“Ditën që do më arrestonin, gjithë paraditen, pata pas meje si hije, Engjëll G., nga lagja ime, Operativ Sigurimi, në Degën e Brendshme të Durrësit, i cili…”/ Rrëfimi i ish-oficerit të Marinës Tregtare

Nga Maksim Rakipaj

Pjesa e pestë

Memorie.al / Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu  tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976,  i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015),  ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.

                                                           Vijon nga numri i kaluar

Meri i Zades, një durrsak në Mat’hauzen

Durrsakët e mbajnë mend si; Meri i Zades, sado që emrin e vërtetë, e kishte Ymer Jakovija. Unë e njoha në vitin 1976, në Portin e Rijekës (Fiume), ndodhesha atje me anijen “Durrësi”, kur shkuam një grup për të takuar shokët, te anija “Dajti”. Dikush prej nesh e njihte dhe Meri na ftoi për kafe në kabinë, por u hasëm me kapitenin e “Dajtit”, të paharruarin Xhevdet Gashi, që na mori të gjithëve në kabinën e tij. Gjatë bisedës, mora vesh se Ymeri, pat qenë njëri prej durrsakëve të burgosur në kampin nazist të Mat’hauzenit dhe fillova ta dëgjoj me kurreshtje, çdo fjalë të tij. Kapiten Xhevdeti, pasi na qerasi, filloi ta ngacmonte Merin: “Na kallxo kur dole prej Mat’hauzenit, Mero”…!

Kaq desh Meri dhe filloi: “Ishin ushtart amerikon e kanadez, qi na lirun, epo shyqyr tham ne…hyn ata mrena në kamp, gzim i modh joni, lotët vuuu prij gzimit…! Kur do ti… japin urdhën ata, të gjith laskuriq, le nona. Hajt mo u xhveshëm ne, po na japin rrobe t’reja tham… hehe! Ka dava Janina! Erdhën ca ushtar me rrobe t’bardha, ene na lyjtën me nji lloj pluhni të bardhë, na lyjtën të gjithëve…fillun t’u u krrujt disa, i mur amerikoni, nji t’i vu ke muri, ene gërrrr…i sharroj me mitralos… (ata qi u krrujshin pra… se ky pluhuni zbulojte se kush u krrujte, kishte smunje të ronda ngjitse)…nji durrsaku jon, njatu, afër meje…!

– ‘Amon Mero, m’vjen mu krrujt, marova….! Duro, mër dreq, i thash, amon duro, se të japin plumin kta…i them ene nji shokut tjetër: hec t’ja majm durët, qi mos t’krruhet…! Me zor tuj e majt, s’kishte burr none, qi e majte, na pshtoi për durësh, ene filloi t’u u krrujt’ si i tërbum… nji ta pa ushtart, nji ta përla… hiku çuni shkret, u liru, i maroj hallet e veta….”!

“Pse të çun në Mat’hauzen, Mero”? – se kush e pyeti.

– “E natarrun prej mbiemrit, e murën për çifut”, – ia pat Xhevdet Gashi, që vetëm për gallatë e kishte mendjen dhe nuk e mora vesh pse-në, e burgosjes së tij, në Mat’hauzen. Vonë mora vesh, se Ymer Jakovija, kishte qenë atentator, në njisitet guerrile të Durrësit.

– “Me hongër, si ja bojshit, Mero”? – e pyetëm.

– “Hec mo, burg hesapi, por kur na qitshin me pastru qytetin, atëherë po, e kishim si me qenë viti ri… se familjet gjermone, rob zoti vallahi, e dijshin qi ne shkojshim ke kazonat e plenave, ene ça bojshin… poshtë plehna, cipër shtrojshin naj gazetë, pastaj ushqime, pastaj prap gazet përcipër… na lejshin ene naj rrobe”.

– “Pastaj, Mero”?

– “Ta thot Meri jot ty… na danë simas shteteve, ne shqiptarve, qi ishim mo pak, na hypën në kamiona, bashk me taljont, meqi u merrshim vesh me ata, ene i kishim kojshi. Hec mo, ja shpirt e dil, dikur mërritëm në Bari, na thojn; ju albanezt, pysni ke Komanda Aleate ktu në Bari, gjeni përfaqsusin tuj, se ju rregullo ai, m’u kthy me vapor, drejt e në Durrs. Pyt anej, pyt knej, kur shof nji zotni, vesh e math përsmari: – ‘Skuza sinjore’, i them una atijt, – ‘Urno m’thot ky, si e ke hallin tina’…?!- Kshu kshu, i them, osht halli tem…! ‘Ah, povero te’, m’thot ky, ku do shkosh mër qyq, në Albani’ ka me të prit demepija. Ti berra il sangue, medemek ka me t’pi gjakun, merr vesh ti a jo…?! Mir, mir, po ti ma kallxo muve ku jon zyrat, se shofim e bojm…!

– M’tho taljoni shkret, më dul borxhit, mos m’tha, se kan me të hy m’hu, e do bohesh pishmon qi ke le…! Me vete un; futja pordhës ti, un për kte dit kom luftu, mër trap, po më kallxo ku jon ato zyrat, qi t’flas iher me shqiptart e mi…! Nejse mo, m’thot ky mu, via filon, numur filon, kërko filonin atje, ene bona furtuna, mu ky, ene in boka al lupo, mo n’fun…ti bim shkurt, me ato letrat e gjermonit, amerikonit e, taljonit, hyp në vaporr Meri jot…! E shyqyr thash, ja hudhe sumës Mero, marun hallet tuja, erdh dita qi pate luftu…! Mërritëm në Durrës…! Lotët m’u ke fyti, kur hym në porto, nji të zbritme m’tokë, kur po m’përlan mu njoni, me rrobe ushtarake, si me qenë leckë. – Eja me mua ti, kush je, na vjen, ku shkon? – lab vllai ka e folmja…!

– ‘Si ku po shkoj’?! M’shpi teme, jom tuj shku, jom Ymer Jakovija, qe baba letrat ty, kom qen në kampin e Mat’hauzenit, i burgos pri gjermonve…!

– ‘Navash, navash ti, merre më shtruar’, – thotë ky, – eja me mua në zyrë, ti shohim kartat e tua…! M’futi me nji biçim zyre, si biruc, e m’tha; prit se vjen komandanti, ne e sqaro ai kte muhabet…! Mas nja dy sahatsh, veç kur vje komandanti i atijt, ene ja fillo: – ‘Qysh e ke ëmrin’…?! Ia thash un…!  Baban, qysh ta quajën? Po nënën…? Ia thash të gjitha, fill e për pe…!

– ‘Nashti do më thuaç, me ça misioni të kanë dërguar armiqt tyja, në vatanin tonë… edhe fol shpejt, se përndryshe’ – … ene shtërnote dhomët…! E hongre Mero, thash me vete.

– Prit mor zotni – i them, të merrna vesh iherë, un vij nga burgjet e gjermonit, ti ja fut katunit…! Kur ma veshi qapurinë turijve, m’tok un, m’hypi me çizme cipër…të fikt mu, u përmena në burgun e Tironës…! Ene atje nja dy muj, përdit kjo histori, hy nji lap, e dil nji lap tjetër, t’gjith po nji muhabet: – Si ta qujn babën, po momën…!

Hej bela thash, po ky muhabet, durova, durova ene ja pata: – Po momën tate si ta qujn ty, mër zotni lap…?! Ene t’ja fillun, fut njoni e sill tjetri, ku po t’dhem e, ku po t’djeg…. ene harrova, se m’dul na menja: mu prezantojshin t’gjith, kur vijshin, jemi të DMP….(Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit). E di mër bab, e di, thojsha me vete, por s’ma pat mur menja ,se ai kadosh taljoni, e pat me gjith men at llafe në Bari… demepi ti berra il sangue…!

Shokët e Merit të Zades, patën “ç’liruar” Shqipërinë!

3- Kohë lufte – “lojë luftash”

Pse në biografinë e Enver Hoxhës, nuk thuhet se ka qenë arrestuar, madje jo njëherë, gjatë pushtimit?!

Isha me pushimet e fundvitit 1971. U ngrita pak vonë. Në shkollën e Marinës në Vlorë, na i bënin zgjimin që herët, në orën 5 e 30 minuta në mëngjes, prandaj, kur isha me pushime, më pëlqente të rrija deri vonë në shtrat. Pasi hëngra mëngjesin, im atë më tha: – “Kur ke ndërmend të shkosh në Tiranë? Nesër? Mirë, po kthehu edhe nga nënia, se i ra goja. Maksi është me pushime dhe s’ka erdhur të më shohë, thotë. Mos harro, dëgjove? Shokët dhe çupat, këtu i ke… mos qesh, se e kam me gjithmend”.

– “Mirë, o ba, e kam ndërmend vetë, mos ki merak. Edhe unë kam qejf ta takoj nënen”.

Të nesërmen rreth orës 10 paradite, isha te xhaxhai i vogël, Ganiu, i cili mbante gjyshen time, në shtëpinë e tij. Trokita dhe kur dëgjova zërin e dashur, që foli: “Hyrë, hyrë, mos më ngri nga vendi”, shtyva derën dhe u futa. Ulur në divan me gjyshen, ishte një burrë i moshuar, i thinjur, me pamje fisnike. Borsalinën e kish lënë mbi karrige. Përqafova nënen. I dhashë dorën atij burrit, i cili ma mbajti gjatë, duke më studiuar me vëmendje:

– “I biri i Xhaferit ky, moj Xhevo? S’ke nevojë ta thuash, sikur e ka nxjerrë i jati nga hundët…! Mashalla, goxha djalë”.

– “Këtë më ka djalën e madh Xhaferi. Pa shihe, a nuk m’i ngjan korbit Njazi, eh?! Ky është Esati, t’u bëftë nënia ty, e kam djalin e motrës së madhe…!

– “Të fala tyt eti, mor djalë. Po dal, o Xhevo, se zura rrënjë këtu. Ja mbeçi me shëndet…”!

Kur u kthye xhaxhai im nga puna më tha:

– “Paske njohur sot dhe Esat P. do me thënë, ë?! Vjen kur e di që, s’jam unë në shtëpi. Ti, hera e parë që piqesh me Esatin?! Nuk e njihje më parë”?!

– “Jo, xhaxhi Gano, kush është ky? Nënia më tha që…”!

– “E, mo, e. Nip e ka. Ky Esati, që thua ti, pat mbaruar akademinë ushtarake në Itali, në Modena, përpara Njaziut tonë të shkretë. Ka qenë major i xhandarmërisë në kohën e Mbretit. Në kohën e italianit dhe gjermanit, ka qenë kolonel dhe qark-komandant, a si i thoshin në ato vite. Pas lufte e dënuan 10 vjet. Në Burrel i bëri, të tëra.

Gjyqin ia bënë në Kinema ‘Nacional’, këtu në Tiranë. Kryetari i gjykatës ushtarake qe Koçi Xoxe. Hall i math, akuza nuk gjente asnjë dëshmitar, kundra Esatit, kurse në favor të tij, qenë me dhjetra. Ngrihet avokati i Esatit, e thotë: ‘Meqë për klientin tim, nuk del asnjë që të provojë akuzën, për krime lufte, unë kërkoj lirimin e tij të menjëhershëm’!

‘Jo moreeee’, – u hodh Koçi Xoxe, – ‘Jam unë vetë dëshmitar, kondra të pandehurit Esat P’.

‘Nder i madh për mua, që zoti gjeneral-lejtnant, të bëjë dëshmi, qoftë edhe kundra meje’, shpotiti Esati, ‘pa hë, ta di dhe unë, ç’krim paskërkam bërë’?!

‘I pandehur, e pranon që më 8 nëntor ’41, ke qenë qark-komandant ndë Korçë’?

‘Si urdhëron, e pranoj’.

‘Mban ment që më arrestove dhe mua atë ditë’?!

‘Si urdhëron, të arrestova. Po s’mbaj mënt, sa u dënua gjeneral-lejtnanti atëherë’?!

‘Nuk u dënova, por nuk e harroj që më fute një dackë turinjve, përpara se të më lëshonje pe burgut, kështu de…’!

‘Urdhëro zotrote dhe më këput dhjetë dacka, po lermë të vete në shtëpi, se më dhembin akoma brinjët, nga të rrahurat e policëve tuaj…’!

– E dënuan 10 vjet, si të thashë, – vazhdoi xhaxhi Ganua – Po ky, Esati, ka qenë jo vetëm në Korçë, ato vite. Ka qenë edhe në Tiranë, edhe në Kukës. Kur ishte në Kukës, i bënë edhe atentat, kur ishte në një makinë bashkë me prefektin e Kukësit, një me mbiemër Spahiu. Prefekti mbeti i vrarë në atë atentat, Esati nuk mori asnjë gërvishtje. Pas atentatit, doli komunikata ku thuhej se; ‘Në atentatin e kryer sot nga forcat partizane, u vra prefekti i Kukësit, në makinën e qark-komandantit Esat P…! Kolonelin Esat P., e vrau me dorën e tij partizani, filan fistëku’. Komunikatën, edhe sot e kësaj dite, e ruan Esati në shtëpi. Kur doli nga burgu, e vunë të punonte në një dyqan riparimi këpucësh.

Unë e dija këtë histori nga Esati. Ky, ish-partizani, punonte me mua te parku i riparimit të veturave. Një ditë thashë ta ngacmoj: ‘A e njeh Esat P., po ta shohësh’? ‘Ik, ore, mos u tall’, më thotë ky…! ‘Shko njëherë te riparimi i këpucëve dhe pyet atje’…! Shkon ky atje, ku i thashë unë. Hyn brenda. Atje vetëm djem të rinj punonin, i vetmi i moshuar, ishte Esati. I afrohet të moshuarit dhe e pyet: ‘Më fal, o shok, këtu punon një farë Esat P.’? Esati ngriti kokën, e pa dhe i kthehet: ‘Zotrote je ai partizani, që…e vrau me dorën e tij, Esatin’?! ‘Po, unë jam’! ‘E po, gëzohem që u njojtëm. Unë jam Esat. P., dora vetë”!

Kur ka qenë qark-komandant i Tiranës, Esati tregon që ka arrestuar dy herë Enver Hoxhën. Por e merrte në telefon menjëherë Bahri Omari: “Të lutem, zoti Esat, lëshoje të vejë në shtëpi, rini hesapi”! Kur e lëshoi për herë të dytë, tregon që i tha Bahri Omarit: “E lëshova edhe këtë herë, o Bahri. S’kam ç’të të bëj ty; veç dije mirë, se po të kenë pushtetin ky takëm, na heqin kokën, ty dhe mua”!

Si gjithë Shqipëria edhe familja e Esatit, ishte e ndarë më dysh. Në kohën e Luftës, Esati ishte kolonel, e bija ishte shoqe me Nexhmije Xhuglinin, që në Institutin Femnor, ndërsa dy djemtë i dolën partizanë, u bënë edhe komunistë. Mua më fshihet. Ka inat kur i them: “Ah, ç’na bëre mor Esat, more më qafë një popull të tërë. I futje një koqe plumbi Enver halesë që ahere dhe s’do ishim kështu sot”!

– “Po mirë, o xhaxhi Gano, nuk e ngacmuan më, pas burgut, këtë Esatin”?!

– “E kush i merr vesh këto punë, mor djalë! Sa më pak të dish, aq më mirë është. Esati, edhe sot, hyn te Nexhmija, si në shtëpinë e tij, ama kur s’është Enveri…! Ka qenë burrë i pashëm në rini zagari. Por edhe sot, ti e pe vetë, mbahet për bukuri…”!

Arrestimi

Më datë 26 prill, ne, ekuipazhi i anijes “Durrësi” prej disa ditësh ndodheshim në Durrës dhe zhvillonim zborin ushtarak. Në orën 8 të mëngjesit, sapo dorëzova shërbimin 24 orësh në anije, korrieri i ndërmarrjes, më njoftoi se duhej të paraqitesha tek zyra e drejtorit, Bajram Thërmija. Sapo zbrita nga anija, u hasa me kapitenin e anijes F. K., se si më vështroi, ftohtë, vëngër dhe ma ktheu “mirëmëngjesi” tim, duke thënë diçka të pakuptueshme nëpër dhëmbë dhe vazhdoi rrugën me atë ecje karakteristike të tijën, si kinez, me hapa të shkurtër e të shpejtë dhe me atë kasketë ala Mao Ce Dun, më ngjau tamam me një kinez të vockël, të pakuptueshëm.

Ja dhe Gaqua, komisari. Edhe ky se si më vështroi, si me keqardhje, jo me buzëqeshjen, apo ftesën e zakonshme për kafe, sa herë më haste jashtë, ose brenda anijes. Drejtori më priti me një përzemërsi fallco, me një buzëqeshje të shtirë, parafabrikat.

– “Duhet të nisesh për në Vlorë, Maksi. Te anija ‘Teuta’, do të zëvendësosh një oficer atje, Gavrosh Mllojën. E shumta nesër, duhet të paraqitesh atje, se niseni për Trieste; ja dhe flet-imbarkimi jot, për ‘Teutën’. Rrugë të mbarë”.

– “Po unë e pashë kapitenin tim, pse s’më tha gjë”?! Pastaj kam babanë në spital, vuan nga zemra, a ka mundësi të dërgoni dikë tjetër, dua të jem pranë tij këto ditë…! Unë kisha ndërmend, të kërkoja lejën e zakonshme për këtë arësye, ju lutem shoku drejtor…”!

– “Maksi, më vjen keq… te babai jot do të shkoj vetë… pastaj, ja ku është Trieste, brenda javës je këtu, pastaj bëj si të duash, ose kthehu te ‘Durrësi’, ose merr lejen, hajt, ik tani…! Shkova drejt e në spital. Tim atë e gjeta jashtë, ulur në një stol, në lulishten e spitalit, bashkë një të sëmurë tjetër. U afrova dhe njoha kapitenin e nderuar të anijes “Korabi”, Haxhi Shehun.

– “Aaa, ky qenka djali jot Xhafer, e njoh more posi, më ke ardhë në anije vjet, në Rijeka më duket, kam dëgjuar fjalë të mira për ty dhe për oficerat e ‘Durrësit’…! Ju që boni rrugën e Balltikut, jeni vërtet oficera të zot…! Po e boke një rrugë me ‘Teutën’ pra ëë? Babën e ke top, mos e ke marak, jemi bashkë këtu…”!

U përqafova me tim atë, për ta parë, më pas, vetëm nëpër takime 10 minutëshe, nëpër kampet e përqendrimit, i dhashë dorën dhe kapiten Haxhiut, që s’do ta shihja më dhe u nisa për në shtëpi, në Shkozet. U ndava edhe me nënën time të dashur, vëllanë dhe motrat më të vogla. Nuk e dija ç’më priste. Në orën 15 e 30 minuta, nisej treni për në Fier; aty do të merrja autobuzin për në Vlorë, ku ndodhej “Teuta”. Në orën 15 e 15 minuta, isha në Durrës, më duhej të nxitoja për të kapur trenin. Gjithë paraditen, pata pas meje si hije, Engjëll G., një djalë nga lagja ime, që pat filluar punë në Degën e Brendshme, si Punëtor Operativ Sigurimi.

E pashë përsëri te stacioni i autobuzit në Durrës, më pas nuk e vura re, sepse nxitoja. Kur mbërrita tek poliklinika, një djalë i vogël, rreth 12 vjeç, më doli përpara me duar të zgjatura përpara: – “O xhaxhi, o xhaxhi…”! Futa dorën në xhep, për t’i dhënë ndonjë bakshish… por: – “Jo, jo, jo! Nuk du gjo, jo! Vetëm ti, mos shko për atje ku je nisur… ata të Degës, të kan gjimu gjith ditën sot… una t’njof ty, t’kom pa me vllain tim t’modh…! Kur dole sot n’mjes nga porti, ju hume atyne ke bufe ‘Detari’. Nji me musteqe t’zeza, i gërthiti ati mo t’riut: – ku i pate syt, na humi tashti… kur ti fap, dule prap… shyqyr që t’pash, mos shko, mos shko se…”!

U shkëputa me zor nga çunaku, që s’më shqitej, mbërrita te stacioni i vjetër i trenit, preva biletën dhe në peron pashë të përhershmin Engjëll G. Nga dritarja e vagonit, vura re që nuk hypi në tren. Në Rrogozhinë, zbrita nga treni dhe hipa në një vagon tjetër, kur treni ishte në lëvizje. Asgjë e dyshimtë, asnjë fytyrë e re, nuk erdhi pas meje në vagon. U qetësova disi dhe po kujtoja ëndrrën – makth, që nuk më ndahej që prej dy javësh në gjumë…!

I veshur mirë, para se të hypja në autobuz, shihja se befas, isha vetëm në çorape, pa këpucë dhe zgjohesha si i trullosur…! Në ëndrrën e mbrëmshme, vura re që isha pa këpucë, vetëm me çorape, kur u ndodha brenda autobuzit; befas u mbyll dera, u nis dhe mua më doli gjumi i mbytur në djersë…! Treni mbërriti në Fier, te biletaria për autobuzat e Vlorës, qe radhë e madhe; bileta kushtonte 30 lekë të vjetra, nxora një pesë dhjetshe, ja dhashë dikujt që ndodhej fare pranë sportelit (dihej që nuk do të kthente resto), mora biletën dhe u drejtova për te autobuzi. Kur sapo hyja në të, ndjeva një dorë në sup dhe: – “Maks”!

U ktheva dhe pashë një fytyrë të thatë, që nuk e njihja më parë. Tepër serioze ajo fytyrë, duke më folur: – “Eja pak këtu…”! Shkova: – “Po! Kush jeni ju? Çfarë kërkoni prej meje”?!

– “Unë jam Spiro Spiro, oficer i Sigurimit të Shtetit dhe ti do të vish me mua”!

– “Ku do të vi, ku do të shkojmë, këtu në Fier”?

– “Jo, do të kthehemi në Durrës…”!

– “Por më duhet të shkoj patjetër sonte në Vlorë, sepse nesër…”!

– “E di, e di, por kemi folur me drejtorin, ka nisur dikë tjetër për te ‘Teuta’…”!

– “Po shkoj një minutë, sa të shes biletën pra…”!

Por njeriu me emrin Spiro, që m’u prezantua si oficer Sigurimi, më foli si mik i vjetër duke më zënë për krahu:

– “Hajde, mos bëj kështu për një dava tridhjet-lekshi…”!

Hapa sytë përqark dhe vura re disa persona me ato kostumet karakteristike prej doku, që vishnin policët e fshehtë, kur visheshin civilë, për detyra të ndryshme…! Asnjë rrugë për t’ia mbathur. Për ku?! Nga do t’ia mbathja…?! Arritëm te vetura “Gaz”-69 e Degës së Durrësit, ai që m’u prezantua si oficer Sigurimi, më hapi derën e “Gaz”-it dhe më shtyu brenda, ku dallova Petro Bardhin, një nga operativët e Sigurimit, për Portin e Durrësit.

Zura vend krah Petros, që bëri një ngërdheshje, ndërsa ai që m’u prezantua si oficer Sigurimi, u ul përpara, në krah të shoferit. “Gaz”-i u nis. Kur ishim në dalje të Fierit, oficeri i Sigurimit Spiro Spiro, u kthye pas dhe duke më parë në sy, më tha me ashpërsi: – “Do të arrestohesh ti Maksim”!

– “Pse, për ç’arësye”?! – e pyeta.

– “Mbylle, s’ke të drejtë të pyesësh! Pyetjet këtu i bëj unë, veri hekurat Petro”!

Petroja nxori hekurat, unë nxora duart përpara…!

– “Mbrapa duart, shpejt! Dashke dhe të t’i vëmë hekurat me duar përpara, ë, jo more…”!

Për herë të parë në jetë pashë prangat, ishin nga ato që i quanin “gjermane”, me një vidë pa fund, që lejonte të shtrëngoheshin, sipas dëshirës së oficerit. “Me këto hekura, kanë lidhur edhe Njazi edhe Hysen Rakipajn” – mendoja, ndërsa Petroja m’i shtërngonte me zell.

– “Kur të të dhëmbin, më thuaj mjaft” – tha Petroja kur arriti kockën e kyçeve te duart.

– “Oh, mjaft”! – fola me zë të mbytur.

Pas asaj “mjaft” Petro Bardhi e rrotulloi edhe dy herë fluturën-vidë, të prangave gjermane të Luftës II-të Botërore dhe duart m’u enjtën menjëherë.

Kur mbërritëm te ura në dalje të Fierit, ma dha truri t’i bija me shkelm derës së makinës dhe të hidhesha, po syrit të shoqëruesve të mi, nuk i shpëtonte asgjë. Ndaluan makinën dhe S. S., erdhi dhe ul krah meje. Pas ndonjë ore e ca, mbërritëm në Durrës. Pat filluar të binte muzgu, shihja i etur pamjet e qytetit tim, ndërsa në kokë, më ushtonte uvertura; “Egmont”, e Beethovenit. Përse më arrestuan?! A do të kthehem ndonjëherë i lirë këtu?! Memorie.al

                                                           Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/diten-qe-do-me-arrestonin-gjithe-paraditen-pata-pas-meje-si-hije-engjell-g-nga-lagja-ime-operativ-sigurimi-ne-degen-e-brendshme-te-durresit-i-cili-rrefimi-i-ish-oficerit/