“Edhe pse i gjithë qyteti ishte nën kontrollin e gjermanëve, që patrullonin kudo nëpër lagje, mjeku hebre. M.L., doli nga shtëpia ku ishte strehuar dhe i shpëtoi…”/ Historia e rrallë në Beratin e 1944-ës

Nga Dilaver Xhelili

Memorie.al / Qyteti mbi 2400-vjeçar i Beratit nuk është thjesht një qytet muze, ai është një dëshmi e gjallë e njëqytetërimi të lashtë mikpritës. Familjet beratase përveçnjë kulture tashmë të njohur në shekuj, njihen edhe për mikpritjen e ngrohtë dhe bujare. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, familjet beratase kanë hapur dyert për strehimin e familjeve të ardhura nga përtej kufijve. E pikërisht për familjet hebreje dhe ato të Çamërisë që erdhën në Shqipëri.

Familjet hebreje kanë mbërritur në Berat nga fundi i vitit 1942. Kështu pohon një nga banoret e lagjes së re, i quajtur Isuf Qolja. Në familjen e tij është strehuar familja hebreje e Jakov David Esherit, e përbërë nga pesë veta. Edhe pse pas kaq shumë vitesh, i zoti i shtëpisë i mban mend të gjithë.

Ai kujton djalin e Davidit, të kryefamiljarit hebre dhe me radhë të gjithë pjesëtaret e tjerë të familjes, të cilët i kanë lënë përshtypje të rralla. Familja hebreje kishte ardhur nga Prishtina, nga frika e një okupimi gjerman në jug të Evropës. Por kjo nuk ishte e vetmja familje hebreje e strehuar në qytetin-muze.

Në Berat ishin dhe familjet Civeja, Drakoniku, Bukaroj, Xhufi, Zaganjori, Çipi, me banim ne Lagjen e Re dhe “Murat Çelebi”, që pritën me ngrohtësi hebrejtë. Madje familja e Qani Çevejes, u liroi hebrenjve të gjithë shtëpinë dykatëshe me tetë dhoma, dhe vetë i zoti i shtëpisë, zbriti në një palë shtëpi të vogla përdhese, që i kishte lënë kur hyri në shtëpitë e reja.

Familja e madhe beratase u ngushtua më shumë në dy dhomat e dikurshme, për të ndihmuar miqtë të cilët kërkonin ndihmë dhe luftonin për ekzistencë. Djali i Qaniut, Shyqyriu, e kujton mirë atë kohë, edhe pse ishte shumë i ri. Ai tregon se në shtëpinë e tij u vendosen 7 familje hebreje të cilat arritën t’i shpëtonin masakrës gjermane. Hebrejtë kanë lënë te Shyqyriu mbresa të pashlyeshme.

Si u shërbeu mjeku hebre H.L., banorëve të “Mangalemit”?

Familje të tjera hebre u vendosen dhe në familjet e lagjes Mangalem të qytetit të Beratit e pikërisht në familjen Vruhas. Hebrejtë që u strehuan në këtë lagje ishin njerëz të shkolluar me profesione të ndryshme.

Kryefamiljari i njërës prej familjeve hebreje ishte një mjek shumë i zoti. Të moshuarit e lagjes “Mangalem” tregojnë se kjo lagje u bë dhe qendra shëndetësore ku vizitoheshin banorët, nga mjeku hebre në mënyre të fshehtë.

Mjeku hebre, H.L., shkonte çdo ditë nëpër shtëpitë beratase, duke vizituar të moshuarit si dhe çdo person të sëmurë që kishte nevoje për të. Ai kalonte fshehurazi nëpër sokakët e lagjes me qëllim qe t’i shpëtonte syrit grabitqar të gjermanëve që ndodheshin në këtë qytet. Banorët tregojnë se mjeku hebre arriti të shpëtonte dhe një fëmijë që ishte në gjendje të rëndë.

Sipas tyre ora shënonte 24.00 e mbrëmjes së një prej atyre ditëve, kur sapo pushtuesit gjermanë kishin zbarkuar në Shqipëri dhe kishin mbërritur në Berat. “Moti ishte i keq. Shiu s’kishte të pushuar dhe stuhia ishte e fuqishme. Fëmija që banonte në lagjen Helvek, po digjej nga temperatura e lartë”, tregojnë të moshuarit.

Mjeku hebre, sapo e mori vesh një gjë të tillë, i ndihmuar nga errësira e plote dhe moti i keq, për të shpëtuar nga rrethimi gjerman, i shkon në ndihmë fëmijës që po luftonte me vdekjen. Ky ishte një akt që mjeku hebre e kreu në Berat dhe që fitoi simpatinë e të gjithëve. Edhe falë asaj, ai u bë shumë i njohur e popullor në të gjithë qytetin e Beratit.

Ndihma e tij vazhdoi gjatë, derisa u largua nga Shqipëria drejt vendit të tij. Sipas banorëve të moshuar edhe lagja Hevlek, ku mjeku shpëtoi nga vdekja fëmijën, strehoi 6 familje hebreje. Sipas dokumenteve arkivore, rezulton se në qytetin e Beratit u vendosën gjatë Luftës 20 familje hebreje të identifikuara.

Sipas banorëve mund të ketë patur dhe familje të tjera të strehuara, por që nuk janë të dokumentuara, pasi në kushtet e ardhjes së tyre në Shqipëri, nuk mund të bëhej fjalë për regjistrim. Isuf Qolja, kujton: “Jakovi thoshte shpesh ‘edhe kaposhi mos të këndojë në oborr”.

Mikpritja dhe kujdesi që treguan familjet beratase, për strehimin dhe mbajtjen e hebrenjve

Është për t’u vënë në dukje mikpritja dhe kujdesi që treguan familjet beratase për strehimin dhe mbajtjen e hebrenjve, duke pasur mbi supe dhe rrezikun e madh, që u kanosej nga nazistët gjermanë. Kur hynë forcat gjermane në Berat, më 15 nëntor 1943, pothuajse të gjithë familjet hebreje nuk u larguan, sepse ndiheshin të sigurt në shtëpitë beratase.

Kështu edhe pse qyteti-muze ishte mbushur plot me pushtues gjermanë, gjatë 10 muajve që familjet hebreje qëndruan në qytet, asnjë prej tyre, nuk u zbulua nga pushtuesit gjermanë, duke mos dëmtuar asnjërën prej tyre.

Pasditen e 12 shtatorit 1944, forcat gjermane nën presionin e partizanëve u larguan nga Berati dhe u dislokuan në fushën e aviacionit të Urës së Hasan Beut. Pas kësaj, nazistët gjermanë një pasdite shtatori qëlluan mbi Beratin më tepër se gjysmë ore me artiljeri.

Qytetarët beratas të cilët menduan se ky sulm ishte paralajmërim për një tjetër sulm të forcave këmbësore brenda në qytet, lanë shtëpitë dhe u larguan drejt periferisë për t’u mbrojtur.

Isuf Qolja, bashkë me familjen e tij u largua për tek një mik në fshatin Zhogan, ndërsa Qani Cebeja në fshatin Polikesht. Por këto dy familje fisnike beratase edhe pse braktisën shtëpitë i tyre, nuk braktisën familjet hebreje që kishin strehuar.

Ata i morën me vete në shtëpitë e miqve. Familjet beratase u kthyen në shtëpitë e tyre, vetëm kur forcat gjermane u dëbuan nga Kuçova dhe Ura e Hasan Beut (“sot Ura Vajgurore), më 18 tetor të vitit 1944. Banorët pohojnë se edhe familjet e tjera hebreje, nuk u braktisën nga beratasit.

Të moshuarit kujtojnë se hebrejtë dalloheshin për cilësitë që kishin: urtësinë, korrektesën dhe ndershmërinë. Ata mbijetuan. Punuan dhe vetë për të nxjerrë bukën e gojës. Dikush shiste ndonjë metrazh që kishte sjellë me vete, të tjerë si ambulantë shisnin prodhime sheqeri, ndërsa të shkolluarit, mjekët e farmacistët, shërbyen në gjithë qytetin.

Gratë qepnin jorganë dhe merrnin porosi për punë dore. Familjet hebreje ikën nga Berati pas çlirimit të vendit në fillim të vitit 1945.

Në muzeun e Holokaustit në Izrael, mbi faqen e një guri të madh janë gdhendur edhe emrat e 20 familjeve shqiptare beratase, që strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dëshmi kjo që nxjerr në pah vlerat pozitive të popullit shqiptar, mikpritjen e bujarinë. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

 Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/edhe-pse-i-gjithe-qyteti-ishte-nen-kontrollin-e-gjermaneve-qe-patrullonin-kudo-neper-lagje-mjeku-hebre-m-l-doli-nga-shtepia-ku-ishte-strehuar-dhe-i-shpetoi-historia-e-rralle/