ASP/ISP: Zgjedhje të reja me problematika të vjetra

Shqipëria hyri më 13 janar 2023 në periudhën 4 mujore të kufizimeve të parashikuara për përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhjet vendore, si dhe në shkurt përfundoi afati ligjor i propozimeve nga partitë të anëtarëve të KZAZ. Procesi po ecën në pjesën e administrimit të tij, por fatkeqësisht qytetarëve shqiptarë iu mohua edhe njëherë mundësia për të pasur një reformë zgjedhore dhe për të reflektuar së paku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Kuvendi dhe partitë dështuan të jetësojnë reformën, ndërkohë që baza ligjore aktuale në fuqi nuk i jep përgjigje disa prej shqetësimeve kryesore të shoqërisë civile dhe të grupeve monitoruese lidhur me zgjedhjet e vitit 2019 dhe 2021.

KQZ po bën përpjekje të ndikojë pozitivisht në zgjidhjen e problematikave, por në çështje thelbësore ajo nuk ka kompetenca ligjore vendimmarrëse dhe koha deri në zgjedhje mbetet e limituar për të pritur ndërhyrje emergjente ligjore. Të tilla janë keqpërdorimi i burimeve shtetërore në fushatë, keqpërdorimi i databazave me të dhëna të qytetarëve në funksion të interesave elektorale të partive, keqpërdorimi i burimeve për financim të mediave online pa ofruar transparencë mbi pronësinë dhe etikën profesionale, si dhe paqartësia lidhur me regjistrimin e subjekteve politike etj.

Ky eshte raporti i parë i monitorimit të kuadrit ligjor dhe situatës së zbatimit të tij në zgjedhjet vendore 14 maj 2023, i hartuar nga Akademia e Studimeve Politike (ASP) në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike (ISP).  
Disa vlerësime kryesore të raportit janë:

  • Vendi po i drejtohet zgjedhjeve vendore me të njëjtat problematika të hasura në zgjedhjet e fundit dhe pa adresuara nga Kuvendi dhe partitë politike. Qytetarëve shqiptarë iu mohua në këto zgjedhje mundësia për të pasur një reformë zgjedhore për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe shoqërisë civile.
  • KQZ po bën përpjekje të ndikojë pozitivisht në zgjidhjen e problematikave, por në çështje thelbësore ajo nuk ka kompetenca vendimmarrëse dhe koha deri në zgjedhje mbetet e limituar për ndërhyrje emergjente ligjore.
  • Paqartësitë e identifikuara tashmë në kompetencat në kontrollin e kufizimeve për përdorimin e burimeve shtetërore ka gjasa të lehtësojnë angazhimin e fondeve publike dhe administratës shtetërore në fushatën zgjedhore të 14 majit, edhe më në rrezik për faktin që i gjithë pushteti vendor ndodhet në duart e mazhorancës.
  • Rrjedhja e listës së përdoruesve të aplikacionit “Aktivist” krijon dyshime për një mekanizëm që nxit përfshirjen e punonjësve shtetërore në aktivitete politike. Me nisjen e fushatës zgjedhore është e nevojshme që Partia Socialiste të pezullojë përkohësisht aplikacionin, apo minimalisht, llogaritë e përdoruesve në pozicionet e administratës publike, të parashikuara në kufizimet e Kodit Zgjedhor.
Ky raport zhvillohet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri.
Bashkangjitur mund të gjeni raportin online:
Analiza e kuadrit ligjor zgjedhjet 14 maj 23 – Raport 1 APS & IPS

This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/asp-isp-zgjedhje-te-reja-me-problematika-te-vjetra/