“Dom Ndre Zadeja dhe Patër Anton Harapi që na mblodhën sot, janë dy herë shenjtorë, janë shenjtorë të kulturës dhe…”/ Fjala e shkrimtarit dhe poetit të njohur, te Kisha e Shirokës

Nga Dr. Sadik Bejko

                                -Për Dom Ndre Zadejën dhe Patër Anton Harapin –

(Kisha e Shën-Rrokut, Shirokë, 27 korrik 2002)

 Memorie.al/ Është vërtet emocionuese të marrësh pjesë në përkujtimin e dy meshtarëve, e dy martirëve. Dy njerëz të Kishës të cilët janë martirizuar për hir të misionit të tyre. Është emocionuese se i përkujtojmë këtu në një kishë.

Në kishën që ka simbolin e saj të lartë, të shenjtë, universal – kryqin. Prej kryqit buron shpëtimi. Më vjen ndër mend titulli i një romani të shkrimtarit Kazanxaqi, “Krishti kryqëzohet përsëri”.

Në Shqipëri, priftërinj të Klerit Katolik janë kryqëzuar, janë martirizuar si askund tjetër. Vrasjet ndër ne të klerikëve dhe të poetëve janë krime të pashembullta në histori.

Po në këtë rast, ky është gjak i kryqëzimit, gjak i derdhur për shpëtimin, për çlirimin e njeriut nga e keqja, për çlirimin e shoqërisë nga ato pushtime të ligësisë së ngritur në sistem, çlirimin e vendit nga zaptime të  ideologjive shkatërrimtare.

Dom Ndre Zadeja dhe Patër Anton Harapi që na mblodhën sot, do të thoja se janë dy herë shenjtorë, Shenjtorë të Kishës, janë Shenjtorë të kulturës. Klerikë e poetë, veprimtarë dhe shkrimtarë.

Do të ndalesha dhe në një aspekt që u përmend nga parafolësit. Ndër ne këtu ka myslimanë të mbledhur në një kishë. Kujtoj se më 1936-ën Shkodra ka përcjellë me madhështi eshtrat e dy Jugorëve, të Muço Qullit dhe të Çerçiz Topullit.

Fjalimi i famshëm i Patër Anton Harapit, në këtë ditë mortore të përcjelljes së eshtrave të gazetarit Muço Qulli dhe të luftëtarit të Pavarësisë, Çerçiz Topulli, do të mbahet mend gjatë.

Vërtet ne shqiptarët kemi ndarje në.bazë të religjioneve, por kemi unitet shpirtëror kombëtar si shqiptarë. Dhe këtë bashkim shpirtëror e kanë ngulitur figura të larta si këta që përkujtojmë.

Patër Anton Harapi, në atë fjalim thoshte: “O ju eshtra të Muço Qullit dhe të Çerçiz Topullit, kur të shkoni tej për tej Shqipërisë, thoni se Shqipëria është një, një dhe prej gjakut të martirëve, Shqipëria ringjallet dhe shkon më tej”.

Është një tekst model i prozës poetike dhe i frymës së zjarrtë patriotike, tekst të cilin që Ernest Koliqi e ka përfshirë në librin-antologji “Shkrimtarë shqiptarë”.

Meshtarët tanë, kisha jonë e mbështeste misionin e vet në dy kolona: në Fe e në Atdhe…për Atme dhe për Fe. Pra ne jemi mbledhur sot te kjo kishë e Shirokës, të ndezim qiri për Dom Ndreun dhe Patër Antonin, që janë dyfish martirë, janë martirë të Kishës dhe janë martirë të kulturës, të kombit shqiptar.

Jam i nderuar që mora pjesë në përkujtimin e tyre. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/dom-ndre-zadeja-dhe-pater-anton-harapi-qe-na-mbodhen-sot-jane-dy-here-shenjtore-jane-shenjtore-te-kultures-dhe-fjala-e-shkrimtarit-dhe-poetit-te-njohur-te-kisha-e-shirok/