Por më tronditës, ishte lajmi se, kishte vdekur në rrethana krejt misterioze, djali i Mehmet Shehut, Vladimir Shehu, që ishte i internuar në Gramsh. Komandanti, kërkoi që të njihej me të gjitha detajet e vdekjes së djalit të Mehmet Shehut, Vladimir Shehut.

Atij në zyrë, i kanë sjellë dosjen e plotë të akt-ekspertizës së vdekjes së djalit të Mehmet Shehut. Në çdo fletë formati të dosjes, ishin ngjitur nga dy fotografi të djalit të vdekur të Mehmet Shehut. Ai ka qëndruar për më shumë se 12 orë në zyrë, i mbyllur mbi këtë dosje, duke pritur lajmet, se si kishte shkuar arrestimi i Feçor Shehut. Por pjesa më tragjike e shënuar në proces-verbalin e pyetjeve, për gati 30 ditë të Feçor Shehut, (kushëri i parë me Mehmet Shehun), është se, ai nuk pranoi asnjë prej akuzave. Tortura në adresë të tij, ka zgjatur për 8 muaj rresht, deri në fund të shtatorit 1982. Ai ka mundur të mbijetojë me plagë shumë të rënda në trup, deri më 18 tetor 1982, kur ka mbërritur urdhri i Enver Hoxhës, për ta pushkatuar.

Në mënyrë të padiskutueshme, mund të thuhet se; Feçor Shehu ka qenë e vetmja viktimë e diktaturës komuniste që, nuk e ka pranuar akuzën, nuk ka pranuar të flasë dhe nuk është thyer nga torturat çnjerëzore. Ai ka jetuar për gati tre muaj, i lidhur këmbë e duar dhe me skafandër në kokë. Dosja e Feçor Shehut, ndodhet e plotë dhe me shumë detaje, në arkivin sekret të Ministrisë së Brendshme. Në këtë dosje, janë me detaje të gjithë dëshmitarët që, janë paraqitur në hetuesinë e tij me dyer të mbyllura, në Burgun 313 në Tiranë.

Mbi 30 fotografi të Feçor Shehut të vdekur, ndodhen në Dosjen Nr. 912, në këtë arkiv. Këto fotografi dhe një pjesë tjetër, kanë qëndruar për gati 10 ditë në zyrën e Enver Hoxhës. Për Feçor Shehun dhe 21 anëtarët e tjerë të “grupit armiqësor” të tij, ekzistojnë dhe katër kaseta filmike. Këto kaseta filmike, kanë kaluar disa herë në filtrin e Enver Hoxhës. Ai personalisht, është kujdesur që, çfarë të pritet nga regjistrimet e hetuesisë dhe gjyqit me dyer të mbyllura të Feçor Shehut dhe të 21 të arrestuarave të tjerë.

18 mars 1982

Më datën 18 mars 1982, janë arrestuar 18 pjesëtarë të tjerë të “grupit armiqësor” të Mehmet Shehut. Në krye të listës kanë qenë: Kadri Hazbiu dhe Llambi Ziçishti, në atë kohë ish-ministër i Shëndetësisë. Enver Hoxhës, në kaseta filmike, i çohej në zyrë e tërë procedura e arrestimit të grupit armiqësor. Enver Hoxha, që nga data 18 dhjetor 1981, deri në fund të nëntorit 1982, është marrë pothuajse çdo ditë me dosjet e “grupit armiqësor” të 21 zyrtarëve të lartë, me në krye Kadri Hazbiun dhe Fiqirete Shehun. Akuza në adresë të Kadri Hazbiut, ishte e njëjtë me atë të Mehmet Shehut, Fiqirete Shehut e Kadri Hazbiut.

Nga 21 të arrestuarit e grupit armiqësor, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti, Feçor Shehu dhe Kadri Hazbiu, janë dënuar me pushkatim. Por asnjeri prej tyre, nuk u thye në hetuesinë e Enver Hoxhës. Vetëm në fund të muajit shkurt 1982, kur Fiqrete Shehu, mësoi vdekjen e djalit të saj, për të shpëtuar dy djemtë e tjerë, bëri gjoja sikur e pranoi akuzën. Menjëherë janë bërë kaseta filmike, me pyetjet e Fiqirete Shehut.

Në këto kaseta, ka shumë montime. Në zyrën e Enver Hoxhës, materiali ka shkuar i montuar, ndërsa ishin hequr pjesët më të dhimbshme. Në këto kaseta, Fiqrete Shehu, ishte e filmuar në qelinë 101, në katin e pare, të Burgut 313. Përreth tetë orë pyetje-përgjigje, Fiqrete Shehu, ka shpjeguar, gjithmonë sipas kasetave të filmuara, se është agjente. Por pjesa më e dhimbshme dhe që ndryshoi tërë rrjedhën e ngjarjeve, ishte vdekja e Fiqrete Shehut në burg, në mënyrë krejt të papritur. Janë bërë me qindra fotografi, të kufomës së Fiqrete Shehut, në qelinë e burgut.

Ka një proces-verbal të plotë në lidhje me vdekjen e papritur të Fiqrete Shehut dhe një akt-ekspertizë të firmosur nga tre mjekë dhe tetë hetues. Këta fashikuj, ndodhen të ruajtur me shumë kujdes. Një pjesë e fotografive, janë djegur, ndërsa rreth 20 fotografi të Fiqrete Shehut, të vdekur, janë montuar në fletët e formatit në fashikullin III, të dosjes së saj hetimore.

Ish-zyrtari i Sigurimit: Si u tjetërsua Fiqirete Shehu, gjatë hetimeve…?!

Pranon të flasë me të vetmin kusht, për mos u identifikuar me emër. Është një nga zyrtarët e policisë sekrete, që ka ndjekur nga afër procesin e gruas së ish-kryeministrit të vetëvrarë dhe dëshiron pas kaq vitesh, të zbardhë metamorfozën, që ka pësuar e veja e kryeministrit.

Rrëfimi i tij është i thjeshtë, po gjithsesi tronditës. E prangosur vetëm 20 ditë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Fiqrete Shehu dhe i biri, Skënderi, sipas ish-zyrtarit të policisë sekrete, nuk pranuan në mënyrë kategorike të bashkëpunonin me hetuesinë, për të zbardhur rrethanat e aktit fatal të 17 dhjetorit.

Të ardhur në burgun e Tiranës nga Belshi i Elbasanit, ku ishin internuar, menduan t’a sfidonin drejtësinë e kohës me heshtje totale. Por kjo, nuk do të zgjaste shumë. Pas arrestimit të djalit tjetër të Mehmetit, Bashkimit dhe vdekjes në kushte të dyshimta të vëllait të madh, Vladimirit, i transferuar në Gramsh familjarisht, vijon njeriu i ish-Sigurimit, ata do t’i përgjigjeshin organit të akuzës, duke pranuar të nënshkruajnë pa hezitim, gjithçka nga akt-akuza e hartuar në zyrat e Sigurimit të Shtetit.

Kjo gjendje tronditëse do ta bënte të venë e kryeministrit të vetëvrarë, të ligjëronte jashtë vullnetit të saj, se; Mehmet Shehu, prej vitesh kishte qenë agjent i UDB-së, CIA-s, zbulimit jugosllav, atij britanik etj. Ndërkaq, Skënderi, i biri, që kishte kryer studimet pasuniversitare në Suedi, do të pohonte se, ishte gjendur aty, jo thjesht për një diplomë, por për të kryer ndërlidhësin e të atit, me agjenturat perëndimore.

Këto dhe mjaft dëshmi të tjera, të rreshtuara kronologjikisht, do të shkonin fillimisht njerëzit e drejtësisë, mandej edhe pjesën tjetër, që do t’i dëgjonte nga kaseta e nxjerrë nga burgu i Tiranës. Fiqirete Shehu, rrëfente komplote pas komplotesh fantastikë, të llogaritur nga bashkëshorti i saj dhe të tjerë, vetëm që të hiqnin qafe Enver Hoxhën.

Fliste lirshëm dhe akuzonte tërë lidershipin e Sigurimit të Shtetit, si armiq të betuar sipas një skeme të përsëritur rëndom, seancë pas seance, sa shpejt lindën dyshime se, thjesht po lexonte ato që i kishin mësuar. Më tej, pati një hipotezë se ajo, bënte gjithçka, vetëm me qëllim që të shpëtonte pjesën tjetër të familjes, fëmijët. Por kjo nuk ndodhi, përmbyll ish-oficeri i Sigurimit…!

“Tani që Mehmeti iku, duhet të bësh çmos për të ruajtur pjesën tjetër të familjes dhe djemtë”.

Fiqrete Shehu, e veja e ish-kryeministrit më jetëgjatë të vendit, mori përsipër t’i përgjigjej “paktit” të Sigurimit të Shtetit dhe Hetuesisë, vetëm në shkëmbim të lëshimeve ndaj të afërmve të saj. Pavarësisht dyshimeve për korrektësinë e kësaj marrëveshjeje të fshehtë, ajo nuk u rezervua për të interpretuar çfarë i diktuan, ndërkohë që ishte e bindur se, ishte shkërmoqur gjithçka nga lavdia dhe meritat e të shoqit dhe familjes së saj.

Jo rastësisht, e veja e kryeministrit, ishte përzgjedhur si faktori kyç, për të kryqëzuar Kadri Hazbiun, liderin komunist, ndër më karizmatikët e figurën më besnike të shfaqur deri në atë periudhë. Në rrëfimin e gjatë, para trupit gjykues, Fiqrete Shehu, shtjellon për orë të tëra, profilin e veprimtarisë agjenturore, të ish-ministrit të Brendshëm, duke e argumentuar me fakte e dëshmi konkrete. Në vazhdim të denoncimit ndaj Kadri Hazbiut dhe veprimtarisë së tij, ajo shpalos një sërë ngjarjesh, rreth përpjekjeve të ish-ministrit të Brendshëm, për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Bashkimin Sovjetik, pas vdekjes së Hrushovit, më saktë, ato që ka dëgjuar nga tregimet e bashkëshortit.

Madje, siç shprehet gruaja e ish-kryeministrit, Kadri Hazbiu, bashkë me Mehmet Shehun, kanë bërë ç’është e mundur që vendimi politik i Tiranës në vitin ’60-të, mos të shkonte te divorci. Njëherazi me angazhimin e ish- kreut të Sigurimit, për të shkrirë akujt mes Tiranës e Moskës, Fiqrete Shehu, qartëson rolin e veçantë të Nesti Nases, ish-ministër i Jashtëm, i cili në atë periudhë, bëri të pamundurën me diplomatët sovjetikë, për rivendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve. Fokusi i kësaj historie, zë pasazhe të tëra në dëshminë e të vesë së ish-kryeministrit.

Në këtë linjë, adreson ajo për Kadri Hazbiun, akuzën tjetër, që ka të bëjë me përpjekjet e fshehta të tij, për afrimin me Jugosllavinë dhe Titon, pas prishjes me BS-në. Këtë radhë, ka qenë një tjetër misionar, Feçor Shehu, që bëhet protagonist i kryqëzimit të mesazheve agjenturore Beograd-Tiranë. E kur mbaron rrëfimin e veprimtarisë agjenturore, në planin politik, e veja e kryeministrit, që ka vënë në shenjë Kadri Hazbiun, zbulon një episod të panjohur më parë, i cili ka të bëjë me bashkëpunimin e tij me Mehmet Shehun, për nxjerrjen nga burgu të agjentëve amerikanë, me amnistinë e vitit ‘53.

Si gjithnjë, rrëfimi i zonjës së ish-kryeministrit, i referohet kujtimeve nga bisedat me bashkëshortin. Madje edhe komentet që bën në proces, për faktet që penalizojnë ish-ministrin e Brendshëm, janë pjesë e argumenteve që ka mësuar, gjatë debateve me Mehmet Shehun. Për të, Kadri Hazbiu, në mënyrë tinëzare e të pabesë, ka përcjellë tek Enver Hoxha, në shtator ’81, mesazhin e UDB-së, për fejesën e djalit të tyre, me Silva Turdiun, me qëllim kryqëzimin e tij, me biografinë e keqe të saj…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/gjate-bisedave-me-fiqreten-ne-burg-per-nexhmije-hoxhen-dhe-gruan-e-ramiz-alise-ajo-me-tha-deshmia-e-rralle-e-gruas-qe-ndau-qeline-ne-zejmen-me-te-vene-e-mehmet-shehut/