Dokumentet sekrete: “Në gjyq, berberi i hotel ‘Dajti’-t, armiku Xhavit Ismailaga, deponoi se, Feçor Shehu i kishte thënë…”/ Akt-akuza e Arantit Çelës në shtator ’83, për “Grupin e Kadri Hazbiut”

Dashnor Kaloçi

Pjesa e tretë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish – Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë), të cilat i përkasin vitit 1983 dhe janë pjesë e një dosje me siglën “Tepër Sekret”, ku ndodhet e gjithë korrespodenca ndërmjet Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me materialet në ngarkim të katër ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes dhe qeverisë shqiptare, si: Kadri Hazbiu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Mbrojtjes Popullore, Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë, Feçor Shehu, zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, si dhe Llambi Peçinit, drejtor i Drejtorisë së Ruajtjes Fizike dhe Sigurisë së udhëheqjes së lartë të PPSH-së, të cilët që në vitin 1982, ishin arrestuar si “armiq të popullit” dhe mbaheshin në hetuesinë e Tiranë pranë ‘Repartit 313’, me akuzën: “bashkëpunëtorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, përveç akt-akuzës së Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, (të kryesuar nga Aranit Çela), e cila i dënoi me vdekje Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin, Feçor Shehun dhe Mihallaq Ziçishtin, ndodhen edhe dhe dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të kryesuar nga Ramiz Alia, (ku merrnin pjesë: Rita Marko, Xhafer Spahiu, Mine Guri, Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Elmaz Puto, Faik Çinaj, Ibrahim Gjevori, Nik Shyti, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Stefan Qirjako, si dhe të ftuar kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino), ku kanë diskutuar pjesa më e madhe e anëtarëve të tij, duke marrë në shqyrtim kërkesat që katër të pandehurit, i kishin dërguar atij forumi të lartë, për faljen e jetës.

                                                           Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor, lidhur me dënimin me vdekje të Kadri Hazbiut, Llambi Ziçishtit Feçor Shehut e Llambi Peçinit

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

Nr. 778 Prot                                                                                      Tepër sekret

                                                                                                    Tiranë më 8.9.1983

Lënda: Mbi të dënuarit me vdekje Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, dhe Llambi Ziçishti.

 PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR

                      TIRANË 

Të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, dhe Mihallaq Ziçishti, për të bërë goditje kanë arritur deri në falsifikimin dhe sajimin e provave të rreme. Vazhdimisht, si para Konferencës së Partisë së Tiranës në vitin 1956 por edhe më vonë, kanë lënë jashtë kontrollit ambasadën jugosllave, që gjithnjë ka zhvilluar veprimtari të mprehtë armiqësore kundër vendit tonë, si dhe kanë lejuar që të dilnin jashtë shtetit disa persona me përbërje të keqe politike, ose që në ngarkim të tyre ka pasur materiale për veprimtari armiqësore. Në kundërshtim me vendimet e Partisë, vëllezërit kosovarë që vinin në Shqipëri i trajtonin në përgjithësi si të dyshimtë.

Të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, e Llambi Peçini, u janë kundërvënë vijës së Partisë edhe në drejtim të përpunimeve, duke marrë në përpunim pa baza persona të ndryshëm, si dhe duke lënë jashtë kontrollit të Sigurimit të Shtetit persona që zhvillonin veprimtari armiqësore, me qëllim që të godisnin njerëzit tanë dhe të ruanin elementët armiq, që ishin agjentë të zbulimeve të huaja.

Gjithashtu këta armiq, u janë kundërvënë platformës së Byrosë Politike për organet e punëve të brendshme dhe në lidhje me çështjen e agjenturës. Disa nga format dhe metodat e veprimtarisë së tyre armiqësore në këtë fushë kanë qenë, fetishizimi i agjenturës në krahasim me llojet e tjera të punës agjenturore dhe operative, djegia e agjentëve në mënyrë masive në forma dhe mënyra nga më të ndryshmet, futja e agjentëve të zbulimeve të huaja në rrjetin tonë agjenturor, përjashtimin e shoqeve nga ky rrjet, etj.

Sabotime këta armiq, kanë bërë dhe në radhët e organeve të zbulimit, sidomos duke bërë ndryshime të strukturave e të varësisë, duke shkurtuar në mënyrë të ndjeshme organikat nën pretekstin e luftës kundër burokratizmit, duke penguar agjenturën që të depërtonte në sferat e larta shtetërore të që ishin objekt zbulimi, si dhe duke e orientuar zbulimin drejt shfrytëzimit të formave legale, si dhe duke bllokuar informacionin informacionin për Partinë dhe kryesisht për Udhëheqësin e saj, sidomos pas ngjarjeve të Kosovës të vitit 1981.

Një drejtim i rëndësishëm i veprimtarisë sabotuese të të dënuarve Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, etj, ka qenë edhe shkelja e ligjshmërisë socialiste, nxjerrja e akteve nënligjore në kundërshtim me ligjet dhe vijën e Partisë.

Shkeljet më të rënda, të ligjshmërisë socialiste nga të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, e Mihallaq Ziçishti, gjatë kohës që këta kanë punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë, arrestimet e pabazuara, përdorimi haptazi i dhunës dhe i metodave të tjera të paligjshme.

Kur është dërguar për të punuar në Vlorë me porosi të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, i dënuari Llambi Peçini është ngarkuar që të përkrahi familjet dhe të afërmit e të goditurve si elementë antiparti, si dhe të mbante gjallë tek ata shpresat për përmbysjen e gjendjes, detyra të cilat ai i ka zbatuar.                

Një veprim tjetër i organizatës kundërrevolucionare të kryesuar nga Mehmet Shehu, dhe me bashkëpunëtorët kryesorë Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, dhe Mihallaq Ziçishtin, ka qenë dhe sabotimi i politikave të kuadrit duke ju kundërvënë vijës së Partisë sidomos, në mosmarrjen në radhët e organeve të Punëve të Brendshme të kuadrove nga klasa punëtore, në shkeljen e normave për zgjidhjen, përgatitjen, dhe edukimin e kuadrove, duke përdorur metodën e detyrimit dhe të masave ndëshkimore, në bërjen e një politike personale për kuadrin, në lëvizjet e shpeshta dhe pa kriter, etj.

Tradhtari Kadri Hazbiu ndonëse ishte për një periudhë të shkurtës Ministër i Mbrojtjes Popullore, e thelloi akoma dhe më tej veprimtarinë armiqësore të organizuar nga Beqir Balluku, Mehmet Shehu, dhe armiqtë e tjerë të mëparshëm në Ushtri, duke bërë sabotime të mëdha në të gjithë sektorët e saj.

Veçanërisht ai, e përqendroi goditjen kundër rolit udhëheqës të Partisë, në nënvleftësimin e punës edukative të Partisë, dhe në vënien e theksit tek masat administrative ndëshkimore.

Pasojat e punës së mëparshme armiqësore në ushtri, Kadri Hazbiu i quante të kapërcyeshme, dhe kur Komiteti i Partisë së dikasterit shtronte probleme të tilla ai, përgjigjej me brutalitet se ata nuk e njihnin mirë gjendjen, kërkonte ngushtimin e tematikës së organizatave bazë të Partisë, për ta shmangur atë nga problemet kardinala dhe është përpjekur që të imponojë problemet që diskutonte vetë.

I dënuari Kadri Hazbiu, ishte për ushtrinë e kazermës, dhe kundër Shkollave të Lira. Ai, ka nxjerrë sekretin ushtarak pavarësisht se thërriste për ruajtjen e tij, ashtu siç dekonspiroi kalimin e ushtrisë në një strukturë të re.

Ai, ishte për centralizimin e kompetencave të ministrit, duke dashur që të përvetësonte dhe kompetencat e Këshillit të Mbrojtjes, ashtu si edhe ato të Shtabit të Përgjithshëm, dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, etj.

Kadri Hazbiu, i thelloi më tej konceptet armiqësore të Mehmet Shehut, lidhur me kompetencat për të ngritur në alarm aparatin e ministrisë, komandat e shtabeve e korpuseve, si dhe të njësive të ndryshme të ushtrisë sonë.

Megjithëse Komandanti i Përgjithshëm, u njoh me to në datën 3.6.1982, i goditi këto qëndrime dhe urdhëroi ndreqjen e tyre, armiku Kadri Hazbiu nuk i korrigjoi shkeljet me qëllim që të shfrytëzonte këto kompetenca për realizimin e puçit ushtarak.

Ky armik, ka sabotuar edhe një sërë vendimesh të tjera të Partisë që kanë të bëjnë me fushën e mbrojtjes, ka sabotuar gjithashtu në sektorin e Ndërlidhjes, Radiolokacionit e Pelengimit, në fortifikimin e vendit, ashtu si edhe në industrinë ushtarake. Sabotime të shumta e me pasoja të rënda ka bërë dhe armiku Llambi Ziçishti, në sektorin e Shëndetësisë.

Sipas detyrave të dhëna nga organizata kundërrevolucionare, Llambi Ziçishti, ka sabotuar punën për futjen e teknikës shkencore bashkëkohore në shëndetësi, për vënien e aparaturave moderne në përdorim, për sigurimin dhe shpërndarjen e barnave, për përfundimin e Uzinës së Antibiotikëve, ka futur frymën e liberalizmit në sektorin e shëndetësisë, etj.

Gjithashtu ai, ka shpenzuar padrejtësisht nga fondi valutor 990.226 USD për të vizituar njerëz e për të blerë barna jashtë shtetit, pa qenë nevoja. “Kam vepruar për të sabotuar në sektorin e shëndetësisë, për t’i bërë të pakënaqur masat punonjëse”, pohoi vetë ky armik.

  1. Si në hetuesi ashtu dhe gjatë zhvillimit të gjyqit, u vërtetua se armiku Kadri Hazbiu me gjithë bashkëpunëtorët e tij, u janë kundërvënë vijës marksiste-leniniste të Partisë sonë në të gjitha fushat, duke ngritur e propaganduar me njëri tjetrin ashtu si edhe me persona të tjerë, kundër fitoreve të arritura në vendin tonë.

Armiqtë, Kadri Hazbiu, Nesti Nase, Fiqret Shehu, Llambi Peçini, etj., duke ju kundërvënë realitetit dhe qëndrimit të Partisë sonë, i kanë cilësuar ngjarjet e demonstratave në Kosovë si të shpejtuara, janë shprehur për nevojën e rishikimit të marrëdhënieve me revizionistët sovjetikë, dhe kanë qenë në favor të një hapjeje si me Lindjen, ashtu edhe me Perëndimin.

Ata, nuk kanë besuar kurrë në parimin e mbështetjes në forcat tona. Lidhur me këtë midis provave të tjera që u administruan në gjyq, armiku Xhavit Ismailaga, deponoi se: “Feçor Shehu, më ka propaganduar se shtetet kapitaliste, ecin përpara dhe ne duhet të marrim kredi që të ecim si ata përpara, duhet të hapim portat që të huajt të vijnë këtu…..”!

Përfundimisht gjykata, e mbështetur në të gjitha materialet e çështjes, çmoi se e gjithë veprimtaria kriminale e zhvilluar nga kjo organizatë kundërrevolucionare e drejtuar nga poli-agjenti Mehmet Shehu, së bashku me bashkëpunëtorët kryesorë: Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Fiqret Shehun, Llambi Peçinin, Llambi Ziçishtin, Mihallaq Ziçishtin, e Nesti Nasen, kanë vënë në rrezik fitoret e revolucionit popullor, socializmin në Shqipëri, si dhe kanë dëmtuar rëndë Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë në fushën, politike, ekonomike, ideologjike, e ushtarake.

Në caktimin e dënimeve gjykata, pati parasysh dhe rolin, aktivitetin, e shkallën e fajësisë, të secilit të pandehur. Sidomos gjykata u ndal në veprimtarinë shumë të rrezikshme të armikut Kadri Hazbiu, bashkëpunëtorit kryesor të poli-agjentit Mehmet Shehu, njeriut të cilit me egërsinë, cinizmin, dhelpërinë, dhe vendosmërinë armiqësore, s’ka lënë gurë pa lëvizur për ta dëmtuar Partinë e Popullin tonë.

Mjaft efektive dhe e rrezikshme u çmua, edhe veprimtaria e Feçor Shehut, Llambi Peçinit, e Llambi Ziçishtit, sidomos për aktivitetin e gjerë të tyre në fushën e spiunazhit, si dhe në përgatitjen e aktit të terrorit e puçit ushtarak. Të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, e Llambi Ziçishti, i kanë drejtuar lutje Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës. Memorie.al

Kryetari i Gjykatës së Lartë

                              Aranit Çela 

                                                Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/dokumentet-sekrete-ne-gjyq-berberi-i-hotel-dajti-t-armiku-xhavit-ismailaga-deponoi-se-fecor-shehu-i-kishte-thene-akt-akuza-e-arantit-celes-ne-shtator/