Enver Hoxha: “Shoku Simon, kur ishe në aktivin e Korçës, të doli gjë në sy ai, Niko Çeta, ka qenë zv/ministër i Brendshëm me këta armiqtë…”/ Mbledhja e Byrosë, shator ‘82

Dashnor Kaloçi

Pjesa e gjashtë

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj. Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.     

                                                       Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret me proces-verbalin sekret të takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 29 shtator 1982, lidhur me aktivin e Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës, ku ishte i deleguar, Simon Stefani dhe u diskutua “mbi veprimtarinë agjenturore e armiqësore të Mehmet Shehut”.

TAKIM DITOR I SEKRETAREVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 29 SHTATOR 1982

            SEKRET

Në takim shoku Simon Stefani, informon për punimin në aktivin e Partisë së rrethit të Korçës, të materialeve të Plenumit të Komitetit Qendror për veprimtarinë agjenturore dhe armiqësore të Mehmet Shehut.

SHOKU SIMON STEFANI: Sipas porosisë së Plenumit të Komitetit Qendror dhe porosive tuaja shoku Enver, në rrethin e Korçës u zhvilluan dy aktive. Në aktivin e Partisë të terrenit, morën pjesë rreth 700 vetë, se nuk kishte sallë më të madhe.

Merrnin pjesë, anëtarët e Plenumit të Komitetit të Partisë, Sekretarët e Organizatave Bazë, Sekretarët e Byrove, kuadro dhe veteranë. Madje unë, u interesova që në aktiv të vinin dhe patriotë pa parti, nga të gjitha zonat, deri edhe pleqtë. I porosita shokët, që t’ju çonin makina dhe të vinin të dëgjonin të tërë.

SHOKU ENVER HOXHA: Të dëgjonin të gjithë, se ç’ishte armiku Mehmet Shehu.

SHOKU SIMON STEFANI: Po. Kur të pranishmëve ju thashë se do të dëgjonin fjalën tuaj shoku Enver, shpërthyen duartrokitje dhe brohoritje për ju dhe për Partinë, aq sa ju them të drejtën, unë u emocionova shumë. Ky entuziazëm, shprehte mbështetjen e fuqishme të të gjithë Partisë, për demaskimin që ju bë këtij armiku. Përsëri pasi dëgjuan fjalën tuaj, ata shpërthyen në duartrokitje. Në vijim, dëgjuan dhe deponimet e armikes Fiqret Shehu.

SHOKU ENVER HOXHA: U dëgjua mirë regjistrimi?!

SHOKU SIMON STEFANI: Po shoku Enver, u dëgjua dhe ky shumë mirë. Salla kishte akustikë të mirë dhe dëgjohej, madje më mirë se në sallën tonë këtu lart, në aparat. Edhe aparatet e incizimit dhe altoparlantet, ishin të mira. Materialet, u dëgjuan me shumë vëmendje. Siç thashë, kur mbaroi fjalimin tuaj, të tërë shpërthyen në duartrokitje për Partinë dhe për ju.

Ushtonin brohoritjet “Rroftë Partia” etj. Më pas i pyeta të pranishmit, nëse kishin ndonjë pyetje për të bërë. S’kemi, përgjigjeshin ata, dhe ngriheshin në këmbë duke thirrur: “Të rrojë Partia”, “Partia, ka qenë gjithmonë në vijë të drejtë”,”I ka dërrmuar këta maskarenj të poshtër”.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo që ndodhi shokë, e shkundi Partinë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po shoku Enver, i shkundi njerëzit dhe të tërë po bëhen më vigjilentë.

SHOKU SIMON STEFANI: Vërtet njerëzit, ishin të papërgatitur por kur i nxitnim të flisnin, nëse kishin ndonjë gjë për të thënë, ata ngriheshin njëri pas tjetrit dhe nga e gjithë salla, dëgjoheshin fjalët, me leje, me leje. Këtu në sallë, ju thashë unë, jeni 700 vetë dhe e di që keni dëshirë të flisni të gjithë, por është e pamundur.

Midis të tjerëve, u ngrit një shok i vjetër veteran, dhe tha se: është për të bërë një dasëm, pasi Partia, shpëtoi nga një bandë kaq e tmerrshme dhe kaq e rrezikshme. Ç’tju them shoku Enver, të gjithë burra e gra, qanin me lot nga dashuria për Partinë, dhe nga urrejtja për armiqtë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Një tjetër kishte thënë: “I thoni shokut Enver, se në luftë kam qenë një pushkë, ndërsa tani kam 11”.

SHOKU SIMON STEFANI: More njerëzit, nuk përmbaheshin dot. Na porositën që të kemi kujdes shëndetin e shokut Enver. Unë jam i mendimit shoku Ramiz, që të gjejmë ndonjë rast të përshtatshëm, le që tani kemi Kongresin e Rinisë, që do të dalë shoku Enver në publik.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, tani kemi përpara Kongresin e Rinisë.

SHOKU RAMIZ ALIA: E drejtë, duhet të përfitojmë nga ky rast.

SHOKU SIMON STEFANI: Po, po, të dalë shoku Enver, se të tërë na thonin: “Duam ta shikojmë shokun Enver, i thoni Komitetit Qendror që, duam të shikojmë shokun Enver”.

SHOKU ENVER HOXHA: Dakord shokë, do të dal në Kongresin e Rinisë.

SHOKU SIMON STEFANI: Nuk e di ca t’ju them por atje, u shprehën fjalët më të mira për Partinë dhe për ju shoku Enver. Dhe njëkohësisht u shpreh, urrejtja më e madhe për armikun Mehmet Shehu. More, çfarë nuk u thanë për të: “Këlysh i katër buçeve”, etj. Pra epitete nga më të poshtrat.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, nga më të poshtrat dhe që ai i meritonte plotësisht. Shumë mirë.

SHOKU SIMON STEFANI: E njëjta gjendje ishte shoku Enver, në të gjitha organizatat e Partisë. Unë mora pjesë në mbledhjet e nja katër organizatave, dhe pashë çdo gjë vetë. Pas aktivit të ushtrisë, vajta në organizatën e Partisë të Shtabit të Korpusit, në organizatën e një reparti të ushtrisë, në një organizatë partie në Kombinatin e Trikotazhit, dhe në organizatën e kooperativës bujqësore të Pojanit.

Kudo komunistët, ishin njëzëri me Partinë. Në këto mbledhje anëtarët e Partisë, veç solidaritetit absolut me vijën e saj, u zotuan që të ndërmerrnin disa masa. Gjatë ditëve që isha në Korçë, kur po zhvillohej aktivi, unë mbajta lidhje të vazhdueshme me punonjësit e aparatit të Komitetit të Partisë. Dy tre herë në ditë, i thërrisja dhe u kërkoja që të më informonin se si u punua materiali, ç’probleme kanë dalë, etj.

U tërhiqja vëmendjen për çdo problem, sidomos për vigjilencën, se Korça është rreth kufitar, prandaj duhet të hapin sytë mirë.

Për çdo gjë që nuk përputhet me interesat e Partisë, organizata bazë duhet të ndalet, të shikojë e të gjykojë. Të them të drejtën shoku Enver, në Korçë kemi një organizatë partie të fuqishme, që ka dhe një mobilizim të mirë në çdo drejtim. Kudo i shikoje njerëzit të mobilizuar.

SHOKU ENVER HOXHA: Ka mobilizim shokë, popullin dhe partinë i kemi me vete?

SHOKU SIMON STEFANI: Me vete i kemi shoku Enver. “Hiç të mos ketë merak, i thoni shokut Enver”, deklaronin njerëzit.

SHOKU ENVER HOXHA: Por ka dhe do të ketë edhe qelbësira. Prandaj duhet të shtojmë vigjilencën, që t’i spastrojmë ata.

SHOKU SIMON STEFANI: Po, po, duhet të rrisim vigjilencën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Më fal Simon se, po të pres fjalën. Një nga gjërat më të poshtra dhe më të këqija që ata i kanë bërë Partisë, është tulatja e vigjilencës dhe futja e frymës së liberalizmit. Jo atij liberalizmi që thoshte armiku Mehmet Shehu, por të moszbatimit të normave të Partisë.

SHOKU ENVER HOXHA: “Kjo është demokracia e vërtetë”, çirrej ai.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, “Kjo është demokracia e vërtetë”, “ne jemi të fortë e nuk kanë ç’na bëjnë”, “Sigurimi sheh çdo gjë dhe ai i ka siguruar qetësinë popullit”, etj. Kjo, ka qenë një nga gjërat më të këqija, që ka ndodhur.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, ashtu është.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj tani na del detyra që vigjilencën e Partisë, ta ngremë në nivelin e duhur.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo është e domosdoshme shokë, pasi duhet ta pranojmë që njerëzit e Partisë, nuk thellohen sa e siç duhet. Çështja e rrethimit kapitalisto-revizionist, pothuajse është bërë një slogan. Nuk e shohin në mënyrë konkrete këtë rrethim që manovron nga të gjitha drejtimet.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, ai depërton në çdo kohë për të na nxjerrë nga binarët.

SHOKU ENVER HOXHA: Më thonin dje në shtëpi që, futbollistët dhe sportistët, që dalin jashtë për të luajtur, kur kthehen na vijnë me bluza ku janë të stampuara fytyrat e artistëve të San Remos. Dikush i kishte thënë njërit: “More djalë, ç’është kjo gjë që ke veshur kështu”?! “Nuk të hyn në punë ty”, u ishte përgjigjur ai. Përse ndodhin këto?! Ndodhin se ka humbur vigjilenca revolucionare.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ka humbur vigjilenca, ndryshe merrja ore shok dhe digjja me zor atë lloj këmishe.

SHOKU SIMON STEFANI: Grisja ore copë copë.

SHOKU ENVER HOXHA: Posi, grisja medoemos. Po dhe ti punonjësi i Doganës, që Partia të ka vënë aty, që ti kesh sytë katër e të jesh vigjilent, mos lejo që këto materiale të futen në vendin tonë. Prandaj kjo çështje shokë, ka një vazhdë. Po ne, çfarë themi?! Për aq kohë sa ne nuk e dinim këtë gjë, kemi thënë të vërtetën. Se pozitat tona po forcohen, se Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes, janë me ne, se ekonomia po zhvillohet. Por duhet të jemi vigjilentë sepse, armiku kërkon të na godasë dhe neve, nuk na kanë munduar 1, 2, 3, 4, apo 5, procese.

SHOKËT: Kështu është, shoku Enver.

SHOKU SIMON STEFANI: Në aktivin e Korçës shoku Enver, njerëzit thonin që, edhe për aq sa dëgjuam ne shokun Enver, këtyre armiqve duhet t’ju jepet menjëherë dënimi kapital, pra të pushkatohen. Siç thashë më lart, në masat punonjëse të rrethit të Korçës, ka një mobilizim të mirë.

Me vjeljen e panxharsheqerit, është shkuar në 35 përqind të sipërfaqes së mbjellë. Pashë një brigadë në një ndërmarrje bujqësore ku, panxharin po e zhgulnin me makineritë e reja, dhe afro 5 kile peshonte panxhari.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, tani ata nuk marrin më 500 kv panxhar, për hektar.

SHOKU SIMON STEFANI: Në parcelën që pashë unë, e pyeta makinistin se sa kv. panxhar do të merrni për hektar. 500 kv., m’u përgjigj ai. Jo ore, tha një tjetër, këtu pa diskutim që do të merren 600 kv. për hektar.

SHOKU ENVER HOXHA: Të doli gjë në sy Simon, Niko Çeta?!

SHOKU SIMON STEFANI: Atje ishte shoku Enver. Ma zuri syri, dhe po e shikoja me vëmendje.

SHOKU ENVER HOXHA: Si tregohej, i ashpër?!

SHOKU SIMON STEFANI: Ai, ishte bërë dyllë i verdhë në fytyrë.

SHOKU ENVER HOXHA: Aa, ashtu, dyllë i verdhë?!

SHOKU SIMON STEFANI: Po, po. Edhe Komisari i Korpusit të Korçës, as në mbledhjen e shtabit, dhe as në mbledhjen e organizatës bazë, nuk u ngrit të thoshte asnjë llaf.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk tha një llaf ai?!

SHOKU SIMON STEFANI: Jo, shoku Enver nuk tha gjë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po Nikoja, tha gjë?!

SHOKU SIMON STEFANI: Nikoja?! Jo, jo, as ai nuk tha gjë.

SHOKU ENVER HOXHA: Hiç?!

SHOKU SIMON STEFANI: Hiç fare, pasi u zverdh dhe u nxi fare në fytyrë.

SHOKU ENVER HOXHA: U nxi fare?!

SHOKU SIMON STEFANI: Po, po, u nxi komplet, e vura re mirë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ai ka qenë Zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

SHOKU SIMON STEFANI: Për një kohë të gjatë ai, ka qenë bashkë me këta armiqtë. Memorie.al

                                                   Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/enver-hoxha-shoku-simon-kur-ishe-ne-aktivin-e-korces-te-doli-gje-ne-sy-ai-niko-ceta-ka-qene-zv-minister-i-brendshem-me-keta-armiqte-mbledhja-e-byrose-shator-82/