Edhe BBC bën thirrje për fshirjen e TikTok

BBC u ka kërkuar punonjësve të heqin TikTok nga telefonat inteligjentë të kompanisë. Është transmetuesi i dytë publik që merr një vendim të tillë, pas atij të Danimarkës. Vazhdon “përplasja gjeopolitike” mes vendeve perëndimore dhe shtëpisë kineze të softuerit, të akuzuar për përdorimin e aplikacionit të rrjetit social të njohur për të spiunuar qytetarët. Në Shtetet e Bashkuara, ku ka mbi 150 milionë përdorues aktivë, shërbimi rrezikon të ndalohet në mbarë vendin.

Jo TikTok, ne jemi britanikë
Shtetet e Bashkuara ishin vendi i parë që ndaloi përdorimin e TikTok në pajisjet qeveritare. Të njëjtin vendim e morën Komisioni Evropian, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika dhe Zelanda e Re.

Sipas qeverive, aplikacioni TikTok mbledh shumë informacione të përdoruesit (përfshirë vendndodhjen gjeografike) të cilat ndahen nga ByteDance me Partinë Komuniste të Kinës. Në emailin dërguar punonjësve, BBC thekson se vendimi bazohet në shqetësimet e ngritura nga autoritetet qeveritare në mbarë botën në lidhje me privatësinë dhe sigurinë.

BBC News ka një kanal TikTok me mbi 1.2 milionë ndjekës dhe së fundmi ka punësuar gazetarë për të krijuar përmbajtje specifike për rrjetin social. Një tjetër llogari, e përdorur për të postuar klipe të emisioneve, ka mbi 4 milionë ndjekës. Në praktikë, kompania përdor TikTok për të arritur tek publiku, por i ndalon punonjësit që ta instalojnë atë në pajisjet e tyre.

Një zëdhënës i TikTok tha:

“BBC ka një prani të fortë në platformën tonë me llogari të shumta, nga lajmet tek muzika, duke arritur komunitetin tonë të angazhuar si në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën. Ne besojmë se këto ndalime janë bazuar në keqkuptime të nxitura nga gjeopolitika më e gjerë. Ne mbetemi në dialog të ngushtë me BBC dhe jemi të përkushtuar të punojmë me ta për të adresuar çdo shqetësim.”

TikTok gjithmonë i ka mohuar akuzat, duke theksuar se të dhënat e përdoruesve perëndimor ruhen jashtë Kinës. Me Project Clover, më shumë qendra të dhënash pritet të hapen në Evropë.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://zero1.al/2023/03/21/edhe-bbc-ben-thirrje-per-fshirjen-e-tiktok/