“Babai im, u arrestua për vrasjen e Bardhok Bibës, por në korrik 1950, ai theu burgun e Rrëshenit dhe u arratis më pas në Jugosllavi, me vëllanë tim, Gjonin…”/ Procesi hetimor i Gjet Kadelit, Krujë, 1972

Nga Gjet Kadeli

Pjesa e katërmbëdhjetë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën,  e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

                                                    Vijon nga numri i kaluar

Raporti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit

                                                                                                   Marrë P.Op. Thanas Toto

                                                                                                    Dhënë : B.p. “Mbrehija”

                  Raport i datës 5.8.1972

Ai raporton se më datën 5.10.1972 ka qenë në shtëpinë e Gjet Kadelit dhe aty është takuar me axhën e tij, Zef Kadelin dhe në biseda, u hap fjala për arrestimin e Gjetë Kadelit, në biseda midis të tjerash, Zefi tha: Se Kin Bashës i kanë ardhur nga një turist jugosllav, disa ora dhe katër copë nga këto ja ka dhënë Gjetë Kadelit. Kur kanë shkuar në Lushnje para ca kohësh, tha Zefi, Kin Basha dhe Gjetë Kadeli, kanë marrë një revole dhe këtë ja kanë dhënë Myftar Xhidis, për të kryer nevojat e tija, këtë unë tha Zefi, e dyshoj, se me sa kam marrë vesh, është arrestuar për një revole.

Ai thotë se në biseda me Idriz Myslinë nga Mamurrasi, furrtar në N.T.Sh.A.P., lidhur me arrestimin e Gjet Kadelit, i ka thënë se: Kur e ka thirrur Kamber Poga, unë shkova te shtëpia dhe lajmërova dhe kur shkuan në postë tha Idrizi me Gjetën, Gjeta mua më dha një thika, ta mbaja deri sa të përfundonin pyetjet, unë tha Idrizi, i thashë Gjetës se, erdha me të marr ty se të kërkojnë në postë, në qoftë se ke bërë gjë, ik dhe mos hajde fare, kurse Gjeta më tha se; nuk kanë se çfarë më bëjnë fare, mbasi doli tha Gjeta nga posta, u takua me mua dhe unë i dhashë thikën.

                “Mbrehija”

Detyra:

  1. Takohu përsëri me Zef Kadelin dhe bisedoni për revolen, duke i thënë se; në qoftë se këtë e ke, ose e di se ku është, ruaje mirë se këtu merr tre vete më qafë Gjetë, Kin Bashën dhe Myftar Xhidinë, që është arrestuar për këtë punë, bisedo me ta se çfarë mund të ketë bërë ky Gjeta, që e arrestuan, kjo se çfarë do të thotë Zefi.
  2. Në qoftë se ke muhabet me Kinin, bisedoni me të për problemin e arrestimit të Gjet Kadelit, se është shok i mirë, për ty Kin, më ka pas fol, se je shok me të vërtetë.

Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna duhet besuar për vetë faktin sepse, Gjeta me Kin Bashën, kanë pasur lidhje të mira me njëri tjetrin, është e vërtetë se Gjeta me Kinin, para disa ditëve kanë pas shkuar në Lushnje bashkë dhe në këtë kohë, këta mund të kenë marrë revolen, gjithashtu mund të jetë e vërtetë se, këtë revole ja ka dhënë…. i cili para disa ditësh është arrestuar, se ka pasur për qëllim vrasjen e….! Për sa i përket orëve, ato mund t’i kenë ardhur Kin Bashës dhe ky, ja ka dhënë Gjetës, për t’i shitur dhe paret t’i ndanin në mes.

Masat Operative:

E dhëna e B.p. të shtypet në dy kopje dhe të vihet në dijeni udhëheqja e Degës, mbasi Myftari është arrestuar dhe problemin e tij, e ndjek Prokuroria, të vihet në dijeni kjo e fundit që gjatë hetuesisë, ta pyes për këtë problem, që, në qoftë se e nxjerr këtë revole Myftari, të ndiqet ky problem, i përbashkët me Gjetën, gjithashtu duhet të menduar edhe për Kin Bashën, për ta marrë në përpunim, për të dokumentuar veprimtarinë e tij armiqësore, sepse Kini, ka babën e tij të arratisur dhe ka vepruar deri në vitin 1958, si diversant kundër vendit tonë.

                          Punëtori Operativ

                            Thanas Toto

Raporti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit

                                                                                                      Marrë P.Op. Thanas Toto

                                                                                                      Dhënë : B.p. “Mbrehija”

                  Raport i datës 6.8.1972

Ai raporton se më datën 5.8.1972, ka qenë në shtëpinë e Gjet Kadelit, i arrestuar, kur ka shkuar aty, ka parë se në shtëpinë e Gjetës, ka qenë Simon Buna nga Mamurrasi, Ndoc Vata nga Gurzi, i cili ka qenë i dënuar me 25 vjet burg, me grupin e priftërinjve në Shkodër. Kanë qenë edhe dy persona të tjerë, por ai nuk i ka njohur se kush kanë qenë, por ishin nga Mirdita, pasi me ta nuk ka bërë muhabet.

Ai thotë se; Simon Buna, ka qenë lidhje e ngushtë e Gjetës, bile këta kanë zhvilluar veprimtari të përbashkët, Simoni ka babën e pushkatuar, Simoni tek shtëpia e Gjetës, ka pas shkuar rregullisht.

Ai thotë se; Gjet Kadeli, ka pas lidhje të ngushtë me Beqir Kurtin, nga Lushnja, e banues në Mamurras, që punon marangoz në Komunale, për arrestimin e Gjetës, ky thotë se e kanë marrë në qafë.

Ai raporton se, më datën 5.8.1972, ai është takuar me Sute Bashën nga Mamurrasi dhe me origjinë nga Puka, është nëna e Kinës Bashës dhe gruaja e të arratisurit Fratel Pashku, në bisedë për arrestimin e Gjet Kadelit, Suta tha se, Gjeta ka qenë djalë i mirë, por e ka lënë keq familjen, ne me Gjetnë kemi pas shkuar shumë mirë dhe te shtëpia e jonë, ka pas ardhur vazhdimisht.

                     “Mbrehija”

Detyra:

Vazhdoni të takoheni me lidhjet e Gjetës dhe në biseda me ta të bisedoni rreth arrestimit të tij, se çfarë do ketë bërë vallë që e kanë arrestuar, nëse ka pasur ndonjë material të kundra-ligjshëm dhe çfarë.

Masat Operative:

E dhëna e B.p., të shtypet në një kopje dhe të vendoset në dosjen e Gjetës. Këto lidhje të ndiqen si lidhje kryesore e tij, me qëllim që, të zbulojmë veprimtarinë armiqësore të përbashkët me Gjetën.

Punëtori Operativ

Thanas Toto

Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Gjet Kadelit, nga ana e nënkryetarit të Degës së Brendshme të Krujës, Ramiz Lalzi

                                                        PROCES-VERBAL

                            (I MARRJES NË PYETJE TË PANDEHURIT GJET KADELI)

Në qytetin e Krujës, sot më datën 7.VIII.1972, unë Ramiz Lalzi, nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme Krujë, i ngarkuar me hetime, konform rregullave procedurale, marr në pyetje të pandehurin Gjet Kadeli.

Pyetja fillon në orën 10.00

Dhe mbaron në orën 14.00

PYETJE: Na flisni i pandehur, në lidhje me biografinë e familjes tuaj.

PËRGJIGJE: Familja ime është nga Oroshi i Mirditës, është familje me origjinë të varfër. Në vitet para çlirimit, me sa di unë, babai im, Pjetër Kadeli, ka qenë partizan dhe në vitet 1944-1945, ka qenë sekretar mbrojtje në Shpal të Mirditës. Në atë kohë, pas çlirimit, familja jonë përbëhej nga 28 veta, që përfaqësonin katër familje, kryefamiljar i të gjitha këtyre njerëzve, ishte Marka Ndrec Kadeli. Në kohën e Zogut, Marka Ndrec Kadeli, ishte oficer i tij dhe në çlirimin e Shqipërisë, Marka Ndreca, ka qenë me gradën nëntoger, jo në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, por në radhët armike, më duket se në radhët e ushtrisë italiane.

Ka qenë oficer i Xhandarmërisë. Mbas çlirimit, Marka Ndreca, është bërë sekretar i Këshillit të Frontit në fshatin Bulshar të rrethit të Mirditës. Në vitin 1949, mbas vrasjes së Bardhok Bibës, është arrestuar nga forcat e organeve të Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës. Dua të shtoj se, në vitin 1948, familja ime e kryesuar nga ana e Zef Ndue Kadeli, u nda nga ajo e Marka Ndrec Kadelit. Po në vitin 1949, bashkë me Marka Kadelin, u arrestua edhe babai im, Pjetër Kadeli, pasi dyshohej për vrasjen e Bardhok Bibës. Mbas hetimeve që u bënë për Marka Ndrec Kadelin, ai u dënua me 5 vjet burg dhe është liruar në vitin 1954. Babai im, gjatë 11 muajve në hetuesi në vitet 1949-1950, dhe në muajin korrik 1950, theu burgun në Rrëshen dhe ka ikur nga hetuesia.

Pasi theu burgun vet i katërti, është arratisur jashtë shtetit, duke kaluar në Jugosllavi. Në vitin 1949, kur është arrestuar baba dhe axha i babës, Mark Kadeli, me urdhër të organeve të Punëve të Brendshme Mirditë, u internuan dy familjet, ajo e Mark Kadelit dhe e babës tim, duke u vendosur në Tepelenë. Mbas 7 muajve, jemi liruar të dy familjet, duke u rivendosur në Orosh të Mirditës. Në prill të vitit 1950, nga ana e organeve të Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, u arrestua xhaxhai im, Zef Ndue Kadeli dhe di se, është dënuar për politikë me 20 vjet burg. Ka dalë nga burgu, më 20 janar të vitit 1971, dhe dënimin e ka vuajtur në Shkodër, Burrel, Berat Laç dhe në Vlorë është liruar. Në korrik të vitit 1950, mbas arratisjes së babait tim nga burgu dhe kalimit në Jugosllavi, kanë internuar familjen komplet dhe të Zef Ndue Kadelit.

Babai im, ka për vëlla Zefin dhe Gjokën dhe Gjoka ka vdekur në Tepelenë. Të tre familjet tona, janë internuar në këtë kohë, kur u arratis babai, në të njëjtin vend, në Tepelenë. Në muajin janar të vitit 1951, me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, doli amnistia për të gjitha ata që ishin të internuar dhe nuk kishin mbushur moshën 16 vjeç, të liroheshin nga internimi. Në këtë kohë, ne kemi përfituar dhe jemi liruar unë dhe vëllai im, Gjon Kadeli dhe unë jam vendosur tek dajat e mi, Bib Kaçorri, në katundin Lufaj, që atëhere e merrte Burreli, ndërsa tani e merr Rrësheni. Vëllai u vendos tek tezja ime, që ishte martuar me Cub Gjin Buna, i cili banonte në katundin Rrëshen të Mirditës.

Në këtë kohë, vëllai vazhdonte shkollën 7-vjeçare dhe në muajin korrik të vitit në vijim, d.m.th. në vitin 1951, vëllai im, është zhdukur. Në vitin 1953, erdhi letër për herë të parë nga ana e vëllait tim, Gjon Kadeli, i cili më shkruante se kishte kaluar në Jugosllavi dhe ishte takuar me babën tim, Pjetrin. Me një fjalë, kështu e mësova, se edhe vëllai im është arratisur jashtë shtetit dhe kur ka ikur, ka qenë në moshën 16 vjeç. Në vitin 1951-1952, unë vazhdova shkollën në klasën e pestë në lokalitetin Selitë, të rrethit të Burrel, duke qenë tek daja im, Bib Kaçorri. Në vitin 1956, u lirua nga internimi, nëna ime që quhet Mrike Kadeli dhe u vendos në katundin Bushnesh të rrethit të Krujës. Në vitin 1955, daja im, Bib Kacorri u nda nga vëllezërit e tij, Gjergj dhe Preng Kacorri dhe u vendos në Bushnesh të rrethit të Krujës.

Kur erdhi daja në Bushnesh, më thotë mua se, a do të rrish me gjyshen apo, do të vish me mua, unë i thashë dajës se, do të vij me ty dhe që nga ajo kohë, unë jam vendosur në Bushnesh dhe kam ndenjur një vit me dajën. Më 13 maj të vitit 1956, u lirua nëna nga internimi dhe daja i propozoi asaj që të vendosej në Bushnesh dhe kështu u bë. Në atë kohë, neve nuk ishim të pashaportizue në rrethin e Krujës, kemi qëndrua deri në vitin 1960, pa u pashaportizue. Në vitin 1957, ishte kryetar kooperative Shaban Vathi, me sekretar partie, Shaban Dervishin, për fshatin e Bushneshit dhe ndonëse isha njeri i pa pashaportizue, më propozuan që të futesha në kooperativën bujqësore.

Unë pranova, duke u futur në kooperativë, bashkë me nënën. Në vitin 1958, unë jam fejua me vajzën e Mark Bardhit, nga katundi Alk i lokalitetit Milot, i cili është me origjinë mirditore. Në 28 nëntor të vitit 1960, jam martuar me të. Më 28 janar të vitit 1960, më ka lindur djali i parë, i cili quhet Andon Kadeli. Më datën 19 prill të vitit 1962, u arrestova nga organet e Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, dhe me datën 19 qershor të atij viti, jam dënuar për armëmbajtje pa leje, me 16 muaj heqje të lirisë. Dënimin e kam kryer në Repartin 307 në Tiranë. Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me datën 23 nëntor 1962, me amnistinë me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, jam liruar nga burgu, duke u rivendosur përsëri në fshatin Bushnesh.

Më 6 prill të vitit 1963, Dega Ushtarake e rrethit Krujë, më ka dërguar ushtar në repartin ushtarak Nr. 2200 në Bestrovë të Vlorës. Komandën e kishim në Dushk të Lushnjes, ndërsa në Bestrovë, ishim si nënrepart. Në ushtri kam punuar si rrobaqepës dhe si marangoz. Më 5 tetor të vitit 1964, me urdhër të komandës së batalionit, jam tërhequr dhe vendosur në Dushk të Lushnjes, ku për pesë muaj me radhë, kam ushtruar profesionin e marangozit. Më datën 9 mars të vitit 1965, jam liruar nga ushtria, duke u vendosur përsëri në shtëpinë time në fshatin Bushnesh. Në mars të vitit 1965, ka ardhur në fshatin Bushnesh dhe ka bërë një bisedë me popullin, me rastin e 20 vjetorit të Sigurimit të Shtetit, kryetari i Degës. Unë i kam dalë përpara atij dhe i kam dhënë një letër, të cilën ma kishte dërguar babai im, Pjetri, nga SHBA-ës.

Në këtë letër, babi im më shkruante që, unë të ndërtoja një shtëpi në qendër të Mamurrasit, me 14 dhoma, pasi ai thonte gjithashtu se, do të kthehej në Shqipëri së bashku me vëllain tim, Gjonin dhe lekët do t’i dërgonte me anë të bankës. Më porosiste se, shtëpinë ta ndërtoja, duke biseduar me autoritetet e vendit, me ndihmën e ndonjë ndërmarrje shtetërore. Për këtë i thashë kryetarit të Degës dhe ai më tha; ti Gjet, shtëpinë bane, neve e dimë që ti e ke babën në Amerikë. Bisedova me organet e pushtetit në Mamurras dhe pas aprovimit të tyre, unë kam blerë një shtëpi në Mamurras, duke paguar 14.000 lekë, duke ja blerë, Met Kuqit.

Shtëpinë e kam blerë më datën 27 tetor të vitit 1966. Më datën 1 nëntor 1966, kam dalë familjarisht në Mamurras, në shtëpinë e blerë. Kur jam larguar nga Bushneshi, unë kam marrë të gjitha dokumentet e nevojshme, për të shkuar me banim aty ku bleva shtëpi, duke qenë se doja të vendosesha me punë shteti dhe të largohesha nga kooperativa bujqësore, bisedova me kryesinë e kooperativës dhe organet e pushtetit në Mamurras, por meqenëse opinioni foli se, pse po ndihmohesha unë, jam detyruar dhe kam ndenjur pa punë, për një periudhë, 1 nëntor 1965, deri më 11 janar 1966. Memorie.al

                                          Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016 


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/babai-im-u-arrestua-per-vrasjen-e-bardhok-bibes-por-ne-korrik-1950-ai-theu-burgun-e-rreshenit-dhe-u-arratis-me-pas-ne-jugosllavi-me-vellane-tim-gjonin-procesi-hetimor-i-gjet/