“Çdo arnaut që jetonte në rripin e tokave, në të ashtuquajturën Serbi e Vjetër, nga Mitrovica deri në Vranjë, është zhdukur nga faqja e dheut…”/ Libri i ri i studiuesit dhe diplomatit të njohur

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e pesëmbëdhjetë

                            MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI

                                                 SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE 

                                    (KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)

Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

                                                         Vijon nga numri i kaluar

Samouprava; 30.10.1912.(Deklarata e kryetarit të qeverisë serbe, Nikolla Pashiç, dhënë korrespondentit të gazetës franceze “Temps”):

Ata që mendojnë se paqa mund të sigurohet me krijimin e një Shqipërie autonome, gabohen. Këto fise edhe sot bëjnë një jetë primitive dhe të pakulturuar, ata janë në armiqësi me njëri-tjetrin, ata historikisht nuk kanë patur kurrë ndonjë jetë të përbashkët. Këto fise janë të ndara në tre fe, nuk kanë letërsinë e tyre, bile as alfabet ; është e qartë se ata nuk mund të kenë një zhvillim të pavarur.

Kështu që zgjidhja më e mirë do të ishte që ndaj shqiptarëve të veprohet njëlloj si në Mesjetë: atëhere ata bënin pjesë në shtetet e Bizantit dhe të Serbisë, pa privilegje të veçanta, por gjuha dhe individualiteti u janë respektuar.

Serbia kërkon dalje në Shëngjin,Lezhë dhe Durrës, të cilat i ka pasur perandoria serbe në Mesjetë.

                                                                          ****

Veçernje novosti; 20.9.1912:  

Pas shpërnguljeve të para e të dyta, serbët u rralluan shumë në Serbinë e Vjetër. Në tokat e buta serbe të braktisura zbritën arnautët blegtorë të degjeneruar e të pakulturuar.

Veçernje novosti; 22.10.1912:

Peshkopi i Nishit, z. Domentijan, ka vizituar në Nish të plagosurit. Të plagosurit me mirënjohje merrnin nga duart e peshkopit dhurata, duke dhënë fjalën se pas shërimit do të shkojnë përsëri në fushën e luftës për të therur turqit e për të prerë shqiptarët.

****

Vesnik srpske crkve; korrik 1912:

Dhëntë Zoti që ky flamur të përhapë lavdinë e çlirimtarëve të rinj të popullit serb të shtypur nga Selaniku deri në Budim dhe nga Sinji deri në Detin e Bardhë, nëpër Bitoshë e matanë maleve të Sharrit.

Vesnik srpske crkve; janar-shkurt 1913, fq.9:

I ndërgjegjshëm se duhet të bëjë luftë për çlirimin e pjesëve ende të paçliruara të popullit serb, populli ynë ka të drejtë që në paqe të përgatitet për luftën e ardhshme.

Vesnik srpske crkve; janar-shkurt 1913,fq. 73 dhe 75:

Të shkruash për jetën e kishës është e pamundur që të mos flasësh për jetën shoqërore dhe shtetërore. Kjo është e qartë për këdo që ka sadopak njohuri për kishën serbe, sepse ajo është shkrirë me shtetin. Viti 1912 do të jetë viti më i rëndësishëm e më i dashur për popullin, shtetin dhe kishën serbe. Ky vit solli lirinë pas më shumë se 500 vitesh robëri të popullit serb, kundër të cilit barbarët aziatikë dhe shqiptarët e tërbuar kishin bërë një kasaphanë të madhe njerëzore.

Në vitin 1912 ushtria serbe me gjak e viktima të shumta shkroi faqe të lavdishme të historisë. Në vitin 1912 në sajë të Shpirtit të Shenjtë u krijua aleanca e shteteve ballkanike dhe me besimin në ndihmën e Zotit për kauzën e drejtë vrapuam për në luftën e shenjtë.

Vesnik srpske crkve; janar-shkurt 1913, fq.89. (Predikim i rektorit të fakultetit teologjik të Shën Savës, kryepriftit S.M.Veselinoviç në Katedralen e Beogradit më 16.12.1912):

U ngrit Zoti këto ditë të shohë popullin e vet dhe të shpaguajë gjakun e viktimave të pafajshme. Nën përshtypjet e freskëta të luftës, të mbuluar nga njoftimet e shumta për shembullin e shkëlqyer të ushtrisë dhe të armëve, ne nuk kemi menduar për aleatin tonë të fuqishëm.

Është momenti i parë i kësaj çudie të 17 shtatorit, një moment i rëndësishëm për historinë dhe fenë njëkohësisht.

Serbët hynë në luftë të udhëhequr nga e drejta qiellore. Dhe kjo rrugë ishte si mbarësi për dasëm, si marshim triumfal nëpër Ballkan.

Shohim se deri dje atdheu ynë i vogël, shtet i përbuzur në sytë e të fuqishmëve, sot qëndron si shembulli më i shkëlqyer, si kulmi i kalorësisë dhe i luftës, si fitimtari më fisnik ndaj të mundurve. I vetmi fitimtar, që nuk e fut shpatën në brez me thirrjen: Mjerë të mundurit! Pa pretendime të mëtejshme ai kërkon paqen, në mënyrë që, nën hijen e drejtësisë, çdo qytetar i Serbisë të jetojë i qetë. Me një gëzim të madh e të jashtëzakonshëm shikojmë sot kurorën e lavdisë sonë të luftës, të krenarisë sonë fitimtare, kurorë me të cilën aleati i fuqishëm, Zoti ynë, kurorëzon sot popullin serb. Amin!

Vesnik srpske crkve; tetor-nëntor-dhjetor 1912. fq.1014:

Por serbi nuk është i mëshirshëm vetëm ndaj serbit, ai është i mëshirshëm dhe dashurinë e tij e tregon edhe ndaj armikut. Dëshmia : Populli serb përçon paqen dhe vendos drejtësinë, mbron të drejtat e të gjithëve në vendet që ka pushtuar, në spitale ushtarë armiq të plagosur mjekohen njëlloj si edhe të plagosurit serbë; lirinë, të cilën populli ynë e vlerëson mbi të gjitha, ua çon edhe të tjerëve, ortodoksëve, katolikëve dhe myslimanëve.

—                                          

Vesnik srpske crkve; korrik-gusht 1913, fq. 481:

A ka histori më të përgjakshme se historia e popullit serb? Vërtet nuk ka. A ka histori më të lavdishme se historia e popullit serb? Vërtet nuk ka. A ka shpirt më gjenial se shpirti i serbit? Vërtet nuk ka.

Vesnik srpske crkve; shtator-tetor 1913, fq. 567: 

E dini nga historia e së kaluarës sonë se fati i popullit serb ka qenë shumë i furishëm dhe i ndryshueshëm. E dimë se populli ynë ka ardhur në këto anë nga atdheu i tij i vjetër dhe u vendos në mbarë Gadishullin Ballkanik nga Danubi deri në Selanik, nga Malet Ballkan deri në Detin Adriatik. Në këto territore të atdheut të tij të ri gjeti mbeturina të popujve të vjetër, të trakëve dhe ilirëve, por më shumë grekë, me të cilët iu desh të ndeshej dhe me luftë t’i sigurojë vetes tokën ku u ngul përgjithnjë dhe filloi të zhvillohej e të përsosej.

I urtë dhe i zgjuar, i zellshëm e mendjehollë, i guximshëm e trim, populli ynë shpejt, pas marrjes së territoreve në Ballkan, tërhoqi vëmendjen e të gjithë fqinjëve; ata u përpoqën me të gjitha forcat të zmbrapsin vërshimin e popullit serb, por forca, qëndrueshmëria dhe këmbëngulja serbe i kapërcente shumë të gjitha përpjekjet e forcave armike dhe merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha gjatë pushtimeve dhe gjatë formimit të shtetit të tij si edhe të fitores së pavarësisë së tij.

                                                                     III

                                  “TË QYTETËRUARIT” E GOLGOTËS SHQIPTARE 

Aleksandar Dinçiç, historian, anëtar i Komisionit Shtetëror për gjetjen dhe evidentimin e të gjitha varreve sekrete në të cilat ndodhen eshtrat e të ekzekutuarve pas vitit 1944:

Ushtarët e sëmurë dhe oficerët e Divizionit Moravian u përgatitën për veprime të reja luftarake. Për shkak të situatës së rënduar në kufirin serbo-shqiptar, si pasojë e inkursioneve më të shpeshta të kryengritësve arnautë dhe qëndrimit të dyshimtë të Bullgarisë fqinje, ai u urdhërua të sigurojë mbrojtjen e vijave kufitare në Kosovë e Metohi dhe Maqedoni.

Humbjet e arnautëve, nuk dihen. Sipas raportimeve, në pozicionet ku veproi Regjimenti i 16-të, u vranë 30 kryengritës. Gjatë luftimeve u dogjën edhe tre fshatra, që njiheshin si bastione të forta arnautësh dhe nga  shtëpitë e të cilëve qëlloheshin ushtarët serbë. Është llogaritur se përballë regjimentit të 16-të, në betejat në Kërrabë, kishte rreth 2000 kryengritës. Fillimisht ishin llogaritur rreth 5000, por një pjesë prej tyre, nuk arriti në kohë. Në betejat kundër arnautëve janë përdorur 135.355 plumba, 12.000 fishekë automatiku, 354 predha artilerie dhe 127 bomba. (1)

Pas hyrjes në Shqipëri filloi një shpërbërje e madhe e njësive për shkak të dimrit, borës, urisë, sulmeve të përditshme nga arnautët dhe pasigurisë së përgjithshme.

1 – Aleksandar Dinçiç. Kраћи историјат учешћа 16. пешадијског пука „цар никола II” у првом светском рату (1914–1918). Војноисторијски гласник – посебно издање. Година издања LXIX.(Historiku i shkurtër i pjesëmarrjes së regjimentit të 16-të të këmbësorisë në udhëtim në Shqipëri. Revista Historike Ushtarake – Botim special. Viti i Botimit LXIX). Fq. 155-157.

Arratisjet ishin të përhapura, duke u larguar nga kolona ose duke iu dorëzuar vullnetarisht armikut. Përveç arnautëve rebelë, ushtarët serbë të rraskapitur u bënë pre e lehtë edhe për divizionin e tretë bullgar, i cili i ndiqte në Kosovë dhe Metohi, pjesërisht në Shqipëri. Shumë prej tyre u dorëzuan dhe vendosën ta kalonin pjesën e mbetur të luftës si robër lufte. (1)

                                                                      ****

Dimitrije Tucoviçteoricien, një nga udhëheqësit e lëvizjes socialiste serbe, themelues i Partisë Social-Demokrate Serbe:

Shoku redaktor! Pikërisht këto ditë bëhet një vit qëkur fiset e mjera arbanase bartin kryqin në Golgotë. Është ky vit i shfarosjes sistematike të popullatës arbanase në të gjitha tokat e saj, që i ka pushtuar ushtria serbe. Për një vit është derdhur shumë gjak njeriu nëpër gryka malesh dhe në fushë-krimet e Ballkanit, sa është vështirë të përshkruhet.

Ato krime nuk janë vepër e individëve, as e disponimit personal, por pjesë përbërëse e politikave “nacionale” të Ballkanit.

Ushtria serbe ka shfarosur shqiptarët në atë tokë, të cilën e quan “Serbia e Vjetër” dhe në Arbani, ndërsa Bullgaria ka shfarosur turqit në Traki e Greqia turqit dhe arnautët në Devoll e Çamëri. Në të vërtetë fiset arbanase janë therur dhe kanë rënë për tokë, pa asnjë mbrojtje, të themi ashtu – pa asnjë zë për mbrojtjen e tyre dhe asnjë protestë për të mirën e tyre. Zëri i proletariatit serb, zëri i Partisë sonë, ishte i vetmi zë dhe e vetmja shenjë e zërit pjesëmarrës njerëzor në fatin tragjik të këtyre malësorëve të pafat arbanas, por as ky zë nuk arrti të depërtojë deri aty ku duhej.

1 – Aleksandar Dinçiç. Kраћи историјат учешћа 16. пешадијског пука „цар никола II” у првом светском рату (1914–1918). Војноисторијски гласник – посебно издање. Година издања LXIX.(Historiku i shkurtër i pjesëmarrjes së regjimentit të 16-të të këmbësorisë në udhëtim në Shqipëri. Revista Historike Ushtarake – Botim special. Viti i Botimit LXIX). Fq.162.

Arbanasit e vdekur binin të kositur në grumbuj. Britmat dhe gjëmimi nga dhimbja e tyre, thuajse u barazuan me gjëmimin e topave. Në ajër fluturuan duar e këmbë, koka e pjesë të trupave të arnautëve. Kur përfundoi zjarri i artilerisë, vendi që ishte goditur, ishte mbuluar jo me kufoma, por me koka, duar e këmbë njerëzish të copëtuar, që dukeshin si grumbuj të ngjyrosur me të kuqe.

Robëruesit e rinj, që nga fillimi i operacioneve luftarake, nuk kursyen pa djegur as edhe një fije kashte të një pullazi shtëpie arbanase dhe pa vrarë një arbanas, qoftë edhe foshnje disamuajshe. Edhe tash pas një viti, pas një vëzhgimi të gjatë nëpër vendbanimet e djegura, nga Ristovci deri në Lerinë dhe nga Durrësi deri në Careva Sela, nuk mund të harroj përshtypjen që ka lënë tek unë edhe qielli i skuqur mbi fshatin e parë që është djegur.

Pas rënies së Kumanovës kanë mësyrë Shkupin, qytetin e mbushur me masën e pafund të arnautëve të përndjekur, që kërkuan të shpëtojnë nga ushtria serbe, e cila hyri nga veriu;  por në pjesën më të madhe arnautët gjetën vdekjen. Ashtu sikur të ishte ngritur nga varri i mesjetës, ai despoti në Demir Kapi kënaqte veten krejt i dehur duke i hedhur në lumin Vardar me kokë teposhtë kufomat e arnautëve të vrarë.

Për pushtet normal as që mund të flitet. Ai pushtet kriminelësh nuk pushon së vepruari kundër arnautëve si dje, si sot. Shoku redaktor, ajo që ka bërë ai pushtet kundër arnautëve kalon çdo imagjinatë kriminale, që është bërë kundër atij populli, vetëm në këtë vit. Posa ka lëvizur dikush i dyshimtë nga arnautët në drejtim të kufirit serb, komandantët kufitarë e kanë masakruar. Popullata arnaute në Pejë, Gjakovë dhe Prizren jeton me psikozën e vdekjes ditë e natë. Ai që mbyll sytë për të fjetur nuk është i sigurt nëse do të zgjohet i gjallë në mëngjes. Pikërisht koha e natës është zgjedhur për të kryer krimet më monstruoze ndaj njerëzve, që i kanë marrë nga shtrati dhe i kanë dërguar për t’i pushkatuar.

Çdo arnaut që jetonte në rripin e tokave në të ashtuquajturën Serbi e Vjetër, nga Mitrovica deri në Vranjë, është zhdukur nga faqja e dheut, arnautët për çdo natë zhduken pa gjurmë, sikur t’i kishin shqyer hienat dhe çakejtë e ardhur nga shpellat shkëmbore e t’i kenë nxjerrë këta njerëz të pafat nga shtëpitë e tyre, për t’i tubuar e dërguar pastaj në vendet e caktuara për t’i varur me litar. Kështu nuk do të bënin as hienat me gjahun e tyre në Lumë, me barbari të paparë, për më pak se dy orë është fshirë nga faqja e dheut një fshat i tërë, një fshat pa njerëz, pa fshatarë, një fshat në të cilin kishin mbetur vetëm gratë me fëmijë në gji, vajzat, të sëmurët dhe pleqtë e fëmijët e të gjitha moshave.

Në atë çast ka arritur lajmi për masakrën në Lumë, lajm i vërtetë, por që duket i pabesueshëm: megjithëse thelbi i tij është i njëjtë, është e vështirë të dëgjohet deri në fund kur e tregon dikush, por edhe më e rëndë të përshkruhet për ta lexuar tjetri. Ato gra e nëna, duke ngritur lart me duar fëmijët e tyre dhe duke dënesur, u janë lutur: aman komandar, çka kemi faj ne? A ju tregoni ju grave tuaja çka po bëni këtu?

Duke jua dorëzuar këtë letër, Ju shoku redaktor besoj se do të veproni në frymën e demokracisë socialiste dhe do ta vini në pozitën e duhur qeverinë para opinionit publik; ose t’i shpallë në ndjekje kriminelët, ose të solidarizohet hapur me ta. Nëse qeveria përpiqet të fshihet edhe pas kësaj akuze publike, atëherë pasojat për popullin serb do të jenë të mëdha. Do të vijë koha kur serbët do të gjenden para Gjyqit të historisë dhe aty do të japin llogari. Ato krime do të mbahen mend brez pas brezi, njëlloj si Nata e Bartolomeut, Mbrëmja siciliane, Kishnjeva etj., ashtu siç do të mbahet mend Demir Hisari dhe Doksati. (1)

1 – Dimitrije Tucoviç, “Radniçke Novine” nr.223, 22 tetor 1913. Shih dhe Sabrana dela (Vepra të zgjedhura). Beograd 1980, lib. 7, fq. 160-164.

Kur trupat serbe shkatërruan fshatin Topojan, aty s´kishte burra. Oficerët rezervë, që morën urdhra të djegin fshatin dhe të thernin me thika, kot kundërshtonin, kot i përsëritnin fjalët”të gjithë?” “Të gjithë” – ishte përgjigjja e njëfarë kapiteni Jurishiç. Për dy orë u vranë 500 shpirtëra. Shqiptarët e “egër” i çarmatosnin dhe i lëshonin ushtarët tanë të zënë robër, kurse ushtria jonë e “kulturuar” e shekullit XX po vret edhe fëmijët e tyre.

Ndërsa një ushtar, i quajtur Vuksanoviç, për masakrat e kryera rrëfen si vijon: “Shqiptarët në fillim i vritnim me pushkë dhe pistoletë, por së shpejti erdhi urdhri se nuk kishte leverdi të shpenzohej municioni, prandaj shqiptarët do të theren me thika. Dhe kështu ndaheshin në grupe, rreshtoheshin në rreshta me fytyra të kthyera kah njëri-tjetri dhe atëherë oficerët dhe nënoficerët i thernin shqiptarët një nga një në qafë.

Këta njerëz fatkëqij as që luanin nga vendi, as nuk bërtisnin, as nuk mbroheshin, thuajse nuk ishin qenie njerëzore të vetëdijshme, por shikonin të qetë si i therej shoku pranë me thikë në fyt. Nuk mund ta merrja me mend një gjakftohtësi dhe qëndrueshmëri të këtillë njerëzore, të atyre që e shikonin vdekjen me sy hapur. Është kjo njëra nga skenat më të llahtarshme që kam përjetuar gjatë luftërave.

Duhet të vdesin disa breza shqiptarësh që të harrohet se çfarë kanë bërë serbët ndaj tyre”. (1) Duhet theksuar fakti se ushtritë, që depërtuan nga të katër anët në krahinat e Turqisë së vjetër, kanë bërë atje më shumë krime në një vit sesa do të bënte ushtria e Sulltanit për 100 vjet. Ato digjnin, thernin, rrëmbenin dhe shkretonin. (1)

Ajo i shtyu trupat tona vjeshtën e kaluar nëpër Shqipëri dhe ato dolën në Detin Adriatik të përgjysmuara. Për Pashiçin, me sa duket, disa mijëra viktima njerëzore janë një gjë e vogël. (2)

Janë sakrifikuar me qindra e mijëra ushtarë tanët, të cilët kanë lënë kockat nëpër malet e pakalueshme të Shqipërisë. Çmendurinë e drejtuesve të vet populli serb e pagoi me gjakun dhe jetën e bijve të tij më të mirë. (2)

Në malet me dëborë të Serbisë së Vjetër perëndimore dhe në Shqipëri zhvillohen luftime, shtëpitë janë në flakë, fshatrat shkatërrohen. Theremi me fqinjët, gjysma e popullsisë së të cilëve mbetet në kufijtë tanë të rinj. (3)

1 – Dimitrije Tucoviç. Radniçke novine; 22 tetor 1913.

2 – Dimitrije Tuceviç. Sabrana dela (Vepra të zgjedhura). Libri 4. Fq. 142.

Nuk ka rëndësi se nga do të niseni për të arritur në pikat strategjike të Shqipërisë, rrugët janë të gjitha të njëjta, të gjitha të çojnë në atë vend. Të gjitha ato edhe para kësaj lufte të fundit me shqiptarët, kanë qenë të mbjella me varret e ushtarëve serbë.  Qeveria me marshimin e ri për në Shqipëri dhe për në pikat strategjike të saj ka filluar ta përtërijë e ta zmadhojë këtë varrezë. Ajo nuk e dëgjon zërin e atij populli që prej një viti lufton, derdh gjak, lë kockat dhe shëndetin në fushën e luftës dhe të cilin në shtëpi e presin uria, dimri, dhimbja dhe mjerimi, por dëgjon zërin e borgjezisë, së cilës kurrë nuk i mjafton “atdheu i gjerë për të plaçkitur”.

Të dehesh nga dafinat e fitores dhe iluzionet e forcës brutale dhe pa marrë parasysh asgjë t’u hysh përpjekjeve energjike për të futur sa më shpejt shtetasit e rinj në robërinë politike e nacionale gjunjëzues, të rritësh oreksin dhe interesat, që janë shumë larg nga nevojat e ne të gjithëve, kjo është një çmenduri e shkallës së parë. (4)

1 – Dimitrije Tucoviç. Sobrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 7. Fq.122. Rad, Beograd, 1980.

2 –  Po aty. Fq. 137.

3 –  Po aty. Fq. 141.                            

4 – Po aty.  Fq. 143.

Për dy-tre orë fshati (në Lumë-shënimi ynë) u errësua nga skena, që është vështirë të përshkruhen. Të shtënat rrëzonin gratë që mbronin foshnjat në krahë, pranë nënave të vdekura çirreshin fëmijët e tyre të vegjël, që rastësisht u kishin shpëtuar plumbave; trupa si lisa të gjatë të malësorëve përpëliteshin si krimbat nëpër tokë, gratë lindnin nga frika. Për dy orë u mbyllën 500 jetë. Po më pas? U bë vetëm ajo që ende mund të bëhej: Kufomat u hodhën nëpër shtigje, të cilave iu vu zjarri – në mënyrë që krimit t’i fshiheshin gjurmët. (1)

Gjatë atij viti u derdh shumë gjak nëpër grykat, në fushat, në sheshin e gjerë të luftës të Gadishullit Ballkanik. Por ajo që u vë vulën këtyre luftërave, duke i krahasuar me ato më mizoret dhe më gjakataret e Mesjetës së errët, nuk janë përrenjtë e gjakut të njërës apo tjetrës palë, të njerëzve të armatosur, që luftonin. Jo! Janë lumenjtë e gjakut të popullsisë së vrarë, e cila nuk mori pjesë në luftë, të fëmijëve të pafajshëm, të grave dhe njerëzve paqësorë, të njerëzve punëtorë të Serbisë së Vjetër, të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Thrakës, faji i vetëm i të cilëve është se i falen ndryshe Zotit, se flasin një gjuhë tjetër, se mbajnë emër tjetër dhe se në vatrën e tyre shekullore kanë pësuar, në mënyrë të pafajshme, katër dyndje të egra. (2)

Në javët e para të luftës “me turqit” për ne nuk kishte natë; lëviznim, hapnim llogore dhe shkonim drejt dritave të fshatrave shqiptare, që digjeshin. Ndërsa popullsinë shqiptare, në qoftë se nuk ishte vrarë, sepse kishte mundur të largohej, e shtynim përpara dhe e detyronim që, si i dëshpëruari që sheh shtëpinë e vet t’i digjet, të bëjë qëndresë të fortë në Bujanovc e pastaj në Kumanovë të luftojë si luan. Me rënien e Kumanovës, në Shkup u grumbullua gjithë ajo pjesë e popullsisë shqiptare të cilën e shtynte përpara ushtria serbe, duke zbritur nga veriu.

Duke kërkuar strehim, ajo në pjesën më të madhe gjeti vdekjen. Sapo u ndie një lëvizje e shqetësuar midis shqiptarëve drejt kufirit serb, komandantët e kufirit filluan therjet, shqiptarët çdo natë zhduken diku sikur çakejtë e hienat e këtyre zonave u vijnë vërdallë shtëpive të tyre dhe i marrin këta njerëz të ngratë, i çojnë diku dhe i mbysin. Por edhe hienat do t’i kishin mbytur ata në mënyrë më njerëzore!…Ti Serbi ku po shkon dhe ku do të ndalesh…? Memorie.al

1 – Dimitrije Tucoviç. Sobrana dela (Vepra të zgjedhura). Libri 7. Rad, Beograd, 1980. Fq. 158-159.

2 – Po aty. Fq. 160-161.

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/cdo-arnaut-qe-jetonte-ne-rripin-e-tokave-ne-te-ashtuquajturen-serbi-e-vjeter-nga-mitrovica-deri-ne-vranje-eshte-zhdukur-nga-faqja-e-dheut-libri-i-ri-i-studiuesit-dhe-diplomati/