“Enveri e ndërroi disa herë fjalën dhe kur unë u ngrita të shkoja e ta kundërshtoja, Ramizi më kapi për krahu e më tha…”/ Dëshmia e panjohura të Liri Belishovës, para se të ndahej nga jeta

Nga Elisabeta Ilnica

Pjesa e katërt

Memorie.al / Ka qenë vetëm 16 vjeçe, kur e kanë pranuar anëtare të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Tiranës, pra edhe të Rinisë Antifashiste. Ndërsa një vit më pas, iu besua drejtimi i të gjithë rinisë së kryeqytetit. Në moshën 18-vjeçare, u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste të Shqipërisë dhe pak më pas, u gjend në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste. Kjo ishte Liri Belishova, që adoleshente në Luftë, humbi syrin, ndërsa pas lufte, humbi titujt që mori, humbi vajzën Drita, por edhe dy bashkëshortë, Nako Spiron e Maqo Çomon. Humbi 31 vite jetë në internim dhe plot miq të saj. E arsimuar edhe në ish-Bashkimin Sovjetik, nga njëra prej eksponentëve kryesore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së, ajo u përjashtua në vitin 1960, si “armike e Partisë”, duke e internuar fillimisht në Gjirokastër dhe më pas në Cërrik e Mallakastër, deri në vitin 1991.

                                                    Vijon nga numri i kaluar

Znj. Belishova, nga viti 1992 kur zyrtarisht erdhi demokracia e deri tani, kanë kaluar 23 vjet. Në këto dy dekada, Nexhmije Hoxha ka jetuar e jeton në Laprakë. A nuk ju ka shkuar ndonjëherë në mendje që t’i shkoni te shtëpia dhe të ballafaqoheni me të për të gjitha akuzat?

Këtë mund ta bëja, por jo me një njeri si Nexhmija. Por me një njeri që nuk ka këto krime, nuk është kaq e penalizuar. Do më kujtohej vajza…! Si mund të veja? Çfarë do të bëja duke i shkuar në shtëpi asaj? Që ta shaja? Ta pështyja? Nuk ka mbetur asgjë, nuk ka mbetur asgjë në zemrën time për Nexhmije Hoxhën, për sjelljet që ka bërë. I thonë 20 vjet e kusur….!

A nuk ishte e mundur shmangia e internimit tuaj nga fatkeqësitë e tjera familjare, nga ana e miqve tuaj në Parti?

Kam eksperiencë të hidhur. Kur u ktheva nga internimi në Tiranë, askush nuk erdhi të më takonte dhe të më rrëfehej: “Që kur thoshte Enver Hoxha kështu, unë dhe ky shok/shoqe, mendonim ndryshe. Por nuk kishim se ç’të bënim”. Dhe këtë e besoj, nuk kishin se çfarë të bënin. Nuk kishin…! Se kishte një rrjet spiunazhi të jashtëzakonshëm. Nuk thoshte kot Kadri Hazbiu: “Ne e dimë se sa lugë dhe sa pirun, ka çdo tiranas në shtëpi”.

Po Ramiz Alia, si arriti të bëhet pasuesi i Enver Hoxhës? Ishte një zgjidhje e rrethanave të fundit, apo plan i menduar herët?

Atë e ka bërë me plan Enver Hoxha, pra duke filluar të plakej, por pa u sëmurë. E mori dhe e bëri drejtor të Propagandës, që ta afronte pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, pranë vetes së tij. Dhe e takonte. Enveri duhet të më takonte mua, por…! Ndoshta mendonte, dhe për këtë kishte të drejtë, se Mehmet Shehu ishte më i zoti se ai (qesh).

Të them të drejtën, nga Mehmet Shehu, nuk kam kuptuar asgjë që të ishte kundër Enverit. Vetëm një gjë, në fillim të jetës sonë në Byro, kur bënte Enveri ato konkluzionet “zgjat e zgjat, zgjat e zgjat” që nuk mbaronin për orë të tëra, Mehmeti nervozohej, se ishte njeri impulsiv, se nuk e ruante dot atë nervozizmin. Edhe unë nervozohesha, por nuk e shfaqja…! Takonte Ramiz Alinë më shumë.

Pra, e ka menduar herët planin?

Po, po, e ka menduar herët. E ka bërë këtë gjë, sepse ka menduar që të jetë sa më i formuar, por edhe sa më i kontrolluar. Do t’i besonte dinastinë. Do t’i besonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe familjen e tij.

Në gjithë aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, Byrosë Politike etj., nuk kishte ndonjë tjetër më të zotë se Ramiz Alia?

Enver Hoxha, i ka besuar edhe Hysni Kapos, por Hysniu nuk ishte shumë i zoti. Shumë i zoti ka qenë Mehmet Shehun, por Enver Hoxha nuk e besonte Mehmet Shehun.

Pse nuk e besonte Mehmet Shehun?

Ndoshta mendonte, dhe për këtë kishte të drejtë, se Mehmet Shehu ishte më i zoti se ai (qesh). Të them të drejtën, nga Mehmet Shehu nuk kam kuptuar asgjë që të ishte kundër Enverit. Vetëm një gjë, në fillim të jetës sonë në Byro, kur bënte Enveri ato konkluzionet “zgjat e zgjat, zgjat e zgjat” që nuk mbaronin për orë të tëra, Mehmeti nervozohej, se ishte njeri impulsiv, se nuk e ruante dot atë nervozizmin. Edhe unë nervozohesha, por nuk e shfaqja…

Aq i thellë dhe kompetent ishte në informacione Enveri?

Enveri kishte një inflacion të tmerrshëm fjalësh dhe ishte jashtëzakonisht i përciptë, nuk ka pasur ndonjë problem në Byro që ai të ishte vërtet kompetent. Megjithëse kërkonte material, për çdo problem i përgatisnim nga një dosje të madhe. Budalla nuk ishte, që të themi të vërtetën. Lexonte, lexonte, por nuk është kulturë thjesht leximi. Lexo sot një gjë e nesër një gjë, kishte njohuri të përcipta dhe ekliptike dhe jo me sistem, të thelluara, me analizë…!

Unë, kur e krahasoj me Nako Spiron, shikoj një diferencë të madhe. Nako, kur fillonte të lexonte diçka, verifikonte çdo gjë. Mbaj mend njëherë kur Nako po lexonte diçka për Stalinin. Ishim në një dhomë, ndërsa studioja e tij ishte ngjitur, me një derë në mes. Ngrihej që andej, “gërgëliste” në bibliotekë, rrëmonte aty e merrte ndonjë gjë, pastaj vinte e lexonte prapë. Këtë gjë ai e bënte për çdo libër që kishte referenca, i verifikonte të gjitha.

Përtej atyre që janë thënë lidhur me burgosjen tuaj, cili ishte “faji i vërtetë” i Liri Belishovës, që nuk e gëlltiti dot Enver Hoxha apo dikush tjetër, saqë ju burgosi?

Në lëvizjen ndërkombëtare komuniste, shpërtheu polemika mes atyre që kritikonin Stalinin, dënonin stalinizmin dhe ishin për një kurs politik më të moderuar, me elemente demokratizimi, dhe sidomos për një politikë bashkëjetese paqësore me Perëndimin, duke vënë në qendër të vëmendjes evitimin e një Lufte të Tretë Botërore, që do të ishte patjetër atomike, se ndërkaq ishin prezentë armatimet atomike. Enver Hoxha në fillim u lëkund, sepse nuk ia mbante t’i kundërvihej Bashkimit Sovjetik. Por ndoshta…!

Përtej atyre që janë thënë lidhur me internimin tuaj dhe burgosjen e bashkëshortit Maqo Çomo, cili ishte “faji i vërtetë” i Liri Belishovës, që nuk e gëlltiti dot Enver Hoxha apo dikush tjetër, saqë nisi persekutimi familjar ndaj jush?

“Faji” është ky që do ta shpjegoj…! Por ndoshta dhe çdo mendje njerëzore, po supozoj edhe Enver Hoxhës pse mos t’i pëlqente një kurs paqësor? Kjo është gjë që nuk besohet, se mendja e tij ishte shumë e mbrapshtë (qesh)… Enver Hoxha u tremb nga Konferenca e Tiranës. Në këtë Konferencë, me gjysmë goje, me gjuhën e Ezopit, u ngritën shumë kritika kundër tij.

Atëherë ai e kuptoi që do t’i kërkohej llogari për çfarë ishte bërë në Shqipëri. Dhe duke qenë një njeri që për çdo gjë vinte kolltukun e tij diktatorial, Enveri, me të gjitha forcat, iu kundërvu kritikës së Stalinit, ky marksist-leninist i famshëm rrëmbeu flamurin e stalinizmit.

Kjo taktikë e tij ka bërë të qeshin shumë gazetarë e personalitete botërore, sepse e dinin që nëse kishte Parti Komuniste, shumë të varfër nga pikëpamja e përgatitjes teorike dhe e kuadrove si filozofë, teoricienë marksistë, kjo ishte Partia Komuniste Shqiptare në Europë. Pra, Enver Hoxha mori kursin stalinist, sepse vetëm me një kurs të atillë, siguronte më mirë sundimin e tij diktatorial. Ndërsa një kurs liberalizimi-demokratizimi, i krijonte atij vështirësi dhe rreziqe.

Po ju, ishit për këtë kursin e ri?

Po, unë kam qenë për kursin e ri. Mendoj që në shpirt kanë qenë dhe anëtarët e tjerë, por tjetër që nuk guxuan që të dalin kundër Enverit.

Mbështetja e këtij kursi ju “dogji”?

Si qe dënimi im…! Kinezët, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Leninit, që i bie në prill 1960, botuan një sërë artikujsh në organin e tyre qendror, me titullin e përbashkët: Rroftë Leninizmi! Këta artikuj neve na erdhën me vonesë, derisa u përkthyen etj. Duke lexuar këto artikuj, unë kuptova që kinezët jo vetëm nuk janë dakord me kursin e ri, por kanë ndërmend t’i kundërvihen haptas. Se atje nuk përmendej as Bashkimi Sovjetik e as Hrushovi, por thuhej “revizionizmi jugosllav”, ose thjesht “revizionizmi modern”.

Një njeri që jetonte me këto gjëra, e kuptonte që po i bihej tenxheres, për t’u dëgjuar dera. Këtë gjë e kuptoi dhe Thanas Nano, që atëkohë ishte drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Nga ATSH-ja, neve na dërgoheshin të daktilografuara lajmet që merreshin aty, por të ndara në këtë mënyrë: Buletini blu, që ju shkonte edhe gazetave dhe radios, pra ishin lajme që mund të botoheshin apo dilnin në radio e TVSH. Buletini jeshil, u dërgohej anëtarëve të Byrosë Politike, ministrave dhe një rrethi të zgjedhur, këto nuk ishin të destinuara për botim.

Ndërkaq, ndonjëherë kishte edhe disa zarfe të veçanta, që i dërgoheshin Enver Hoxhës, por shpesh edhe mua si sekretare e Propagandës, Mehmet Shehut. Këto ishin lajme që as anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së të mos i dinin. Këto sidomos kur nisi kjo “lufta” për stalinizmin dhe kundër stalinizmit. Këta artikujt kinezë kanë ardhur me zarfin jeshil, pra nuk duhet të botoheshin. Kaluan nja dy ditë dhe më thirri Enver Hoxha në zyrën e tij.

Më tha: “Liri, i ke lexuar artikujt e gazetës kineze”? I thashë: “Po”. Më tha: “Pse nuk janë botuar në gazetë, në ‘Zërin e Popullit”?! Iu përgjigja: “Nuk janë botuar shoku Enver, se ato bien në kundërshtim me ato që keni thënë ju në Kongresin e Tretë të Partisë, si mund t’i botonim? Me Rezolutën e mbledhjeve të Partive Komuniste në Moskë”? I thashë kështu, se e dija unë që Enverit ajo i interesonte, prestigji i tij…! Më tha “mirë”, e kështu dola unë nga zyra. Të nesërmen sërish më thërret në zyrë.

Më thotë: “Bisedova me shokët dhe më thanë që t’i botojmë artikujt e kinezëve”. Kur thoshte “shokët” e kishte fjalën për Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon. Nganjëherë thërrisnin dhe Beqirin, por Beqiri i shkretë nuk ishte në nivelin e këtyre. Fillova prapë unë njëherë më gjerë, duke i treguar çfarë ka shkruar Marksi, Engelsi, Lenini etj. I thashë: “Shoku Enver, këto artikujt, bien në kundërshtim me ato që ka thënë Lenini”.

Pastaj fillova t’ia argumentoja gjerë e gjatë. Prapë më tha “mirë” dhe u largova. Të tretën a të katërt, se nuk e mbaj mend sa herë më ka thirrur për të njëjtën gjë, të them të drejtën e pashë që nga fytyra që nuk kishte më diskutim. Më tha: “Kemi vendosur me shokët që, të botoni një përmbledhje, një shkurtim të artikujve. Merr një nga shokët dhe shkurtojini ato dhe të botohen në ‘Zërin e Popullit’”. “Po ato nuk shkurtohen shoku Enver”, i thashë unë. “Jo, jo, do të shkurtohen dhe botohen, kështu kemi vendosur”.

Ika unë dhe këtu kuptohen marrëdhëniet e anëtarëve të Byrosë Politike me Enver Hoxhën. Isha sekretare e Komitetit Qendror, anëtare e Byrosë Politike, për më tepër kisha mbaruar edhe një universitet në Bashkimin Sovjetik etj. dhe prapë nuk kisha ç’bëja. Njësoj edhe të tjerët. Mora Ramiz Alinë, që ishte drejtor i Propagandës dhe u ulëm. Ishte shumë e vështirë që t’i shkurtoje, sepse artikujt kishin një strukturë që, po të hiqje diçka, binte krejt artikulli, binte kuptimi.

Ose hiqje një paragraf, por e njëjta ide ishte në paragrafët që vinin. I thashë Ramizit: “O Ramiz, unë do vetë që t’i them Enverit që këto nuk shkurtohen”. Ramizi më tha: “Ulu aty dhe hajt t’i shkurtojmë. A të tha Enveri se kanë vendosur t’i botojnë, e kanë ata përgjegjësinë”. Unë prapë po këmbëngulja që të shkoja, ndërsa Ramizi prapë nuk më linte e më thoshte: “Ulu”. Dhe kjo tregon natyrën e Ramiz Alisë.

Cilën natyrë të Ramiz Alisë?

Nga njëra anë, ai i kuptonte gjërat. Nuk ishte as i egër, i poshtër. Se po të ishte ndonjë tjetër, do të thoshte: “Le të vejë t’i thotë Enverit e të hajë kokën, unë do t’ia zë vendin”. Ndërsa Ramizi vazhdimisht më thoshte: “Ulu, ulu e mos shko”. Nga ana tjetër, ishte ajo që unë ia thashë: “Ore, po ne pse e bëmë shkollën. Ne duhet t’u themi shokëve që këto artikuj nuk janë në rregull”. Por kjo gjë për Ramiz Alinë nuk kishte rëndësi, në rregull apo jo në rregull. Kishte rëndësi që, për vete të ishte në rregull e. të mos rrezikohej.

Por nuk donte që të rrezikohesha as unë. Pra Ramizit i erdhi keq edhe për mua. Nga njëra anë kishte të drejtë, ndërhyrja ime ishte e kotë se, Enveri do të bënte atë që kishte në mendje. Por unë akoma tentoja, se ngaqë pata sukses dy herët e para, kujtova se Enveri do të më dëgjojë. Shkova prapë dhe atëherë Enveri më tha, duke i rënë tavolinës: “Mirë Liri, nuk do t’i botojmë artikujt”.

Por edhe tani e kam parasysh shikimin e tij. Aty u vendos fati im. Enveri ka menduar: “Kjo, jo vetëm që nuk është dakord me qëndrimin që do të mbaj unë, por është e vendosur ta mbrojë qëndrimin e saj. Mua nuk më duhen pengesa, diskutime se kush ka të drejtë e kush jo, unë dua që kur të them se do bëhet diçka, të duartrokitet në këmbë”. Kështu siç ka menduar Enveri, edhe u bë, të gjithë janë çuar në këmbë duke duartrokitur çdo gjë që thoshte Enveri e, duke miratuar: Rroftë Partia, rroftë shoku Enver!…

U botuan artikujt e kinezëve?

Jo, unë dola nga zyra e Enverit dhe artikujt nuk u botuan në gazetë. Më pas, unë u nisa me delegacionin parlamentar në Kinë, që kryesohej nga Haxhi Lleshi. Gjatë kësaj kohe, Enveri u mor vesh me Ambasadën Kineze dhe këto artikuj u botuan në një libër me kapak të kuq e, portretin e vogël të Maos, në mes të tij. U shpërndanë në parti, në rini, në universitete dhe u bë manipulimi i parë ideologjik.

Duke qenë unë në Kinë, ditën që do të largoheshim nga Pekini e do të shkonim në Shangai, kinezët kërkuan në mbrëmje që të bënim takim si parti. Unë, duke e ditur se çfarë do të parashtronim kinezët, e evitova takimin se kështu isha porositur edhe nga Enveri: “Po të të thonë kinezët për mosmarrëveshjet e kritikat me sovjetikët, u thuaj që këto i zgjidhin dy të mëdhenjtë”, domethënë udhëheqësit. Unë i thashë atij funksionarit kinez që nuk më kujtohet emri tani: “Nuk kam autorizim që të bëj bisedime partiake”.

Pse nuk i thatë, siç ju porositi Enveri: “T’i zgjidhin dy të mëdhenjtë”?

Nuk mund t’i thosha fjalë për fjalë ashtu, sepse nuk isha e sigurt 100 për qind se çfarë do të shtronin për diskutim kinezët. Ai kinezi mund të ketë ardhur nja 6 herë, duke na kërkuar në takim. Më në fund, më tha që të shkonim për një çaj. Vajtëm ne. Ç’të shihnim? Tavolinat e mbledhjes ishin gati, me fletë e stilolaps. Ishte pothuajse gjithë Byroja Politike e Kinës.

Me kë ishit ju?

I gjithë delegacioni i kryesuar nga presidenti Haxhi Lleshi, isha unë, Lefter Goga nga Durrësi etj.

Çfarë ndodhi më pas?

Kinezët, që nga ora 8 e darkës që vajtëm ne dhe deri në ora 4 të mëngjesit, bënë kritika ndaj oportunizmit të Hrushovit dhe të Bashkimit Sovjetik. Mbledhja u hap nga Liu Shiao Çiu, ndërsa Mao Ce Duni, ishte dërguar në një provincë dhe siç na tha ai i ambasadës sonë, pushtetin tashmë e kishte marrë Liu. Foli Liu, duke kritikuar Bashkimin Sovjetik, deri te romanet, filmat që nuk po e mbushin rininë me frymë ushtarake, por me frymë paqësore, me tërheqje, me shuarjen e frymës revolucionare.

Konkluzioni ishte që: “ne nuk shkojmë në mbledhjen e Bukureshtit” (që ishte caktuar me rastin e Kongresit të Partisë Komuniste Rumune, meqë do shkonin shumë delegacione të partive komuniste, të bëhej një mbledhje e përfaqësuesve të partive komuniste të kampit socialist).

“Nuk shkojmë në Bukuresht, se atje do na akuzojnë do na kritikojnë…”, sipas kinezëve. Unë u shqetësova, sepse mendova: “Po të mos venë kinezët në Bukuresht, do përsëritet historia si me Jugosllavinë. Do fillojnë të shajnë Kinën dhe përçarja është e paevitueshme”. U shqetësova nga kjo gjë. Thashë: “Këto që na thatë, do t’ia raportojmë të gjitha shokut Enver.

Por po shfaq dhe opinionin tim personal: E mira është që gjërat të zgjidhen me diskutim, se kështu më kishte thënë edhe Enveri, mes dy partive të mëdha. E mira është që të shkoni në mbledhjen e Bukureshtit, se gjithmonë bisedimet ndihmojnë në sqarimin e gjërave”.

Liu tha: “Ne nuk shkojmë në Bukuresht, por duam mendimin e shokut Enver, për këtë gjë dhe si mendon ai për artikujt tanë”.

Pra nënteksti ishte, nëse Enveri ishte apo jo dakord me vijën kineze. Unë i thashë: “Kemi shumë vështirësi në komunikim, sepse nuk kemi lidhje direkte me Tiranën. Duhet që Ambasada jonë e Pekinit, të lidhet me Tiranën nëpërmjet Ambasadës shqiptare në Moskë”.

U kthyem në shtëpi dhe i bëra shkurtimisht një radiogram Enverit, se çfarë kishte ndodhur, ndërsa raportin e detajuar ia dërgova me Jorgji Peqinin, se ajo do të nisej të nesërmen. Pra ne do iknim për në Shangai dhe ajo për në Shqipëri, sepse ishte me një delegacion rinie. Pa ikur nga Pekini, meqenëse mbledhja e Bukureshtit do bëhej shpejt dhe kinezët thanë që: “nuk do shkojmë”, derisa të vente radiogrami ynë në Tiranë dhe të kthehej përgjigjja, normal që do të vonohej, atëherë biseduam me Gogo Nushin, që ishte atje me delegacionin e Sindikatave e Bashkimeve Profesionale dhe me dy anëtarë byroje.

Unë i thashë Gogo Nushit: “More Gogo, po këta po të mos venë në mbledhje, do të bëhet si me Jugosllavinë”. Gogo i shkretë ishte shumë i ndershëm, ishte i revoltuar me kinezët dhe thoshte: “Këta janë banditë dhe duan Luftën e Tretë Botërore. Të presim ambasadorin sovjetik dhe t’i themi që kinezët nuk duan të vijnë në mbledhjen e Bukureshtit, duke menduar që do të kritikohen. Atëherë ose i bindni që të vijnë, ose shtyjeni mbledhjen që të keni kohë më shumë për t’u marrë vesh me ta. Se Kina nuk është thjesht Jugosllavia, por është një kontinent që ka një influencë të madhe në ‘botën e tretë’, siç quhej atëherë”.

Ashtu bëmë. Telefonuam në Ambasadën Sovjetike. Nuk erdhi ambasadori, por këshilltari i tij. Për ambasadorin na thanë se është i sëmurë. Gjysmë ore, shkurt, unë tregova për takimin me Byronë Politike të Kinës, ndërsa Gogo, për takimin me Sindikatat, se edhe atje ishte folur kundër Bashkimit Sovjetik. Propozimi ynë, ishte ai që përmenda më sipër: “Ose kandisni kinezët, ose shtyjeni mbledhjen”. Të gjitha këto ia shkrova Enverit, pra asgjë e fshehtë, asnjë komplot. Ikëm nga Pekini e vajtëm në Shangai.

Ndenjëm dy ditë në Shangai dhe kur do të iknim, madje sa do të niseshim, mbërriti Gogo Nushi dhe më dha radiogramin e Enverit, që kishte ardhur në ambasadën tonë dhe thoshte: “Thuaju kinezëve që të venë në Bukuresht. Thuaju kinezëve që jemi dakord me artikujt tuaj”. “Uaaaaa,- thashë unë, -more Gogo, shiko çfarë thotë Enveri”! “Çfarë”? tha Gogo, ndërsa pasi e pa, më sugjeroi: “E di çke ti? Mos u thuaj asgjë kinezëve, edhe unë i them Enverit që kur vajta unë në Shangai, Liria kishte ikur”. Mirëpo nuk e haja unë atë kokërr ulliri. Se në kritikën e parë që do t’i bënte Enveri – Gogos, Gogua duke bërë autokritikë të sinqertë, do të tregonte.

Duke ikur në aeroport me makinë, rrugës i thashë Gogos: “E gjeta Gogo se çfarë të bëj”. “Çfarë”? tha Gogo. “T’u them kinezëve se shoku Enver, mendon që të veni në Bukuresht, se kjo është kryesorja. Për artikujt, të pyesim ambasadën se mos e kanë zbardhur gabim”, i thashë Gogos. Gogo më tha: “Shumë mirë”. Atëherë unë i thashë sekretarit të Shangait, që ishte anëtar i Byrosë Politike: “Shoku Enver mendon se duhet të shkoni në Bukuresht”.

Ai ishte një tip i gjatë, më përqafoi mua dhe goxha burrë u përlot duke më thënë: “Shumë mirë, shoqja Belishova, shumë mirë. Ne jemi vëllezër, si 10 gishtat nga të cilat 9 na bashkojnë dhe 1 na ndan”. Ikëm ne nga Shangai dhe pas 4 orësh vajtëm në Kumnin, në Jug të Kinës, afër Vietnamin. Atje kinezët më ndanë nga delegacioni dhe më morën veçmas me makinë. Ndoqëm një rrugë të shkurtër dhe shkuam në një shtëpi pritjeje. Atje më thanë se Ambasada jonë shqiptare në Pekin po më kërkonte në telefon që nga mëngjesi.

Morëm Ambasadën në telefon dhe sekretari a këshilltari (nuk e mbaj mend mirë), më pyeti: “Ua the kinezëve telegramin që të dha shoku Gogo”?! “Po”, iu përgjigja unë. Ai shfryu nga ana tjetër e telefonit: “Oboooooo”. “Çfarë ke”? e pyeta unë. “Ka ardhur telegram tjetër dhe thotë që kinezëve t’u themi pikën e parë, pikën e dytë mos ua thuaj”.

Domethënë pika e parë ishte ajo “shkoni në Bukuresht” dhe duhej thënë, pika e dytë “që jemi dakord me vijën tuaj si në artikuj” nuk duhet të thuhej. E qetësova atë të ambasadës: “Mos u tremb, se pikën e dytë nuk e kam thënë. Do t’ju pyesja ju më parë, se mos nuk e kishit zbardhur mirë, ndaj mos u shqetëso”. Tani, pas gjithë kësaj, nisi sulmi ndaj meje. Kritika e parë, pse u the sovjetikëve që kinezët nuk do të venë në Bukuresht?

E dyta, ku e gjete ti të drejtën të mos zbatosh urdhrin e shokut Enver, mund të mos kishte ardhur radiogrami i dytë? Idiotësira që nuk u rezistojnë as logjikës së një fëmije së klasës së parë… Në vend që të më thoshin “bravo që nuk e transmetove”, më sulmonin se kam shkelur urdhrin e shokut Enver dhe disiplinën e Partisë.

Çfarë ju tha ballë për ballë Enveri, kur u kthyet nga Kina?

E takova, por Enveri nuk ma ngriti personalisht këtë çështjen e telegramit, nuk më tha asgjë të keqe kur e takova përballë, madje, u ngrit nga tavolina dhe më përqafoi. Buzëqeshi dhe duke bërë humor më tha: “Obobo, sa paske ndryshuar”. Unë, duke e marrë si nëntekst, i thashë: “Nuk ndryshoj kaq kollaj unë, shoku Enver”. Qeshi sërish. Pak muaj më vonë e ngriti çështjen në Byro.

Mendoni se vërtet ishte në rregull Enveri me këto zhvillime në Kinë, apo thjesht “i kapërdiu” për momentin që t’i rihapte më vonë, apo e ka nxitur dikush tjetër për këtë çështje?

Enveri ishte tip që ndërronte. Por besoj se në këtë çështje mund të ketë influencuar edhe Mehmet Shehu. Se Mehmeti ishte më agresiv dhe i vendosur, Enveri ishte më i lëkundur.

Përderisa ishte Haxhi Lleshi, president delegacioni, ndërsa për ngjarjen ishte në dijeni edhe Gogo Nushi, pse duhej që përgjegjësia të binte vetëm mbi ju?

Keni të drejtë. Unë u kritikova dhe u dënova në Byronë Politike. U bë mbledhja e Komitetit Qendror, veç unë u kritikova. Mbi 100 e ca pyetje që bënin anëtarët e Komitetit Qendror ndaj meje. Po pyetjet ishin diskutime, që ku të çon kjo vijë oportuniste-revizioniste e Liri Belishovës, kush ka qenë qëllimi i saj, ku synonte?

Çfarë nënkuptonin me këtë?

Unë isha sekretare e Komitetit Qendror dhe nënkuptonin sikur unë doja të bëhesha Enver Hoxha. Pra, që t’i jap përgjigje pyetjes suaj të fillimit, “faji im” ishte iluzioni i Enver Hoxhës, paranoja e tij, sikur unë doja që t’i zija vendin. Dhe këtë nuk e thoshin hapur, por me nënkuptime nëpërmjet diskutimeve, duke e pyetur vazhdimisht se ku e kisha qëllimin. Dhe ata do të kënaqeshin vetëm po t’u thosha unë se, kisha qëllim të rrëzoja Enver Hoxhën dhe të bëhesha sekretarja e Përgjithshme, gjë që as e kisha çuar ndonjëherë nëpër mendje.

Po për Haxhi Lleshin, çfarë thanë?

Gjatë plenumit u ngrit Shefqet Peçi dhe tha: Mirë, kjo Liria ka gabuar. Pastaj pa nga unë dhe shtoi “me kunj” që ta kuptoja unë dhe të tjerët: Edhe Liria duhet të zërë mend, se gaboi, e do të vazhdojë të gabojë kjo, se është shumë e zgjuar (qesh). Shokë, Liria është shumë e zgjuar, të mbledhë mendjen se do gabojë prapë. Po atje në Kinë, veç Liria ishte? Po Haxhiu dhe Gogua, që janë më të mëdhenj se Liria, si për nga mosha, ashtu edhe në parti, po këta nuk kanë faj”?

Reagoi njeri pas ndërhyrjes së tij?

Enver Hoxha shëtiste përmes tavolinave në formë U-je dhe në çast i tha Shefqetit: “Shumë mirë Shefqet, shumë mirë, ulu”. Dhe e uli direkt që Shefqeti të mos vazhdonte më. Enveri pastaj e drodhi muhabetin dhe tha: “Unë mendoj që shoku Haxhi dhe shoku Shefqet, janë shokë të vjetër luftëtarë, por kanë një të metë të madhe, nuk i kanë dhënë rëndësi ngritjes kulturore dhe ideologjike”.

Pra vetëm që nuk tha troç që “këta janë gomerë”. Pastaj vazhdoi: “Liria i merr gjërat me hundë. Propozoj që dy shokëve, Haxhiut dhe Gogos, t’u japim nga një vërejtje me shënim në biografi. Dakord shokë?”. Të gjithë në kor u përgjigjën: “Dakoooord”. Me kaq u mbyll puna e tyre. Se po të ishte vazhduar puna e tyre, do të dilte që Haxhi Lleshi i ra tavolinës kundra kinezëve që në takimin e parë. Gogo Nushi shante kinezët e thoshte që ishin kriminelë, pra do të dilnin të gjitha gjërat për ata.

Si ndiheshit kur merrnit kritika nga shokët tuaj?

Ja t’ju them diçka: Kur m’u sulën shokët ashtu në Byro, m’u kujtuan fjalët e Nako Spiros, para vdekjes: M’u turrën si ujqërit”. Atë mendoja. Një grua e re isha, vetëm 32 vjeçe….!

Ç’masë mori Byroja ndaj jush?

Vendosën që të më përjashtojnë nga Byroja. Komiteti Qendror vendosi që të përjashtohem edhe nga Komiteti Qendror, kurse organizata bazë, më përjashtoi edhe nga Partia. Kështu ishte orteku. Më pas u dërgova për të punuar si drejtoreshë në shkollën 7-vjeçare “Hasan Vogli” në Tiranë. Pastaj përjashtuan edhe burrin tim nga Komiteti Qendror dhe e hoqën si ministër të Bujqësisë, gjoja jo për arsye politike, por për “paaftësi”!

Familjen tonë e kanë hequr nga Tirana më 9 nëntor të 1960, na dërguan në fermën “Muzo Asqeriu” afër Gjirokastrës. Mua si kryemësuese dhe atë drejtor në Fermën Bujqësore. Atje na përjashtuan nga Partia, pas dy muaj e ca na internuan në Kuç të Vlorës. Nga Kuçi na çuan në Progonat, atë e morën dhe e çuan në Zvërnec, kurse unë ndenja atje 10 vjet. Pas 10 vjetësh më prunë në Cërrik, ku kam ndenjur 21 vjet. Pra 31 vite në internim, që nuk di çfarë t’ju tregoj më parë…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/enveri-e-nderroi-disa-here-fjalen-dhe-kur-une-u-ngrita-te-shkoja-e-ta-kundershtoja-ramizi-me-kapi-per-krahu-e-me-tha-deshmita-e-panjohura-te-liri-belishoves-para-se-te-ndahej-n/