Diskutim me gjimnazistët në shkollën “Said Najdeni” në Peshkopi: Youth in Albania and human rights

Brezi i ri përfaqëson të rinj që nuk e kanë jetuar periudhën përpara ’90 dhe as fillimet e tranzicionit. Në perceptimin publik shpesh standardet e të drejtave të njeriut merren të mirëqena, si vlera që kanë ekzistuar dhe që ekzistojnë me shoqërinë e lirë, pa njohur sa duhet sakrificat e vuajtjet e brezave të mëparshëm, periudhën e censurës dhe diskriminimit politik, historinë e burgjeve politike dhe izolimin e plotë nga bota e jashtme, kufizimi ekstrem i të drejtave dhe rrethanat e jashtëzakonshme të mbijetesës, ashtu edhe përpjekjet e mëdha, por edhe vështirësitë për të jetësuar elementët kryesorë të shtetit të së drejtës dhe një model të brishtë të demokracisë funksionale.

Sa flasim për të kaluarën, sa informacione kemi, sa diskutohet në universitet dhe mësojnë në tekste shkollore e universitare, sa e kuptojmë atë dhe gjejmë forcë të përballemi me pasojat e saj, sa i kuptojmë të drejtat e njeriut dhe sa i respektojmë ato, sa arrijmë të respektojmë vlerat e sistemit demokratik, sa e vlerësojmë lirinë dhe cilat janë përvojat pozitive të vendeve të tjera ish komuniste, të nevojshme për tu sjellë edhe në Shqipëri.

Për të folur mbi memorien dhe kujtesën, të drejtat e mohuara dhe rëndësinë e tyre, për ndarjen me drejtësi me të djeshmen dhe sfidat e të sotmes, Instituti i Studimeve Politike (ISP) zhvilloi aktivitetin e radhës, debat me të rinjtë në gjimnazin “Said Najdeni” në qytetin e Peshkopisë, Dibër. Aktiviteti bëhet në kuadër të nismës “Youth in Albania and human rights: From the past to the transition period” jetësuar nga ISP me mbështetjen e programit “Transition” të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Çekisë.

Në diskutim morën pjesë nxënës dhe mësues të gjimnazit, si dhe znj. Monika Kazdová, zv/ambasadore e ambasadës së Republikës së Çekisë në Tiranë, studiuesi Afrim Krasniqi nga ISP dhe eksperti Hysen Uka. Gjatë debatit u bënë krahasime midis përvojave pozitive ceke të ndarjes me të kaluarën, lustracionin dhe trajtimit të së kaluarës në tekstet mësimore, si dhe përvojave shqiptare. Gjithashtu u diskutuan në rrafsh krahasimore dhe informative mbi diferencat e modeleve komuniste në Shqipëri dhe Çekosllovaki, si dhe mbi qasjen ndaj konceptit të drejtave të njeriut përpara dhe pas viteve ’90.

Për pjesëmarrësit pati edhe një ekspozitë ilustruese të tematikës dhe të elementëve më përfaqësues, e cila u ndoq dhe u komentua me interes nga nxënësit.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/diskutim-me-gjimnazistet-ne-said-najdeni-ne-peshkopi-youth-in-albania-and-human-rights/