“Emigracioni i ardhur nga malet e Shqipërisë së sotme qendrore, djepi dhe foleja e shqiptarëve, u favorizua nga shtrirja tokësore e Serbisë…”/ Libri i ri i gazetarit, studiuesit dhe diplomatit të njohur

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e gjashtë

                                                SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE 

                             (KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE) 

Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

                                                      Vijon nga numri i kaluar   

NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT,  DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË 

Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:

MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBO NOSTALGJI

Aleksandar Beliç – filolog dhe gjuhëtar, profesor dhe rektor i Universitetit të Beogradit, president i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, anëtar i disa akademive në ish-Jugosllavi:

Dhe kështu ndodhi që në Kosovë zor se ka fshat që të mos ketë arnautë, në disa prej tyre ata janë, madje, më të shumtë në numër. Kosova u mbyt me këto garnizone arnaute, të cilat nuk kënaqeshin vetëm nëpër qytete, por zbrisnin edhe në fshatra që të asgjësonin deri në rrënjë fisin tonë.

Sot ushtria arnaute është mundur, vendbanimet shqiptare, që ishin pjesë përbërëse e saj, tërhiqen e shpërngulen, ashtu siç tërhiqet prapavija kur ushtria zmbrapset. Me gjithë qëndrimin paqësor të proklamatës serbe, që u jep të gjithë banoreve lirinë dhe barazinë, fshatrat arnaute shpërngulen pasi e ndiejnë tërë peshën e mëkateve të tyre. Arnautët tërhiqen në rrëmujë. (1)

****

Aleksandra Kolakoviç – historiane dhe studiuese në Institutin e Studimeve Politike në Beograd:

Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve përveç problemeve të jashtme, (me fqinjët e saj Italinë, Austrinë, Hungarinë, Bullgarinë dhe Shqipërinë), ndeshej

—————————

1 – Aleksandar Beliç. Politika , 15.10.1912.

edhe me probleme të brendshme. Në Kosovë gjendeshin bandat e kaçakëve –  shqiptarë të jashtëligjshëm, të cilët ushtria mbretërore arriti t’i mposhtë vetëm në vitin 1924. Idea e Lidhjes së Prizrenit ishte ringjallur dhe në Shkodër ishte krijuar Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare. Viktima e tij e parë ishte një mik i Serbisë, Esat Pashë Toptani (1863-1920), i vrarë në Paris. (1)

                                                             ****

Athanase Jevtiç –   peshkop i Kishës Ortodokse Serbe :

Populli ynë serb kishte zgjedhur perandorinë qiellore tashmë shumë para Betejës së Kosovës…Në Kosovë zgjedhja e tij e lavdishme u konfirmua dhe u vulos me gjakun e martirëve. Vetëm duke e vulosur me gjakun e tyre, dhe jo të tjetërkujt, martirët e rinj të shenjtë serbë – ata të skllavërisë turke si dhe të kohëve të më pasme dhe ata të  tiranisë më të fundit, të eksodeve – e kanë konfirmuar dhe rikonfirmuar këtë zgjedhje.  (2)

…. Populli serb krijoi Jugosllavinë, por vetëm pasi e kishte parapaguar me gjakun e  viktimave të tij të panumërta të pafajshme deri tek martirët e rrugës së Kryqit përgjatë Kosovës dhe Shqipërisë, të vrarë në një pjesë të mirë nga “vëllezërit e rremë” shqiptarë. Janë këta tradhëtarë të fesë së tyre të krishterë, këta të turqizuar dhe këta servila të pushtetarëve të kohërave të reja, prej shumë shekujsh torturuesit kryesorë dhe shkaktarë të dëbimit të serbëve nga Kosova….  Për të dëbuar serbët, ata janë ndihmuar dikur nga turqit, nga austriakët, nga gjermanët dhe nga italianëtTek martiri i sotëm i popullit serb në Kosovë duhet parë jo vetëm martiri kombëtar, por edhe martiri kristian i Kryqit të lumturuar dhe besimit tek Krishti. … (1)

————————–

1 – Aleksandra Kolakoviç. La France, protectrice des slaves. (Franca protektore e sllavëve). Revue des études slaves (Online),  XCI 1-2/2020. Fq. 29.

2 – Athanase Jevtiç. Dossier Kosovo. (Dosia Kosova). L’Age d’Homme. Lausanne. 1991. Fq. 5.

…Terrori i përhershëm kishte pasoja ekonomike e sociale, por para së gjithash demografike: migracionet e shumta, duke ndryshuar krejtësisht fizionominë etnike të Serbisë së Vjetër dhe të Kosovës. Çdo emigracion serb ka qenë pasuar nga një valë e re depërtimi shqiptar. Nëse për epokat e mëhershme mungojnë të dhënat statistikore, që nga shekulli XIX mund t’i ndjekim ngjarjet më nga afër. Pas luftës ruso-serbo-turke të viteve 1876-1878, territori me një thellësi prej 60 kilometrash, që ndan qytetin Prishtinë – qyteti kryesor i rajonit të Kosovës- nga kufijtë serbë, është boshatisur nga serbët dhe është populluar nga shqiptarët. Vetëm në rajonin e Kosovës turqit vendosën 30.000 shqiptarë. Duke nisur nga kjo datë deri në luftën serbo-turke të vitit 1912, 400.000 serbë kanë emigruar nga Turqia në Serbi….

Popullsia shqiptare rritet pothuajse në të njëjtat përmasa; në Kosovë numërohen në vitin 1880 rreth 240.000 shqiptarë, në një kohë që në vitin 1941 ata janë tashmë 600.000. Dhe ndërkaq, në fillim të shekullit XX, serbët e Turqisë (kosovianët), mirë apo keq, arrijnë të mbahen. Për të ardhur keq! Atë që turqit nuk e arritën gjatë katër shekujve, përpjekjet e përbashkëta të Italisë fashiste dhe të Jugosllavisë komuniste të Titos do ta arrijnë për disa dhjetëvjeçarë…

Në vitin 1912, pasi çliroi Shqipërinë nga pushtimi turk – me ndihmën e trupave malazeze, që morën qytetin e Shkodrës në vitin 1913, – Serbia u privua nga frytet e fitores : fuqitë perëndimore i rrëmbyen asaj territoret shqiptare pa asnjë kompensim dhe shpallën Shqipërinë shtet të pavarur. (2)

—————————–

1 – Athanase Jevtiç. Dossier Kosovo. (Dosia Kosova). L’Age d’Homme. Lausanne. Fq. 55-56.

2 –  Po aty. Fq.182-183.

****

Borivoje Zh.Milojeviç – gjeograf, profesor i Universitetit të Beogradit dhe akademik i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve :

Kolonizime të ngjashme kanë bërë kryesisht banorët e rrethinës së Shkodrës. Shqiptarët që vinin nga ky rajon për të kullotur bagëtinë në Bjeshkët e Namuna, u vendosën në rrëzë të malit të përmendur. Gjenden shqiptarë në jug të qytetit të Gucisë. Ata kanë ardhur nga fshati Nikça në fillim të shekullit të 20-të. Shumë shqiptarë nga rrethinat e Shkodrës, paraardhësit e të cilëve ishin katolikë, janë vendosur atje edhe më parë; fillimisht ata çonin bagëtinë për të kullotur në Bjeshkët e Namuna. Më pas, pas shpërnguljeve të serbëve nga pellgu i Limit të Sipërm, shpërngulje që prihej nga patriarkët e Pejës, ata,  në fillim të shekullit të 18-të, u vendosën në rrëzë të malit të përmendur. Më vonë këta shqiptarë përqafuan fenë myslimane dhe një pjesë e vogël mbetën katolikë. Barinjtë e Shkodrës kaluan nëpër qafat veriore të Bjeshkëve të Namuna dhe u vendosën në anën lindore, atë të Metohisë, veçanërisht në luginën e Bistricës së Pejës. (1)

…Familjet shqiptare, paraardhësit e të cilëve kanë ardhur nga rrethina e Shkodrës, jetojnë në fshatrat e Rugovës, një rajon që ndodhet në luginën e përmendur tashmë: deri atëherë ata i çonin bagëtitë e tyre në kullota në Bjeshkët e Namuna dhe vendbanimet e tyre u bënë të qëndrueshme atje vetëm pas emigrimit të serbëve. Edhe shqiptarët e Rugovës erdhën nga vendi i tyre si katolikë, por nën zgjedhën turke  u bënë muslimanë. …Luginat dhe qafat që përshkojnë malet kanë një rëndësi të madhe për lëvizjen e popullsisë. Kjo vërehet veçanërisht qartë në rastin e Malit të Sharrit. Qafa e Prevallës në anën veriperëndimore të këtij mali ndan rajonin e Sredskës në jugperëndim nga ai i Siriniqit në verilindje. Nëpër këtë qafë kaluan shqiptarët që vinin nga perëndimi për t’u vendosur në disa fshatra të Siriniqit, si Firaja, e sidomos më tej në pellgun e Kosovës. Ky kalim ishte i rëndësishëm për shpërnguljen e popullsisë shqiptare në Kosovë. Qafat e tjera të Sharrit kishin rëndësi për kolonizimin e  pellgut të Pollogut nga shqiptarët. …(1)

————————–

1 – Borivoje Zh.Milojeviç. Les Hautes montagnes dans le royaume de Yougoslavie. (Malet e larta në mbretërinë e Jugosllavisë). Beograd 1939. Fq. 260.

… popullsia shqiptare e ardhur nga perëndimi u vendos në luginat e Malit të Sharrit dhe pjesërisht në pellgun e Pollogut. Duke ardhur nga perëndimi, nga rajoni i Lumës, dhe duke depërtuar nëpër luginën e Bistricës së Prizrenit, një pjesë e shqiptarëve myslimanë u vendos në rajonin e Sreckës ndërsa të tjerë, duke kaluar Qafën e Prevallës, u vendosën në Siriniq; përgjatë kësaj rruge, në të njëjtën kohë, shqiptarët lëvizën drejt pellgut të Kosovës. Duke shkuar nga lugina e  Bistricës së Prizrenit në drejtim të juglindjes, përmes luginave dytësore të saj, drejt qafave nga Kobilica dhe Kara-Nikolica, shqiptarët e Malësisë u vendosën në disa fshatra në anën e Prizrenit, në veriperëndim të qafave të përmendura. Këta kolonizatorë bënë ndryshime të mëdha në popullatën serbe. Në shumë fshatra të luginave të lartpërmendura serbët u konvertuan në myslimanizëm, duke përqafuar kështu të njëjtën fe me shqiptarët. Më pas të rriturit, jashtë shtëpisë, mësuan shqip dhe madje adoptuan kostumin shqiptar, ndërsa gratë dhe fëmijët, duke qëndruar në shtëpi, vazhdonin të flisnin serbisht. Kështu u bënë serbët shqiptarë, pra “Arnautashë”. Kur këta burra, tashmë myslimanë, u martuan me gra shqiptare, fëmijët e tyre mësuan shqipen si gjuhën e tyre amëtare. Nga të gjitha fshatrat, që ndodhen në veriperëndim të qafës së Kara-Nikolicës, vetëm njëri është tërësisht shqiptar, të gjithë të tjerët janë të populluar me serbë të shqiptarizuar. Pothuajse të gjitha fshatrat janë shqiptare në Luginën e  Bistricës së Tetovës, në anën e Pollogut, në juglindje të qafës së Kobilicës dhe —————————

1 – Borivoje Zh.Milojeviç. Les Hautes montagnes dans le royaume de Yougoslavie. (Malet e larta në mbretërinë e Jugosllavisë). Beograd 1939. Fq. 261.

Kara–Nikolicës. E njëjta gjë është e vërtetë në luginën e Novoselska Rekës, në juglindje të qafës Xhini-Beg, dhe më pas në luginën e Mazdraçës, në juglindje të Qafës së Golemës dhe  Mala Vracas. Shqiptarët populluan jo vetëm këto lugina, të vendosura poshtë qafave, por në një numër të madh edhe pellgun e Pologut. …Shqiptarët e rrethinave të Shkodrës nga lugina e Cijevnës dhe nëpërmjet qafës që ndan këtë luginë nga ajo e Lumit të Vermoshit, depërtuan në rajonin e Plavës dhe Gucisë; prej këtu, duke kaluar nëpër qafat e lartpërmendura, ata pushtuan luginën e Bistricës së Pejës dhe më në lindje arritën në pellgjet e Metohisë dhe të Kosovës. (1)

****

Boshko I. Bojoviç – historian i Mesjetës, i Perandorisë Bizantine dhe historisë otomane, profesor në Universitetin e Parisit 1 dhe Mjeshtër i studimeve në Institutin e Studimeve Ballkanike të Akademisë Serbe të Shkencave:

Dhe ndërsa diplomacia e shquar otomane përpiqej përpara fuqive europiane për t’i vonuar sa më shumë reformat, që Porta ishte angazhuar t’i kryente, opinioni publik në Ballkan, situatat e krijuara në terren, operacionet e fraksioneve rivale në Maqedoni e gjetkë, anarkia dhe pasiguria, si dhe aksionet e shqiptarëve myslimanë kundër popujve kristianë në atë që quhej atëherë Serbia e Vjetër, favorizonin ringjalljen e tensioneve. Pamundësia e të pesë Fuqive të Mëdha për ta shtyrë Portën e Lartë në bërjen e reformave thelbësore në këto tri provinca ballkanike nuk mund të bënte tjetër veçse të nxiste vendet ballkanike që të impononin një zgjidhje të përbashkët në mënyrë të armatosur. (2)

—————————–

1 – Borivoje Zh.Milojeviç. Les Hautes montagnes dans le royaume de Yougoslavie. (Malet e larta në mbretërinë e Jugosllavisë). Beograd 1939. Fq. 262-263.

2 – Boshko I. Bojoviç. Les Balkans, les grandes puissances et la grande guerre. De cause à effet. (Ballkani, fuqitë e mëdha dhe lufta e madhe. Nga shkaqet tek pasojat). Serbica (revistë elektronike)  N. 28 / 2021.

                        —               

….Zgjerimi i mbretërisë serbe në shekujt XIII dhe XIV do të vazhdonte në kurriz të Bizantit, drejt juglindjes, gjë që e bëri rajonin kufitar të Kosovës dhe Metohisë rajonin qendror të vendit. Në fillim të shekullit XIII selia e mëparshme e zhupanëve të mëdhenj, qyteti i Rashës, u braktis në favor të selive të reja (mbretërit serbë, ashtu si sovranë të tjerë të epokës, kishin shumë rezidenca kryesore), të cilat ndodheshin më së shumti në rajonin e Kosovës dhe Metohisë, më të rëndësishmet prej të cilave janë në Prizren, Păuni, Nerodimlja, Stimlja, SvrCin, Prishtinë (në shek. XIV). Sa i përket selisë së Kryepeshkopit të Serbisë, e themeluar fillimisht …  në vitin 1219, ajo  që nga koha e Kryepeshkopit Arsene I (1233-1263), u zhvendos gradualisht në rajonin e Pejës (rrethi i Hvosnos në Metohi), ku kryepeshkopata zotëronte sipërfaqe të mëdha toke. Kur Kryepeshkopata e Serbisë u ngrit në nivelin e  patriarkanës në 1346, Peja (Ipec) u bë selia patriarkale. Pra, nga fundi i shekullit të dymbëdhjetë i gjithë rajoni i Kosovës dhe Metohisë do të ishte pjesë e shtetit serb deri në vitin 1455, data e pushtimit osman të kësaj pjese të Serbisë mesjetare …. (1)

Që nga fundi i shekullit XII tërësia e rajonit të Kosovë-Metohisë bëhet pjesë e shtetit serb, duke vazhduar kështu deri më 1455, datë e zotërimit otoman mbi këtë pjesë të Serbisë mesjetare, dmth katër vjet para rënies së kryeqytetit Smederevo (1459). Gjatë këtyre pothuajse tre shekujve, rajoni i Kosovë-Metohisë është qendra jetike e veprimtarisë politike, ekonomike, fetare dhe kulturore e Serbisë. Asgjë për tu çuditur përderisa ky rajon  përfaqëson një pasuri historike dhe kulurore, përqëndrimi dhe vlera e të cilit nuk gjendet në pjesët e tjera të Serbisë. (2)

Emigracioni i ardhur nga malet e Shqipërisë së sotme qendrore, djepi dhe foleja e shqiptarëve u favorizua nga shtrirja tokësore e Serbisë gjatë shekujve XIII-XIV. Duke u nisur nga Shqipëria Qendrore, shtrirja e shqiptarëve arrin në Shqipërinë e sotme Veriore në fundin e shekullit XII….

————–

1 – Boshko I. Bojoviç. Le passé des territoires: Kosovo – Metohija Xle-XVIIe siècle. (E kaluara e territoreve: Kosova-Metohija. Shekulli XI-XVII). Balkan Studies, 1997. Fq.37-38.

2 – Po aty. Fq. 38.

…vetëm në fundin e shekullit XII malësorët shqiptarë bëhen fqinjë të rajonit të Metohisë. Para fitoreve të mëdha të car Dushanit (1331-1355), që përfshinë midis të tjerave Epirin, Thesalinë dhe Shqipërinë e sotme Qendrore, (përjashtuar qytetin e Durrësit), kufijtë e Serbisë shtriheshin deri në lumin Mat. Mbreti Milutin (1282-1321) u bë zot përgjatë disa viteve  i qytetit të Durrësit. Dinastitë dhe zotërinjtë e tjerë serbë të tokave mundën të mbajnë disa pjesë të Shqipërisë, të Epirit e të Thesalisë deri në momentin e fitores së otomanëve. Sedentarizimi i barinjve lëvizës të ardhur nga malet në perëndim të Metohisë shkaktoi fillimin e një përzierje të popullsisë fshatare me vllehët në mesin e shekullit XIV. Regjistrimi fiskal, fill pas vendosjes së administratës otomane në 1455, zbulon një numër emrash shqiptarë në 80 vendbanime fshatare të shpërndara në më se 600 fshatra që qenë objekt i regjistrimit. Shpërndarja e këtyre emrave na tregon, pra, se pikërisht në këtë kohë ka filluar hyrja progresive dhe spontane e shqiptarëve, ndërkohë që sedentarizimi i tyre në fushat e Kosovës dhe të Metohisë nuk mund të vërtetohet para kësaj kohe…Nga tri dinastitë që sunduan Serbinë nga shekulli XII deri në shekullin XV, dy e kishin origjinën nga Kosova, gjë që dëshmon më tej për rëndësinë dhe karakterin thelbësor të këtij rajoni për shtetin serb në Mesjetë. (1)

…Vetëm kur perandoria otomane kaloi në mbrojtje (Shekulli XVII), islamizimi i shoqëruar me kolonizimin nga barinjtë shqiptarë të islamizuar, filloi të favorizohet nga administrata otomane. (2)

—————

1 – Boshko I. Bojoviç. Le passé des territoires: Kosovo – Metohija Xle-XVIIe siècle. (E kaluara e territoreve : Kosova-Metohija .Shekulli XI-XVII). Balkan Studies , 1997.     Fq. 40-42.

2 – Po aty. Fq. 53.

…Që nga fundi i shekullit të 16-të dhe veçanërisht në fillim të shekullit të 17-të, pasiguria në rritje ishte një parathënie e fillimeve të krizës së gjatë që do të trondiste Perandorinë Osmane. Rëndësia e rrugëve të komunikimit dhe pasuria e rajonit si dhe afërsia e maleve shqiptare dhe malazeze favorizuan një gjendje veçanërisht të vështirë në Kosovë-Metohi, e cila do të vazhdonte të përkeqësohej, veçanërisht në kurriz të shtresave më të pa favorizuara të shoqërisë, që në këtë rast ishin ato të besimit të krishterë. Kjo gjendje, me luftërat austro-turke, do të çonte në eksodin e madh të të  krishterëve në fund të shekullit të 17-të dhe gjysmën e parë të shekullit të 18-të dhe në një islamizim të ndjeshëm të të gjitha shtresave të popullsisë vendase apo emigrante. (1)

…Duke ikur nga reprezaljet turke dhjetëra mijëra familje serbe, të udhëhequra nga patriarku i tyre, lanë Kosovën dhe Metohinë dhe rajonet përreth dhe morën rrugën e eksodit në vazhdën e ushtrisë së krishterë. Në këtë tërheqje të parë të madhe biblike, ata mbajtën reliket e shenjtorëve të tyre, ashtu si bijtë e Izraelit mbajtën dikur Arkën e Besëlidhjes gjatë kalimit të shkretëtirës. Të shoqëruar nga një numër i madh shqiptarësh katolikë (kryesisht nga Shqipëria Veriore, sanxhaku i Novi Pazarit dhe Kosova-Metohia), ky eksod do të përfundonte në fushat e Hungarisë jugore, Sllavonisë dhe më larg në veri të Budapestit….

….Përderisa Kosovë-Metohia mbeti pjesa qendrore e Serbisë, ajo ishte djepi i qytetërimit serb në Mesjetë….

…Beteja e famshme e vitit 1389, me “Testamentin e Kosovës” (Kosovski zavet) la gjurmë të thella në vetëdijen kolektive serbe deri në kohët moderne. (2)

——————

1 – Boshko I. Bojoviç. Le passé des territoires: Kosovo – Metohija Xle-XVIIe siècle. (E Kaluara e territoreve : Kosova-Metohija .Shekulli XI-XVII). Balkan Studies , 1997. Fq. 56-57.

2 – Po aty. Fq. 60.

——

Italia, e acaruar nga moszbatimi i marrëveshjeve sekrete të Londrës (1915), e privuar nga ëndrra e një “mare nostrum” për Adriatikun, revanshizmi i Austrisë dhe Hungarisë, ishin kundërshtarët kryesorë të mbretërisë serbo-sllovene. BRSS, të cilën Jugosllavia nuk e njohu deri në vitin 1940, nuk ishte më pak armiqësor ndaj saj. (1) Memorie.al

                                                           Vijon numrin e ardhshëm 

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/emigracioni-i-ardhur-nga-malet-e-shqiperise-se-sotme-qendrore-djepi-dhe-foleja-e-shqiptareve-u-favorizua-nga-shtrirja-tokesore-e-serbise-libri-i-ri-i-gazetarit-studiuesit-dhe/