“Feçor Shehu nxorri jashtë N., e cila takoi të dashurin e saj në Patra dhe ajo kishte shoqe të ngushtë K.P., mike e Feçorit, mjeke te lagjia…”/ Letra e Mark Dodanit, për Hekuran Isain, në ’82-in

Nga Dashnor Kaloçi  

Pjesa e tretë

Memorie.al / Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, dhe si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore, që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.

Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSh-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Poliike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së për propagandë, artin dhe kulturën), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gadrdës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Halil Zeneli (ish-kolonel i Sigurimit dhe kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe), Ilo Manushi (oficer madhor dhe shefi Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Xhemal Bejto Fasllia, (ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme), Ibrahim Kubati (ish-kuadër i lartë, i dënuar me burg politik, së bashku me të vëllanë, Ali Kubati, ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, shok dhe miq të ngushtë të Myslym Ketës), Mark Dodani (ish-nënkolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), etj., etj.

Nga letrat apo raport-informacionet në fjalë të dërguara në adresë të Grupit Operativ Special pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, (në vitet 1982-1983), apo personalisht ministrit Hekuran Isai, në numrat e kaluar, kemi publikuar letrat e Liri Belishovës dhe Hekuran Pobratit, kurse në këtë shkrim, kemi përzgjedhur për botim, letrën e ish-oficerit të lartë të Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Mark Dodanit, (i njohur edhe si skenarist i disa filmave të Kinostudios “Shqipëria e re” dhe shkrimtar e autor i disa librave), e cila është nxjerrë nga një dosje voluminoze që gjendet në fondin arkivor të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ai e informon drejtuesin kryesor të ministrisë së Brendshme, me detaje dhe hollësira, mbi disa nga ngjarjet më kryesore që ai ka pasur rastin të jetë vetëm prezent për shkak të detyrës, apo dyshimet që i kanë lindur për ato ngjarje dhe persona.

Si p.sh. arratisja dhe vrasja tragjike në shpellë me artileri, e kolonel Haxhi Hajdarit, (ish-deputet i Kuvendit Popullor), në 8 prill të vitit 1963, vdekja misterioze e kolonel Myslym Ketës, më 26 shkurt 1966 (ku Mark Dodani, shkruan se ishte ngarkuar nga ministrit Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu, ta eliminonte atë fizikisht, pasi ai kishte kaluar në tradhëti dhe donte tw arratisej), arratisjen në Greqi dhe misterin e vrasjes së Izet Osmanit, bashkëpunëtorit të Kundwradmiralit tw Flotws ushtarake Detare, gjeneral-major, Teme Sejkos, disa prej kombinacioneve që Kadri Hazbiu kishte bërë me agjenturën greke në Jug të vëndit, ku implikohej edhe sekretari i Kadri Hazbiut, Xhelal Shaqiri, që u burgos dhe u lirua më pas nga Feçor Shehu, etj. etj. Për më shumë rreth këtyre, na njeh letra në fjalë e Mark Dodanit, që publikohet për herë të parë (bashkë me faksimilen përkatëse), dhe në disa numra, nga Memorie.al

                                                       Vijon nga numri i kaluar

DOKUMENTI ARKIVOR ME LETRËN E ISH-OFICERIT TË LARË TË SIGURIMIT TË SHTETIT, NËNKOLONEL MARK DODANI, DËRGUAR MINISTRIT TË BRENDSHËM, HEKURAN ISAI, NË VITIN 1982

              Ministrit të Punëve të Brendshme

                      Shokut Hekuran Isai

                             Tiranë

                I dashur shoku Hekuran

Për “Dragobinë” ish-prokuror në Prishtinë, S.D., e thonë emigranti i ardhur nga Jugosllavia (më duket nga viti 1954), është problem që e din Kadri Hazbiu. “Dragobinë”, e kam tërhequr në shërbim unë me shokun Petrit Hakani, në Vlorë. “Dragobia” u zbërthye siç konkluduam ne plotësisht. Dha mënyrën si e kishte rekrutuar UDB-ja, si e kishin pajisur me mjete për të mbajtur në lidhje. I kishin vënë ndër supe të xhaketës dy pece të pambukta, njëra do të bëhej solucion për të shkruar, tjetra për të deshifruar.

Patëm menduar të bënim kombinacione në drejtim të ambasadës jugosllave. Nga ministria (nga lart), nuk na u lejua, sepse mund të binim në provokacione. Ndërkohë “Dragobia”, njihej personalisht me Kadri Hazbiun. Ky, para meje, e pati vlerësuar të mirë. Nga përbërja politike, familjarisht çmohet i mirë. Raportoi materiale të vlefshme, në drejtim të disa objekteve. Ka dosje, banon na Berat, më duket në pension. Me ka çuar fjalë se, në këtë situate, ka dëshirë të më takojë, ndoshta ka gjë për Kadri Hazbiun, meqenëse ky njihej me shumë kosovarë, ndërkaq me “Dragobinë”, siç mbaj mend nga ky, ka qenë takuar e ka patur biseda në disa raste.

Në vazhdim të kësaj, përfitoi nga rasti të vë në pah, që në kohën e ardhjes së Hrushovit në Beograd, emigrantët kosovarë u tërbuan. Flisnin hapur për tradhti nga ana e sovjetikëve, përderisa Hrushovi, shkoi në Beograd. Në këtë situate, u çuan kosovarët dhe rrahën keqas disa malazez e serbë, me banim në Llakatund. Më thirri Rxhep Kolli, më porositi të kisha kujdes, se legata jugosllave, kishte krijuar mendimin që unë; nxisja kosovarët për të rrahur serbe e malazezë. Qeshëm me Rexhep Kollin, se dihej që unë, as shokët e mi, nuk bënim një gjë të tillë

Teksa raportuam nga Vlora, se kosovarët donin të vrisnin personelin e ambasadës dhe të digjnin makinën e tyre, po qese do të shkonin në takim me emigrantët në Llakatund dhe në Vlorë, Kadri Hazbiu, çoi urdhër që t’i dilja përpara veturës së ambasadës, të bëja takim me përfaqësuesit dhe t’u afroja ndihmën për sigurimin e tyre fizik. Ndërkohë, do t’u thonim troç, se; kosovarët mendonin t’i vrisnin. Mungesa e sigurimit, mund të çonte në ndonjë të papritur.

Bashkë me Punëtorin Operativ, Tajar Muharremin (sot pensionist në Fier), i dolëm përpara veturës jugosllave dhe biseduam me dy prej tyre, që ishin në veturë, e mbaj mend që njeri quhej Vojo, ishte me mustaqe dhe njihej, tjetrit, ja kam harruar emrin, veçse me kujtohet mirë që u trembën shumë. Gjatë rrugës, i siguruam vërtetë.

Ndërkohë nga ministria, pikërisht në këto situate, na u dha urdhër asokohe, që të pushonin çdo masë kundër objekteve në drejtim të Zbulimit Jugosllav, sidomos për emigracionin. Emigrantët që donin të iknin në Jugosllavi, të shkonin, kjo mvarej nga vendimi që do të merrte individualisht secili. Forcërisht, nuk do t’i dërgonim, megjithëse diheshin disa raste (nuk mbaj mend emra), që me urdhër të Kedri Hazbiut, i kemi përcjellur tej kufirit. Ata që janë dërguar forcërisht, mund të gjenden lehtë, se ka mjaftë emigrantë këtej të stabilizuar të cilët, i mbajnë mirë mend emrat e tyre.

Për një N. ose T., siç thërritej në bisedat, më kujtohet (më duket nga vitet 1958-1960), se u arratis. Doli çështja që ish- Drejtori i Drejtorisë Punëve të Brendshme, Tiranë, Feçor Shehu, kishte lejuar që e përmendura, të delte jashtë (në Algjeri më duket a në Helsinki). Më thërriti Rexhep Kolli, me sa mbaj mend, sipas porosisë së Kadri Hazbiut. Nga analiza në Drejtorinë e Tiranës, doli që për çuarjen e saj jashtë, kishte dorë Feçor Shehu.

Dosjen e N. a T., së cilës tani nuk ia kujtoj mbiemrin, ja dorëzova Zbulimit, pasi Rexhep Kolli mbajti shënime për të relatuar lart, ndoshta te Kadri Hazbiu, ose Mihallaq Ziçishti. Në bisedë me Rexhep Kollin, është theksuar që Feçori, e dërgoi jashtë atë, N. Bile mua, më vajti mendja se mos ishte ndonjë kombinacion i Zbulimit, por nuk i rashë më gjatë.

Në dosje kam bërë informacionin me shkrim më tepër me theks profesional, ama aty del se si u arratis, se si ishte takuar me “——-“ e saj, në Patra të Greqisë, etj. Di që N., ka patur shoqe një studente, e cila quhet K.P. Kjo njihej në marrëdhënie miqësie, me Feçor Shehun. K. P., është mjeke dhe tani punon në lagjen Nr.4.

Në kohën e veprimeve të Grupit Special, më kujtohet një rast, që them se ka vlerë të evidentohet, në adresë të Idriz Seitit.

Ishte viti 1949, më duket andej nga muajt e verës (me falni që datë nuk i precizoj dot, por dhe këto mund të gjenden se ka dokumenta në arkiv. Aty ndodhet një bllok i kuq, i shkruar nga unë, shtypur me makinë, me 150, e më tepër faqe).

Idriz Seiti, duke qenë përgjegjës i grupit tonë special, që sapo filluam të lidheshim me bandat, në këtë rast në zonën Gramshit, më detyroi që shënimet që mbaja, t’i digjja, se gjoja del sekreti. Në atë kohë dhe unë e quajta me vend, mbasi e kundërshtova, por pa sukses. Ndërkaq, nga lidhja në lidhje, përmes bazave dhe ndonjë të arratisuri në zonën e Gramsh-Dusharit, arritëm të bimë në gjurmët e Hamit Matjanit, e të tjerë.

Hamitit i kërkuam takim ditët që prisnim të takoheshim dhe që sipas planit tonë, ose do ta kapnim gjallë, ose do ta vrisnim, erdhi një telegram (përmes radios tonë transmetuese), që Idrizi, të nisej urgjent për në Tiranë, duke lënë një detyrë aq me vlerë, siç ishin lidhjet që po krijonim me banda të rrezikshme si ajo e Hamit Matjanit, Terik Kokës, Demo Tatanit, e të tjerë. Mbetëm në krye të grupit, unë dhe Hakuran Pobrati. Hamiti, për mungesën e Idriz Seitit, do të mendonte sipas legjendës tonë.

Idrizi, njihej si një “profesor” dhe të tillë pati pseudonimin. Duke patur në grup edhe legjendën e pranisë së të birit të Gjon Marka Gjonit (kryebandit mirditor) u realizua takimi i tërthortë me Hamit Matjan përmes një Musa Kullolli dhe Nuhamet Guri. U këmbyen paketa cigaresh Hemiti dërgoi një “Papastratos” grupi iu përgjigj me një “Çesterfilld” që mbaheshin si fond kombinacionesh nga grupi.

Pikërisht një çast si ky, Idriz Seiti pranoi të largohej shpejt e shpejt, pikërisht tani që sapo nisi të ndjehej shija e realizimit në praktikë të këtyre kombinacioneve. Me shkon mendja të them, se dikush (Mehmet Shehu a Kadri Hazbiu), bënin një politikë personale me Idrizin. Ndryshe, si mund të hiqej nga një shërbim aq i veçantë, siç qe puna në grupin special dhe në një çast si ai, kur po krijoheshin lidhje interesante, si ajo lidhja me Hamit Matjanin, e të tjerë si ai?!

Mbi çështjen e Lekë Berishës dhe ndonjë gjë e tillë, e ngjashme, di që Leka ishte vrarë, si rrjedhim i veprimeve koçiste më 1948. Këtë e kam pasë thënë unë dhe ndonjë shok tjetër, që në atë kohë. Në mes të tjerave (di veç veten time), që ka folur hapur A.P., Veliko Xhaferri (oficer pensionist Tiranë). Velikua në atë kohë, ishte në Pukë.

Për Lekë Berishën, kam patur rastin të informoj Partinë, që në atë kohë. Tani së fundi, në kujtimet personale për shokun Hysni, kam dërguar mbresa në Komitetin Qendror. Kam shtjelluar në ato kujtime (dërguar më 10 tetor 1979), edhe çështjen e Lekë Berishës, të cilin Puka, e ka shpallur dëshmor.

Në këtë kujtesë drejtuar Komitetit Qendror, kam dhënë hollësirat që dija, pa përmendur emrat e shokëve që kanë punuar në Sigurim, në Pukën e asaj periudhe, të cilët janë marrë me kombinacionin e vrasjes së Lekës. Për këto emra, nuk më ka pyetur askush, sepse dihen (ashtu siç është i njohur H. A., për vrasjen në atë kohë të një oficeri dibranë, që kishte të bënte me shokun Haxhi Lleshin.

Unë nuk kam biseduar kurrë me ata që vranë Lekë Berishën, se nuk më takonte, por çështja ka qenë bërë e qartë, me sa di unë. Po të jetë nevoja, jam gati për hollësirat që njoh.

Për Kadri Hazbiun, në mënyrë të posaçme, kam dëgjuar që dhe ky kishte gabime në periudhën e koçistëve, çfarë gabimesh nuk di, veçse është dëgjuar që dhe për Kadriun, është folur keq nëpër organizata partie. Si hollësi, tani më bën përshtypje që, Mehmet Shehu, mori menjëherë në Ministri, si zëvendës Kadriun, në vend të Sadik Bekteshit, që transferuan në Ushtri. Mbaj mend gjithashtu, nga vitet 1946-’47, kur isha në Pukë shef i seksionit të Punëve të Brendshme të rrethit, që Kadri Hazbiu, paskësh bërë një veprim interesant.

Dërgoi ish-oficerin Ndue Ukaj (Engjin), nga fshati Qelëz. Ndou, kishte qenë oficer i ushtrisë tonë në Ohër, më 1945. Kadriu me shokë, e dërgon si të “arratisur” në bandat e Pukës. Se si u bë puna e këtij Ndout, ky mund të flasë vetë. Për këtë, di që jeton në Shkodër, ish-A.P.P.SH.-së, tani i përjashtuar, ka vëllanë (Nikollën) A.P.P.SH.-së, si dhe ka gruan jugosllave, nga Ohri, me disa fëmijë.

Lidhur me mbrojtjen e temës time, mbi banditizmin, nuk më del nga mendja çasti, kur në vitin 1976, paraqita në Këshillin Shkencor të Ministrisë, punimin për disertacion. Në krye të Këshillit, drejtonte në zyrën e Ministrit, ish zv-ministri, tani tradhtari kriminel, Feçor Shehu. Shumë shokë, dhanë me shkrim reçensat e tyre, të cilat folën mjaftë mirë dhe më inkurajuan për të ardhmen, si shokët; Neshat Tozaj, Gani Goxhi, Themi Bare, Rakip Beqaj, Skënder Aliko, e të tjerë. Vetëm një shok bëri do kritika të korrigjueshme, për të cilat mora shënim për t’u ripunuar. U habita dhe mbeta i zhgënjyer nga Feçor Shehu, i cili arbitrarisht, mbylli mbledhjen pa lejuar të votohej. Kjo paskësh qenë në kundërshtim me rregulloren, gjë të cilën në atë çast, unë nuk e dija.

Mendoja se Feçori kishte kompetenca, të lejonte ose mos të lejonte votimin. Edhe shokët e tjerë të pranishëm, nuk folën më tej, mbi çështjen e mbrojtjes sime. Më vonë, këtë çështje, ma sqaroi shoku Themi Bare, por unë (kur kaluan shumë ditë), nuk e pashë të arsyeshme, të nisja debat tjetër.

Mendoja se Kadri Hazbiu, do të merrte vesh dhe shpresoja se do të më thonte ndonjë gjë, mbi këtë fakt, mbasi ai hiqej sikur përkrahte krijonjësit. Në fakt, nuk u interesua askush më për fatin e këtij punimi, veç çfarë ngula këmbë vetë, duke ripunuar studimin që përmenda, se e kam arkivuar në shkollën e Ministrisë.

Feçori, në të vërtetë, ndonjë që donte, e përcolli në komision të atestimit dhe i dhe gradën shkencore, pavarësisht se nuk di të them me kompetencë, ishte ose jo e drejtë, për arsye se mbi çështjen, kanë gjykuar instancat përkatëse.

Si rast të tillë, kam mësuar për atë të ish-sekretarisë (ndihmës) të ministrit, Farudin Ponçarit. Unë nuk a paraqita më në Këshillin Shkencor, megjithëse jam përpjekur të ripregatitem përsëri, mbi temën e banditizmit, e cila ruhet në Shkollën e Lartë të Ministrisë dhe që e kanë dhënë leksion e seminar, që nga viti 1974, që kur ishte komandant Gani Goxhi, e më pastaj Muço Saliu, deri tani.

Bile shokut Hasan Leka (komisar i shkollës), i kam thënë që më kanë përsëri në dispozicion, e sa herë të lypsem. Dosjen time, sipas rregullave mbi disertantët, e kam lënë në dorë të shefit të katedrës së Sigurimit në shkollë, ndërsa variantet e ripunuar të temës, i kam depozituar në arkivin e shkollës, te shoqja e caktuar, Pandora……!

   Tirane 8.12.1982

                      APPSH, tani pensionist (of. rezervë)

                                    Mark Dodani

DOKUMENTI ME SHËNIMIN ME SHKRIM DORE MBI LETRËN E MARK DODANIT, BËRË NGA ENVER ZENELI, PËR HASAN ULQINAKUN, DUKE E UDHËZUAR QË TË SHIKOHEJ ME KUJDES TË VEÇANTË, NGJARJA E VDEKJES SË MYSLYM KETËS

Shoku Hasan

Këtë material, na e dha shoku Zylyftar, me porosi që të shikohet me kujdes të veçantë për problemin e Myslym Ketës. Ky problem, të dihet vetëm nga ju. Shtypini vetë, dhe nxirrni detyrat për ndjekje. Kalojani shokëve sipas përkatësisë. Për detyrat që mendoni të keni, hajde të bisedojmë bashkë.

 E. Zeneli

13. 2. 83

P.s. Me B.p. “Dragobia”, mora takim. Nuk kishte gjëra që na takojnë neve. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/fecor-shehu-nxorri-jashte-n-e-cila-takoi-te-dashurin-e-saj-ne-patra-dhe-ajo-kishte-shoqe-te-ngushte-k-p-mike-e-fecorit-mjeke-te-lagjia-letra-e-mark-dodanit-per-hekuran-isai/