“Fiqreti me djemtë i binin poshtë e përpjetë botës, duke bërë takime me agjentë, por çështja e Feçorit, Llambit dhe Mihallaqit është…”/ Akuzat e Hajredin Çelikut në Byro, tetor ‘82

Dashnor Kaloçi

Pjesa e tridhjetë e tetë

Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

                                                          Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                           TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                             PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

  1. Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
  2. Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Së dyti, sipas arsyes së parë këtu, do të dilnin dhe pazotësitë tuaja për t’ju dhënë drejtim çështjeve. Prandaj ato ngjarje dhe denoncime ju, i quanit shpeshherë “të parëndësishme”, “të vogla”, “të rastit”, në një kohë kur shoku Enver, në 15 Prill të vitit 1975, për këto çështje, tërheq vëmendjen dhe thotë: “Këto mijëra veprime të vogla, të dënueshme që kanë ndodhur në fusha të ndryshme, janë pjesë përbërëse e së madhes e cila në një mëngjes shpërthen në qiellin e kaltër, në rast se Partinë dhe Popullin i zë gjumi”.

Unë theksoj se në këtë drejtim, gjumi i organeve të MPB-së që ju drejtonit dhe i juaji në veçanti, përfituan armiqtë që kishe rreth e rrotull, të cilët ngjallnin eufori me qëllim të paracaktuar se tek ju: “gjendja ishte e shëndoshë”, etj., për të ulur sa më shumë vigjilencën revolucionare. Dobësia që ka penguar organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në zbulimin e veprimtarisë armiqësore, siç thonë me të drejtë shumë vetë, ka qenë familjariteti i ngushtë dhe vetëkënaqësia e madhe që gjoja ata, paskan pasur meqë kanë zbuluar puçistët dhe sabotatorët në Art-Kulturë, Ushtri, Ekonomi, etj., kur dihet botërisht se ato grupe i zbuloi Partia dhe shoku Enver.

Siç thamë, vetëkënaqësia e tepërt i bën njerëzit tanë që të humbin vigjilencën revolucionare. Në drejtim të familjaritetit, ku bëhet fjalë për familjaritetin e sëmurë të gjithë e dimë se shoku Enver disa herë, ju ka tërhequr vëmendjen për kërkesën e fortë të llogarisë në punën e njëri tjetrit dhe kontrollin e pakët. Nga këto, si dhe nga disa të dhëna e karakteristika të tjera që dalin tani për këta agjentë, siç është çështja e imoralitetit (Feçori, Llambi, Mihallaqi, etj.) ka përfituar armiku, për t’i bërë këta agjentë të tij.

Këto shfaqje, nëse Kadriu nuk i dinte dhe shumë keq që nuk i dinte e nuk jua ka vënë në dukje vartësve, prapë dhe kjo është e palejueshme dhe e dënueshme, sepse neve nuk na lejohen shkujdesje e naivitete të tilla politike, siç thotë Stalini, sa të mos arrinim të diktonim në kohë ujqërit e veshur me lëkurë qingji. Armiqtë e tjerë që qëndronin, rreth e rrotull krye-agjentit Mehmet Shehu, siç ishin dhe Fiqreti me djemtë e tyre, që i binin poshtë e përpjetë botës, duke bërë takime me agjentura të ndryshme, si dhe Feçori, Llambi, Mihallaqi, etj.

Ju, thoni se keni ndjekur apo dhe se keni marrë pjesë vetë në disa seanca hetimore të puçistëve. Mirëpo çfarë nxorët ju nga kjo?! Atë që po na del sot, nuk e nxorët dot?! Po, si ti themi ne kësaj?! Trajtim i cekët, pazotësi, apo çfarë?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Tradhti.

SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Këtë, t’ja thuash vetë Partisë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Tradhti, po jo nga unë.

SHOKU ENVER HOXHA: Si e thatë?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Tradhti është kjo shoku Enver, por jo nga unë. Ishin të tjerët që më tradhtuan mua, që i patën vënë ata në pozitat që të mos flisnin, kështu që edhe mundi im shkoi kot. Unë kështu e gjykoj këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë ti, nuk e merr përsipër fajin që ke?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë t’i kem manipuluar ato?! jo.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po ti, thua vetë, që ke punuar ditë e natë me ta?!

SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Thua që ke qenë në hetuesi, atëherë si i ke lënë gjërat në mes?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, kam punuar. Ja, le ta thotë shoku Hekuran që kam punuar.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po, ç’më thua mua për këto gjëra, ti i di vetë më mirë se unë këto punë.

SHOKU ENVER HOXHA: Pohoje shoku Hekuran, se do flasin të tërë.

SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Këtë, duhet të na e thoni ju. Unë mendoj se ju, nuk duhet të shkonit atje vetëm si dëgjues i thjeshtë, por për rëndësinë e madhe që kishte kjo çështje, të përgatiteshit në mënyrë të tillë, që ta zhbironit më mirë koracën e tyre. Stalini me të drejtë, i quan njerëzit si ju, të shkujdesur e të verbër politikisht. Por edhe shpirtbutë, syleshë, e naivë, sepse njerëz të tillë, harrojnë disa mësime shumë të rëndësishme të cilat, nuk duhet t’i harrojë asnjeri.

Për këto, tërheq vëmendjen dhe shoku Enver, dhe konkretisht rrethimin kapitalisto-revizionist të vendit tonë, rrethim ky që përbën një rrezik real për vendin tonë nga i cili, nuk duhet të presim vetëm agjitacionin dhe propagandën për të liberalizuar jetën tonë politike, ekonomike, shoqërore, dhe ushtarake, por edhe dërgimin në fshehtësi të spiunëve, agjentëve, banditëve, terroristëve, dhe sabotatorëve, të cilët shpesh me teserën e Partisë në xhep, marrin si detyrë që të futen në forumet e Partisë e të Shtetit, ashtu edhe në bazë, për të bërë çdo lloj poshtërsie e ndyrësie, duke mos u ndalur as përpara spiunazhit në shërbim të shteteve armike deri në sabotimin dhe tradhtinë e hapur ndaj atdheut.

Dihet se shtetet borgjeze, dërgojmë në prapavijat e njëri tjetrit spiunë, agjentë, sabotatorë, e vrasës, dhe ata futen me detyrë në institucionet dhe ndërmarrjet e të tjerëve, të krijojnë atje rrjetin e vet dhe në rast nevoje, t’ju hedhin në erë prapavijat, me qëllim që të dobësojnë dhe shkatërrojnë fuqinë e tyre. Atëherë, si keni punuar ju për zbulimin dhe asgjësimin e këtyre spiunëve dhe agjentëve që na dolën?!

Faktet tregojnë se kjo përgatitje, nuk ka qenë në lartësinë e detyrave që ju ka dhënë Partia, populli, dhe shoku Enver, dhe nuk mbajtët parasysh as fjalën e urtë të popullit: “Uji fle, e hasmi s’fle”?! Dhe në këtë rast, armiqtë kryesorë janë imperializmi amerikan dhe social imperializmi sovjetik dhe ato mbështetën në tre foletë e tyre, në zbulimin jugosllav, italian, dhe grek, fqinj të vendit tonë.

SHOKU ENVER HOXHA: Pa na e lexo, pak gjithë këtë tirandë të gjatë?!

SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: (E përsërit edhe njëherë këtë pjesë). Si konkluzion, them se ju që punonit në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ju janë dhënë në dorë kapot e komplotistëve të cilët, kanë pasur sigurisht dhe kokën e tyre kryesore, por edhe duart e këmbët e tyre në organet e Partisë e të Shtetit dhe në bazë. Në këtë drejtim me gjithë porosinë dhe ndihmën e dhënë, mendoj se ju nuk mundët të organizonit as zbulimin, dhe as asgjësimin e tyre.

Për rrjedhim më pas gjithçka u rrokullis kaq shpejt saqë padroni i tyre kryesor i tyre (komplotistëve), e humbi durimin dhe kërkoi nga koka kryesore (Mehmet Shehu), e bashkëpunëtorët e tij kryesorë, që të vepronin, duke rrezikuar kështu nga tolerimi dhe naiviteti juaj deri dhe jetën e Udhëheqësit kryesor të Partisë sonë, dhe të gjitha fitoret e socializmit të popullit shqiptar, lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Prandaj keni një përgjegjësi shumë të rëndë që, nuk keni zbuluar këta armiq sipas detyrave funksionale që ju ishin ngarkuar.

SHOKU HEKURAN ISAI: Vetëm aftësinë e mungesës organizuese dha ai.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, ai nuk e shpjegoi dot, por ne nuk kemi fjetur. Aq sa kemi ditur, kemi luftuar, shoku Hajredin.

SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Po ashtu mendoj edhe unë, se përsa i përket organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vendit tonë, me atë të sovjetikëve dhe të vendeve të tjera revizioniste, pavarësisht si e qysh filluan, ato u zgjeruan dhe ju duhet të kishit informuar mirë e mbajtur në dijeni shokun Enver, madje mund, por edhe duhej që t’i bënit ndonjë sugjerim apo propozim atij, pavarësisht se në rrugë shtetërore, vinit në dijeni armiqtë Beqir Balluku e Mehmet Shehu.

Dhe ca më tepër për disa çështje që siç thoni ju, bënin përshtypje të veçantë. Ju, duhet të dilnit dhe me propozime shokut Enver, se si e qysh të përsoseshin më tepër këto marrëdhënie, në favor të vendit tone, aq më tepër kur u nuhat puna e Hrushovit me Titon, kur ky i pari i vajti këtij të fundit për vizitë në Jugosllavi. Duke pasur marrëdhënie jo të drejta e jo të barabarta me sovjetikët, për bashkëpunimin në fusha të ndryshme të veprimtarisë së Ministrisë së Brendshme, mendoj se edhe kështu, janë dëmtuar mjaft interesat shtetërore të vendit tonë sepse, ata na kanë marrë sekrete të atilla që nuk duhet ti merrnin, madje dhe në mënyrë legale.

Të gjitha këto faje dhe përgjegjësi, bien mbi ju. Pavarësisht se ju si ministër në rrugë shtetërore, kishit lidhje me armiqtë Mehmet Shehu e Beqir Balluku, si anëtar i Byrosë Politike, siç e theksoni dhe vetë, ju kishit mundësi që të informonit shokun Enver nga i cili, sigurisht që do të ndihmoheshit më shumë për t’ju vënë mjaft çështjeve pikat mbi i, për të zbuluar kështu veprimtarinë armiqësore të këtyre agjentëve të kamufluar. Por ju nuk e bëtë këtë as atëherë në vitin 1975, sepse, do ju dilte në pah përgjegjësia juaj.

Unë sipas pyetjes që bëra, dyshoj se duke ju dhënë sovjetikëve materiale zyrtare por të pa miratuara nga Byroja Politike, pas një farë kohe ata mund të të kenë kompromentuar ty, dhe të të kërkonin dhe dokumenta të tjera të rëndësishme që do të dëmtonin rëndë interesat e Partisë dhe Popullit, duke e kthyer Sigurimin e Shtetit, në një degë të KGB-së. Përsa i përket problemit se shoku Prokop, në mitingun e Pezës, ju paraqiti si anëtar i Byrosë Politike dhe jo si Ministër të Mbrojtjes, mendoj se nuk kishit arsye që të shqetësoheshit aq shumë pasi, kjo tregon mendjemadhësinë tuaj, gjë që u tregua dhe me fjalët fyese që i adresuat shokut Prokop.

Për të gjitha këto faje e gabime ne, nuk mund të të falim siç tha shoku Enver pasi, këto të tuat nuk janë gabime të vogla, por faje shumë të rënda. Prandaj, jam dakord me propozimin e shokut Simon që, të përjashtoheni nga Byroja Politike dhe nga Komiteti Qendror i Partisë, njëkohësisht dhe të shkarkoheni nga posti i Ministrit të Mbrojtjes Popullore.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Mendoj se materiali që ka dërguar shoku Kadri, nuk mund të quhet autokritikë, por një përgjigje e përciptë me nënkuptime e presione të ngjarjeve që lexuam në këto materiale. Mendoj se, qëllimi i autokritikës së tij, duhej të ishte zbërthimi i gabimeve të bëra, ku e kanë ato burimin politik e ideologjik, meqenëse janë janë gabime politiko-ideologjike.

Në autokritikë, bie në sy fryma e theksuar e mendjemadhësisë dhe besimi i tepruar në vetë vete. Kur nxirren konkluzione të gabimeve, mendoj se çdo veprimtari armiqësore e madhe apo, e vogël qoftë ajo, është zbuluar vazhdimisht nga Partia. Në autokritikë e aq më tepër në konkluzione, Byroja Politike ka nevojë që të nxjerri pse-të, përse janë bërë këto gabime dhe jo për konkluzione të tilla, sipas të cilave organet e Sigurimit të Shtetit, kanë punuar dobët, siç thuhet në autokritikë.

Po kush i drejtonte këto organe, dhe çfarë përgjegjësie mbani ju si drejtues kryesor, shoku Kadri?! Si është e mundur që ne të bindemi me atë autokritikë se, gabimet kanë qenë të pavetëdijshme dhe nga një formim jo i duhur, që ju është bërë?! Ne, ju njohim juve për këtë formim, prandaj ç’doni të thoni ju me këtë që, keni qenë viktimë e komplotit?! Jam viktimë e komplotit thoni ju, dhe s’kam asnjë lidhje me veprimtarinë armiqësore. A mundet me një autokritikë të tillë, të bindemi ne për sa thoni ju?!

Unë e kuptoj që në vitet e para pas çlirimit, kishim nevojë për këshilltarët e Stalinit, për të ndihmuar kuadrot tona kryesore. Po veçanërisht, në autokritikën tuaj si anëtar i Byrosë Politike, atë që thoni pas vitit 1960, nuk mund ta kuptoj. Atëherë pse u donte që në vitin 1959, t’ju dërgonit gjithë ato dokumenta sekrete KGB-së?! Po ashtu unë nuk arrij ta kuptoj, që ju si ministër i Brendshëm për afro 30 vjet, të mos e keni kuptuar këtë komplot kur në të ishin implikuar të gjithë vartësit e tu?!

Vetëm me përgjigjen që: “Nuk më kujtohet nëse i kam dhënë urdhër Llambi Peçinit, të nisë letrat e dhjetorit të vitit 1959”, me kujtesë të dobët dhe me fjalë ekuivokë ne, nuk bindemi për këtë punë. Ti, thua që në ministri, ishte formuar një familjaritet i sëmurë, se armiqtë krijuan eufori, duke më thënë se nuk ka se ç’bën më Ministria e Punëve të Brendshme, se i ka bërë të gjitha përpjekjet, pra me këtë autokritikë ne nuk kuptojmë asgjë.

Ashtu siç na porosit shoku Enver, duhet të jemi vigjilent ndaj armiqve të jashtëm e të brendshëm, por unë them se ju keni menduar se jeni i imunizuar nga ndikimi i tyre. Mesa duket ju keni harruar që të zhvilloni në mënyrë konsekuente luftën e klasave. Mendjemadhësia, të çon ty në gabime politike e ideologjike, ajo të bën që çështjet dhe problemet të mos i gjykosh të lidhura me njëra tjetrën, ndërsa në autokritikë ju thoni se disa probleme i kam kapur po nuk i kam trajtuar si duhet për zbërthimin e tyre. Memorie.al

                                                    Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/fiqreti-me-djemte-i-binin-poshte-e-perpjete-botes-duke-bere-takime-me-agjente-por-ceshtja-e-fecorit-llambit-dhe-mihallaqit-eshte-akuzat-e-hajredin-celikut-ne-byro-tetor/