“Aredin Shyti, tregon se, kur u emërua zëvendës i ministrit Gramoz Ruçi, disa nga shokët e tij si, Neshat Tozaj e Estref Myftari, i thanë…”/ “Dëshmitë e panjohura të Tanush Mulletit, protagonist i ngjarjeve

Nga Tanush MULLETI

Pjesa e katër

Refleksione: “Si e pashë, e dëgjova dhe e preka 2 prillin ’91 e, si e dëgjoj sot”!

Memorie.al / 2 Prilli i 1991, ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe e pranuar edhe sot nga të gjithë krahët e politikës, si një krim monstruoz e makabër, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën mbi 97 vetë, disa prej të cilëve mbetën invalidë të gjithë jetën, të gjithë të rinj e të reja (siç thotë Umberto Eço: “E vërteta dhe vetëm e vërteta do të na shpëtoi”).  Shkaku për të shkruar këto refleksione është se, po dëgjojmë dhe lexojmë të deformuar me dashje ose pa dashje, historinë e ngjarjes së 2 prillit 1991. Për këto shënime, nuk më shtynë as urrejtja, as hakmarrja, as ambicia, as interesi, por vetëm ndërgjegjja për të thënë të vërtetën, publikisht, ashtu siç ka ndodhur.

                                                Vijon nga numri i kaluar

 Dëshmitë e Gjek Çelaj, ish-shefi i Policisë së Shkodrës

 …Isha bërë 31 vjeç dhe nuk kisha parë asnjëherë të qante tim atë. Ai kishte qenë për mua gjithë jetën shembull i mirësisë, i karakterit të fortë dhe drejtësisë. Kur mbarova Akademinë e Rendit, në vitin 1983 dhe u nisa për të filluar karrierën si oficer policie në Pukë, ai më dha vetëm një porosi: “Kij kujdes, bir, – më tha, – ke një detyrë delikate, prandaj po të lë amanet të mos i bësh kujt keq, sidomos, mos i bjer njeriu në qafë”… (faqe 105-106 Gj. Çela)

…Hyrja jonë në sallë u prit me shumë zhurmë e britma individuale, që shoqëroheshin me gjithfarë fyerjesh në adresë të të pandehurve e, veçanërisht, ndaj Ç. Taçit. E kishin shumë inat, jo vetëm si ish-drejtues i Sigurimit të Shtetit për rrethin për tre vjet, por edhe për faktin se, gjatë asaj kohe, kishin ndodhur vrasja e disa personave në tentativë për të kaluar kufirin ilegalisht dhe dy prej trupave të vrarë në kufi, ishin shëtitur me makinë. Ky akt i ulët, kryer një vit më parë, kishte krijuar zemërim”…

…Më 2 prill 1993, ndërsa kryetari i shtetit shqiptar Sali Berisha, udhëtonte me eskortë drejt Shkodrës…, unë udhëtoja drejt Lezhës, për të marrë pjesë në varrimin e babait tim 56-vjeçar. Ai ishte i vetmi nga njerëzit e mi që vazhdonte të kishte besim absolut se, Gjykata e Lartë (Kasacioni) do t’i rrëzonte dy vendimet e para dhe do të më lironte nga burgu.

 I ndodhur në qytetin e Shëngjinit, së bashku me vëllanë tim të vogël, ai pësoi infarkt të miokardit, sapo një njeri i pafajshëm, i kumtoi në rrugë lajmin e Radio Tiranës, për lënien në fuqi të dënimit tim, me 15 vjet heqje lirie.

Mbas dy ditësh, pra me 2 prill, unë mora pjesë në varrimin e tij, falë guximit dhe ndershmërisë së drejtorit të Burgut 313-të, z. Tanush Mileti, i cili e mori përsipër dërgimin tim, në kundërshtim me mendimin e drejtuesve të Ministrisë së Rendit, nga varej institucioni i Riedukimit, të cilit i kishin thënë: “Si të dalë vajzë, si të dalë djalë, ti do ta mbash. Ne nuk të themi ta lejosh të shkojë në varrim” … (faqe 275 Gj. Çela)

Për këtë ngjarje, ja si shkruan A. Shyti (faqe 275):

“Është meritë e Tanush Miletit, drejtorit të burgut, që Gjeka e përcolli babanë në banesën e fundit. Pas nisjes së Gjekës për në Lezhë, Tanushi, më takoi dhe më tha se drejtuesit në Drejtorinë e Burgjeve (Shënim im, T.M.: jo të burgjeve por Ministri e më lart), kishin nguruar të jepnin leje.

Pas këmbënguljes së tij, ata i kishin thënë ta merrte vendimin vetë. Tanushin e pata njohur në takimin e bërë, me drejtuesit e Sindikatës së Pavarur në Shkodër. Ishte një nga drejtuesit e Sindikatës. Kishte burrëri Tanushi dhe e besova plotësisht për ato që më tha. Ishte i vetëdijshëm se, po merrte një risk për vete. 

Mbas 30 vjetësh, duhet thënë e vërteta. Merita e insistimit tim ishte kërkesa për implementimin e rregulloreve dhe legjislacionit evropian, për të Drejtat e Njeriut, mbështetur se Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, prevalon mbi legjislacionin shqiptar. Në atë kohë, presidenti Berisha, ishte angazhuar në respektimin e Konventave para BE-së dhe Departamentit të Shtetit Amerikan.

Por mendoj se, kryesorja është se, unë pata fat që punoje me një ministër si Bashkim Kopliku, shumë i përgatitur e i kulturuar, i pa korruptuar, i cili nuk kishte nevojë për përkthyes. Nëse do e quaja përplasje, problemin e kam patur me këshilltarët e drejtuesve të shtetit, si: juristët, prokurorët, ushtarakët, etj., që vinin nga shkollat e indoktrinuara të komunizmit. Duhet të kujtojmë se historikisht, të burgosurit edhe gjatë Luftës, edhe në kohë të Zogut, edhe në kohë të Turqisë, kanë marrë pjesë në këto ceremoni për gëzime e hidhërime.

Gjek Çela, nuk u shoqërua me eskortë. Respektoi lejen. Gjeka ndryshoi mentalitetin e kuadrove të larta dhe u bë shkak që, reforma të ecte më shpejt dhe pa pengesa. Për këtë dhe të tjera, morëm falënderime nga Strasburgu dhe u citua në Progres-Raportin e Shqipërisë. Me ikjen e ministrit Bashkim Kopliku, reforma filloi të frenohej.

Fatkeqësia e Gjek Çelës, ishte që u ndodh në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar, në atë detyrë shumë të vështirë për kohën, kur sistemi komunist ishte kalbur dhe nuk mund të mbahej më. Ishte vetëm çështje kohë, rrëzimi i atij regjimi. Sipas informacioneve që kisha unë, Gjeka, ka qenë student model në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mori një profesion të imponuar nga pushteti, të cilin nuk e kishte dashur. Tregoi karakter dhe ishte burrëror.

Aredin Shyti, ishte me një karrierë të gjatë në Polici, duke filluar nga poshtë, e deri në shkallën më të lartë të drejtimit. Në librin e tij (faqe 184), Aredin Shyti, shkruan se, kur u emërua zëvendës i Gramoz Ruçit, disa nga shokët e tij e bashkëpunëtore si, Neshat Tozaj, Estref Myftari e Miltiadh Muçi e kishin këshilluar që, të jepte dorëheqjen, të dorëzonte çelësat e të distancohej nga politika tradicionale e PPSH-së.

Ndër të tjera, Neshati i kishte thënë: “Zotësinë, guximin, aftësitë policore, nuk duhet ta shfrytëzojë udhëheqja e sotme e PPSH-së. Ai që ke në krye, nuk dallon nga ata që kanë qenë”. 

Edhe pas 30 vjetësh demokraci, ne vazhdojmë themi se; fajin e ka Sigurimi i Shtetit, si “dora, veshi, syri i Partisë” e “shpata”. Harrojmë se Sigurimi, ka punuar me një platformë, të aprovuar nga Byroja Politike e PPSH-së.

Për këtë, ISKPK me botimin “Platformat e fshehta të Punës Operative të MPB-së”, përgatitur nga Kastriot Dervishi, (viti i botimit 2022, nga faqja 133-155, kreu VII), te pjesa ku jepet “Platforma e Punës Operative e vitit 1985”, datë 12 Shkurt, ku kanë diskutuar Enver Hoxha, Hekuran Isaj, Simon Stefani, Foto Çami, Pëllumb Kapo, Ramiz Alia, Pali Miska, Rita Marko, etj., të cilët e miratuan njëzëri Platformën “tepër sekret”, ku shprehimisht shkruhet:

“Gjithë urdhrat, udhëzimet dhe rregulloret që rregullojnë aspekte të veçanta të procesit të punës operative, dalin në bazë dhe për zbatim të kësaj platforme. Sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha”. (AQSH/AP, F. 14 ou, V.1985, D.9/1, fleta 44-76)

Në vazhdim të zbërthimit të Platformës, kanë dale: “Masat që duhen ndërmarrë ndaj elementëve me rrezikshmëri të theksuar”, (me Nr. 90, datë 17.04.1987, Ekzemplar 27, sekret i rëndësisë së veçantë, 12 faqe), ku flitet ndër të tjera për Listat Nr. 1 e Nr. 2, që sot quhen “Listat e vdekjes”.

Kjo vërteton katërcipërisht se, Byroja Politike, ishte një grup kriminal, i strukturuar, terrorist; parti e paligjshme, e paregjistruar sipas Kushtetutës. (Memoria 1, viti 2021, botim i ISKK, Dr. Çelo Hoxha, Prof. As. Afrim Krasniqi). J. P. Sartre, ka të drejtë, kur thotë: “ne jemi veprat tona”. Këto ishin “veprat e Partisë”.

Për 45 vite, komunizmi me parullën: “Partia mbi të gjitha”, Byroja Politike, në mënyrë të paligjshme, në kundërshtim me Kushtetutën, ka urdhëruar pushtetin ekzekutiv. Gjatë 30 viteve post-komunizëm, në qoftë se dje, urdhëronte partia mbi policinë, sot, forca e pushtetit urdhëron “Policinë e Shtetit”, që do të thotë se, sa herë do të ndërrohet pushteti, duhet të ndërrojmë të gjithë kupolën dhe drejtuesit e policisë.

2 Prilli, u përsërit pas 20 vitesh, më 21 Janar 2011, në formë arkaike, ku u vranë katër demonstrues në bulevard. 2 Prillin e bënë gjimnazistët dhe populli i Shkodrës, ndërsa 20 Janarin, partia opozitare.

Paqja, Demokracia dhe Liria, nuk mund të bashkëjetojnë pa shtetin e së drejtës. Me parullat: “me ne fitojnë të gjithë”, “e mira më e madhe, numrit më të madh” dhe “kap ça të kapësh”, nuk do të ndërtojmë kurrë shtet të së drejtës dhe rrezikojmë lirinë e paqen.

Protagonistët e ngjarjeve të 14 Janarit 1991, 13 Dhjetorit ‘91, e 2 Prillit ’92, duhet të mbesin në kujtesën historike jo vetëm për popullin e Shkodrës, por të të gjithë Shqipërisë. Në Shkodër u hoq për herë të parë busti i Stalinit, Enverit, Leninit, bashkë me të dhe komunizmi. Nder e Lavdi këtyre heronjve! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/aredin-shyti-tregon-se-kur-u-emerua-zevendes-i-ministrit-gramoz-ruci-disa-nga-shoket-e-tij-si-neshat-tozaj-e-estref-myftari-i-thane-deshmite-e-panjohura-te-tanush-m/