Deponimet e Fiqret Shehut: “Takimi i parë agjenturor, është bërë në Stokholm, më 16 maj‘81, ku përveç djalit, Skënderit, ishte dhe…”/ Si u montua procesi i bujshëm, në gusht-shtator ‘83

Nga Afrim Imaj

Memorie.al / Në fundin e gushtit dhe fillimin e shtatorit të vitit 1983, një audio u publiku pak ditë para se të zhvillohej gjyqi i Fiqirete Shehut, e përgatitur me dëshmitë e saj gjatë procesit hetimor nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, u shpërnda në të gjithë qytetet e Shqipërisë nga Jugu në Veri e cila u dëgjua, me qendër zëri nëpër institucionet, ndërmarrjet e qendrat e punës më të rëndësishme në të gjithë të vendin. E veja e ish-kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, pohonte me gojën e saj, tërë misterin e ngjarjes së bujshme si dhe “veprimtarinë e saj armiqësore” dhe të familjes Shehu gjithashtu. Të gjithë ata që kishin pasur mundësinë ta njihnin nga afër, habiteshin me dëshminë e Fiqirete Shehut, bashkëshortes së Mehmet Shehut, (ish-anëtare e Komitetit Qendror të Partisë që nga prilli i vitit 1952, ish-drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë “Vladmir Iliç Lenin” në Tiranë), ndërsa pjesa më e madhe e popullit, punëtorë dhe fshatarë kudo ku ishin, e besonin verbërisht, gjithçka thuhej në atë video fantazmë, ku ajo rrëfente me bindje, komplote pas komplotesh, të ideuara nga bashkëshorti i saj dhe të tjerë, me qëllimin e vetëm për të realizuar vrasjen e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxhën!

Pas dëshmive të saj, udhëheqja e lartë e PPSh-së me në krye Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isain, të cilët ishin ideatorët kryesorë të atij procesi dhe videos që iu server shqiptarëve me dëshmitë e Fiqrtet Shehut, mendonte se do të mbylleshin të gjitha dyshimet për vetëvrasjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Por shpejt, njerëzit do fillonin të flisnin nën zë dhe të vinin në diskutim deklaratat e saj, duke menduar se ajo po përsërite çfarë i diktonin hetuesit dhe njerëzit e Sigurimit. Ndërkohë, lindën hipotezat e para, sipas të cilave, Fiqiretja ishte e detyruar që të bënte gjithçka, me qëllim që të shpëtonte pjesën tjetër të familjes, fëmijët.

Gjyqi që startoi në 15 gushtin e ’83-it dhe do të mbyllej pas një jave!

I vlerësuar zyrtarisht i hapur, gjyqi i Fiqirete Shehut, gruas së ish-kryeministrit komunist shqiptar, do të zhvillohej tërësisht në masa të rrepta sigurie, në praninë e një auditori të përzgjedhur, ku përveç krerëve të Sigurimit të Shtetit dhe disa funksionarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të cilët ishin përgatitur ftesat përkatëse, askush tjetër nuk do të lejohej për të kapërcyer pragun e sallës së Gjykatës së Lartë, e më pas në ambientet e Burgu 313-të, ku, e pandehura Fiqret Shehu me dy djemtë e saj dhe disa të tjerë të akuzuar si “bashkëpunëtorët kryesorë” të ish-kryeministrit, do të përballej me krerët e drejtësisë komuniste. “Kryqëzimi” i Fiqrete Shehut dhe disa ish-funksionarëve të lartë partiakë dhe shtetëror të regjimit komunist, në gushtin e vitit ’83, ka qenë një nga proceset më të bujshme të periudhës komuniste në Shqipëri.

Në proces-verbalin voluminoz të procesit hetimor dhe gjyqësor në ngarkim të Fiqirete Shehut, Llambi Ziçishtit, Nesti Nases, Skënder e Bashkim Shehut, etj., ata janë akuzuar “për spiunazh, tradhti të lartë ndaj Atdheut dhe tentativë për përmbysjen e diktaturës së proletariatit në Shqipëri”.

I ndërtuar tërësisht në procedura të fshehta me 20 muaj izolim, mijëra orë hetime, 20 seanca gjyqësore, dhjetëra ballafaqime monstruoze të inskenuara, procesi është mbyllur triumfalisht me dënime nga më të rëndat. E vlerësuar si “e penduar”, e veja e kryeministrit që “bashkëpunoi” fund e krye me “drejtësinë” për të përligjur alibinë e radhës të Sigurimit të Shtetit, do të dënohej me 25 vite burg.

Po kaq do të ishte verdikti i trupit gjykues edhe për Nesti Nasen, ish-ministrin e Jashtëm. Ndërkohë që miku i tyre, Llambi Ziçishti, ish-kreu i Shëndetësisë, do të dënohej me vdekje.
Në proces-verbalet e procesit hetimor dhe gjyqësor, duket qartë metamorfoza e Fiqret Shehut, e cila në emër të “bashkëpunimit me drejtësinë” u bë protagonistja kryesore e akuzës, duke penalizuar, së pari, të shoqin e saj Mehmet Shehun, si një nga “poli-agjentët” më të rrezikshëm, i “rekrutuar”, sipas saj, qysh në vitet ’30-të kur ishte nxënës në shkollën teknike Bujqësore të Harry Fultzit.

Pretenca e mbajtur në gjyqin e Fiqirete Shehut, Llambi Ziçishtit, Nesti Nases e Skënder Shehut në gushtin e vitit ‘83 nga prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino, është përgatitur nga Hekuran Isai! Plot 75 faqe të akuzës të ruajtura në dosjen e Fiqirete Shehut, mbajnë nënshkrimin e ministrit të Brendshëm. Më shumë se kaq, e gjithë lënda që konsumohet në të, i referohet procesit hetimor që përsëri është drejtuar nga Hekuran Isai, njeriu që u vu në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si i besuari i Enver Hoxhës, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Ish-kreu i Sigurimit të Shtetit që, mesa duket ka poseduar pushtet të jashtëzakonshëm, pasi ka hetuar në mënyrën e tij me grupin e ekspertëve të besuar, i ka çuar gjykatës, jo vetëm “provat” e veprimtarisë tradhtare e agjenturore të bashkëpunëtorëve të Mehmet Shehut, por edhe verdiktin përfundimtar për dënimin e tyre. Në rastin konkret, trupi gjykues, e ca më tepër kreu i akuzës Rrapi Mino, ka bërë gjënë më të lehtë, duke ligjëruar në sallën e gjyqit, atë çfarë i ka servirur kreu i Ministrisë së Brendshme, duke ruajtur madje edhe dialektin e tij.

Akt-akuzë Kundër të pandehurve: Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder Shehu

“Akuzohen se janë vënë në shërbim të agjenturave të huaja të spiunazhit dhe kanë vepruar në një grup armiqësor, të kryesuar nga poli-agjenti, puçisti e terroristi Mehmet Shehu, për të komplotuar kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për të përmbysur pushtetin popullor dhe për të vendosur në vend të tij, një regjim kapitalisto-revizionist, shtypës e shfrytëzues për popullin.

Për arritjen e qëllimeve të tyre, komplotistë këta armiq, kanë vepruar si pjesëtarë aktivë të një organizate kundërrevolucionare, të krijuar nga Mehmet Shehu, kanë kryer veprime përgatitore për eliminimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror, kanë sabotuar vijën politike të partisë dhe ekonominë socialiste, kanë zhvilluar agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e shtetit të diktaturës së proletariatit në Shqipëri…!

Veprimtaria e tyre në shërbim të agjenturave të huaja, është e hershme dhe e organizuar. Një nga agjencitë më aktive të spiunazhit, që ka vepruar qysh herët kundër popullit tone, është agjentura amerikane. Misionarë të ndryshëm të saj, të maskuar me petkun e diplomatit, tregtarit, mësuesit, mbledhësit të folklorit e të tjerë, nisën të thurin rrjetin e tyre të spiunazhit qysh në vitet ’30-të.

Pikërisht në vitet ’30-të kuadri i njohur i Zbulimit Amerikan, ish-drejtori i shkollës Teknike në Tiranë, Harry Fulc, rekrutoi ndër të tjerë, Mehmet Shehun, të cilin e përgatitën me synim që t’u shërbente interesave të imperializmit amerikan në Shqipëri. Për ta bërë të aftë, për këtë qëllim dhe për t’i rritur kredinë politike e për t’i krijuar mundësitë që, të depërtonte në lëvizjen revolucionare, Mehmet Shehun, e dërguan për studime ushtarake në Itali dhe më pas në luftën e Spanjës, si “luftëtar antifashist”.

Më pas, në vitin 1942, e dërguan në Shqipëri, ku kishte marrë hov lufta Nacionalçlirimtare. Pikërisht në këtë periudhë, armiqtë imperialistë e borgjezia reaksionare, thurte plane të errëta kundër Shqipërisë, synonte të sabotonte luftën për çlirim dhe sidomos të mos lejonte që, populli të vinte në fuqi. Në krye të këtyre përpjekjeve reaksionare, ishin anglo-amerikanët, por bashkë me ta, ishin dhe vepronin edhe zbuluesit jugosllavë që, ishin kamufluar në “shok” e “miq”.

Zbuluesit jugosllavë, nën pretekstin gjoja të forcimit të bashkëpunimit në luftë kundër fashizmit, punuan sistematikisht, për të minuar dhe sabotuar Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Për këtë, përveç mjeteve të tjera, përdorën gjerësisht punën agjenturore.

Emisari titist, Dushan Mugosha me pseudonimin “Çalamani”, nisi studimin e elementëve më të përshtatshëm për t’i vënë në shërbim të Zbulimit Jugosllav. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Shqipëri “Çalamani”, rekrutoi edhe Mehmet Shehun e të tjerë të shitur, ndër të cilët edhe të pandehurën Fiqirete Sanxhaktarin (Shehu), të cilës, i dha pseudonimin “Fisari”. Me rekomandimin e tij, e pandehura u lidh në martesë me Mehmet Shehun.

Nëpërmjet këtyre agjentëve dhe të tjerë si këta, revizionistët jugosllavë, janë përpjekur të devijojnë Luftën tonë Nacionalçlirimtare dhe të krijojnë kushtet që Shqipëria, të ishte gjithnjë një vend i varur nga Jugosllavia, vasal i saj. Për këtë qëllim, ata organizuan dhe nxitën prapaskenën e njohur të Beratit, në nëntor të vitit ‘44, ku goditën Partinë Komuniste Shqiptare, vijën e saj marksiste-leniniste dhe veçanërisht Sekretarin e Përgjithshëm të saj, shokun Enver Hoxha.

Jugosllavët, donin ta nënshtronin Partinë Komuniste Shqiptare dhe të lidhnin pas vetes Shqipërinë e re, që do të dilte fitimtare. Por, ata dështuan në planet e tyre djallëzore, në saj të vigjilencës së Partisë e të luftës së vendosur e të guximshme, të udhëheqësit të saj, shokut Enver Hoxha.

Në radhën e agjentëve titistë, që vepronin në konspiracion e prapa shpinës së Partisë, rol nga më të urryerit, kanë luajtur spiunët e vënë në shërbim të Zbulimit Jugosllav, Mehmet Shehu, Fiqirete Shehu, Kadri Hazbiu, Liri Gega, e tjerë.

Ata kanë përdorur terrorin dhe kanë mbajtur qëndrime sektare, me qëllim që të diskreditonin forcat partizane dhe PKSH-në, që ta shkëpusnin këtë nga populli, të minonin kështu Luftën Nacionalçlirimtare dhe t’u jepnin armë emisarëve të Titos, për të akuzuar e goditur partinë dhe sekretarin e saj të përgjithshëm.

Duke vepruar si agjent i shumë zbulimeve, Mehmet Shehu, vuri në rrezik Shtabin e Përgjithshëm gjatë Operacionit gjerman të Dimrit, të vitit ‘43-‘44, ai sipas detyrës së vënë nga anglo-amerikanët, u përpoq të pengonte zbatimin e urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm, për kalimin e Divizionit të Parë në Veri dhe pasi u detyrua të vepronte, bëri përpjekje të shumta për të penguar asgjësimin e plotë të ushtrisë gjermane në Tiranë, si dhe të bandave tradhtare, të Abaz Kupit me shokë.

Mehmet Shehu, si mercenar i anglo-amerikanëve, ka vepruar me synim që, në Shqipëri pas luftës, të vendosej regjimi borgjez, ku përsëri në krye të vendit, të ishin bejlerët e çifligarët, por të maskuar si liberalë e demokratë. Për këtë, dëshmon programi i shkruar me dorë nga Mehmet Shehu, në vjeshtë të vitit ‘42 dhe që i’u gjet në kasafortën e tij, pas vetëvrasjes.

Ky program që, i ishte servirur nga padronët e vet anglo-amerikanë, është përqafuar qysh gjatë Luftës dhe nga armiqtë, Kadri Hazbiu e Fiqirete Shehu, e të tjerë. Të gjithë së bashku, në mënyrë të organizuar dhe në konspiracion të plotë, të drejtuar nga zbulimet anglo-amerikane dhe ato jugosllave, punuan për vënien e tij në jetë në Shqipëri…!

Zbuluesit jugosllavë që vepruan në Shqipëri, menjëherë pas çlirimit, punuan në mënyrë të fshehtë, për të gllabëruar atdheun tonë. Duke ndjekur rrugën e paraardhësve të tyre, të dërguarit e Titos në këto vite, i vazhduan përpjekjet antimarksiste e antishqiptare, duke përdorur dhe duke ndërsyer në sulm agjentët e miqtë e tyre të vjetër: Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Nako Spiro, Sejfulla Malishova e të tjerë.

E gjithë veprimtaria e tyre në këtë periudhë, synonte likuidimin e Partisë dhe të udhëheqjes së saj të shëndoshë, marrjen e pushtetit nga ana e tyre dhe aneksimin e Shqipërisë nga ana e Jugosllavisë titiste, si republikë e saj e shtatë. Ata dështuan në të gjitha përpjekjet e tyre djallëzore. Pas demaskimit të revizionistëve jugosllavë, në vitin ‘48, zbulimet e huaja e intensifikuan luftën e tyre, ndaj vendit tonë, duke përdorur forma nga më të ndryshmet dhe kryesisht organizimin e banditizmit etj. Në luftën me këtë banditizëm të agjenturave të huaja, ranë mëse 700 dëshmorë.

Dëshmia në gjyq e Fiqrete Shehut: “Mehmeti kishte plan të vriste Enverin, në prill të ‘82-it”!

“Ndërsa më 1981-in, në shtator, kur djali ynë Skënderi do të shkonte për të vazhduar studimet pasuniversitare në Suedi, Mehmet Shehu, i dha si shoqërues, një nga miqtë e tij më të besuar, gjoja për t’i hequr mërzinë. Qëllimi ishte tjetër, ishte qëllim agjenturor. I dha këtij shoqëruesi një letër për agjenturën amerikane dhe mundësisht, personin ta takonte vetë.

Në letrën që dërgonte Mehmet Shehu, shkruhej, që fejesa u shpall, po ky veprim u dënua nga Partia dhe gjithashtu, njoftonte që likuidimi fizik, i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror, do të bëhej dhe ishte menduar që të bëhej në prill të vitit 1982. Për më shpejt, as që bëhej fjalë. Përmbajtjen e kësaj letre, ia kishte thënë shkurt, shoqëruesit të Skënderit.

Shoqëruesi që shkoi me Skënderin në Suedi, i solli Mehmet Shehut përgjigjen nga agjentura amerikane. Çfarë shkruante agjentura amerikane, mua nuk më ka thënë Mehmet Shehu, por kam dëgjuar gjatë seancave gjyqësore, që foli Skënderi, që ata e porosisnin të shpejtonte, po edhe mos të bënte veprime të pakontrolluara, pasi, rrezikoheshin gjëra shumë serioze. Për këtë shoqërues, di të them që Mehmet Shehu, parashikonte dhe detyra lidhur me puçin ushtarak, që kishte planifikuar prej kohësh…”!

“Rruga paqësore, varianti tjetër i marrjes së pushtetit”!

“Amerikanët e kishin porositur Mehmetin, të ndiqte variantin e marrjes në dorë të udhëheqjes së Partisë, në rrugë paqësore, domethënë gradualisht, mbas vitit ’79, të forconte pozitat në Komitetin Qendror të Partisë, duke bërë edhe spostimin e Sekretarit të parë të Komitetit Qendror, nga drejtimi i punëve të Partisë.

Ngjarjet në Kosovë, e tronditën Jugosllavinë dhe jugosllavët, megjithëse e dinin variantin paqësor të amerikanëve, kërkonin që ne të hiqnim dorë, nga varianti i SHBA-së dhe të vepronim aktivisht, për të marrë Mehmet Shehu drejtimin Partisë. Duke porositur dhe likuidimin fizik të Enverit. Në takimin që bëra në Suedi, amerikanët u pajtuan me variantin jugosllav. Po pse e pranuan amerikanët këtë?

Së pari, ata u trembën se mos jugosllavët, do të nxirrnin ndonjë gjë komprometuese dhe do të digjej Mehmet Shehu. Së dyti, ata nuk donin të krijonin acarime me Jugosllavinë, si një vend që ata e përdorin si të duan. Së treti, amerikanët u pajtuan formalisht se, fshehtas ata filluan ta sabotonin planin jugosllav.

Pikërisht për këtë arsye, ata porositën Mehmet Shehun, për të bërë fejesën e djalit, me vajzën e Turdive. Ky veprim, kishte qëllim të lëkundte pozitat e Mehmetit, në krye të Partisë, për të zbatuar planin jugosllav. Nga ana tjetër, Mehmeti duke dalë përkohësisht nga skena, si një nga udhëheqësit kryesorë, do të ruhej nga amerikanët për të vepruar më vonë…”!

(Ishte pikërisht ajo, krushqia, që kryqëzoi kryeministrin Mehmet Shehu. E tillë u fiksua në memorien e kohës fejesa e Skënderit, djalit të dytë të kreut të qeverisë komuniste, me një nga volejbollistet me të njohura të Tiranës, në fillimin e viteve ’80-të. Fiqret Shehu, e veja e kryeministrit të vetëvrarë, ishte e para që nxori në sipërfaqe, misteret e kësaj lidhje, në procesin gjyqësor të gushtit ‘83. Për të, dashuria midis dy të rinjve, ishte një alibi, nëpërmjet së cilës, agjenturat e huaja synonin tjetërsimin e sistemit politik në Shqipëri.

Në të njëjtën linjë, vijoi rrëfimin e vet edhe Skënder Shehu, protagonisti i ngjarjes së bujshme me profil rozë. Sipas tij, fejesën me një vajzë me biografi jo të mirë, ia ka kërkuar i ati, Mehmeti, i cili i ka shpjeguar edhe rekomandimet e padronëve matanë Atlantikut për të. “Babai im, dëshmoi në gjyq Skënder Shehu, më tha se amerikanët donin të ndikonte për zbutjen e luftës së klasave dhe i ofruan variantin e krushqive, me familje me rrethana jo të mira politike.

Ai më tha se, kishte ngarkuar ministrin e Brendshëm të më gjente një vajzë me përbërje të keqe biografike dhe Feçorr Shehu, më rekomandoi Silva Turdiun”. Më tej e veja dhe djali i penalizuar i ish-kryeministrit, dëshmojnë të tjera detaje në zbërthim të aktakuzës si pjesëtarë të një organizate terroriste, që do të përmbyste pushtetin popullor dhe diktaturën e proletariatit në Shqipëri…)!

Deponimet e Fiqret Shehut

Fiqirete Shehu: “Takimi i parë agjenturor është bërë duke shkuar në drejtim të parkut të madh të Stokholmit, më 16 ose 17 maj ‘81, s’më kujtohet me saktësi. Kemi qenë të ndarë në dy grupe, grupi shoqërues përpara, ndërsa Gani Kodra, unë dhe djali im, Skënderi më pas.

Midis dy grupeve u krijua një distancë. Aty pranë ndodhej personi i agjenturës amerikane. Unë shpejtova hapat dhe bëra takimin agjenturor. Mora porosinë, për të vepruar më aktivisht Mehmeti. Për këtë çështje, Gani Kodra ishte në dijeni, se e kish vënë në dijeni Skënderi, sikurse dhe e dëgjoi Skënderin, kur më tha ky është personi që duhet të takosh.

Edhe në rastin e dytë, kur u bë takimi i dytë agjenturor me të njëjtin person të agjenturës amerikane në Goteborg në hotel “Europa”, Gani Kodra ka qenë i vënë në dijeni nga Skënderi dhe ka bërë roje te ashensori, ndërsa djali im bënte roje në korridor.

Gjithçka për të mos rënë në sy. Takimi im agjenturor qe fare i shkurtër, disa minutash. Mesazhi i tij kishte të bënte me përshpejtimin e aktivitetit për eliminimin fizik të Enver Hoxhës. Jo rastësisht Mehmet Shehu kishte zgjedhur pikërisht Gani Kodrën, njërin ndër më besnikët e tij, të cilin e dërgoi me djalin në Suedi, si shoqërues në një kohë kur Skënderin e pati tërhequr në punët e fëlliqura të tij si ndërlidhës me agjenturat e huaja”. Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/deponimet-e-fiqret-shehut-takimi-i-pare-agjenturor-eshte-bere-ne-stokholm-me-16-maj81-ku-pervec-djalit-skenderit-ishte-dhe-si-u-montua-procesi-i-bujshem-ne-gusht/