“Edhe pse i fejuari i saj, ishte dënuar me 101 vite burg, Marta 23 vjeçare, nuk pyeti për presionet e Sigurimit të Shtetit dhe…”/ Historia e pabesueshme, në Mirditën e pas luftës…!

Nga Aleksandër Ndoja

                                 Histori njerëzore, rrëfyer nga Preng Bib Gjomarku!

Memorie.al / Janë shkruar qindra shkrime për derën e Kapidanit të Mirditës me ndikim në të gjithë jetën politike të vendit, derën e Gjomarkajve. Janë marrë me të drejtë me emrat e mëdhenj të kësaj dere, ashtu siç u takonte. Por kjo nuk ka pse të “eklipsojë”, histori e ngjarje të rralla, që veç në një derë të tillë mund t’i ketë në “pronësinë” historike. Ndër shumë emra të kësaj dinastie, është edhe emri i një vajze, bijë e derës së mirënjohur të Pervizit të Kurbinit, por që nuk theu besën e babait të pushkatuar, për t’u bërë nuse e një pinjolli të Gjomarkajve, asokohe i dënuar me 101 vite burgim nga diktatura komuniste, përmes firmave të kriminelëve si Aranit Çela etj. Bëhet fjalë për Martën, e njohur si gruaja e Bib Frrok Gjomarkut, një grua e rrallë, historia e së cilës mund të ishte lëndë e pare, për filma e dokumentarë pa fund, pasi me guximin e një dere të fisme, si ajo e Përvizëve të Kurbinit, prishi në mes “marrëveshjen” e dy vejushave, nënës së saj dhe vjehrrës së ardhshme, burrat e të cilave ishin vrarë nga komunistët, në fillimet e vendosjes së diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.

Asokohe, pra në mesin e vitit 1947, Martja e bija e Zef Gjok Pjetrit (Përvizi), me guximin e një 23 vjeçareje të kamun, pa asnjë dilemë, u tha në bisedë nënës së saj dhe vjehrrës së ardhshme, se; unë nuk kam për ta thyer besën e babës së vrarë, i cili me ndërhyrjen e nipit të tij, Mark Gjon Markut, ishte vendosur të ishte nusja e Bib Frrok Gjomarkut.

“Nëse kohët do ishin ndryshe, unë do të isha nuse në derë princore, e sot që kohët kanë ndryshuar, unë prap se prap do jem nuse në atë derë, për sa kohë ai të jetë i gjallë, edhe pse burri im i ardhshëm, është dënuar me 101 vite burgim”, u shpreh Martja. Kjo shuajti çdo dilemë për dy krushkat, Davën e Zef Gjok Pjetër Përvizit dhe Mara e Frrok Dod LLeshit.

Po cila është kronologjia e kësaj ngjarje të rrallë?!

I dënuari me 101 vite burg, personazhi i kësaj historie, Bib Frrok Gjomarku, më herët kishte kaluar përmes një shkollimi solid me fillesë në konviktin e Oroshit, më tej në shkollën “Normale” të Shkodrës i cila ishte hapur me 27 mars të vitit 1917, shkollë ku organizoheshin edhe kurse pedagogjike ku përgatiteshin mësuesit e parë për fshatrat e Shkodrës dhe Krujës.

Rezultatet e larta në mësime i krijuan kushtet për të ndjekur universitetin për Inxhinieri Ushtarake në Firenze, Itali, ndërkohë, “part-time” jep provime dhe merr me sukses edhe Juridikun, në po atë universitet. I plotësuar me dy diploma, pa asnjë mëdyshje, niset për në Shqipëri, ndonëse shenjat ishin të plota se situata kishte ndryshuar. Me të mbërritur në Mirditë në vitin 1945, i bashkohet çetave të rezistencës antikomuniste nën komandën e Mark Gjon Markut.

Historia e kësaj çete është e njohur në disa këndvështrime, ndërsa pas vrasjes së Mark Gjon Markut, djali i parë i Gjon Marka Gjonit, me 13 qershor të vitit 1946, në moshën 33 vjeçare, Bib Frrok Gjomarku, arrestohet dhe çohet në burgun famëkeq te Shkodrës. Pas torturash çnjerëzore, trupi gjykues e dënon me pushkatim, por në gjykimin vijues në Gjykatën e Apelit, dënimi me pushkatim, i zbret në 101 vite burg.

Si i kujton ngjarjet e rrëfyera prej prindërve, Prenga, djali i Bib Frrok Gjomarkut!?

Prenga, një ndër tre djemtë e Bib Frrok Gjomarkut asokohe të dënuar me pushkatim e më pas me 101 vite burgim, kujton çdo detaj të atyre ngjarjeve rrëfyer nga babai i tij, u cili u nda nga jeta në mënyrë natyrale, në vitin 1993. Ai kujton rrëfimet e netëve të gjata të gjyshes së tij, Marës së Frrok Gjomarkut, por dhe nënës së tij, bijës së Përvizëve të Skurajt të Kurbinit, protagoniste e kësaj ngjarje të rrallë, e cila u nda nga jeta në vjeshtën e vitit 2002.

Pasi u vendos dënimi me 101 vite burg, rrethi miqësor i vajzës nga Skurajt, sugjeronin që kjo miqësi të prishej, falë ndërhyrjeve të fshehta të regjimit komunist që po instalohej me shpejtësi. Njerëz influentë tek të dy familjet e kishin shtruar këtë ide, pasi askush nuk mund të shikonte ardhmëri në këtë lidhje. Kështu, në fillim vjeshtën e vitit 1948 niset drejt Skurajve, Mara e Frrok Dod Lleshit (Gjomarkaj), për t’u takuar me nënën e nuses, Davën e Zef Gjok Pjetrit të Kurbinit.

Dy krushkat e veja me burra të pushkatuar, (Frrok Dod Lleshi i vrarë në luftën italo-greke dhe Zef Gjok Pjetri i Kurbinit, i vrarë nga çetat partizane), kalojnë një natë të gjatë në kullën e Përvizit. Nëna e dhëndërrit të dënuar me 101 vite burg, përmes një dhembshurie të pashpresë, linte hapësira që Martja vetëm 23 vjeçe, të zgjidhte mundësi të tjera. Ndërsa burrëresha e Përvizit, ishte në dilemë….?!

Këtë mund ta zgjidhte vetë vajza, prandaj e thërrasin dhe i japin verdiktet e tyre, dy mikeshat që u kishte ra barra e madhe e kullave në zë. Vajza e kësaj dere, Martja e Zef Përvizit, e vendosur më shumë se kurrë, këmbëngul, duke thënë se: unë nuk e koris babën e pushkatuar. Më ka dhënë nuse për Bibën e Frrok Gjomarkut dhe sa të kem dijeni se ai është gjallë, do jem nusja e tij. Me arsyetimin shtesë se: fatet janë fate dhe nëse nuk do kishin ndryshuar kohët do isha nuse në një derë princore, mbyllet kjo temë mes dy grave sojnike, të kullave me emër.

Martesa sekrete e Martes me Bib Frrokun, e dënuar me 101 vite burg!

Tashmë nuk kishte asnjë dilemë. Caktohet data e martesës, data kur Martja do të mbërrinte në Ndërfushaz, për t’u larguar vetëm kur kaloi në amshim, në vitin 2002. Më herët, në fshatin Ndërfushaz, ishte caktuar një dasëm tjetër. Në tetor të vitit 1947, në të njëjtën ditë që u vendos martesa e Bib Frrok Gjomarkut, ishte caktuar të martohej edhe një banor tjetër i këtij fshati, Frrok Leci.

Për këtë arsye disa kohë më parë, i zoti i kësaj shtëpie, Hil Leci, i kishte kërkuar leje familjes Gjomarkaj, për t’u marrë krushkun e parë të tyre, Geg Pjetër Gjoci. Mara, duke mos i parashikuar ngjarjet, duke e ditur se djalin e kishte në burg, i kishte dhënë lejen. Prenga i Bib Frrok Gjomarkut, sot përsërit pa pushim se, me qindra herë kishte dëgjuar nga prindërit historinë e kësaj ngjarje.

“Gjyshja ime, me djalin e saj Bibën në burg, me peshën e madhe të drejtimit të kësaj martese, në kushte tepër të fshehta, i drejtohet bashkëfshatarit të saj Hil Leci, duke i kërkuar besë, që të mbante sekret këtë martesë, pra t’i lironte krushkun e parë Geg Pjetër Gjoci, pasi do duhej në atë datë të shkonte për të marrë nusen e Gjomarkajve, te Pervizët e Skurajve. Hil Leci, jep besë, çdo gjë mbahet sekret deri kur Martja nuse shfaqet e hipur në një kalë (mbajtur i fshehur nga sekuestrimet), shoqëruar me krushkun e pare, Geg Pjetër Gjoci, kunatin e Martes, Gjon Frrok Gjomarkaj, dhe nëna e tyre, Mara e Frrok Dod Lleshit.

Me t’u parë nusja në të hyrë të fshatit Ndërfushas, dasmorët e Lecit, fillojnë të çohen me këngë e valle, për ta pritur. Por i zoti i shtëpisë Hil Leci, u drejtohet dasmorëve, duke u thënë të prisnin dhe pak, pasi nuk është nusja jonë. Dasmorët, duke e ditur se nuk kishte dasëm tjetër atë ditë në atë fshat, i kërkojnë sqarime. Hil Leci, u drejtohet atyre duke u thënë se; sot martohet edhe Bib Frrok Gjomarku e, nusja që po hyn në katund, është për derën e Gjomarkut, ardhur nga Përvizjat e Skurajve”, kujton Prenga.

Për nusen re, Martën e Bib Frrokut, nis kalvari i vuajtjeve.

E rritur në një derë te fisme e të kamun, nusja e re fillon një jetë plot vuajtje dhe trajtim çnjerëzor, pasi kulla e Gjomarkajve, ishte djegur, pasuritë i ishin sekuestruar dhe e vetmja mundësi mbijetese, ishte puna në prerje të lëndëve drusore në pyje, në këmbim të triskave për miell dhe ushqime. Ndërsa vendimi i qeverisë së asaj kohe, për ndryshimin e dënimit për të gjithë të burgosurit, nga 101 vite burg, në 25 vite, shtonte shpresat e saj.

Nusja e re shkon në burg së bashku me kunatin Gjon Frrok Gjomarku dhe vjehrrën, për të parë bashkëshortin, por ndeshet me mos aprovimin dhe sugjerimin e tij. “Mos e humb jetën – i thotë Biba, – je e lire, pasi fati im nuk dihet”. Nusja e re përsërit refrenin e saj me vendosmëri. “Unë nuk heq dorë nga vendimi i babës, për t’a mbyllur këtë histori përfundimisht”. Nuk kaloi shumë dhe Martja e pa veten në internim në Berat. Pikërisht aty, mes atij kalvari, takohet për herë të parë pas martese, me nënën e saj, Davën e Zef Gjok Pjetrit dhe motrën, Marien.

Kjo ndodhi se pas martesës së Martës, familja e mbetur prindërore e saj, si ndëshkim për refuzimin e “sugjerimeve” dhe presioneve të njerëzve të Sigurimit të Shtetit, kishin rilidhur miqësi me kullën e Kapidanit, duke martuar Martën, për Bib Frrok Gjomarkun. Familja e Bibës, që ndodhej në burg, qëndroi në internime nga viti 1947 deri në vitin 1952. Më pas kthehet në fshat, duke punuar për mbijetesë, pa asnjë pronë, tokë apo çati mbi krye. Pas 14 vite vuajtjesh burg, pikërisht në vitin 1960, pas disa amnistive, del nga burgu Bib Frrok Gjomarku, për t’ju bashkuar, nuses së tij, e cila, kurrë nuk hoqi dorë edhe në kushtet më të vështira ekonomike, fizike e psikologjike.

Pas kësaj, jeta vijoi nën kontroll të rreptë të regjimit komunist të asaj kohe, deri në vitin 1991. Gjatë kësaj periudhe kohe, familja u shtua fillimisht me një vajzë, Veronikën e, më pas me tre djem, të Bib Frrok Gjomarkut, si: Napoloni, Prenga e Deda. Të dy bashkëshortët e kësaj historie tashmë nuk jetojnë më, ndërsa jetojnë ngjarjet dhe historitë në kujtesën e pasardhësve, histori që herë here, duken fare të pabesueshme…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/edhe-pse-i-fejuari-i-saj-ishte-denuar-me-101-vite-burg-marta-23-vjecare-nuk-pyeti-per-presionet-e-sigurimit-te-shtetit-dhe-historia-e-pabesueshme-ne-mirditen-e-pas-luftes/