Denoncimet e B.p. “Shkëmbi”, burgu i Burrelit, ’83: “Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Kapllan Resuli, Bebi Konomi, Luan Burimi, Skënder Shatku, etj., flasin kundër udhëheqësit të partisë, duke thënë…”/

Nga Gjet Kadeli

Pjesa e njëzetegjashtë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

                                                  Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra në burgun e Burrelit, nga Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Luan Burimi, Bebi Konomi, Kapllan Resuli, Dalip Gaba, Skënder Shatku, etj.

                                                                                                  Marrë: nga P.Op. V.Kuka

                                                                                                 Dhënë: nga B.p. “Shkëmbi”

                                                 R a p o r t

Ai njofton se, sapo roja i shërbimit njoftoi për ndryshim të orarit të veprimtarisë (ajrosjes), të dënuarit u revoltuan dhe si rrjedhim u zhvillua kjo bisedë:

Njëri nga të dënuarit tha që, të lajmërojmë komandën për këtë punë, Gjetë Kadeli, tha: “Këto punë nuk zgjidhen duke lajmëruar komandën, por ashtu si ja bënë ato 8 vetat e dhomës 3/1, pra mos të dalim në ajrim dhe mos të marrim bukën. Pra, kush të dojë le të më ndjekë mua”.

Të këtij mendimi, ishim tre-katër vetë. Po i pari ishte Luan Burimi, i cili bërtiti: “Unë jam dakord”. Pastaj pranuan Novruz Dorëzi, Dalip Gaba dhe Njazi Dorezi. Këtë bisedë e ndërpreu Skënder Shatku, i cili tha: “Unë jam i mendimit që t’i themi komandantit, para se të bëjmë grevë”.

Sot erdhi në dhomë, libri i udhëheqësit kryesor të Partisë “Vitet e vegjëlisë”, e mori Daut Gumeni dhe për ta pare, u mblodhën tek krevati i Dautit, këto të dënuar: Gjet Kadeli, Myftar Velia, Skënder Shatku dhe Petrit Paja. Libri kishte fotografinë nga jeta e udhëheqësit të Partisë. Si rrjedhim, lindi kjo bisedë:

Daut Gumeni tha: “Sa po pa fotografinë e udhëheqësit të Partisë, shih kush shkruan për Gjirokastrën”!

Kur panë fotografinë familjare, në fund të librit dhe udhëheqësi kishte shkruar, këtë fjalë: “Të jetojmë të lumtur dhe të bëjmë shumë kalaman”, Gjet Kadeli tha: “Vetë është i lumtur dhe i mbledhur me nipa e mbesa, bile ka marrë në shtëpi edhe dhëndrin, kurse neve, na ka ndarë pik-pikë, ku është i ati nuk gjendet i biri, vetë është i lumtur, ndërsa ne, Jo”.

Kurse Daut Gumeni, tha: “Thotë që të bëjmë kalamanë shumë, që t’i ketë skllevër pune sa më shumë”.

Bebi Konomi, tha: “Se sa kopjo ka dalë libri”?

Dauti, ju përgjigj, duke i thënë se: “75.000 kopjo”. Pastaj në këtë bisedë, bënë edhe llogarinë e parave, sa ka marrë udhëheqësi dhe si u zhvillua biseda:

-Sa kushton një kopje? Pyeti Dali Gaba.

Daut Gumeni, tha: 250 lek.

Pas pak, Kapllan Resuli tha si duke qeshur: “Udhëheqësi ka marrë 20 milion lek me këtë vepër dhe nuk kam dëgjuar që, ti ketë falur kujt, sepse, mua kur më dhanë lekët për librin “Tradhtia” më thanë: Falja shtetit lekët dhe unë fala 50 mijë lek. Por po shikoj se, vetë udhëheqësi nuk po fal.

Luan Burimi tha: “Ai nuk është për të falur, por të marrë, se po të falte ai, neve do të ishim në shtëpi”.

Novruz Dyrzi, tha: “Ku fal ai që ka vjedhur qylymat e shqiptarëve”?

Artikulli i gazetës, “Zëri i Popullit”, mbi armët konvencionale këtu në dhomë e komentuan:

Dalip Gaba: “Sa herë që Jugosllavia flet ndonjë fjalë kundër këtyre, këta menjëherë i përgjigjen. Por edhe përgjigjen e japin sikur e thotë bota. Edhe ngjarjeve në Kosovë, shkruajnë sikur e thotë bota”.

Kapllan Resuli: “Jugosllavia don me i diskretituar këta, para opinionit botëror, për terror dhe masakra që i bën popullit. Edhe këta nga ndonjëherë, thonë dhe shkruajnë për masakrat në Kosovë. Udhëheqësi kryesor, shanë Titon, që Titon e kanë dashur gjithë udhëheqësit e botës, bile kur ka vdekur, kanë ardhur në varrimin e tij. Po këtë udhëheqësin kryesor, kush e don? Kush i vjen për vizitë? Kush e fton në vizitë? Asnjë nuk vjen dhe asnjë nuk e fton, veç vinë këtu disa hora, si Zhao Amazona dhe Fasko Dinuçi. Edhe një i dënuar ordiner për dhunim, si Ernest Aust, tani nuk vjen më siç vinte më parë. Pra shkon fjala e urtë e popullit: “Thuajmë se më kë rri, të të them se kush je”! Ja pra, këta janë udhëheqësit kryesor dhe shokët e tij.

                                      “SHKËMBI”

Sqarimi: K. Resuli dhe S. Shatku, janë të dënuar për krime kundër shtetit, ndiqen në përpunim aktiv 2/A, si agjent të zbulimit Jugosllav.

Gj. Kadeli, L. Burimi, D. Gumeni, D. Gaba, R. Dyrma dhe, B. Konomi, janë të dënuar për krime kundër shtetit, kemi të dhëna në ngarkim të tyre.

Vlerësimi: Raporti ka vlera operative, në të del se i dënuari Gjet Kadeli, ka bërë thirrje për të organizuar grevën e urisë në masën e të dënuarve. Gjithashtu, del agjitacioni e propaganda e mprehtë që zhvillojnë këta të dënuar, kundër udhëheqësit kryesor të Partisë, në radhët e të dënuarve të tjerë të dhomës.

Detyrë: B.p. ju dha detyrë që, të zhvillojë biseda me Kapllanin e Skënderin, lidhur me gjendjen në Jugosllavi (Kosovë) për ngjarjet atje, ku e ka dhe si e shpjegon, sepse, nuk e trajtonin mirë, apo mos ka ardhur me detyra spiunazhi?!

Të na informosh për komentet armiqësore që, do të zhvillojnë të dënuarit e dhomës, për ngjarjet që trajtojnë për shtypin e radion.

Të na informosh për, lidhjet që kanë dhe do të mundohen të krijojnë të dënuarit e dhomës, me të dënuarit e dhomave të tjera të burgut, mënyrën si i realizojnë ato dhe çfarë formash e mjetesh konkrete përdorin?

                                   Punëtori Operativ

                                       Vehap Kuka

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra në burgun e Burrelit, nga Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Çaush Çoku, Luan Burimi, Bebi Konomi, Novruz Dyrma, etj.

                                                                                            Marrë: nga Kutia postare

                                                                                            Dhënë: nga B.p. “Shkëmbi”

                   Raporti i datës 17.2.1984

Ai njofton se, ka disa ditë në dhomë ka ardhur lajmi se dy vetë, kanë filluar grevën e urisë në dhomat e izolimit dhe këtu në dhomë, janë disa që i kanë shokë, si rrjedhim u zhvillua kjo bisedë:

Daut Gumeni tha: “Qeveria po lën të vdesë në birucë djalin e Asim Alikos që, ka derdh gjak për udhëheqësin kryesor të Partisë. Po len të vdes në birucë djalin e Beqir Ballukut që, ka derdhur gjak e djersë për udhëheqësin kryesor të Partisë. Mirë thotë populli ynë, një fjalë të urtë se, derri kur inatoset, han këlyshët e vet. Edhe kjo që nuk mund me ja përmend emrin, se siç ka thënë Tomor Allajbeu që, nuk ke se ku me e kapur këtë Parti se, e ka filluar ka herë që më 44-ën dhe po e mbaron më 84-ën, duke vrarë, në fillim nacionalistët dhe kur u mbaruan këto, filloi me vrarë komunistët, në çdo plan pesë-vjeçar, vret nga 10 vetë, shok të tij që, kanë luftuar bashkë, ndonjë ditë kur t’u kthehet edhe atyre që kanë mbetur. Po të shikosh komandantin e repartit, vjen duke u fryrë dhe krenohet që po vret dy vetë, dy djem të rinj nga 30 vjeç. Po të ishte burrë i mire, nuk kalonte nga arsimi në polici”.

Bebi Konomi, i tha Dautit: “Çdo gjë e keqe të bie në kokë, herët a vonë, do të paguhen të gjitha. Unë vetë vetëm pse i thashë komisarit të Spaçit, në vitin 1972, kur vrau një të burgosur, se pse e vratë, më dënuan në revolt, 10 vjet. Prandaj mos fol fare, do të paguhen të gjitha”.

Gjetë Kadeli, tha: “Në arkivol, duhet të ishte tjetri, biri i babë Myslymit që na ngordhi në burg. Mirëpo nuk vdes shtriga, ja ka dalur në fotografi me arkivol në dorë, si shtrigë. Hë të pafsha me arkivol në dorë, gjithmonë”.

Çaush Çoku, tha: “Ama ti Noke, e lexove librin dhe tani po i vë thikën”.

Novruz Dyrma, tha: “Kjo është thikë e vogël duhet një më e madhe”.

                                           “Shkëmbi”

Vlerësimi: Raporti ka vlerë operative, në të del aktiviteti armiqësor që, zhvillojnë këto të dënuar në formën e agjitacionit e propagandës armiqësore, si dhe keqardhja për të dënuarit Avni Aliko dhe Vladimir Balluku, të cilët, janë me grevë urie në dhomat e izolimit.

Masat Operative: Raporti, të studiohet nga drejtuesit e Degës, të shtypet sipas implikimeve, të shfrytëzohet për informacion në Degën e 8-të në Ministri dhe për Buletinin e parullave armiqësore të muajit. Pjesa që bën fjalë për briskun që ka Novruzi, të konsumohet me komandën e repartit, për të ushtruar kontroll të befasishëm e për ta kapur.

                                    Punëtori Operativ

                                        Vehap Kuka

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra në burgun e Burrelit, nga Gjet Kadeli, Skënder Shatku, Bebi Konomi, etj.

                                                                                            Marrë nga P.Op V.Kuka

                                                                                            Dhënë nga B.p. “Shkëmbi”

                                                                                            Burrel më 9.3.1983 

                                                  R a p o r t

Ai njofton ne ka disa ditë që gazetat botojnë fotografitë e Marksit e të Stalinit. Të burgosurit sa i shihnin fillojnë duke i sharë, p.sh.:

Skënder Shatku, e hapi gazetën dhe i tha Bebi Konomit: “Shihe Bebi surratin”!

Bebi i tha: “Hiqma mo nga sytë surrogatin”.

Gjet Kadeli, si gjithmonë tha: “Ai është babai i udhëheqësit kryesor të Partisë dhe jo i joni. Qeni, qenin lavdëron”.

Ndërsa Bebi, që ka frikë i tha Gjetës: “Unë s’di se çfarë e ka udhëheqësi kryesor i Partisë, se nuk më hyn në punë fare”.

“SHKËMBI”

Sqarim: Skënder Shatku, është dënuar me 25 vjet heqje lirie për spiunazh, ndiqet nga ana jonë në 2/A si agjent i zbulimit jugosllav.

Bebi Konomi e Gjet Kadeli, janë të dënuar për krime kundër shtetit, kemi materiale në ngarkim të tyre.

Vlerësimi: Raporti ka vlerë operative, në të dalin komentet armiqësore dhe urrejtja që kanë këta të dënuar, ndaj klasikëve të Marksizëm-Leninizmit dhe udhëheqjes sonë.

Detyra: B.P. ju dha detyrë që të bisedojnë përsëri me këtë të dënuar dhe me të dënuarit e tjerë, të na informojë për veprimtarinë armiqësore që do të zhvillojnë këto të dënuar dhe të dënuarit e tjerë të dhomës.

Të na informosh për lidhjet që kanë të dënuarit e dhomës me të dënuar të dhomave të tjera të burgut, të çfarë karakteri janë këto lidhje dhe nëse kanë aktivitet armiqësor të përbashkët?!

                                    Punëtori Operativ

                                         Vehap Kuka

                                                                    E K S T R A K T

Nxjerrë nga raporti i B.p. “Shkëmbi” dt.21.3.1984, në ngarkim të dënuarve Gjetë Kadeli dhe Dalip Gaba.

…. Ai njofton se tani për tani nuk flet njeri në dhomë, janë qetësuar, presin lirim; por veç Gjet Kadeli e Dali Gabës që nuk u pushon goja. Ja mbrëmë, kur fliste Ministri Punëve të Brendshme në Skrapar, kur lexonte përshëndetjen e udhëheqësit kryesor të Partisë, Gjeta tha: “Kur thotë udhëheqësi kryesor i Partisë, i juaji për jetë, ka ndërmend me arrestu 10-15 vetë prej Skrapari”!

SHKËMBI”

   Puntori Operativ

    Vehap Kuka

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra në burgun e Burrelit, nga Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Çaush Çoku, etj.

                                                                                              Marrë: nga P.Op. V.Kuka

                                                                                             Dhënë: nga B.p. “Shkëmbi”

                    Raporti i dt.11.4.1984

Ai njofton se sot me dt. 11.4.1984, në mëngjes, radio njoftoi për konfliktin me armë, njeri ndërmjet kinezëve dhe Vietnamit. Si rrjedhojë u zhvillua kjo bisedë.

Gjet Kadeli tha: “Kanë filluar të rrihen me shpulla prap, bijat e Marksit e të Engëlsit”.

Daut Gumeni, tha: “E dëgjova. E kanë si sport ndërmjet tyre”.

Çaush Çoku, tha: “Ç’ti bësh se, nuk është në vend të Grekut Kina, se tani, do të flitej kinezçe në Tiranë, nuk e linin të përralliste udhëheqësin kryesor të Partisë me shokë, ka 7-të vjet”.

Me këtë thënie të Luanit, biseda u mbyll.

SHKËMBI”

Sqarim: Gjet Kadeli, Daut Gumeni. Çaush Çoku dhe Luan Burimi, janë të dënuar për krime kundër shtetit, kemi të dhëna në ngarkim të tyre se zhvillojnë aktivitet armiqësor të hapur në prezencë të dënuarve të dhomës.

Vlerësimi: E dhëna ka vlerë operative, në të dalin se këto të dënuar zhvillojnë agjitacion të hapur në prezencë të dënuarve të tjerë të dhomës.

Detyra: B.P. ju dha detyrë që të zbatojë detyrat e dhëna në takimin e mëparshëm, si dhe njëkohësisht të na informojë për komentet armiqësore që zhvillojnë të dënuarit për probleme të ndryshme të situatës së jashtme dhe në vend. /Memorie.al

                  Punëtori Operativ

                       Vehap Kuka

                                                Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016 


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/denoncimet-e-b-p-shkembi-burgu-i-burrelit-83-gjet-kadeli-daut-gumeni-kapllan-resuli-bebi-konomi-luan-burimi-skender-shatku-etj-flasin-kunder-udheheqesit/