Enveri: “Shoku Ramiz, kur Ernst Austi të pyeti, se pse vrau veten Mehmet Shehu dhe pse s’iu bë ceremoni varrimi, ti t’i thoshe, more Aust, ka ca sekrete…”/ Mbledhja e Byrosë, 15 maj ‘82

Dashnor Kaloçi

Pjesa e tretë

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj. Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.

                                                            Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 15 maj 1982, lidhur me takimin e Ramiz Alisë me Ernest Aust, kryetar i partisë marksiste-leniniste të Gjermanisë Perendimore

TAKIMI DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 15 MAJ 1982     

SEKRET 

SHOKU RAMIZ ALIA: Ne, nuk ju themi dot atyre se çfarë të bëjnë konkretisht.

SHOKU ENVER HOXHA: Por në qoftë se futen në polemikë me ne, do ju kundërpërgjigjemi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, do ju kundërpërgjigjemi.

SHOKU ENVER HOXHA: Ja, për shembull, Dinuçi u shit te sovjetikët, por ne nuk hapëm polemikë për të.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo nuk hapëm.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe mirë bëmë, pasi as ja vlente barra qeranë që të merreshim me të. Këto parti për të cilat po bisedojmë, janë më të vogla dhe kur mbajnë qëndrim të kësaj natyre, që Partia Komuniste e Gjermanisë kritikon Partinë Komuniste të Spanjës, dhe anasjelltas, kjo do të thotë të jesh plotësisht megaloman. Secila nga partitë marksiste leniniste, mund të ketë një mendim të vetin.

SHOKU RAMIZ ALIA: Në marrëdhëniet midis këtyre dy partive, fjala është për çështje taktike.

SHOKU FOTO ÇAMI: Por që spanjollët kanë shpërndarë materiale, nuk kanë bërë mirë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Duke bërë këtë, spanjollët nuk kanë vepruar drejt.

SHOKU FOTO ÇAMI: Ky veprim, është diversion.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, diversion është.

SHOKU RAMIZ ALIA: Diversion, dhe e dyta në gjykimin e çështjes konkrete, spanjollët mund të nisen nga pozitat e tyre, kurse gjermanët kanë të tjera pozita.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, pozitat mund të ndryshojnë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Si pozitat e partisë së Spanjës, janë dhe ato të Kanadasë, etj.

SHOKU ENVER HOXHA: Sigurisht, kjo është e natyrshme. Gjermania ka një zhvillim të sajin, ndërsa tjetër zhvillim politiko-ekonomik ka Spanja, dhe tjetër ka Kanadaja.

Por në disa nga këto parti, mua më duket se ekziston një prirje për të vendosur epërsinë mbi pastërtinë e ideologjisë, d.m.th., secila parti mendon se vepron mirë dhe do që të tjerët të shkojnë pas saj.

Kur Partia jonë shtron çështjet teorike rreth marksizëm leninizmit, ata teorikisht bien dakord me ne, kurse veprimet praktike i bëjnë jashtë nesh.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, është e vërtetë.

SHOKU ENVER HOXHA: Pra shkojnë me mendimin se dikush duhet të dominojë midis tyre. Partinë e Punës së Shqipërisë, theksojnë ata, nuk e diskutojmë sepse është parti në fuqi. Dhe kjo ka vijën e saj, por tani në mes nesh, kush do ta mbajë flamurin?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, ata e shtrojnë problemin se kush prej tyre, është në pozita më të shëndosha.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, për të treguar se kush është në pozita më të shëndosha, p.sh. ti Spanja apo unë Kanadaja.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, ka shumë probleme të tilla.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu është, ka shumë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo do të thotë të bësh kritika, jo partia e Spanjës vepron kështu, jo e Kanadasë ashtu, apo e Danimarkës ndryshe. Po përse, duhet t’ju bësh kritika të gjitha partive ?!

SHOKU ENVER HOXHA: Po përse, duhet bërë një gjë e tillë?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Se në fund të fundit, edhe ata kanë të drejtë që të thojnë se Partia Komuniste e Gjermanisë, vepron kështu, apo e Anglisë, vepron ashtu.

SHOKU ENVER HOXHA: Pastaj janë edhe partitë e tjera si ajo e Tunizisë, e Algjerisë, e kështu me rradhë. Dhe ndryshimet që kanë midis tyre, janë si rrjedhojë konkrete të kushteve në të cilat veprojnë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo, mendoj unë, kërkon kuptim të thellë nga ana e tyre pasi mund të bien në pozita megalomanie si ranë spanjollët.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, tek spanjollët ka prirje të tilla.

SHOKU ENVER HOXHA: Po e kanë vërtetuar ata këtë gjë. Më pak ka tek shokët gjermanë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Qëndrimi i gjermanëve, është më korrekti.

SHOKU ENVER HOXHA: Po danezët, ç’qëndrim mbajnë për këtë problem?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Austi, thotë se danezët nuk veprojnë si gjermanët, kurse Agim Popa, që ishte në Danimarkë, tha se ata zbatojnë po atë vijë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ashtu është, dhe ashtu duhet të jetë, pasi ata nuk kanë forcë dhe as mundësi, për të krijuar sindikata të tjera apo që të hedhin në erë këto që janë. Vallë, a mund të hidhen në hava, këto që janë me një të rrotulluar të çelësit?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Siç thashë Agimi, ka përshtypje tjetër. Ai thotë se informacionet që kanë gjermanët për danezët, nuk janë të sakta pasi nuk është e vërtetë që danezët kanë ato pikëpamje. Pikëpamja e danezëve është që të punojnë, me sindikatën ekzistuese dhe kjo gjë arrihet në luftë e sipër.

SHOKU ENVER HOXHA: Në punë e sipër dhe në luftë e sipër, do të bëhet transformimi i sindikatave. Mendoj se danezët nuk janë aq të paformuar sa të vënë një limit kohor për të transformuar sindakatat e tyre. Çështja qëndron këtu që kur të futesh në këto sindikata, duhet të bësh që të kesh ndikimin e partisë tënde në to.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, të krijojnë ndikimin e tyre.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe pastaj kur e shikon se gjendja, ka arritur në një situatë të atillë të përshtatshme, hidhesh në sulm, apo jo?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, shoku Enver?!

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe në këto kushte, ajo sindikatë vetvetiu dëgjon, bindet, dhe nuk i ndjek forcat e tjera, kot. Këtu nuk është fjala për titullin e sindikatës apo për emërtimin e saj, por për bindjen dhe bashkimin e saj në një front me marksist- leninistët. Dhe kjo, arrihet në mënyrë dialektike.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kur të vijë ky moment, anëtarët e sindikatave do të përkrahin më shumë, kandidatët e partisë marksiste- leniniste, dhe jo kryetarët e tyre.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo është arsyeja që forcat marksiste leniniste futen nëpër sindikata. Edhe Ernst Austi, për këtë arsye futet.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për këtë futet.

SHOKU ENVER HOXHA: Futet, apo nuk futet, për këtë qëllim?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, siç thotë ai, për këtë qëllim futet.

SHOKU FOTO ÇAMI: Nuk janë krijuar akoma kushtet që në këto vende, marksistë leninistët të krijojnë sindikatat e tyre.

SHOKU HEKURAN ISAI: Sindikatat janë forcë ekonomike.

SHOKU ENVER HOXHA: Sindikatat kanë fonde, kanë sigurime, kanë pensione. Vërtet mban shtetësinë shqiptare, gjirokastriti që banon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithatë nuk kthehet në Shqipëri, se humbet pensionin.

Këtu kam pensionin, thotë, dhe po të kthehem e humbas atë, prandaj nuk vij dot. Kështu pra nëse gjermanët dhe danezët, nuk e kuptojnë drejt çështjen që duhet të futen në sindikata, do të bëjnë një gabim të madh. Vetë realiteti shoqëror, nuk të lë të mendosh e të veprosh ndryshe.

SHOKU HEKURAN ISAI: Të krijosh sindikata të reja, pa krijuar sistemin e ri, kjo është e vështirë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po edhe sindikata të reja, duhet të krijohen, por kjo ndodh nëse ke autoritet. Ndryshe është e vështirë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Tetë milionë anëtarë, ka sindikata gjermane.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo është si me thënë, një moment shumë i rëndësishëm atje brenda, do ti jepte mundësisë partisë që ti bënte njerëzit për vete, e ti udhëheqë ata.

SHOKU HEKURAN ISAI: Antari i sindikatës ekzistuese, duhet të ketë interes që t’i pasojë marksistë-leninistët.

SHOKU ENVER HOXHA: Doemos që duhet të ketë interes. Interesi më i madh është ai i sigurimit të paqjes, i luftës kundër imperializmit, kundër armatimit. Shiko si vepron populli gjerman?! Në mënyrë pacifiste por ai e ndjen rrezikun e luftës, vetëm se këtë e bën, nën ndikimin dhe drejtimin e atyre që kanë një politikë tjetër nga ajo e forcave marksiste-leniniste.

Gjermani i thjeshtë, nuk do armatime, por nuk shkon më tutje nga përkrahja e balancimit të armatimeve. Njerëzit nuk e duan

luftën, megjithatë e ndjejnë rrezikshmërinë e saj, më shumë dhe për arsyen se nuk janë balancuar forcat. Kurse imperialistët kanë gjetur metoda të tjera, për t’i çuar popujt në luftë. Kaq gjë, e dinë ata.

Në Europë, luftohet se kush e kush të sundojë mbi njëri tjetrin, kush të futet këtu e kush të futet atje. Depërtimi në masa i sjell pastaj këto, o këtej o andej. Dhe ato, dalin në rrugë vetëm për balancimin e armatimeve, dhe paçka se e dinë që kjo është diçka e pjesshme, prapë nuk ndjekin të gjithë parullat e Partisë Komuniste Gjermane (marksiste leniniste).

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, nuk i ndjekin.

SHOKU ENVER HOXHA: Po të ishte se do të vinin në këtë përfundim, nuk i ndalon njeri që të demonstrojnë në rrugë, pasi atje ka njëfarë demokracie borgjeze, që i lejon të protestojnë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po. Në fund shoku Enver, Ernst Austi pyeti dhe për çështjen e Mehmet Shehut. Ju, tha ai, mund të mos jepni përgjigje por unë po jua shtroj si çështje. Do të të japim përgjigje, për çdo sqarim që do të kërkosh, i thashë, se këtu bisedojmë mes shokësh.

Austi, më tha se e shtronte këtë çështje, mbasi kur ndodhi kjo ngjarje, u lexua komunikata jonë, por tek miqtë e Shqipërisë dhe tek shoqatat e miqësisë, kanë dalë disa pyetje: Si ndodhi kështu?! Pse e vrau veten ai?!

Lindën pikëpyetje tek ne, vazhdoi Austi, aq më tepër që u hoqën shumë materiale të tij, siç ishte raporti që ai mbajti në Kongresin e VIII të Partisë, etj. D.m.th., menduam se kishte diçka këtu, theksoi ai, pasi edhe varrimi i tij nuk u bë me ceremoni. Ne, lexuam shtypin tuaj, por kemi lexuar edhe shumë spekulime të shtypit të huaj për këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, pati plot spekulime, për këtë rast.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ai tha, se midis të tjerave kishin lexuar (po si duket këtë nuk e kishte lexuar, por e kishte dëgjuar nga gjermanët që punojnë në radion tonë), që Partia e ka kritikuar Mehmet Shehun, për disa gabime në vijën e saj. E kishte fjalën, për problemet e tij në familje, dhe nga kjo, tha ai, Mehmeti vrau veten.

Ne mendojmë, vazhdoi Austi, që po të jetë ky fakt kështu dhe po t’ua thoshim ne punëtorëve në Gjermani, ata do ta përkrahnin Partinë e Punës së Shqipërisë dhe do thonin: “Shumë mirë veprojnë shokët në Shqipëri, pasi edhe Kryeministrin, e kritikojnë, për pikëpamje ose veprime që janë në kundërshtim me vijën e Partisë”.

Ernst Austi, dënoi aktin e vetëvrasjes, dhe e cilësoi atë armiqësor kundrejt Partisë. Por meqë komunikata nuk kishte dhënë gjë, kjo na krijoi vështirësi, theksoi ai.

SHOKU ENVER HOXHA: Ka dhe sekrete shteti, more Aust (shokët e pranishëm në takim, qeshin). Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/enveri-shoku-ramiz-kur-ernst-austi-te-pyeti-se-pse-vrau-veten-mehmet-shehu-dhe-pse-siu-be-ceremoni-varrimi-ti-ti-thoshe-more-aust-ka-ca-sekrete-mbledhja-e/