“Cikli epik kushtuar Kosovës pasqyron në veçanti, kujtesën kolektive e cila si e tillë dëshmon si për faktet historike, ashtu edhe për…”/ Libri i ri i studiuesit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e dymbëdhjetë

NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT, DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË 

Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852 -1853 dhe 1861-1886:

                    MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI

                                            SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE 

                               (KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE) 

Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

                                                      Vijon nga numri i kaluar

Shikuar nga kënde të ndryshme, vendimet për t’i hequr Kosovën dhe Metohinë Serbisë, dhe të gjitha mjetet për ta vënë këtë gjë në jetë, duke ndryshuar ekuilibrin etnik dhe fetar në përfitim të shumicës shqiptare, nuk mund të konsiderohen ndryshe veçse si një abuzim me historinë, si “shfaqje dhe krijim i hegjemonisë” shqiptare, nuk mund të mbrohet pikëpamja e paraqitur prej disa historianëve dhe publicistëve, që afirmojnë praninë e përhershme dhe masive të shqiptarëve në Kosovë që nga Antikiteti. (1)

1 – Radovan Samarxhiç, Sima M. Cirkoviç, Olga Zirojeviç, Radmila Trickoviç, Dushan T. Batakoviç, Veselina Djuretiç, Kosta Çavoski, Anatasije Jevtiç. Le Kosovo-Metohija dans l’histoire serbe. (Kosova-Metohija në historinë serbe). Slavica. L’Age d’Home. Lausane 1990. Fq. 17.

2 – Po aty. Fq. 18-19.

               —

Njëherazi me revoltën e Patron Halilit në Stamboll dhe publikimin në vitin 1731 të fermanit drejtuar atyre që krijonin turbullira në Perandori dhe sidomos në Serbinë e Vjetër e në Maqedoni, shqiptarët, pavarësisht nga masat e autoriteteve që synonin t’i kthenin në malet e tyre, u përhapën në trevat e Ballkanit, në grupe të një rëndësie jo të njëjtë, si blegtorë, plaçkitës ose mercenarë në shërbim të pashallarëve dhe bejlerëve të ndryshëm.

Luftërat e viteve 1737-1739 dhe kryengritja e rajave serbë,  provokuan një të çarë të re, duke lejuar shtrirjen e shqiptarëve në shumë drejtime, pikërisht sepse trupat e rregullta turke kishin nevojë për ndihmën e tyre dhe se ata përfituan nga këto kohë të turbullta për të vepruar.

Shqiptarët e porsa arritur terrorizonin popullin, vidhnin bagëtinë, sulmonin gratë dhe vajzat e reja, duke detyruar kështu rajatë të braktisnin vatrat e tyre për të kaluar në rajone të tjera.

Kur gjatë luftës kundër Rusisë (1768-1774), vendi iu nënshtrua një anarkie të vërtetë, aktet e dhunës të kryera nga shqiptarët u shtrinë edhe më tej. Disa grupe fisnore pushtuan toka në Kosovë dhe Metohi, ndërsa të tjerë fituan toka, duke kaluar nga këtu për në rajonet fqinje….Ata filluan si fshatarë të varur, por kur u bënë numerikisht shumicë, ata nisën të plaçkitin, të vrasin dhe të përdhunojnë. (2)

1- Radovan Samarxhiç, Sima M. Cirkoviç, Olga Zirojeviç, Radmila Trickoviç, Dushan T. Batakoviç, Veselina Djuretiç, Kosta Çavoski, Anatasije Jevtiç. Le Kosovo-Metohija dans l’histoire serbe. (Kosova-Metohija në historinë serbe.) Slavica. L’Age d’Home. Lausane 1990. Fq.32.

2 – Po aty. Fq. 125.

Diplomati dhe historiani rus A.F. Giljferding, gjatë udhëtimit të tij në Metohi në 1858 ka vënë re se serbët kristianë duronin çdo ditë poshtërime dhe dhunë të ndryshme nga ana e shqiptarëve të papërmbajtur e të pamëshirshëm dhe se masat e marra nga kryebashkiaku “që përpiqet të shtypë dhe të ndëshkojë arbitrarizmin shqiptar”, nuk kishin asnjë efekt, sepse xhandarët e tij të pakët, ishin rekrutuar në mesin e shqiptarëve. “Por ç’mund të bëjë një njeri i vetëm me vullnetin më të mirë në botë, në mesin e një mase të armatosur, që nuk ka asnjë ide se ç’janë ligjet dhe gjykatat dhe që është mësuar me arbitrarizmin dhe tiraninë, me një fjalë, sikurse thotë një proverb lokal, që i trembet pak Zotit dhe aspak Sulltanit”. (1)

Raportet zyrtare të konsullit të parë të Rusisë në Prizren, Eugen Timajev – përfaqësuesi i një fuqie që tradicionalisht ishte protektorë e subjekteve ortodokse të  Perandorisë turke – e plotësojnë pamjen e situatës në Metohi dhe shkallën e vuajtjeve të popullit serb në gjysmën e dytë të viteve ‘60-të. Në fund të vitit 1866, Timojev ka informuar qeverinë e tij për dhunën dhe abuzimet e kryera nga shqiptarët në krahinën e Pejës. Gjatë plaçkitjes të nja dhjetë fshatrave serbe, ata kanë vrarë burrat dhe përdhunuar gratë, madje kanë profanuar varret e të parëve të tyre.

Raporti i konsullit të Rusisë tregon se gjendja e serbëve ortodoksë nuk ishte ndryshe në krahinat e anës tjetër të Sharr-Planinës, në Tetovë, Dibër, Ohër, Përlep dhe në rrethinat e Manastirit.

Timojev ka vënë re se: “Populli shqiptar pushton  gjithnjë e më shumë toka ku edhe vendoset dhe ndoshta së shpejti do të luajë një rol në fatet e Europës, megjithëse ai është në shumicë i pakulturuar dhe pothuajse i egër.” (2)

1 – Radovan Samarxhiç, Sima M. Cirkoviç, Olga Zirojeviç, Radmila Trickoviç, Dushan T. Batakoviç, Veselina Djuretiç, Kosta Çavoski, Anatasije Jevtiç. Le Kosovo-Metohija dans l’histoire serbe. (Kosova-Metohija në historinë serbe.) Slavica. L’Age d’Home. Lausane 1990. Fq. 143.

2 – Po aty. Fq. 143-144.

Kërkesa themelore e Lidhjes Shqiptare ishte krijimi i një vilajeti unik shqiptar i formuar nga katër vilajetet ekzistuese, ai i Shkodrës, i Janinës, i Kosovës dhe i Manastirit. Këto orientime ishin, në themel të tyre, krejtësisht anti-sllave dhe anti-serbe.

Krerët e Lëvizjes kombëtare shqiptare, të dalë kryesisht nga ambiente feudale, shihnin në veprimtarinë e Lidhjes një mjet për të ruajtur privilegjet ekzistuese…, mundësinë për t’u çliruar nga taksat, për një vetëqeverisje tri bale dhe për një hapësirë për ekspansion demografik.

Lidhja ishte një mjet frikësimi, në sajë të së cilës do të ruhej integriteti i shtetit otoman. (1)

Terrori i ushtruar mbi serbët nuk u dobësua gjatë të gjithë kohës së qeverimit të Lidhjes Shqiptare. Duke filluar nga viti 1880, kur udhëheqja e saj ndërpreu çdo lidhje me Portën, situata e popullsisë serbe u bë edhe më e vështirë, sepse ajo duhej t’i paguante taksa njëherazi turqve dhe shqiptarëve. Sulmet mbi territorin e shtetit serb u shtuan pikërisht në kohën e Lidhjes Shqiptare, kur kufijtë e rinj të Serbisë  ende nuk ishin të mbrojtur mirë. Pas Kongresit të Berlinit sulmet e shqiptarëve në Serbi u shtuan; bandat e tyre që plaçkitin dhe digjnin kudo ku kalonin, arrinin deri në Kurshumli. Në kthim ata sulmonin të gjitha fshatrat serbe në anën turke.

Periudha e qeverisjes së Lidhjes Shqiptare çoi në pasoja të rënda për popullin serb në Serbinë e Vjetër….Dhuna kundër serbëve u ushtrua në bazë të programit politik të Lidhjes, një synim strategjik i lëvizjes kombëtare shqiptare…Dëbimi i serbëve nga vatrat e tyre nëpërmjet frikësimeve të pareshtura u bë në përputhje me qëllimin politik të Lidhjes, një lloj detyre fetare dhe kombëtare, e detyrueshme për të gjithë shqiptarët e vilajetit të Kosovës. (1)

1 – Radovan Samarxhiç, Sima M. Cirkoviç, Olga Zirojeviç, Radmila Trickoviç, Dushan T. Batakoviç, Veselina Djuretiç, Kosta Çavoski, Anatasije Jevtiç. Le Kosovo-Metohija dans l’histoire serbe. (Kosova-Metohija në historinë serbe.) Slavica. L’Age d’Home. Lausane 1990. Fq.169-170.

                  

Mesjeta ka njohur shumë shtete serbe, prej të cilave më prestigjiozi, pa diskutim, është ai i Njemanjës. Duke pasë siguruar hegjemoninë e tij në Gadishullin Ballkanik dhe duke u shfaqur si perandori në 1345, ai u bë një nga shtetet e para në Europë. Ai kishte dalje në disa dete, nga Adriatiku në Detin Egje dhe shtrihej në jug në Shqipëri, Epir, Thesali, Kalkidi, në një pjesë të Thrakës dhe të Bullgarisë. I pasur dhe i fuqishëm, ai gëzonte institucione të themeluara mbi të drejtën e vjetër zakonore sllave të kombinuar me të drejtën romane ose bizantine. Kodi i Stefan Dushanit (1349-1354) shënoi kulmin e legjislacionit të tij.

Sovrani dhe vasalët e tij rivalizonin në ngritjen e manastireve dhe të kishave. Mëshira ishte aq e madhe saqë mund të flitet për një ndihmesë të Serbisë në rilindjen e krishtërimit në shekujt XIII dhe XIV. Letërsia i kushtohej lavdisë së Nemanjës. Shteti dhe populli ishin në këtë epokë të feudalizmit fitimtar më pranë se kudo gjetkë.(2)

Serbët e mbetur në Turqi i vendosin të gjitha shpresat e tyre tek Serbia dhe vuajnë gjithnjë e më shumë nga përndjekje të pandërprera. Ata u përzunë, sidomos në Kosovë, nga shqiptarët që i vrisnin, i grabisnin, digjnin fshatra të tërë, konfiskonin tokat dhe islamizonin me forcë popullin. Kjo dhunë mori përmasat e një pogromi të vërtetë gjatë kthimit të trupave shqiptare të armatosura pas luftës turko-greke të vitit 1897, serbët filluan të humbasin territore që i konsideronin si djepin e tyre, (sidomos Kosovën)

1 – Radovan Samarxhiç, Sima M. Cirkoviç, Olga Zirojeviç, Radmila Trickoviç, Dushan T. Batakoviç, Veselina Djuretiç, Kosta Çavoski, Anatasije Jevtiç. Le Kosovo-Metohija dans l’histoire serbe. (Kosova-Metohija në historinë serbe.) Slavica. L’Age d’Home. Lausane 1990. Fq. 173-174.

2 – Radovan Samarxhiç. Le destin d’un peuple: les Serbes du XIVe au XIXe siècle. (Fati i një populli; Serbët nga shek. XIV- XIX). Revue des Etudes Slaves. Viti 1984 /56-3/. Fq. 345.

Historia e popullit serb, është shënuar nga përpjekjet e tij për të luajtur një rol jashtë forcave të veta dhe, mundet, për asgjë. Këto përpjekje kanë lënë gjurmë shkatërruese. Duke kërkuar të arrijnë të pamundurën, serbët janë dërmuar. Duke u ngritur kundër rendit të vendosur, ata kanë nxjerrë gështenjat nga zjarri për të tjerët.

Në të njëjtën kohë, ata janë dobësuar duke u ekspozuar ndaj zemërimit të përgjithshëm si fajtorë për çrregullime. Nga sukseset e tyre kanë përfituar ata që, gjatë rrjedhjes së historisë, kanë qëndruar duar lidhur në vend që të luftonin. Ata kanë fituar në sytë e të tjerëve, namin e turbulluesve të pandreqshëm, të dhunuesve të rendit të nevojshëm për çdo epokë. Përfundimisht, serbët janë bërë të padurueshëm për politikën e fqinjëve të tyre dhe të etërve të tyre të afërm etnikë. (1)

                                                                   ****

Sanja Boskovic – Mjeshtre e Konferencave në Universitetin e Poitiers, drejtoreshë e Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Orientale në UFR Letërsi dhe Gjuhë:  

Cikli epik kushtuar Kosovës pasqyron, në veçanti, kujtesën kolektive, e cila si e tillë dëshmon si për faktet historike, ashtu edhe për vlerën e tyre simbolike. Në këtë kuptim, mund të thuhet se miti kulturor i Kosovës, duke u përqendruar rreth bërthamës historike, është bërë historia e memorizuar e popullit serb: ai shpreh dhe shpërndan pamjen kolektive të fakteve historike. (2)

Kjo është ajo që Hegel e cilëson si ndërgjegje shpirtërore e njerëzve, dhe që, më pas, do të ndikojë në jetën shoqërore, në jetën fetare dhe do të shënojë me gjurmën e saj të gjithë qenien kolektive. (1)

1 – Radovan Samarxhiç. Le destin d’un peuple : les Serbes du XIVe au XIXe siècle. (Fati i një populli; Serbët nga shek. XIV- XIX). Revue des Etudes Slaves. Viti 1984 /56-3/. Fq.357 – 360. 

2-Sanja Boskovic. Université de Poitiers. Le mythe culturel de Kosovo: entre l’histoire et la poésie. Mémoire(s), identité(s), marginalité(s) dans le monde occidental contemporain, 9 | 2013.

Fq.1. Édition électronique. URL http://journals. openedition. org/mimmoc/1080. DOI: 10.4000/mimmoc.1080. ISSN : 1951-6789. Éditeur – Université de Poitiers.

                                                                   ****

Slavenko Terziç – historian, anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve: Koncepti i një shteti të madh shqiptar nuk u shfaq si shprehje autentike e lëvizjes kombëtare shqiptare. Deri në fillimin e Krizës së Madhe Lindore (1875-1878), shqiptarët, ndryshe nga kombet e tjera, – serbët, grekët, bullgarët, rumunët,  nuk u përpoqën të krijonin një shtet kombëtar përmes një organizimi politik modern. Një identitet rajonal dhe fetar ishte mbizotërues te shqiptarët.

Format e çorganizuara të mosbindjes ndaj autoritetit qendror ishin të vetmet shprehje të qëndresës së feudalëve konservatore myslimanë ndaj reformave, që Perandoria Osmane, nën presionin e fuqive të mëdha europiane, u përpoq të zbatonte gjatë shekullit të 19-të. Është e njohur se feudalët boshnjakë dhe shqiptarë ishin mbrojtësit më të zjarrtë të shoqërisë teokratike islame dhe i bënë qëndresën më të madhe dhe më të fortë përpjekjeve të pushtetit qendror në Stamboll për të vendosur, disi, rendin në funksionimin e shtetit.

Ky qëndrim i shqiptarëve nuk ishte thjesht rezultat i moszhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të shoqërisë shqiptare, apo i mungesës qoftë edhe të një elite politike modern embrionale. Me shoqërinë e tyre patriarkale, orientale të tipit aziatik, ata përbënin pengesën kryesore për evropianizimin e kësaj pjese të Europës në shekujt XIX dhe XX. Në fillimin e Krizës së Madhe Lindore, shqiptarët ishin në pararojë të trupave të rregullta dhe veçanërisht të parregullta turke (bashibozuke) dhe kryen shumë mizori në betejat kundër kryengritësve të krishterë. Gjatë Krizës, shqiptarët në asnjë rast nuk iu bashkuan lëvizjeve çlirimtare të krishterëve ballkanikë.

1 -Sanja Boskovic. Université de Poitiers.Le mythe culturel de Kosovo: entre l’histoire et la poésie. Mémoire(s), identité(s), marginalité(s) dans le monde occidental contemporain, 9 | 2013. Fq. 2. Édition électronique. URL http://journals. openedition. org/mimmoc/1080. DOI : 10.4000/mimmoc.1080. ISSN: 1951-6789. Éditeur-Université de Poitiers.          

Është fare e qartë se Lidhja Shqiptare e vitit 1878 dhe programi i saj politik nuk ishin shprehje të përpjekjeve origjinale çlirimtare të shqiptarëve, të cilët sidoqoftë, ishin të vonuar në krahasim me popujt e tjerë. Lidhja ishte një vegël, kryesisht në duart e turqve, dhe më vonë në duart e fuqive të tjera, për ruajtjen e Perandorisë Osmane.

Fushatat shkatërruese ushtarake turke lejuan vërshimin e shqiptarëve nga rajonet e tyre të origjinës në vendet e fqinjëve të tyre, sllavë dhe grekë. Vetëm në shekullin e 18-të, masat e barinjve shqiptarë nga zonat kodrinore të vendit të tyre filluan të zbresin në tokat pjellore të Kosovës dhe Metohisë të populluara në shumicë dërrmuese prej serbëve ortodoksë, si dhe në rajonet e Maqedonisë Perëndimore të sotme, nga Shkupi në Manastir, të populluar pa dyshim nga popullsi sllave serbe dhe maqedonase.

Përveç mizorive masive dhe pothuajse të rregullta, që karakterizuan këtë pushtim të ish-Serbisë, kishte edhe shumë mënyra të tjera për të shkatërruar trupin kompakt etnik serb (islamizimi i detyruar, forma të ndryshme vjedhjesh, plaçkitje, shkatërrimi i objekteve fetare dhe shumë forma të tjera terrori).

Ndryshimet më të mëdha në strukturën etnike të popullsisë së kësaj pjese të Serbisë së Vjetër ndodhën nga mesi i shekullit të 18-të deri në mesin e shekullit të 19-të, dhe nga Kongresi i Berlinit në vitin 1878 deri në çlirimin e këtyre rajoneve nga sundimi turk.

Fakti që Prizreni, një qytet në Serbinë e Vjetër dhe në periferi të trevës etnike shqiptare u zgjodh si vend i formimit të Lidhjes Shqiptare në vitin 1878, dëshmon për natyrën jashtëzakonisht ekspansioniste të synimeve shqiptare. Pikërisht këtu duhej krijuar një pengesë e fuqishme për forcimin e mëtejshëm të lëvizjes çlirimtare serbe në Serbinë e Vjetër. Dhe nuk është rastësi që formimi i Lidhjes Shqiptare nuk u bë në Shqipëri, le të themi në Durrës, në Vlorë, në Tiranë apo në ndonjë qytet tjetër.

Që nga koha e Krizës së Madhe Lindore (1875-1878) rajonet fqinje të Shqipërisë si Kosova, Metohia, Maqedonia e sotme sllave perëndimore dhe Epiri i Veriut, u populluan me shqiptarë të vendosur masivisht, kryesisht në shekujt XVIII dhe XIX, dhe nisën të cilësohen si “trojet shqiptare”. Kështu, Lidhja Shqiptare, mori përsipër të pengonte çlirimin e “trojeve shqiptare” të popujve fqinjë.

Spastrimi etnik i organizuar i popullsisë joshqiptare nga viset e shpallura “trojet shqiptare” filloi menjëherë pas Kongresit të Berlinit. Gjatë periudhës 1876-1912, rreth 150.000 serbë ortodoksë u detyruan të largoheshin nga Serbia e Vjetër, d.m.th nga krahina e Kosovës. Ide të ngjashme mund të gjejmë edhe te Ismail Kemal Bej Vlora, kryeministri i qeverisë së parë të përkohshme shqiptare. Si kryeministër ai kërkoi që Fuqitë e Mëdha të pastronin “tokat shqiptare” nga sllavët dhe grekët. Ai lavdëroi edhe shqiptarët që me armë dhe dhunë i përzunë “sllavët e krishterë”.

Pas Luftës së Parë Ballkanike të vitit 1912, në të cilën shqiptarët luftuan në krahun turk, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913, përcaktoi kufijtë e shtetit të sapokrijuar shqiptar, “Shqipëria e Madhe”, me idenë qendrore “të gjithë shqiptarët në një shtet”; jo vetëm përfaqëson një shembull të vonë të romantizmit kombëtar të shekullit të 19-të, por gjithashtu sfidon kufijtë ekzistues të njohur ndërkombëtarisht, rrezikon stabilitetin e të gjithë Europës Juglindore dhe kërcënon të provokojë një luftë të re të tretë ballkanike.

Ambicia për të ngritur me çdo kusht një Shqipëri të Madhe, etnikisht të pastër, përfaqëson një anakronizëm shumë të madh. Elita politike dhe intelektuale shqiptare vuan dukshëm nga një deficit i madh i logjikës europiane. (1)

Kosova dhe Metohia, dy rajone qendrore të Serbisë së patundshme, janë vetë thelbi i identitetit shpirtëror, kulturor dhe shtetëror serb që nga Mesjeta e deri në ditët e sotme. Fushat pjellore dhe të buta të Kosovës me klimë të ëmbël dhe me burime ujore, me vargmalet e larta, që kufizojnë Shqipërinë, kanë qenë një mjedis i bekuar për një zhvillim të suksesshëm, për arritjet më të larta midis të gjitha trevave të Serbisë mesjetare.

Forca kulturore dhe demografike e serbëve pasqyrohet më së miri këtu nga prania e 1500 monumenteve të kulturës serbe të regjistruara deri më sot. Në këto rajone jetonin shumë familje fisnike serbe të shquara, si familjet e Brankoviçit, Hrebeljanoviçit, Muziçit, Vojinoviçit, disa prej të cilave ishin pararendëse të dinastive serbe.

-Slavenko Terziç. Le Kosovo, La Question Serbe et Le Projet De Grande Albanie. (Kosova, çështja serbe dhe projekti i Shqipërisë së madhe). Projet Rastko Graçanica-Peja. 17. 04. 1999.

Një numër i madh i kështjellave fisnike ekzistonin në mbarë Kosovën me jetë të pasur aristokratike brenda mureve të tyre. Ato ishin gjithashtu vend-takime të fisnikërisë serbe, qendra ku merreshin vendime të rëndësishme politike dhe të tjera dhe vende të frekuentuara nga të dërguarit e huaj dhe të ftuarit specialë të familjeve të huaja fisnike sunduese.

Beteja e Kosovës ka marrë një dimension mitik nga një ngjarje e rëndësishme historike, duke ndikuar shumë në fatin pasues të mbarë kombit serb. Poezia epike serbe është shumë e pasur dhe cikli i poezive kushtuar Kosovës është një perlë e këtij thesari gjatë viteve të robërisë nën turqit deri në shekullin e 19-të, dhe, duke folur për Kosovën dhe Metohinë, deri në vitin 1912. Memorie.al

                                                           Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/cikli-epik-kushtuar-kosoves-pasqyron-ne-vecanti-kujtesen-kolektive-e-cila-si-e-tille-deshmon-si-per-faktet-historike-ashtu-edhe-per-libri-i-ri-i-studjuesit-dhe-diplomatit-bas/