“Ashtu si dikur Zhan d’ Arka, u bë frymëzim për penën e Shilerit, edhe Vilhelme Vranari, lufton për fjalën e lirë dhe…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur, për bijën fisnike të Kaninës

Nga Shpendi Topollaj

Memorie.al / Qoftë kur e kemi marrë historinë si të vërtetë, qoftë kur bëmat e saj janë kthyer në mite, në përfytyrimin tonë, akti i pashembullt i vajzës së Orleanit të kohës së Karlit të VII – të, Zhana D`Arkës (Jeane d`Arc), e cila në 1810-ën u bë frymëzim për penën e Shilerit të madh, nuk i ka kaluar kufijtë e Francës. Dhe kemi harruar se në jetë, në ndeshjen me të keqen, shtypjen e padrejtësinë, Zhan d`Arka mund të gjenden në çdo vend edhe pse luftën e tyre nuk e kanë bërë me armë dhe ushtri, por me mjete të tjera, si për shembull, me forcën e fjalës së lirë. Dhe një e tillë është pa dyshim, shkrimtarja e shquar vlonjate, bija e denjë e Kaninës legjendare, Vilhelme Vranari.

Po të nisesh nga koha e vonët, pra pas rënies së komunizmit, kur ajo filloi të botojë një pafundësi librash, nga vlerat artistike që ato kanë brenda tyre, zhanret që lëvroi dhe kurajua me të cilët ajo i shpreh mendimet dhe qortimet e veta, pra nga prirjet dhe bindjet e saj demokratike, e sidomos nga shqetësimi për fatin e Atdheut dhe përparësia që ajo i jep dashurisë për vendlindjen, mund të themi me bindje, se në rradhën e grave intelektuale në përgjithësi dhe të shkrimtareve në veçanti, asaj është vështirë t`i gjendet shoqja. Dhe të mos përjashtojmë moshën e saj, gjendjen e rënduar shëndetësore dhe preokupimet e përditshmërisë familjare.

Natyrshëm lind një pyetje: Kjo grua si gjithë të tjerat në të parë, e cila nuk ka asnjë lloj ambicieje për të bërë karrierë, pra, pa asnjë interes a përfitim, përse e mundon veten kaq shumë për të shkruar e botuar, në një kohë kur nga shkrimet e librat, njerëzit, për të keqen e tyre, sa vjen e po largohen? Përgjigjen na e jep vetë ajo, në një pasazh brilant në fjalën hyrëse të trilogjisë “Vështroni Meduzën”, ku shkruan: “Ishte një detyrim moral ndaj atyre jetëve që u shuan, të sa e sa ëndrrave që u tretën, të shpresave që i vranë pa mëshirë për gjysmë shekulli. Ishte një angazhim ndaj gjithë atyre që u mohuan buzëqeshjen, ëndrrën, rininë, vetëm e vetëm që të mos ishin vetvetja. Ua kushtoj atyre nënave, shembuj virtyti e besnikërie, që përjetuan ferrin për të nxjerrë në jetë “njerinë”.

Si mund të harroja ato gra vitale, që nën fshikullimin e kamxhikut të kohës së egër, s`reshtën duke përshkuar rrugët e përbaltura. Trastat mbi shpinat e tyre ishin më të rënda se prangat skllavëruese në duart dhe këmbët e burrave. Ishte një përgjegjësi morale ndaj intelektualëve që dijen dhe mendimin shkencor e tretën qelive, burgjeve, kënetave dhe minierave. Për ata të rinj që plehëruan tokën dhe u bënë shtretër mushkonjash, shushunjash a gjarpërinjsh nëpër llomi kanalesh dhe kënetash. Ata lastar, të cilët për një grimë liri, kishin vënë shenjën e barazimit mes jetës dhe vdekjes. Për këtë tokë të virgjër, për këtë vend të pasur dhe të bukur dhe tejet të varfër, që e shndërruan në një varrezë gjigante, mbushur me varre pa emër. Për këtë truall të shenjtë dhe të lashtë sa vetë bota, të kthyer në një burg të madh ku kishte vetëm të burgosur dhe rojtarë. Për gjithë ata të cilëve u mohuan dijen, profesionin duke u thënë: “Mjaft! Kjo botë nuk ju përket më! Ju i përkisni botës së vuajtjes dhe dhembjes!”

Por Vilhelme Vranarin më shumë se gjithçka duket se e mundon e vërteta e trishtuar se edhe sot, pas mbi tre dekadash, ngre kokë mentaliteti komunist, dhe ende nostalgjikët vazhdojnë t`i bijën fyellit me po atë melodi të neveritshme. Akrepat e orës së tyre, edhe pse deklarohen për kapitalizmin, për BE dhe Amerikën, kanë mbetur te komunizmi dhe Enver Hoxha. Dhe fatkeqësia është, se në këtë paradoks, ison ua mbajnë edhe shumë emisarë të huaj, të cilët mbështesin ata që i shanë, urryen e përbaltën si askund tjetër në planet dhe u janë kundërvënë atyre që ata dënuan deri me pushkatime e varje në litar, nga që shprehnin simpati e admirim për Evropën e SHBA.

Jetojmë kohë të çuditshme, praktika dhe qëndrime të padeshifrueshme, politika prepotente, intriga të kamufluara në emër të demokracisë, diktat arbitrar e sjellje prej pushtuesi, aplikim të parimit “Përça e sundo” të cilat do të kenë reperkusione të pashmangshme, mbi popullin tonë të rraskapitur e të çoroditur, ku edhe sot e kësaj dite nuk ka pushuar sherri mes partizanëve dhe ballistëve, komunistëve dhe nacionalistëve. Dhe e keqja është se në këtë batak kanë rënë edhe vetë politikanët tanë, të cilët e kanë shitur lirë nderin e atdheut tonë, aq sa të hidhen në grykë po t`u përmendësh se jemi vend sovran. Është pikërisht ky realitet që e shtyn Vilhelme Vranarin, të kujtojë edhe një herë: “Ndarjet klasore ngjallin mllefe, urrejtje dhe hakmarrje. Aty ku ka drejtësi, pendesë, falje, tolerancë, harmoni, vëllazërim, bashkëpunim dhe dhënie vlerash intelektuale të merituara, është e sigurt rruga drejt mbrothësisë kombëtare”.

Prandaj ajo nuk resht së shkruari, për të demaskuar ndërhyrjet brutale të miqve të rremë, të atyre që vazhdojnë ta lënë të copëtuar Shqipërinë, duke u kujtuar njëkohësisht shqiptarëve domosdoshmërinë e lënies së grindjeve të pakuptimta dhe të dashurisë e mirëkuptimit me njëri – tjetrin. Se jemi ne, dhe askush tjetër që do ta bëjë të lumtur e të begatë këtë vend të bekuar. Me këtë bindje ajo deklaron: “Kur vlerat e vërteta kombëtare do të jenë udhërrëfyese të shqiptarëve në çdo fushë të jetës, pa pyetur se nga vijnë, nga e majta, nga e djathta apo nga qendra, atëherë do të bëhet Shqipëria dhe do ta bëjnë vetë shqiptarët”.

E kthjellët në ato që pa pushim thotë, e guximshme në gjithë sa parashtron, argumentuese dhe plot llogjikë në faktet që jep, kontributore në çështjet nga më të qenësishmet e Kombit, Vilhelme Vranari, jo vetëm renditet te gratë më emër mëdha të vendit, por metaforikisht, mund të krahasohet për gjithësa bën, me vajzën 19 vjeçare, që me thirrjen e saj të zjarrtë, udhëhoqi masat për çlirimin e Orleanit në shekullin e XV – të. Kurse ne miqtë e saj, e urojmë që hipur në Pegasin që doli nga gjaku i Meduzës Gorgonë, ashtu si hyjnesha e Agimit Eoja, që ngrihej në qiell me burrin e saj Titonin, duke shpërndarë dritë mbi tokë, të ngjitet akoma më lart me bashkëshortin e saj besnik, Fitimin, duke shpërndarë ngado mirësi e dashuri mes shqiptarëve. Memorie.al  

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ashtu-si-dikur-zhan-d-arka-u-be-frymezim-per-penen-e-shilerit-edhe-vilhelme-vranari-lufton-per-fjalen-e-lire-dhe-refleksionet-e-shkrimtarit-te-njohur-per-bijen-fisni/