“Agroni i tha vëllait; pse më braktise, për njëmbëdhjetë vjet burg s’më shkrove dy gisht letër, as kur më vdiq gruaja e vajza, ai…”/ Historia tronditëse e kohës së diktaturës

Nga Reshat Kripa

Pjesa e shtatëmbëdhjetë

-“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njëmendtë atje ku ekziston përnjëmend”.-

Giovani Sartori: “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”.  

Memorie.al/ Robert Krasta, e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.

                                                       Vijon nga numri kaluar

Atë mbrëmje Roberti pothuajse nuk fjeti fare. Mendime të ndryshme i silleshin rrotull në mendje. Inxhinier elektrik që punonte punëtor dhe as që e përmendte ndonjëherë. Dhjetë vjet burg, bërë në kushte aq të vështira. I akuzuar nga shokët për spiun. Gruaja dhe vajza të vdekura në kushte aspak të qarta. E pra, të gjitha këto e kishin një shkak që Roberti nuk mundej t’i jepte përgjigje.

Një ditë ndërsa pinin kafe, ai i tha:

– Agron, afrohu me njerëzit. Shikomë mua. Mos të dukem si ndonjë njeri që nuk ka patur halle. Edhe unë kam qenë në burg. Edhe unë i kam bërë ballë halleve të jetës. Pasi u lirova, u martova me një vajzë me të cilën u dashuruam. Më lindi edhe një djalë. Por gruaja më braktisi, harroi dashurinë, duke marrë me vete edhe djalin, të cilin kam disa vite që nuk e shoh.

Ata jetojnë diku në një cep të vendit, në një qytet që unë as që ia di emrin. Për këtë më dhemb zemra. Megjithatë, nuk e lëshova veten. U martova përsëri dhe tani kam dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Besimi më përmendi fjalët që i kishe thënë ti në kamp: “Jeta vjen vetëm një herë dhe atë duhet të dish ta ruash”. Tani këto fjalë, po t’i përsëris unë ty, se e di që ke nevojë për to. Martou dhe jetoje jetën tënde.

Agroni sikur u ngroh nga këto fjalë. Krijoi bindjen se kishte të bënte me një mik të vërtetë. Me një mik, të cilit mund t’i besonte gjithçka. Por përsëri nuk guxonte. Guximi kishte fluturuar nga ai. Si u mendua pak, i tha:

– Sikur të kisha forcë të tillë! E ku ta gjejë atë? Kush është ai burrë që do të më japi atë forcë? Vështirë, shumë vështirë të gjejë një burrë të tillë. Të ligën e kam brenda vetes time, në ndërgjegje. Ndoshta ndonjë ditë mund të ta tregojë. Jeta ime është vetëm varri.

Nuk biseduan më. Secili shkoi në punë të vetë, duke menduar ato që kishin thënë. Që nga ajo ditë u bënë më të afërt me njëri-tjetrin. Bisedonin për gjëra të shumëllojshme. Filluan të shkëmbejnë vizita në familje. Fëmijët e Robertit, sikur e qetësonin Agronin. Sa e shihnin, ata i hidheshin në qafe duke bërtitur.

– Xhaxhi Goni, xhaxhi Goni!

Ai i ngrinte lart në krahët e tij, duke u thënë:

– Kapeni qiellin. Ai është juaji.

Në ato çaste i kujtohej Irida. Edhe asaj kështu ia bënte kur ishte e vogël. Roberti priste dita-ditës që Agroni t’i tregonte të fshehtën e tij. Por kjo nuk po ndodhte. Megjithatë, ai e kishte durimin për të pritur.

Nënë Gjyla, kishte disa ditë që nuk e ndiente veten mirë. Kishte një dobësi të theksuar. Tensionin e gjakut e kishte shumë të ulët. Mundohej të qëndronte më këmbë dhe të bënte ndonjë punë, por lodhej shpejt dhe detyrohej të ulej. Të birit nuk i thoshte gjë. Nuk donte ta shqetësonte. Por një ditë ndjeu një marrje mendsh dhe gati u rrëzua. Shkoi dhe u shtri në shtrat. Në mbrëmje kur u kthye Agroni dhe pa t’ëmën të shtrirë në shtrat, u shqetësua dhe i tha:

– Nënë, pse je shtrirë kaq herët?

– Erdhi fundi, more bir.

– Mos e lësho veten nënë. Ti je e fortë. Ti më ke dhënë edhe mua forcë.

– E fortë jam, bir…! Por jam tetëdhjetë vjeç dhe në këtë moshë njeriu duhet të përgatitet për gjithçka…! Kam kaluar një jetë të vështirë, ashtu si edhe ti. Por kam ditur t’i bëjë ballë…! Këtë porosi po të le edhe ty. Mos mendo për vdekjen. Sido që të vijë, jeta është e bukur dhe ia vlen ta jetosh. Shijoje atë. Ky është amaneti im që dua të lë…!

Pas disa orësh i mbylli sytë, ashtu e qetë, pa shqetësuar njeri. Agroni shkoi te një gjiton që kishte telefon dhe lajmëroi Robertin. Nuk kishte kë të lajmëronte tjetër. Ai erdhi së bashku me të shoqen. Ajo e rregulloi nënë Gjylon ashtu si i takonte. Pastaj Roberti shkoi në postë dhe lajmëroi me telefon Skënderin.

E varrosën të nesërmen. Në varrim nuk ishin më shumë se dyzet vetë, shumica shokët e brigadës, me përjashtim të Yllit. As Astriti nuk erdhi. Druhej se mos e pushonin prej pune. Midis tyre Skënderi, Besimi dhe Syrjau. Trupin e së ndjerës e vendosën pranë Iridës dhe Lumtos. Si mbaroi ceremonia, Agroni u gjunjëzua dhe vështronte pllakën, ku ishin vendosur fotografitë e së shoqes dhe të bijës. Nga sytë filluan t’i rridhnin lot. Ato e vështronin nëpërmjet fotografive dhe dukej sikur i thonin:

– Eja Agron. E shikon? Ne u bëmë tre, kurse ti je vetëm.

Roberti e la të shfrente dhe pastaj duke i futur krahun i tha:

– Eja të ikim tani.

U larguan nga ai vend i trishtuar.

Në mbrëmje kishin mbetur vetëm Agroni, Skënderi, Syrjau, Roberti dhe Besimi. Si më i vjetri në moshë, Syrjaut i binte barra t’i mbante me kurajo.

– E përcollëm edhe Gjylon, or djem, – tha ai.

– Kush e ka radhën tani? – pyeti Agroni.

– Natyrisht ne pleqtë, – vazhdoi Syrjau. – Dëgjoni, more djem. Njeriu duhet të jetë i fortë. Duhet t’i dalë zot vetes në çdo situatë. Dikur një trimi i vdiq djali i vetëm. Qyteti i tërë mori pjesë në varrim. Të gjithë e ngushëllonin: – Të rroni vetë! – dhe ai përgjigjej – Shëndoshë miqtë! – A e kuptoni rëndësinë e këtyre fjalëve? Trimi vinte miqtë në një radhë me djalin e vetëm. Ky është motivi që duhet të udhëheqë njerëzit.

– Po unë ku t’i gjejë miqtë? Ata më janë larguar si djalli nga tehmjanit, sikur të kisha lebrën?

– Ne a nuk jemi miqtë e tu? – Foli Syrjau.

– Ne do jemi gjithmonë miqtë e tu, – ndërhyri Roberti aty për aty

– Ashtu si gjithmonë, – e plotësoi Besimi.

– Ju faleminderit.

Në bisedë ndërhyri Skënderi:

– Rrofshi, or miq. Bashkë sot po njihemi. Por jam i qetë se te ju gjeta miqtë e vërtetë të tim vëllai. Pikërisht për të tillë miq ka nevojë ai.

– Ne do të jemi gjithmonë pranë tij, – e siguroi Roberti.

– Në një gjë ka të drejtë Agroni, – ndërhyri Syrjau. – Jetojmë në një situatë të vështirë. Por le të kthehemi në plagët tona. Agron, më fal që po ta them. Ndoshta sonte nuk është rasti, por unë do ta them. Mos bëjë gabimin tim. Martou dhe fillo një jetë të re.

– Martesa ime e vetme është varri.

– Jo, Agron, – ndërhyri Roberti. – vetmia nuk është rruga që duhet të ndjekë njeriu.

– Të lumtë, – foli Skënderi. – Ke folur si mik i vërtetë.

– Ku ta gjejë atë forcë? – pyeti Agroni. – Cili është ai burrë që do më jap forcën, për të mposhtur vetminë?

– Ne do ta japim, – ndërhyri Besimi. – Je miku ynë dhe duam të bëhesh si ne.

– Po Astriti pse nuk erdhi? – ndërroi bisedën Agroni.

– Ti e di, ai është përgjegjës sektori dhe ardhja e tij mund t’i shkaktonte humbjen e vendit të punës. – u përgjigj Roberti – Megjithatë, më porositi që t’ju përcjell ngushëllimet e tija.

– Po Ylli. As vdekja e nënës time nuk e theu?

– Ti e njeh shumë mirë Yllin. Por mos u mërzit. Do të vijë koha kur ai do ta kuptojë gabimin që ka bërë. Koha i zbut zemrat.

– Ngrehuni djema të ikim, – foli Syrjau – Le t’i lëmë vëllezërit në botën e tyre. Mirupafshim nesër!

U takuan me njëri-tjetrin dhe u larguan. Agroni mbeti vetëm me Skënderin. Dy vëllezërit kishin shumë për të biseduar ndërmjet tyre. Kishin më shumë se dhjetë vjet që nuk ishin takuar. Skënderi ishte drejtor ndërmarrje, ndërsa Agroni një punëtor i thjeshtë, ish-i dënuar politikë. Një dukuri që, ndonëse nuk ishte e vetmja, ishte rast që mund të quhej i veçantë. Ishin të pakta rastet kur një person të mund të ushtronte detyrën e drejtorit, në një kohë që i vëllai i tij të ishte një ish i burgosur politikë. Regjimi nuk e pranonte një mospërputhje të tillë. Vetëm ata lart e dinin psenë…!

Por kjo kishte ndodhur edhe për shkak të rrethanave të krijuara. Skënderi ishte shkëputur plotësisht nga vëllai i tij. E kishte mohuar atë botërisht. Nuk kishte guxuar të merrte pjesë as në varrimin e gruas dhe të vajzës së tij dhjetë vjet më parë. Në biografinë e tij nuk ekzistonte vëllai. Ai ishte shuar bashkë me arrestimin e tij. Por vdekja e nënës e kishte detyruar të vinte në shtëpinë e tij. E

kishte thirrur ndjenja e gjakut.

– Përse erdhe pikërisht tani? – e pyeti Agroni

– Sepse jam biri i saj, – u përgjigj ai

– Je kujtuar shumë vonë. A nuk ishe edhe xhaxhai i Ridës dhe kunati i Lumtos? Pse nuk erdhe për to, por le vetëm një plakë të gjorë t’i bënte ballë dallgëve të jetës. Po mua pse më braktise. Për njëmbëdhjetë vjet nuk më shkrove as dy gisht letër. Thua se je biri i saj. Ajo nuk të dëgjon më.

– Agron dëgjomë. Këto që do të të them nuk janë hipokrizi. Po të flas me zemër në dorë. Jemi vëllezër, por nuk jemi njësoj. Unë nuk jam si ti. Për këtë ta kam zili. Ti je i fortë. U bëre ballë të gjitha vështirësive e fatkeqësive që të dolën përpara. Ndërsa unë u tregova i dobët, sikur të mos isha i një brumi me ty. Nuk e di nëse do të më falësh, por unë jam ky që jam, “njeriu i ri“ i socializmit, njeriu servil dhe i dobët, njeriu pa personalitet që është i detyruar të veprojë si manekin në duart e të tjerëve.

– Kështu do të vazhdosh edhe paskëtaj?

– Nuk kam rrugë tjetër. Kam hyrë në këtë valle dhe nuk dal dot. Ti je krijuar për të fluturuar si zog i lirë, ndërsa unë për t’u zvarritur si krimb në batakun tim.

Agroni e dëgjonte kokëvarur dhe thoshte me vete:

“Mos vallë edhe me mua po tregohet servil e hipokrit”?

– O vëlla, si nuk gjen forca për t’u shkëputur nga kjo gjendje?

– Nuk mundem, Është e para herë që flas pa maskë.

– Hidhe poshtë atë maskë. Do të shohësh që do të marrësh frymë lirisht.

– Agron, mos më pyet më gjatë.

E mbyllën bisedën. Nuk vazhduan më. Të nesërmen që me mëngjes ai u nis për në kryeqytet, ndërsa Agroni mbeti në vetminë e tij. Kur po ndaheshin, te dera e shtëpisë, Skënderi deshi ta përqafonte të vëllanë, po sikur ngriu para një trungu të tharë. Ftohtësia e Agronit e vuri në mendime.

Ditët rridhnin njëra pas tjetrës dhe bashkë me to edhe muajt dhe vitet. Kishin kaluar dy vjet nga dita kur Agroni ishte njohur me Robertin. Tashmë kishin formuar një shoqëri të vërtetë. Takoheshin çdo ditë, herë në shtëpinë e njërit dhe herë të tjetrit. Natyrisht takimet zhvilloheshin më shumë në shtëpinë e Agronit, sepse atje ishin më të lirshëm për të biseduar, pasi nuk i shqetësonte njeri. Zakonisht më tepër bisedat zhvilloheshin për letërsinë, që e kishin të dy për zemër. Agroni tregonte se kur kishte mbaruar shkollën e mesme, kishte kërkuar të studionte për letërsi, por i kishin akorduar për inxhinieri elektrike, ndërsa Robertit nuk kishin denjuar t’i akordonin të drejtë studimi.

Në shtëpi Agroni kishte një etazher shumë të pasur. Librat, e ëma kishte mundur t’i ruante, duke i fshehur nën dërrasat e dyshemesë, gjatë dhjetë viteve që ai ishte në burg. Aty gjeje libra në gjuhën shqipe, si dhe në disa gjuhë të tjera, sidomos në anglisht. Midis tyre aty gjeje që nga “Prometeu i lidhur“ i Eskilit deri te “Viti 93” i Hygoit, që nga katër volumet e “Lufta dhe paqja” të Tolstoit, deri te tragjeditë e famshme të Shekspirit, që nga veprat e Dikensit deri te “Tre shokët“ të Remarkut.

Aty gjeje edhe letërsi shqipe që nga “Historia e Skënderbeut” e Naimit, deri te “Albumi” i Nolit, që nga “Vargjet e lira” të Migjenit, te “Për mbrojtjen e atdheut” të Foqion Postolit, që nga “Qyteti i fundit” i Petro Markos, te romanet e Kadaresë. Librat në gjuhë të huaja vazhdonin të qëndronin nën dysheme. Kishte frikë t’i nxirrte, se ruhej nga ndonjë kontroll i beftë i Sigurimit të Shtetit.

Midis këtyre librave, gjeje vepra që në atë kohë nuk gjendeshin në treg, por që ai i kishte siguruar nëpërmjet shoqërisë së tij. Këtu bënin pjesë veprat e Niçes, Frojdit, Konicës, Fishtës, Lumo Skëndos dhe të tjerëve. Ishte një bibliotekë e vërtetë, brenda së cilës ndieje një kënaqësi të madhe në ato kohë të zymta.

Kështu, të dy miqtë mblidheshin atje dhe diskutonin me orë të tëra, për temat e këtyre librave. Pasi diskutonin për vlerat, kalonin në brendinë e mendimeve që lidheshin me aktualitetin, me gjendjen në të cilën ndodhej vendi, me mungesën e shprehjes së vullnetit të lirë. Kishin besuar se me vdekjen e diktatorit, diçka do të ndryshonte në vend, por shpejt ky iluzion ishte shuar. Pasardhësi i tij po ndiqte të njëjtën rrugë.

– Jetojmë në një botë absurdi, – tha një ditë Agroni. – Ngado jemi të rrethuar nga një mori kameleonësh, që nuk rreshtin së ndërruari ngjyrën sipas oreksit të pushtetarëve. Këta janë të ashtuquajturit ‘njerëz të rinj’ të krijuar nga sistemi për të ruajtur pozitat e tij, që kanë filluar të lëkunden. Këta janë pjella më e keqe e këtij sistemi. Më vjen pështirë kur jam i detyruar t’i takoj apo t’i përshëndes. A e di se çfarë ka thënë Niçja:

“Socializmi, si tirani finale e më të vegjëlve dhe më budallenjve, domethënë e të sipërfaqshmëve, smirëzinjve dhe komedianëve për pesë para, është në realitet konsekuenca e ideve moderne dhe e anarkisë së tyre të pa shfaqur”.

Kjo sentencë është karakteristikë e shoqërisë së sotme shqiptare.

– A thua do të vazhdojë gjatë?

– Nuk e di. Diçka ka filluar të lëvizë. Europa Lindore ka dhënë shenja se së shpejti mund të ndryshojë. Kurse ne vazhdojmë me frymën e vjetër. Tri here erdhi Shtrausi dhe të tri herët iku i zhgënjyer. Shqipëria nuk diti të përfitojë nga shansi i krijuar.

– Si mendon a do të mundemi ta shohim vendin të lirë?

– Ti me siguri po, ndërsa unë nuk e di në se do ta kem atë fat. Kam disa kohë që ndiej një dobësi të madhe. Dua të rri shtrirë dhe të ëndërrojë. Kur lëviz lodhem shpejt. Të gjitha këto më bëjnë të mendoj, se nuk do ta kem të gjatë.

– Fillove nga përrallat ti? Kalove nëpër shkallët e ferrit dhe dorëzohet tani, që i kapërceve ato. Ku është ajo forcë që të mbajti gjallë në ato vite?

Agroni nuk u përgjigj. Edhe Roberti e mbylli bisedën kur vuri re se ajo mori një rrugë të padëshirueshme. Ndenji edhe pak dhe pastaj u largua.

– Takohemi nesër te puna, – i tha.

Punonin në suvatimin e një magazine. Brenda këtyre dy viteve, me ndihmën e Robertit dhe Astritit, ai kishte mundur të fitonte dy kategori si murator dhe tani kishte kategorinë e tretë. Roberti kishte shkuar në zyrat e sektorit për të mbyllur borderotë e muajit me Astritin. Kur u kthye nuk e gjeti Agronin. Shokët i thanë se nuk e kishte ndierë veten mirë dhe kishte shkuar në shtëpi. U shqetësua. Iu kujtua biseda që kishte bërë një natë më parë. Shkoi menjëherë në shtëpinë e tij dhe e gjeti në shtrat.

– Ngrehu të shkojmë te doktori.

– Jo, jo nuk kam gjë. Vetëm kam dobësi. Do të pushoj dhe do të më kalojë. Nesër do të jem përsëri në punë.

Roberti nguli këmbë dhe më në fund e bindi. Shkuan në poliambulancë. Doktor Arqilea, një mik i vjetër i Agronit e vizitoi me kujdes.

– Duhen bërë analizat, – tha duke i dhënë raport për tre ditë pushim.

Të nesërmen bëri analizat. Përgjigjen e mori pasdite. Doktor Arqilea e kishte mbaruar orarin e shërbimit. Kështu që përgjigjen ia shpuri ditën tjetër. Sa i pa, doktori u zbeh në fytyrë.

– Si kanë dalë? – pyeti Agroni.

– Duhet t’i përsërisim analizat.

– Përse?

– Dua të bindem që nuk është bërë ndonjë gabim. Kësaj radhe do t’i bësh në spital.

Agroni mori fletën e analizave dhe shkoi në spital. E lexoi. Në një cep doktori kishte shkruar “urgjent”. Gjatë gjithë rrugës mendonte përse doktori i kishte përsëritur analizat. Përse kishte shkruar urgjent? Mos vallë vuante nga ndonjë sëmundje e rëndë dhe doktorit i vinte rëndë t’ia thonte?

– Përse jeni munduar? – i tha mjeku i laboratorit.

– Më ka dërguar doktor Arqilea për të bërë këto analiza.

Doktori lexoi fletën e analizave dhe i tha:

– Duhet të vini nesër në mëngjes, pasi duhet të jeni esëll.

Të nesërmen shkoi që me mëngjes. Laboratori hapej në orën tetë. I duhej të priste. Deri sa të vinte ora, vendosi të shëtiste në lulishten e spitalit. Duke kaluar u ndesh ballë për ballë me Robertin dhe Syrjaun, që po vinin drejt tij.

– E more bir, a i bëre analizat? – pyeti Syrjau.

– Ende se laboratori hapet në orën tetë.

– Eja futemi këtu dhe pimë një kafe.

– Jo, se doktori më këshilloi që duhet të jem esëll.

U ulën në një stol dhe po bisedonin. Robertit nuk i pëlqeu kur mori vesh, se doktori i kishte përsëritur analizat. Por nuk e dha veten. Ndërkohë ora kishte kaluar nga teta. Shkuan në laborator dhe Agroni bëri analizat. Përgjigjen e mori pas dy orësh.

– Si kanë dalë doktor? – pyeti.

– Shpjerja doktor Arqilesë. Ai është specialisti për këtë gjë.

Në poliambulancë, porsa e pa doktor Arqilea e futi në dhomë. Roberti me Syrjaun mbetën përjashta. Doktori pa përgjigjen dhe i tha infermieres:

– Dilni dy minuta përjashta, ju lutem.

Ajo doli.

– Duhet të shkoni urgjent në Tiranë, – i tha me një zë që dukej sikur mezi i dilte – Keni nevojë për një ekzaminim më të hollësishëm. Memorie.al

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-agroni-i-tha-vellait-pse-me-braktise-per-njembedhjete-vjet-burg-sme-shkrove-dy-gisht-leter-as-kur-me-vdiq-gruaja-e-vajza-ai-historia-tronditese-e-kohes-se-diktat/