“Do arratisesha me varkë nga Saranda, por na kapën dhe në gjyq, kur prokurori më pyeti, pse e doja pushkën, unë i thashë…”/ Dëshmia e rrallë e minoritarit që vuajti nga 1958-ta, deri në ’90-ën

Pjesa e parë

Memorie.al / Historia e Spiro Nashos me origjinë nga rrethi i Sarandës, ish-i burgosur politik,  i dënuar tri herë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, duke filluar nga viti 1958, deri në dhjetorin e vitit 1990. Në këtë pjesë të parë të intervistës së tij, Spiro Nasho tregon për dënimin e parë, kur në moshën 17 vjeçare u arrestua nga organet e Sigurimit të Shtetit, pasi tentoi arratisjen me varkë nga bregdeti i Sarandës dhe dënimin e dytë, kur prokurori i kërkoi Gjykatës, t’ia falte jetën, për ta shfrytëzuar në kampet e punës. Një rrëfim për punën e lodhshme, torturat e gardianëve dhe shembujt e burrërisë e trimërisë nga shumë bashkëvuajtës të tij në kampet e burgjet e regjimit komunist diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga Kalaja e Gjirokastrës, në Zvërnec te Kriporja në Nartë të Vlorës, Kënetën e Thumanës, në ndërtim në Tiranë, Fabrika e Çimentos në Elbasan, Fabrika e Çimentos në Fushë-Krujë, Uzina e Superfosfatit në Laç të Kurbinit, Uzina e Bakrit në Rubik, Spaçi, etj., ku ai vuajti dënimin deri në shembjen e atij sistemi, në dhjetorin e ’90-ës!

Z. Spiro, kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Unë kam lindur më 20 mars 1942 dhe babai ka qenë në Francë, student. Nuk ka bërë ndonjë aktivitet politik. Kam pasur një xhaxha. Ai u përzje, ishte me anglezët dhe në ’46-ën, u arratis me gjithë shqiptarët e tjerë edhe iku në Itali.

Mbas ikjes në Itali, iku në Australi, atje vdiq xhaxhai, kurse plaku nuk u përzje me politikë. Ishte poliglot, intelektual, por në politikë nuk u përzje babai. Do të thoni ju: Si më lindi kjo urrejtje karshi sistemit?

Isha i vogël, edhe në ambientin familjar shprehej pakënaqësia, se na kishte ikur xhaxhai, një pakënaqësi për këtë sistem, për padrejtësitë, na morën shtëpitë, na morën pasurinë dhe nuk kishim si të ishim të kënaqur dhe mua më lindi pakënaqësia në shpirt që i vogël.

Në atë kohë, flas për 1958-ën, kam hyrë në burg, se në 1958-ën hyra në burg për herë të parë. Dëgjonim “Zërin e Amerikës”.

Fliste në atë kohë Komiteti “Shqipëria e Lirë”, programin për Shqipërinë. Edhe këto i komentoja me të tjerë: “dëgjova këtë, këtë-këtë, thotë “Zëri i Amerikës”, nuk janë këto të vërteta”.

Edhe për kundërrevolucionin hungarez, njerëzimi nuk e donte komunizmin, qe një gjë e poshtër, e padrejtë, një ideologji gënjeshtare, qesharake.

Tentova për të arratisur në Greqi, me barkë, me goma, me kamerdare në atë kohë. Na ktheu era, na zuri furtuna, na ktheu era në brigje tona, prapë në Shqipëri. Na kapin dhe më dënojnë 10 vjet burg.

Si e kujtoni ngjarjen dhe momentin kur ju arrestuan?

Po ishte natë. Na panë, na pikasën rojet kufitare e na rrethuan, na kapën…!

Ju ishit vetëm?

Me një djalë tjetër…!

Në ç’moshë ishit në atë kohë?

Unë atëherë isha 17 vjeç.

Për ça viti bëhet fjalë?

Ishte 17 maj 1958.

Çfarë ndodhi pasi ju arrestuan?

Më morën, më arrestuan, na mbajtën tri ditë në Sarandë edhe na çuan në Qark të Gjirokastrës. Saranda atëherë varej nga Qarku i Gjirokastrës. Aty në qark të Gjirokastrës, ndejta 8 muaj në birucë, në Kala të Gjirokastrës, isha fëmijë, tetë muaj në Kala të Gjirokastrës, edhe dënohem nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës me 10 vjet burg, në atë kohë.

Kush ka qenë hetuesi?

Një Zenel Qato.

Si ka qenë hetuesia juaj?

Kryetar Dege, kemi pasur gjeneral-major Halim Xhelon, ai që më në fund ra viktimë e Enver Hoxhës, ra brenda, se nuk i duhej më, duhej sakrifikuar. Ishte kryetar Dege në Gjirokastër atëherë. Hetuesia…! Ç’mund të bënin me një fëmijë të vogël, që nuk dinte nga kishte hyrë në burg, jo nga dilte, derën e burgut nuk e dinte…!

Çfarë kërkonin nga ju një periudhë kaq të gjatë hetuesie?

Kërkonin mos kishte ndonjë lidhje xhaxhai, mos kishte ardhur, ose me ndonjë tjetër që ta takoja. Ai ishte larg, ishte në Australi, as në Amerikë, kishte ikur në Australi.

Si gjithë shqiptarët e tjerë. Emigracioni politik në atë kohë iku në Australi, ikën prej Italie, vajti në Amerikë. Nga Amerika një pjesë e tyre vajti në Australi. Atje ndenji.

Kur ju dënuan?

Po atë vit, në ’58-ën më dënuan, nga dhjetori i ’58-ës.

Cila ishte akt-akuza?

“Tradhti ndaj atdheut” dhe më dënuan 10 vjet burg politik. Atëherë, neni i asaj kohe, thoshte që krimi më i madh që mund të kryej një shtetas, është tradhtia ndaj atdheut.

Mbasi morët dënimin, ku ju dërguan?

Mbas kësaj, na dërgojnë në kamp në Thumanë, në bonifikim. Punojmë atje një vit a dy vjet, në fushat e Thumanës, që na hëngri shpirtin. Pas asaj, vijmë në ndërtim. Punojmë dy-tre vjet në ndërtim në Tiranë.

Edhe mbas 5 vjet burg e 3 muaj, sepse ishin amnistitë, dal prej burgut. Pesë vjet e tre muaj, herën e parë të 10-vjetëshit. Dal në ’63-in. Në ’66-ën, tentoj për të ikur përsëri jashtë shtetit, pra të arratisesha. Kapem, kapem me tradhti.

Edhe më bëhet gjyqi ushtarak. Prapë Gjykata Ushtarake se nenet e arratisjes, gjithmonë kalonin në nen politik, jo nen civil. Se herën e dytë kisha tentativë arratisjeje dhe armëmbajtje pa lejë. Edhe më thoshin…!

Tani do flas edhe përgjigjet. “I pandehur, çfarë ke dashur të bëje me këto armë?” I thashë prokurorit: “Mos më nga shumë, ta kam thënë në hetuesi”. “Jo, jo, thuaje këtu, ta dëgjojë populli”. “E do saktë, i thashë, ta dëgjojë populli?” “Po”. “Të vrisja komunistët shqiptarë”.

Atëherë gjithë populli filloi të bërtiste: “Vriteni, vriteni! Hakmarrje, hakmarrje”! Gjithë kinemaja, sepse më është bërë gjyq në kinema, popullor. Gjyq i hapur, mes popullit.“Vriteni, vriteni!

Mos e lini gjallë këtë. Hakmarrje! Hakmarrje”, bërtiste gjithë populli. Këtë nuk jam unë që e flas, është dëshmitar një popull i tërë, një Sarandë e tërë.

“Vriteni, hakmarrje”! Tani, prokurori që kërkoi pretencën me vdekje, e sugjeroi gjykatën: “Ju lutem shumë tha, do ju jap një këshillë, mos e vrisni – tha – se është i ri, do punojë hyzmeqarë për ne”.

I tha prokurori. Prokurori i tha gjykatës: “Mos e pushkatoni, se do punojë hyzmeqar, është i ri, do punoj hyzmeqar për ne”. Ky qe shkaku që mbeta i gjallë, pa u vrarë nga ata.

Sa vite ju dënuan?

25 vjet burg politik.

Ky ishte viti…?

Ishte viti 1966.

Mbasi morët dënimin, në cilat kampe shkuat?

Mbasi morëm dënimin, qëndruam në Zvërnec të Vlorës, në tharjen e kanalit të liqenit të Nartës. Në argjinaturë atje, kemi punuar në kushte shumë të vështira, mes baltës e llaçit. Një tmerr i gjallë.

Sa të burgosur mund të ishin në atë kamp?

Ishin mbi 700 veta.

Si ishin kushtet e fjetjes?

Kushtet e fjetjes…! Na kishin sjellë ca batanije nga ato që kishin marrë nga jashtë, që u kishin dhënë rusët, që t’i merrje kështu, t’i shikoje, transparente, shikoje nga një qoshe në tjetrën. Që kishin sjellë, që kishin mbetur, i kishin sjellë nga ato mbeturinat e rusit, atëherë.

Po ushqimi si ishte?

Si një kafshë, si një kafshë.

Ju punonit gjithë ditën në kanal?

Gjithë ditën në kanal. Do t’ju tregoj dhe një histori…! Qe një plak, Ndue Bajraktari nga Kaçinari i Mirditës. Ky, riatdhesohet. Kishte qenë kaçak me vëllanë e tij, Markun.

Ikin, arratisen në Jugosllavi ata. Jugosllavët i hedhin me diversion në Shqipëri. E sjellin këtë plakun. U japin trakte jugosllavët që flasin kundër Shqipërisë, jo kundër komunizmit, kundër Shqipërisë.

I thotë ai kapobanda, kryetari: Ne kemi dalë kundër komunizmit, nuk kemi dalë kundër Shqipërisë, se jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë ne të shesim vendin. Kemi dale kundër komunizmit. Atje vret kryetarin e Degës së Titogradit në atë kohë, e vrau.

E marrin e pushkatojnë këtë kryetarin, edhe një tjetër, këtë vëllanë e këtij e dënojnë 20 vjet burg në Jugosllavi. Mbaron burgun në Jugosllavi. “Dal të vete në Beograd. Kur pashë, më ndiqnin mbrapa”, tregonte ai. E ndiqnin, do ta vrisnin edhe këtë.

“Pashë, ç’pashë, vajta te Ambasada Amerikane”, thoshte ai. I thanë: “Dil jashtë, se ti ke qenë fashist!” “Nuk isha fashist”, tha. “Ke qenë fashist, domethënë ke qenë me Gjon Markagjonin”, i thoshin ata. “Nuk isha fashist”, tha ai.

E nxori jashtë, nuk e pranoi. Shkoi te Ambasada Amerikane. Dhe Ambasada Amerikane refuzoi ta mbante. Shkon në Ambasadën Shqiptare. I thonë: “Nëse kthehesh në Shqipëri, je i dënuar me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, je i dënuar me vdekje, po të vesh në Shqipëri, do pushkatohesh”.

I tha: “Të shkoj në Shqipëri dhe të pushkatohem”. Nejse…! Vjen në Shqipëri ky person. Merret vendimi i Gjykatës, qëndron, me vdekje, por thanë: Ju do ju falet dënimi me vdekje, për qëndrimin anti-sllav që keni mbajtur”.

I thotë gjykata, i falet jeta. I falet jeta, vjen në Zvërnec tani, në Vlorë, në kamp, te ne. Një plak 60 vjeç, çfarë mund të pritej nga ai. Edhe e kishim ne, punonim. Ne ishim djem të rinj.

Unë punoja me një farë Mersin Habili nga ata Habilajt e Ramë Habilit të Kavajës, edhe një djalë nga Korça, Skënder Imeri. Punonim me këta. Hidhet ky komisari, edhe i thotë këtij plakut: Pse s’punon? Do ta thyej këtë shkopin në kokë!

Kush ishte komisar?

Ishte një Kiço Gjonçi, çoban, vllah. Edhe i vjen me shkop në dorë e, i thotë duke e kërcënuar: “Do ta thyej këtë shkopin në kokë, do ta bëj 400 copa”. Në këtë kohë, rrëmbejmë belat të tre, i thamë: “Komisar, mos e nga plakun se do të grijmë tani.

Do të bëjmë 400 copa me bela tani. Mos e nga plakun! Çfarë kërkon nga plaku? Normën? Do ta japim normën ne, do ta bëjmë ne normën.

Ky plaku tha: “Djema ma bëni hallall, tha, se unë kam pandehur se kanë vdekur burrat e Shqipërisë, nuk ka burra të tillë”. Llafet e tija këto.

“Xha Ndue, – thashë, – 18 vjet e kemi litarin këtu në grykë, po shiko çfarë po bëjmë për ty? Po bëjmë të vdesim të gjithë për ty”! Ai plaku pastaj më vonë u lirua, mbaroi burgun e u lirua. Memorie.al

                                                 Vijon numrin e ardhshëm

 (Intervista është pjesë e arkivës së familjes Doko).

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/do-arratisesha-me-varke-nga-saranda-por-na-kapen-dhe-ne-gjyq-kur-prokurori-me-pyeti-pse-e-doja-pushken-une-i-thashe-deshmia-e-rralle-e-minoritarit-qe-vuajti-nga-1958-ta-deri/